Dr. Vladimir Mici: -Pa naftë nuk ka ekonomi të qëndrueshme

306
Sigal

 

-Thellimi për të gjetur rezervat e naftës kyç për zhvillim

-Nuk ka kompani nafte atje ku s’ka naftë

Kompannitë e huaja, që shfrytëzojnë rezervat ekzistuese e mbështesin të ardhmen e tyre në rritjen e naftës dhe gaznxjerrjes nëpërmjet metodave kryesisht të dyta, pasi është vështirë në botë, në mos e pamundur, që vendburimet, që shfrytëzojnë rezervat primare të zbuluara, të jepen me ndarje prodhimi. Nën këtë aksiomë kanë ardhur edhe kompanitë, që kanë bërë MOP (Marrëveshje të operacioneve të përbashkëta) me “Albpetrolin”. Pra, sensi i zhvillimit janë ose metodat e dyta, ose kërkim i pastër i vendburimeve, apo shtresave të reja naftë dhe gaznxjerrëse. Nuk ka kompani nafte atje ku s’ka naftë. Kjo aksiomë është e qartë. Kompanitë që kanë marrë përsipër zhvillimin e vendburimeve të naftës kanë tri objektiva:

  1. Të sigurojnë nga paratë e hedhura fitim mundësisht sa më lehtë, sa më shumë dhe me sa më pak pengesa, apo ferra ligjore nëpër këmbë. Kjo, duke e siguruar këtë nëpërmjet një teknologjie të avancuar për rritjen e shkallës së shfrytëzimit të rezervave gjeologjike, duke kaluar nga përpunimi primar në atë sekondar. Në rrugën e tyre s’ka kompromis, madje edhe kur flitet për paligjshmëri, për sa kohë atyre u rrisin fitimin. (Kujto shpërthimet në Zharrëz, zjarret dhe ndotjet mjedisore). 2. Të sigurojnë që vlera e aksioneve të tyre të vijë në rritje, në mënyrë, që ata të garantojnë financimin e projekteve të tyre. Për pasojë edhe besimin. 3. Duke ulur në maksimum riskun e ekspozimit të tyre operacional, që shoqërohet me dalje të mëdha fondesh financiare.

Kjo realizohet:

Stadi i parë i tyre është studimi i fizibilitetit. Në këtë stad shoqëria vendos të testojë, ose jo. Nëse testimi thotë po, atëherë kalohet në stadin 2. Stadi i dytë është stadi pilot. Në këtë stad kompania, mbi bazën e studimit të fizibilitetit përcakton programin e testimit të vendburimeve, të teknologjisë që duhet, paratë që duhen, mjetet që do të përdoren, objektivat, që duhen arritur dhe të vlerësojë rezultatet. Mbi këtë bazë ajo paraqet ofertën e saj ndaj qeverisë.

Qeveria merr programin e kompanisë dhe vlerëson rezultatet dhe objektivat, si dhe përcakton kushtet e veta. Negociatorë të dy palëve zhvillojnë negociata derisa përcaktohen kushtet, ku

disa nga këto janë:

  1. Shkalla (pjesa në përqindje) e naftës së prodhuar që do të shërbejë për mbulim kostoje.
  2. Përqindja e kostove të zhvillimit që do të amortizohen çdo vit, bazuar në një përqindje ndaj totalit të naftës së prodhuar.
  3. Përqindja e kostove të kërkimit që do të amortizohen çdo vit ndaj naftës së prodhuar.
  4. Përqindja e shpenzimeve të përgjithshme dhe administrative.
  5. Limiti i blerjeve pa tender, si dhe kompetencat për ushtrimin e këtij funksioni.
  6. Vlerësimi i aktiveve të palëve si pjesëmarrje në kosto, kur operatori përdor mjete të tij apo të ortakëve.
  7. Përjashtimi, apo vonimi në pagesën ndaj tatimeve për një periudhë kohe të caktuar.
  8. Sasia maksimale e titullimit
  9. etj, etj…

Të gjithë këta faktorë çojnë në një kërkesë rigoroze të ndjekjes dhe miratimit të çdo shpenzimi dhe domosdoshmërie operacioni. Kjo lind nevojën e negociatorëve dhe stafit që përfaqëson

shtetin dhe kompaninë, me integritet maksimal. Se si është ky staf i “Albpetrolit”, mirë është t’i referoheni raportit të para disa viteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili me keqardhje zbuloi vetëm majën e ajsbergut të korrupsionit.

Marrëveshja MOP

Këtu rasti nuk është me AKBN-në, por me “Albpetrolin”, i cili për mungesë burimesh financiare dhe teknologjie, pranon (gjithmonë me lejen e pronarit shtet) të lidhë një marrëveshje, ku i kalon

kompanisë së huaj manaxhimin e vendburimeve, vetë merr pjesën sipas kushteve që përcaktojnë dy palët. Ndërkohë, që “Albpetrol” i dorëzon vendburimet me të gjithë inventarin e tij.

Qeveria e monitoron këtë MOP, nëpërmjet AKBN-së, (Liçensës së operatorit për kompaninë e huaj dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik), si pronare e pronës shtetërore. Është kjo, që vendos

për fatin e marrëveshjes. Po kush ka përgjegjësi për këto marrëveshje?

Rasti klasik dhe më i diskutuari mediatikisht është ai i Bankers. Kjo kompani kreu studimin e fizibilitetit deri në maj-qershor 2004, dhe kërkoi të hynte në fazën pilot për një periudhë,

korrik 2004 – tetor 2005. Në tetor 2005, kompania Bankers duhej të jepte programin e saj dhe rezultatet e fazës pilot dhe të dokumentonte plotësimin e programit të saj të angazhimit dhe

opsionin e saj, për të kaluar në shtrirjen e kontratës për të gjitha vendburimet për një periudhë 25-vjeçare, ose për të hequr dorë. Materiali i saj është diskutuar gjatë duke pasur mjaft

probleme dhe, në mars 2006 “Albpetrol” nën presionin METE-s, e përfaqësuar nga titullari i “Albpetrolit” të asaj kohe, nënshkroi me Bankersin (atëherë SAXON LTD), marrëveshjen

me afat 25-vjeçar me të drejtë shtyrjeje edhe për 10 vjet. Marrëveshja quhet e lidhur, vetëm dhe vetëm, kur shteti miraton marrëveshjen për shfrytëzimin e vendburimeve. Pra, marrëveshja ka fuqi vetëm pasi të ishte firmosur nga drejtori i “Albpetrolit” dhe ministri i Ekonomisë, dhe kjo ndodhi në mars të vitit 2006. Për çdo datë përpara kësaj date, qeveria ishte në të drejtën e zotit për të mos e pranuar, refuzuar, apo hedhur poshtë marrëveshjen, nëse ishte bërë keq, apo me qëllim të keq nga qeveria paraardhëse. Ky sqarim është edhe për të sqaruar opinionin publik edhe për përgjegjësitë e qeverive në rastin konkret. Pra është një rast, ku qeveria socialiste ka hapur rrugën e një investimi, ndërsa qeveria demokratike ka firmosur, ndërkohë, që edhe mund të mos firmoste, që ky vendburim të përpunohej për 25 vjet nga Bankers. Kështu që e dyta s’mund t’i lerë barrën së parës për përgjegjësinë. Ajo është plotësisht përgjegjëse e vetme e kësaj kontrate! E njëjta strategji dhe rrugë është ndjekur edhe me  kompanitë e tjera, me përjashtim të kompanisë së fundit Feniks, për të cilën informacioni ishte tepër enigmatik.

Vlerësimi i rezervave

Vlerësimi i rezervave është një pikë, që në sit-et zyrtare të Bankers i referohet standartit kanadez, ndërkohë që ajo ka detyrimin e paraqitjes së bilancit dhe të rezervave sipas standartit shqiptar. Kompanitë e tjera nuk japin të dhëna mbi këto rezerva. Por standarti shqiptar nënkupton edhe një trupë që të mbikëqyrë këtë standart. Duke parë ecurinë e rritjes të madhe të

rezervave të shoqërisë Bankers, pyetja që lind është: ku i gjeti kjo rezervat, kur në vendburimin Patos-Marinëz- Sheqisht rrjeti i puseve ishte trekëndor me brinjë 75 metra? A mund të ketë

gabuar kaq shumë Instituti Teknologjik i Naftës, i cili kishte një departament vetëm për rezervuarin?! Qendrat e prodhimit bënin analizën vjetore të shfrytëzimit të rezervave dhe çdo vit

freskoheshin të dhënat. Pra, përdorej një trupë shumë herë më e madhe dhe më e specializuar sesa kompania Bankers, dhe me mundësi, dhe nga ana tjetër, problemi i modelimit ishte pothuajse me cikël të mbyllur. Problemi është i komplikuar ende dhe s’ka

asnjë përgjigje shkencore. Nën versionin tim, Bankers e jep këtë rezultat për dy arsye:

Së pari, është një detyrim i Bursës, ku ajo ka kuotuar kompaninë, dhe së dyti, një mënyrë për të mos lëshuar terren në çmimin e aksioneve të saj të kuotuara në tregun kanadez. Fakti që çmimi

i aksioneve të kësaj kompanie rritet, kjo lidhet me dividentin, që kjo kompani shpërndan me aksionerët, ose me fitimet më joshëse, që sjell riinvestimi i saj. Dhe vlera e një kompanie mbështetet më parë në rezervat që shton dhe jo në ato që merr. Nuk mund të rritet vlera e aksionit nëse investimi yt pakëson rezervën ekzistuese. Pra, kompania paraqet titullimin e saj të projektuar çdo vit, duke përdorur testin tavan për vlerën e rezervave, që ende s’janë nxjerrë. Këtë e realizon duke shtuar pjesën e titullimit (pra, rezervave potenciale, që ajo do të marrë gjatë periudhës së marrëveshjes dhe efekteve të çmimit, i cili, kur kalon 10 për qind,

i nënshtrohet një testit tavan me çmimin e ri).