Kolonel Xhemal Imeri: Ju tregoi radistin që punoi me Enverin gjatë luftës. Një radiotransmetuese peshonte sa 1000 celularë sot

632
Sigal

Dorëshkrimet e ish-pedagogut të Akademisë për ndërlidhjen, kolonel (R) Xhemal Imeri: Servet Xama, radisti, që punoi pranë Enver Hoxhës gjatë luftës

-Një radio transmetuese e atëhershme peshonte sa 1000 celularë sot

  • Radiot e saj kohe ishin VERELES angleze ose TORRNOBI, gjermane
  • – Ne shkuam në Kiev për studime nga viti 1948 deri në vitin 1952 ku pedagogët ishin rusë
  • Regjimenti i Ndërlidhjes u krijua në vitin 1950 me Komandant, Rako Gjermëni,
  • – Në shkollë mendoja të bëhesha tankist, aviator, oficer marine dhe kurrë nuk e mendoja të bëhesha ndërlidhës

Albert Z. ZHOLI

Xhemal Ymeri mbaroi studimet e larta në Kiev të Ukrainës për oficer ndërlidhës,  radio telegrafist. Pas përfundimit të studimeve ka shërbyer në Regjimentin e Ndërlidhjes që nga komandant toge, komandant kompanie, komandant batalioni, Komandant i Shkollës për nënoficerët e ushtrisë për të gjitha specialitetet e ndërlidhjes. Në fund e caktuan Shef i Ndërlidhjes së Korpusit të Burrelit dhe me kërkesën e tij e larguan dhe në vitin 1963 e caktuan pedagog në Shkollën e Bashkuar për ndërlidhjen ku jepte radioteknik dhe elektroteknik dhe së fundi e çuan në Akademinë Ushtarake ku dha teknikën e ndërlidhjes dhe taktikë ndërlidhje. Ishte oficer i rregullt nga janari 1952 deri në vitin 1975 ku mori shumë dekorata, vit në të cilin mori goditjen si “mik” i Beqir Ballukut”.

Kur shikon sot celularët aq të vegjël që të lidhin me mbarë botën, si do i krahasoje me radiot e atëhershme?

Eh, koha ecën, koha sjell zhvillimin. Kur i shoh nuk më besohet, por dhe ne në atë kohë kishim aparatura jo të këqija, por tepër të mëdha. Një radio e atëhershme peshonte sa 1000 celularë sot.

Ishte koha kur uniforma ushtarake ishte shumë e kërkuar dhe shumë të rinj bënin çmos të shkonin skënderbegas apo në Shkollën e Bashkuar. Si vjen sot tek ju ëndrra e dikurshme për t’u bërë oficer?

Është e vërtetë. Ashtu ishte ajo kohë kur sapo kishim dalë nga lufta e Dytë Botërore. Në atë kohë çdo gjë ishte e lidhur me luftën. Uniforma ushtarake ishte prezente kudo, madje të gjithë udhëheqësit e asaj kohe rrinin të veshur me uniformë ushtarake. Për atë uniformë kishte një respekt të veçantë dhe si fëmijë kur shikoja një oficer me grada i ngulja sytë për minuta të tëra. Kështu shkova në shkollën “Skënderbe”. Pra, kam qenë Skënderbegas. Kisha shumë ëndrra.

E kishe dëshiruar të bëheshe ndërlidhës?

Pikërisht në këtë shkollë mendoja të bëhesha tankist, aviator, oficer marine dhe kurrë nuk e mendoja të bëhesha ndërlidhës, ose thënë troç nuk e preferoja këtë degë. Ndërsa kur shkova për të studiuar në Kiev, e dashurova marrëzisht këtë shërbim, pasi e pashë veten ndryshe, pashë zhvillime interesante dhe mësimet i përpija. Këtu mendova se ky shërbim i duhej jo vetëm atdheut, por mbarë njerëzimit. Ne shpesh herë e ngatërrojmë ndërlidhjen e ushtrisë me ndërlidhjen në përgjithësi në të gjitha aspektet e jetës. Edhe kur lind fëmija, që qan apo bën aaaaaa, ai kërkon të lidhet me dikë, të lidhet me diçka. Kërkon gji dhe kur afrohet tek gjoksi i nënës gjen dhe komunikon me gjirin që kërkon. Fillesat e ndërlidhjes përkojnë që në kohën e Maratonomakut, që solli me pishtar lajmin e fitores. Realisht ndërlidhja në Shqipëri ka lindur shumë vite para Krishtit, por në mënyrë simbolike kjo ditëlindje është më 22 qershor 1944. Ishte koha kur Ushtria Na- Çlirimtare dhe u bë lidhja e parë mes Shtabit të Përgjithshëm dhe Divizionit, që sulmonte në veri. Pas vitit 1992, me ardhjen e demokracisë data e lindjes u caktua 1932 kur Mbreti Zog kishte filluar organizimin e ndërlidhjes. Kur erdhi në pushtet, Zogu në vitin 1932 formoi një batalion xheniero-ndërlidhës. Në këtë batalion u krijua një kompani ndërlidhjeje duke marrë eksperiencën italiane. Në vitet 1931-1933 në Tiranë ka pasur një kurs 3 vjeçar, për radiotelegrafist, ku kishte mësuar ish drejtori i ndërlidhjes, Kadri Brahimaj, ka mësuar Sali Ormëni, etj.Pra këtu janë fillimet e këtij shërbimi.

Çdo armë apo shërbim ka një ditëlindje, ka një ditë inaugurimi. 22 qershor 1944 është caktuar si dita e krijimit të këtij shërbimi, më konkretisht çfarë u bë në këtë ditë dhe më tej kur u formua Regjimenti i parë i Ndërlidhjes?

Po kjo ditë është! Në këtë ditë është bërë lidhja e parë e UNÇ midis Divizionit të parë që ndodhej me detyra luftarake në Dibër dhe Shtabit të Përgjithshëm që ndodhej në Vithkuq të Korçës, Radisti i Divizionit ishte radisti i vjetër Mufit Poçari, ndërsa në Shtab ishte Servet Xama, i cili shkëlqeu pas çlirimit si Komandant i Regjimentit të ndërlidhjes. Radiot e asaj kohe ishin VERELES angleze ose TORRNOBI, gjermane. Këto ishin radiot më të përhapura dhe më të sigurta të asaj kohe. Këto radio u përdorën edhe pas çlirimit në Regjimentin e parë të ndërlidhjes që u formua pas çlirimit. Përsa i përket Regjimentit…Regjimenti i Ndërlidhjes u krijua në vitin 1950 me Komandant, Rako Gjermëni, jo ndërlidhës, por shumë organizator dhe komunikues. Ky regjiment u vendos brenda ambienteve të ish Shkollës Skënderbej. Atëhere ato ishin kabinete shumë të mira, komode për kohën dhe kërkesa ishte shumë e madhe. Ne i mbanim radiot si sytë e ballit dhe kujdeseshim në mënyrë shembullore.

Sigurisht teknikë moderne, teknikë e sofistikuar për kohën që donte dhe oficerë të përgatitur. Kush ishin drejtuesit, apo oficerët e parë të ndërlidhjes?

Çdo gjë është zhvilluar dhe perfeksionuar me kohën. Edhe teknika edhe drejtuesit me kalimin e kohës u rritën në cilësi dhe në sasi. Por kryesorja mbetej përgatitja e kuadrove. Në fillim kuadro të tillë ishin pak, por më vonë u bënë shumë. Por në fillimet e shërbimit unë mund të përmend kuadrot, Kadri Brahimi, Nagrip Mehmeti (Shef i Shtabit të Regjimentit), Asllan Llamaj, Servet Xama, Mufit Poçari, Andrea Moisiu, Todo Bojdani, Isak Lila, Perikli Pano, Guri Kona. Këta janë brezi i parë i ndërlidhësve. Pastaj vijnë brezi i dytë që janë, Selam Karashi, Muharrem Gaziu, Pavllo Deda, Mane Hadëri, Gëzim Jashari, Mihallaq… këta ishin të përgatitur që në kohën e Zogut, por që më vonë studiuan dhe në ish BS. Këta mbeten ndërlidhës të shkëlqyer, që i hapën rrugën shërbimit të ndërlidhjes që më vonë u bë model.

Studimet jashtë vendit janë përgjegjësi, pasi duke qenë mes shumë studentëve të vendeve të tjera do të lartësosh vendin tënd. Ku i bëtë studimet?

Unë studimet me disa shokë i bëmë në Ukrainë! Ne shkuam në Kiev për studime nga viti 1948 deri në vitin 1952. Në këtë vit ne mbaruam plot 37 veta nga të katër anët e Shqipërisë. Të gjithë mbaruam shumë mirë. Pasi mbaruam studimet 17 prej nesh i mbajtën në Regjimentin e Ndërlidhjes. Kishte kuadro shumë të përgatitur, të përgjegjshëm, organizatorë, kërkues ku veçohej disiplina e lartë. Ne e bëmë atë Regjiment të dalluar ku konkurronte në çdo drejtim me shkollën e Bashkuar, e cila kishte disa vite që ishte hapur. Ne përgatiteshim dhe studionim çdo literaturë që na binte në dorë në atë kohë. Bënim dhe studime individuale: kryesisht kishim literaturë ruse. Në fillimet tona, ne filluam të përdornim aparatura sovjetike. Më e përhapura ishte RBM, radio që u vu në përdorim në luftën e Dytë Botërore. Njëkohësisht kishim në përdorim dhe radion A7A e përdorur po në luftë. Kishim dhe një radiostacion të fuqishëm marrës- dhënës, që ishte instaluar në makina. Ky ishte stacion shumë i fuqishëm për kohën. Në vitet 1952-53 erdhi dhe teknika e re nga BS. Këtë teknikë e shoqëruan një kapiten dhe një toger, specialistë sovjetikë, të cilët ndenjën këtu tre vjet për të na mësuar përdorimin e tyre. Aparaturë e re ishte R-104, telegrafike, R108, R109, radioreleja si dhe aparate te reja të telegrafonisë, që ishin me tastiera, BB. Njëkohësisht erdhën dhe centrale të fuqishëm, mbi 40 numra. Në vitet e para instruktorët ishin të gjithë rus, ku ne që kishim mbaruar shkollën aty bënim përkthimin. Kryesisht përkthenin Pavllo Dedja dhe Reis Nika.

Si ishin aparaturat e asaj kohe? Këto aparatura a krahasoheshin me të vendeve perëndimore?

Aparaturat ndryshonin çdo vit. Ndoshta nuk kishin atë cilësi, por në kushtet e vendit tonë dhe në kushtet në të cilën ndodhej vendi ynë, për kohën ishin shumë, shumë të mira. Ne u mësuam me to dhe ato nuk na lanë asnjëherë në baltë, madje mund të them se nuk kishim defekte të shpeshta.

Brigada e Ndërlidhjes

Në vitet 1954 Regjimenti kaloi tek Rrapi i Treshit dhe më vonë kaloi në Brigadë të ndërlidhjes. Komandanti i parë drejtues i Brigadës ishte Servet Xama (radisti që punoi pranë Enver Hoxhës gjatë luftës, që bëri lidhjen me Divizionin e parë). Këtë radist të shkëlqyer, Enver Hoxha e propozoi vetë të bëhej komunist që gjatë luftës kur ishte radist pranë tij. Ai ishte një oficer korrekt, i zgjuar dhe shumë i disiplinuar. Kur ka ardhur Enver Hoxha një vizitë në këtë Brigadë, tek Rrapi i Treshit në vitin 1957, na tha, se keni një komandat trim dhe të zgjuar, ndaj vlerësojeni dhe mësoni prej tij. Ai na ka ndihmuar në situata shumë të vështira në luftë. Të tillë specialistë duam. Më vonë Komandant ka ardhur Damin Xhaferi, pastaj Pavllo Dedja, e me radhë. Deri në vitin 1990 e tillë ngeli. Brigadë e shkëlqyer me rregull dhe disiplinë, me arritje të shkëlqyera, që kurrë nuk solli shqetësime. Me ardhjen e teknikës së re modernizimi ishte shumë i mirë.

Kur filloi dega e ndërlidhjes në Shkollën e Bashkuar?

Në vitin 1950. Pra shumë prej nesh, që kishin studiuar në BS filluam të jepnim mësim në këtë shkollë. Në fillim shkolla ishte njëvjeçare, pastaj dyvjeçare dhe më vonë trevjeçare. Ata që ishin Skënderbegas dhe ishin kuadro lufte shkonin për studime në BS, të tjerët studionin në shkollën e Bashkuar. Ne filluam të shkonim në grupe për studime që në vitin 1947 në Jugosllavi dhe në BS.

Cilat ishin aparaturat më moderne?

Ishin aparatet radiondërlidhëse (radiostacione) të vendosur në Gaz 67 dhe Gaz 69, ishin me tastierë dhe me foni. Ato përdoreshin në të gjithë lindjen.

Kur u prishëm me BS ku i merrnim aparaturat?

Filluam t’i merrnim nga Kina. E gjithë teknologjia ishte ruse, e njëjtë, kopje. Madje shumë prej aparaturave ishin të ngjyrosura, ndoshta të përdoruara në luftë në Vietnam apo Kamboxhia dhe na i sillnin ne. Por punonin mirë dhe ishin të mirëmbajtura. Gjithë teknika kineze ishte prodhim rus, ose më mirë të themi kopje e tyre. Por më vonë filluan të na sillnin aparatura të reja të mira.

Si ishte ndërtuar struktura e shërbimit të ndërlidhjes?

Çdo Korpus kishte nga një batalion ndërlidhje, çdo Brigadë apo Regjiment nga një Kompani dhe çdo batalion nga një togë ndërlidhje. Kjo ishte struktura ku ndërlidhja ishte më vete.

Cila ishte rëndësia e ndërlidhjes në atë kohë?

Ahere nuk kishte celularë (qesh). Ahere thuhej se pas ushqimit (prapavijës) dhe pas zbulimit vinte ndërlidhja. Pa prapavijë dhe pa ndërlidhje nuk ka ushtri dhe fitore. Ka ndërlidhje e komandimit, bashkëveprimit, lajmërimit dhe ndërlidhje masive.