Sefer Pasha: Rrëfimet e Enverit për dosjet e Kadri Hazbiut dhe misterin e valixhës së Mehmet Shehut

1188
Sigal

Radioloja, vdekja e Hysniut dhe deklarata e Fiqiretes se Kadriu ka qënë në dhomë me Mehmetin kur ndodhi vrasja

-vijon nga numri i kaluar

  • Flet ish Shefi i Gadishmërisë së Gardës së Republikës Sefer Pasha:
  • -Pas vdekjes së Hysni Kapos Enver Hoxha u vetizolua
  • – Krimet më të mëdha të asaj periudhe i kanë bërë hetuesit jo Enveri, ata e gënjenin
  •  -Enver Hoxha dhe dosja e Kadri Hazbiut, misteri i valixhes së Mehmet Shehut,
  • – “Aksidenti’’ i Kujtim Spahivoglit dhe fotot e Çe Gue Varës
  • -Në hetuesi Fiqirete Sheu tha shumë të pavërteta
  • – Është e vërtetë ajo që Kadri Hazbiu i tha Fiqirete Shehut gjatë ballafaqimit në hetuesi se: – ’’Ti i zbathe brekët’’
  • – Kadri Hazbiu: -’’Kur u bë Radjoloja qendra e zbulimit amerikan pyeti se ku ndodhej Beqir Balluku, Liri Belishova dhe Koço Tashko. Për këtë kam bërë njoftimet përkatëse’’
  • – Kur Enver Hoxha mbaroj vizitën në Ksamil në Himarë ai mbolli një ulli të vogël të cilën simpatizantët në demokarci e mollën diku më lart

Albert Z. ZHOLI

-Kaluan gjithë këto situata të vështira. Si ka reaguar individualisht Enveri/ A ishte ai i kohëve më parë energjik?

I gjendur mes vargmalit të shkresave në Arkivin e Shtetit, të Ministrisë së Brendshme dhe në Bibliotekën Kombëtare e kam pyetur veten: – Çfarë ndodhi? Përgjigja është se Enver Hoxha u vetizolua. Lexuesi nuk e di që krimet më të mëdha të asaj periudhe i kanë bërë hetuesit. Ata ishin përbindëshat. Hetuesit i dërgonin Enver Hoxhës ato të dhëna që i donte Sekretari i Parë i Komitetit Qendror për fjalime. Ato që ka thënë Fiqirete Shehu në hetuesi nuk janë të vërteta. Skenari u përgatit në hetuesi. Fiqirete Shehu firmosi ato, që i kishte shkruar grupi i hetuesve. Ato i lexoj dhe u regjistruan në magneton, të cilat i dëgjojë vet Enver Hoxha. Fiqirete Shehu u habit kur i thanë se ajo e kishte pseudonimin ’’Fisari’’. Torturat e hetuesve janë të paimagjinueshme. Të gjitha faktet shtrëmbëroheshin. Ashtu fije – fije i shkonin Enver Hoxhës. Është e vërtetë ajo që Kadri Hazbiu i tha Fiqirete Shehut gjatë ballafaqimit në hetuesi se: – ’’Ti i zbathe brekët’’. Kjo e thënur metaforike e Kadri Hazbiut i shkoi Enver Hoxhës me shumë ’’mballoma’’. Udhëheqësit ju tha se Kadri Hazbiu e qortoi Fiqirete Shehun se ajo tregoi ’’komplotin’’. Kadri Hazbiu me shprehjen ’’i zbathe brekët’’ i tha Fiqirete Shehut se ajo u tremb dhe filloi të shpif. Nga frika foli për ato që nuk kanë ndodhur. Kadri Hazbiu e thotë në hetuesi se ai e ka njoftuar partinë se i dashuri i Marjeta Shehut ishte diplomati francez Alen Zherom. Ja dhe një pohim tjetër i Kadri Hazbiut: -’’Kur u bë Radjoloja qendra e zbulimit amerikan pyeti se ku ndodhej Beqir Balluku, Liri Belishova dhe Koço Tashko. Për këtë kam bërë njoftimet përkatëse’’.

-Personalisht ju si do ta përkufizoni veprimtarinë e Kadri Hazbiut? A kishte dhe ai gabime?

Veprimtaria e Kadri Hazbiut sipas dosjeve në arkiv, por dhe nga dëshmitë e atyre që e kanë njohur dhe janë gjallë nuk e nxjerin atë ’’engjëll’’. Ishte e pamundur në kushtet e diktaturës që Kadri Hazbiu t’i shpëtonte kafshimit të gjarprit. Ai e ka takuar në burg Petro Markon. Shkrimtari i është ankuar se po e akuzojnë si agjent të amerikanëve. Pasi e ka dëgjuar Kadri Hazbiu ka ndërhyrë që Petro Marko të delte në gjyq dhe të mos e kalbin në qeli pa e marrë në pyetje. Gjatë hetimit që i është bërë Kadri Hazbiut atij hetuesit i kanë kërkuar nëse ai ishte takuar pas burgut me Petro Markon. Kadri Hazbiu, i cili habitet që e paskan ndjekur, e pranon se pasi ka dalë nga burgu e ka takuar shkrimtarin Petro Marko. Ai i ka kërkuar që ta ndihmonte me materiale për Halim Xhelon. Përpara hetuesve Kadri Hazbiu në vitin 1982 thotë: – ’’Konkuluzionet që ka arritur udhëheqësi i partisë mbi mua janë të gabuara’’. Për një informacion të pasaktë të Lirim Pëllumbit, Kadri Hazbiu, thotë për të: – ’’Gomarit edhe shalë po t’i vënë, prap gomar mbetet’’.

Enver Hoxha shpesh nuk ua vërshëllente atyre informacioneve që Ministria e Brendshme ja çonte në tavolinë.

-Pse? Nuk kishte besim apo si?

Sepse vlerësonte ato të dhëna që i merrte drejpërdrejt nga njerëzit e tij besnik e të afërt. Ramiz Alia kishte shkuar për vizitë në rrethin e Kukësit. Qe nisur dhe në Shishtavec për të pirë një kafe. Në anë të rrugës në fshatin Topojan kishte parë disa malësorë me kosa në duar. I kishte pyetur malësorët dhe ata i kishin thënë midis të tjerave se vlera e ditës së punës ishte ku thërret qameti. Mezi i mbanin familjet me bukë. Në takim Ramiz Alia i kishte befasuar malësorët me një pyetje: – ’’Përse ka kooperativë këtu në Topojan’’? Kur Ramiz Alia u kthye në Tiranë i raportoi Enver Hoxhës për vizitën në Kukës. Enver Hoxha pasi e kishte dëgjuar i kishte thënë: – ’’Pse nuk e dije ti Ramiz se Topojani mes maleve është kooperativë bujqësore?’’ Dhe menjëherë pas takimit Ramiz Alia kishte përfunduar në kardiologjinë e Klinikës Qeveritare. Po kështu kishte ndodhur dhe me një rast tjetër aty ku është Blloku. Në fund të rrugës ’’Pjetër Bogdani’’, ballë për ballë me ish dyqanin e Udhëheqjes, ka qenë një tavernë. Xhambazi i lagjes Dunavat, që po kërkonte të takonte Haki Toskën futet në tavernë. Në një tavolinë pinte birrë i ati i Enver Hoxhës, Halil Hoxha. Xhambazi flet me të zotin e tavernës dhe i thotë që me përjashtim të Halil Hoxhës klientët e tjerë do t’i nxjerësh nga lokali. Për koston e tavernës do të paguaj unë. Dhe i zoti i lokalit ashtu bëri. Filloi mishi, rakia dhe kënga labe. Xhambazi i tha Halil Hoxhës arsyen se përse donte ta takonte Haki Toskën, që ishte Ministër i Financave. Shteti t’u hiqte taksën. Nuk e paguanin dot. Kur Halil Hoxha vajti në shtëpi i tregoi Enver Hoxhës se ç’i kishte ngjarë me xhambazin e lagjes Dunavat. Të nesërmen pasi xhambazi u takua me Haki Toskën ky ia thotë Enver Hoxhës hallin e xhambazit. Dhe Enver Hoxha i tregoi atë që i kishin parë sytë të atit, Halilit, në tavernën përpara Bllokut. T’i paguaj taksat një për një kishte thënë Enver Hoxha. Për këtë të dal dhe një qarkore e Ministrisë së Financave. Kaq kishte dashur Bexhet Mema, i cili ishte Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Gjirokastërs. Ata që nuk i paguanin taksat në Lunxheri, i lidhte me tel me gjëmba dhe i shetiste fshat më fshat dhe të lidhur i shpinte në burg në Gjirokastër. Qysh atëherë askush nuk guxonte që të mos i paguante taksat.

Kot po vuaj nëpër arkiva e duke marrë intervista. Askush nuk mund t’i qaset figurës misterioze të Enver Hoxhës. Ai e ka lënë në baltë Stalinin. Lexova gjithçka që ka shkruar në librat e tij Blendi Fevziu për personazhin e Enver Hoxha.As nuk e prek.

-Kjo do të thotë që ishte më shumë se një mister i madh? Kaq komplekse ishte figura e tij?

Në vitin 1978 u ndodha me shërbim në Gjirokastër kur në qytetin e tij të lindjes Enver Hoxha bëri vizitën e tij të rrallë. Siç thanë Enver Hoxha donte ta shikonte qytetin e fëminisë pa u bezdisur nga njerëzit. U nis që nga vila në lagjen ‘’11 Janari’’ drejt Qafës së Pazarit afër mesnatës. Po kur mbrriti aty gjirokastritët e rrethuan. Gjëmonte kënga dhe vallja. Që nga lagja ’’11 Janari’’ i vunë flakën sazezhinjtë. Më treguan se lëviznin gurët e sokakëve. Nëpër dritare mbanin vesh të moshuarit. Policia e sidomos shoqëruesit e Drejtorisë së Dytë u alarmuan. Enver Hoxha po lëvizte pa lajmëruar njeri. Pas tij ishte vetëm Sulo Gradeci dhe Nexhmije Hoxha. Nisën të zbresin lazaratasit dhe mashkulloritët me kuaj. Po kështu lunxhiotët dhe libovitët. Enver Hoxha lëviste pa masa operacionale. Pa mbërritur në Grapsh të Dropullit Divizini i Janinës u ngrit në gadishmëri. Posta kufitare greke në Kakavijë u mbush me flamuj si në festë. Shumë vite më vonë kur kam parë filmin ’’Parrullat me gur’’, me skenar të Ylljet Aliçkës dhe regji të Gjergji Xhuvanit, kam thënë se kjo është një përrallë e keqe. Nuk ka ndodhur kështu. Sa mjegull ka rreth kësaj figure. Gjatë vizitës në Gjirokastër Enver Hoxha me dëshirën e tij vajti në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të rrethit. Ishte mbledhja e radhës. Diskutohej për ruajtjen e vlerave të qytetit muze. Problem ishin ndërtimet e reja. Pati diskutime të shumta. Enver Hoxha dëgjonte. Më në fund e mori vet fjalën. Mirë, mirë tha Enver Hoxha. Por kur të ndërtoni pyesni dhe Përroin e Çullos. Ky përrua është i egër. Vjen nga shpati i Malit të Gjerë. Është në krahun e djathtë të lagjes Palorto, ku kishte kaluar fëmininë Enver Hoxha. Kur kishte rrebeshe e stuhi Përroi i Çullos bëntë hatanë. Shkëmbinjtë e malit të Gjerë i vinte përpara dhe i shpinte tek Ura e Lumit. Në të dy krahët e tij nuk mund të ndërtoje pa studime të sakta. Këtë e dinte mirë Enver Hoxha. Prandaj në mbledhje tha: – Kur të ndërtoni mos harroni që të pyesni dhe Përroin e Çullos. Gjithsesi vizita e Enver Hoxhës në Gjirokastër më ka vënë në mendime.

-Pse të vuri në mendime? Ç’ishte ai shkëlqim i tij në Gjirokastër?

Me firmën e tij qe vrarë Bari Omari dhe shumë bashkëpunëtorë të ngushtë. Rradhën e kishte Mehmet Shehu. E megjithatë misteret vazhdojnë. Kur Enver Hoxha mbaroi vizitën në Ksamil u kthye nga bregu i detit. Pa hyrë në Himarë ai mbolli një ulli të vogël. Në vitet e para të demokracisë vendasit e shkulën ullirin dhe e mbollën në një kodër të lartë, që të mos e dëmtonin vandalët. Kur shërbeja në Gardë një gazetare greke që e kishte emrin Marta më kërkoi ta çonim atje ku Enver Hoxha kishte mbjellë ullirin. Vendasit na thanë se ullirin e Enver Hoxhës e kanë shkulur dhe e kishin mbjellë në mënyrë sekrete lart në qafë. Në pyllin me ullinj të mos merrej vesh se cili qe ulliri që e mbolli me dorën e tij Enver Hoxha. E kërkuam me gazetaren, por nuk e gjetëm. Martës i mbeti merak që nuk e fotografoi ullirin e mbjellë nga dora e Enver Hoxhës.

Enver Hoxha ishte dhe një psikolog i mirë. E vunë në djeni Besnik Bekteshin se e priste Enver Hoxha në zyrë. Dhe Besnik Bekteshi për një muaj nuk vuri gjumë në sy. Studioi aq shumë sa u thinj. Më në fund e priti Enver Hoxha. Qysh sa i dha dorën Enver Hoxha i tha Besnikut se ishte i brengosur. Qe i pakënaqur me ekipin e futbollit të ekipit të ’’Vllaznisë’’. I foli për Ragamin dhe Sabah Bizin. Por dhe për futbollistët e tjerë. I njihte një për një. Kush qe i martuar dhe kush jo. Ua përmendi dhe biografitë. Besnik Bekteshi që nuk e priste dhe mbeti pa mend. Nuk foli fare. Pas dy ditësh e bën Anëtar të Byrosë Politike.

Paçka se Enver Hoxhës i merrnin shumë kohë luftrat e brendshme dhe ato të politikës së jashtëme, gjë që ndikoi dhe në shëndetin e tij, për çështje të mprehta ai shndërrohej në ’’luan’’. E ka treguar vet Nexhmije Hoxha.

-Si ta kuptojmë këtë? Me çfarë ka lidhje?

Enver Hoxha u njoh me suksesin e madh të Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve në Dizhon të Francës, por dhe me provokacionin e rëndë të qarqeve shoviniste në Francë. Kur Enver Hoxha e mori vesh filloi të fliste me vete në studjon e tij e ka vazhduar tregimin Nexhmije Hoxha. I dha ministrit të Jashtëm disa porosi. Pas shumë ndërhyrjesh u lidh me ministrin e brendshëm të Francës. Dhe u qetësua pas bisedës në telefon me këngëtaren Vaçe Zela. Fjalët kurajoze të Vaçe Zelës e sollën në vete. Pastaj u ul në tavolinë dhe nisi të shkruaj me shkrim dore në ditarin e tij, që e qëndiste për ditë.

Në jetën e Enver Hoxhës nuk kishte kohë boshe. Për çdo orë kishte një program.

-Çfarë bënte Enveri në kohën e lirë?

Pasi lexonte vinte kasetofonin dhe dëgjonte këngë labe. Këndonte dhe vetëm. Ndonjëherë i thoshte Nexhmijes që ajo t’i bënte iso. Në Gjirokastër këndoi me Xhevat Avdallin. Gjirokastritëve u tha se i vinte keq që djemtë e tij nuk kishin mësuar të këndonin labçe. Herë pas here recitonte vargje nga ato të këngëve labe. Kur ishte në vështirësi sillte në mendje ato vargje që i jepnin forcë. Vargjet: – /Kam përpara një kala!/ /Do më hajë a do ta ha!/ Kanë qenë të preferuara prej tij. Kur do të shkonte për vizitë në Mashkullorë u përgatit deri në orën tre të natës. Shkruante dhe këndonte këngën e Çerciz Topullit. Këtë ja tha dhe popullit të Mashkullorës kur tek rrapi u ul me ta këmbëkryq.

Të qëmtosh thua më thua jetën e Enver Hoxhës është e zorshme. Kjo është njëra anë. Por drama qëndron tek lexuesit dhe sidomos tek ata të cilët e kanë idhull Enver Hoxhën. Ja një fletë nga pema e tregimeve të Sulo Gradecit. Enver Hoxha kishte bërë një ndërhyrje të lehtë në syrin e djathtë. Mjekët ja kishin izoluar syrin me fasho. Një mbasdite Enver Hoxha do të zbriste me ashensorin e vendosur në godinën e Komitetit Qendror. Pas Enver Hoxhës ishte Sulo Gradeci dhe Nexhmije Hoxha. Në çast mbërriti ashensori. Nexhmije Hoxha çoç i tha në krahun e djathtë Enver Hoxhës. Ai vetëtimthi ktheu kokën nga krahu i syrit të fashuar. Dhe e përplasi ballin në mur. Enver Hoxha siç qe e qëlloi me pëlllëmbë Nexhmije Hoxhën. Këtë ndodhi e kam shkruar dhe e kam sikterrisur disa herë. Në dy – tre gazeta nuk ma kanë botuar. Mos e boto më kanë thënë gjithashtu miqtë. Nuk qëllonte me pëllëmbë Enver Hoxha. Çmendurira. Enver Hoxha ishte diktator dhe bënte dhe gjëra të tjera, të cilat lexuesi i kohës tonë nuk ja merr mendja. Edhe koka edhe dora e tij ishin sëpatë. Shoqëruesit tregojnë se kanë parë Ramiz Alinë të vrapojë në koridoret e Komitetit Qendror.’’Po vjen shoku Enver’’,- ka thënë ai nëpër dhëmbë.

-Për jetën e Enver Hoxhës qarkullojnë shumë gojëdhëna?

Në socializëm u shkruan libra, filma, drama, opera e u kënduan qindra këngë. Edhe në vitet e demokracisë nga një kënd tjetër gjithashtu po shkruhen libra e filma pa fund. Edhe në të radhmen do vazhdojë kjo Odise. E tillë ishte jeta e Enver Hoxhës. Në rrugën ’’Mihal Grameno’’ ka banuar valltari i papërsëritshëm Besim Zekthi. Prej shumë vitesh e pinim kafen së bashku. Dhe më të rrallë dhe ndonjë gotë verë. Besim Zekthi u nda nga kjo jetë pa u ’’vjel’’ mirë, jo si valltar se vepra e tij është dokumetuar dhe filmuar, por ai qe një thesar me kujtime. Në mendje më ka mbetur shprehja e tij:- ’’Turp t’u vijë atyre që nderet e Enver Hoxhës i bëjnë hasha!’’. Dhe i ilustronte me disa figura të artit, të cilët Enver Hoxha i mbajti në pëllëmbë të dorës. U dha detyra të rëndësishme, apartamente banimi, leje krijuese, i specializoi jashtë shtetit, u dha studjo për të krijuar e të tjera e të tjera. Dhe pikërisht këta ’’veqil’’ me të ardhur demokracia i përmbysën të gjitha të mirat. Vjellin vrer. Besim Zekthi më ka folur për kujtimet që ka nga takimet me Enver Hoxhën. Në një rast Enver Hoxha kishte marrë pjesë në një concert, që kishte dhënë Ansambli i Këngëve dhe i Valleve. Besim Zekthi kishte interpretuar rolin kryesor tek ’’Vallja e Shqipeve’’. Pas shfaqjes Enver Hoxha e kishte falenderuar Besim Zekthin. I kishte bërë vetëm një vrejtje të ’’vogël’’. Mirë Besim! Por mua m’u duk sikur je i shkëputur nga masat.Ti Besim fluturoje si shqiponjë, por shqiponjat nuk fluturojnë vetëm. Bukuria e tyre në qiellin e kaltër qëndron se ato atje lart vallëzojnë në grup. Unë i kam parë në kreshtat e Malit të Gjerë që kur isha fëmi.

-Pse për figurën e Enver Hoxhës nuk gjen ndonjë gjë të madhe nëpër arkiva?!

Vetë Enver Hoxha ka shkruar e botuar ato që ai i quante diamante për brezat. Po ato ’’vogëlimat’’ ku janë? Një kal me dokumente janë ish oficerët e Gardës. Ata e bënin ’’pronë’’ të tyre gjithçka që i ndodhte Enver Hoxhës. Dihet që Enver Hoxha nuk e ka zënë kurrë në gojë atin e tij, Halil Hoxhën. Asnjëherë nuk pinë kafe bashkë. Të dy babë e bir në një rast janë grindur keq. Ishte pushkatuar Bari Omari. Mulla Halili (Kështu e thërrisnin në Gjirokastër Halil Hoxhën). Ishte fetar, prandaj i thërrisnin Mulla Halili. Edhe Enver Hoxha ka besuar në zot. Këtë ma kanë thënë dikur në rini të gjithë të moshuarit në lagjen’’Palorto’’. Një ditë Mulla Halili i kërkoi Enver Hoxhës lekë se do shkonte të takonte nipërit. Enver Hoxha ja kthen aty për aty. Ik puno që të marrësh para. Mulla Halili revoltohet dhe i përgjigjet: – ’’Ti të më keshe vdekur, dhe jo djali tjetër Beqiri, që ma hëngri turbekulozi. Ti mo ti të keshe vajtur në stodhjallo! Më more tokat tek Ura e Lumit dhe në Grapash. Edhe Vraho – Goranxia e imja ka qenë. Tregojnë se Enver Hoxha qe habitur me ato që i tha Mulla Halili. Nuk i kishte folur. Kjo ’’ciflosje’’ brenda në shtëpi mes Mulla Halilit dhe të birit Enver Hoxhës doli jashtë Bllokut me shpejtësinë e dritës. Në Qafën e Pazarit gjirokastritët i thoshin Mulla Halilit. Po si i the ashtu shokut Enver? Mirë ja bëra që ja thaç mo gaz përgjigjej ai! Enveri na mori tokat. Jo vetëm mua, por të gjithë gjirokastritëve. Na ka mbetur vetëm Përroi i Çullos! Le të na marrë dhe të na çojë në Drino! Dhe Mulla Halilin e rrethonin të kushërinjtë që mblidheshin tek Klubi i Gjuetarëve. Pinin raki dhe këndonin labçe. Mulla Halili zotëronte turqishten dhe persishten.

Nesër do lexoni

  • -Enver Hoxha kurrrë nuk hante mish si lab mbante dietë të rreptë
  • -Në Moskë kur Enveri shkruante Mehmet Shehu kewndonte: O Enver do fshish odanë, me një degë manxuranë
  • – Fiqiretja e akuzon se ka qenë në dhomën e Mehmet Shehut para se ai të vriste veten. Përgjigja është: – ’’Fiqirete Shehu shpif’’
  • – Sulo Derrajn roja ei Mehmet Shehut: Kadri Hazbiu u fut në ’’vrimën e zezë’’ tw vilws  në orët e vona
  • – Kadri Hazbiu kur u transferua në Ministrinë e Mbrojtjes Kasafortën e zyrës në Ministrinë e Brendshme e nxori me vinç nga dritarja