“Ishin zgjedhje partiake të rilindjes”, Vasili: Çfarë “halli” apo lobimi e vuri Venecian kundër ODIHR dhe kundër vetes?!

210
Sigal

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka reaguar pas opinionit të Komisionit të Venecias për zgjedhjet vendore.

Në një postim në “Facebook”, Vasili shkruan se është dukshëm një opinion i mbërthyer nga një “hall” i madh sepse opinioni i kundërvihet hapur dhe në mënyrë vetëvrasëse raportit final të ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit 2019.

Sipas tij, zgjedhjet moniste të 30 qershorit u zhvilluan pa dekret të Presidentit, me bojkotimin e 85% të popullit, me një votë të hapur dhe jo të fshehte, pra ishin zgjedhje partiake të rilindjes dhe jo zgjedhje të përgjithshme lokale.

POSTIMI I PLOTË I VASILIT
Çfarë “halli” apo lobimi e vuri Venecian kundër ODIHR dhe kundër vetes!?
Venecia ka bërë opinionin e saj ndaj kërkesës së Shoqatës së Kryetarëve të Bashkive për zgjedhjet lokale moniste të 30 qershorit.

Është dukshëm një opinion i mbërthyer nga një “hall” i madh sepse opinioni i kundërvihet hapur dhe në mënyrë vetëvrasëse raportit final të ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit 2019 i cili thotë qartë:
“Pasiguria u rrit më tej nga mosmarrëveshja midis palëve të interesuara zgjedhore në lidhje me ndarjen e përgjegjësisë midis Gjykatës Kushtetuese, si organi i vetëm i mandatuar për të vendosur mbi kushtetutshmërinë e dekreteve presidenciale, dhe Kolegjit Zgjedhor që ka mandat të mbikëqyrë ligjshmërinë e procesit zgjedhor.
Vetëm Gjykata Kushtetuese është e autorizuar të gjykojë mbi kushtetueshmërinë e dekreteve të Presidentit të Republikës.”
Por Venecia sërish nën ngerçin e “hallit” del edhe kundër vetes sepse në Opinionin Final nr. 959/2019 thotë:

“Dekreti i Presidentit nr. 11199, datë 10.6.2019 dhe Dekreti Nr. 12211, datë 27.6.2021 2019, nuk u kundërshtua siç duhet përpara ndonjë gjykate sipas procedurave kryesore (as përpara Kolegjit Zgjedhor dhe as Gjykatës Kushtetuese). Presidenti nuk kishte asnjë qëndrim dhe nuk u dëgjua në procedurat para KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor. Këto organe e konsideruan Dekretin e tij të pavlefshëm, për t`u dukur i parëndësishëm”.
Ndërsa në opinionin e dy ditëve më parë të 13 tetorit 2021 Venecia në një kontradikte vetëvrasëse thotë:
“Vendimi i kolegjit zgjedhor që konstaton pavlefshmërinë dekretit të PR për shtyrje zgjedhjesh dhe pse s’është objekt shqyrtimi në GJK nuk mund të nënvlerësohet e të mos konsiderohet”.

Ndërsa ODIHR në opinionin final për zgjedhjet e 30 qershorit 2019 thotë:
“Duke iu referuar rastit të kërkesës së Partisë së Uniteti Kombëtar për t’u tërhequr nga zgjedhjet, dhe vendimeve përkatëse të Kolegjit Zgjedhor dhe KQZ, u vërejtën me shqetësim:
mungesa e paanshmërisë së KQZ dhe votimi i anëtarëve të saj mbi linja partiake;
fakti që gjykatësit e Kolegjit Zgjedhor janë subjekt i procesit të vettingut, që mund të ndikojë sigurinë e mandatit të tyre dhe potencialisht pavarësinë e tyre në vendimmarrje”.
A i mban mend Venecia Opinionin e saj nr.959/2019 dhe Raportin final te eksperteve te pranuar ndërkombëtarisht të ODIHR?
Përgjigja është sigurisht: PO!

Atëherë Pyetja e madhe, që shtron kushdo është:

Çfarë halli apo ç’lobim e vuri Venecian në këtë pozicion vërtetë qesharak sa që e detyron t’i kundërvihet ODIHR dhe vetes??
Zgjedhjet moniste të 30 qershorit u zhvilluan pa dekret të Presidentit, me bojkotimin e 85 % të popullit, me një votë të hapur dhe jo të fshehte, pra ishin zgjedhje partiake të rilindjes dhe jo zgjedhje të përgjithshme lokale.