Sali Onuzi: Beteja e Lumës e vitit 1912, ku serbët lanë 1000 të vrarë

1258
Sigal

Historiani Onuzi sjellë dëshmitë e diplomati Oskar Prohaska për një betejë heroike, por pak të njohur deri tani

*kolonel (R)

Pasi nuk ishte përmendur në asnjë botim zyrtar të mëparshëm, më 2002 botimi akademik i “Historisë së popullit shqiptar” shënonte më parë shtypjen se qëndresën e 2000 lumjanëve kundër forcave serbe në nëntor 1912, pa thënë asnjë tjetër fjalë për një betejë të zhvilluar e të fituar prej tyre. Por e vërteta zhytet e nuk mbytet, siç thotë populli. Më 2012, me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë, Instituti i Historisë botoi veprën dokumentare në 6 vëllime “Shqipëria në dokumentet Austro-hungareze. (1912)”. Në këtë vëllim janë përfshirë dy informacione (telegrame) që konsulli i Perandorisë Austro-hungareze, Oskar Prochaska i dërgonte Vjenës ato ditë nëntori 1912 dhe që flasin qartë për luftë, madje “luftë të ashpër’, e ‘të përgjakshme’ dhe ‘për humbje të mëdha të serbëve’ në Lumë, që i ka detyruar të thërrasin për ndihmë të gjithë forcat e tyre. Konsulli Prochaska nga Prizreni shkruante me 13 nëntor: “Thuhet se Ushtria serbe këtu(d.m.th nga Prizreni S.O) do të shkojë në Shëngjin. Ushtarët, (duhet të jetë fjala për ushtarët osmanë të Xhavit Pashës që u tërhoqën nga Gjakova më 4 nëntor pa luftuar. Shënim im) të cilët më 5 të këtij muaji ishin nisur për në Lumë, me 7 të këtij muaji u kthyen nga Dibra e madhe. Me 8 filloi të shkrijë bora dhe ushtarët u nisën përsëri. Deri tani kanë shkuar 12 batalione dhe pak kavaleri. Deri dje, kur ata hynë në Bicaj, nuk hasën në kundërshtim. Malësorët katolikë u dorëzuan me këshillën e Preng Bib Dodës. Serbët fituan sepse nuk kishte kush t’i kundërshtonte”. Prochaska na njofton se nga Prizreni kanë dalë 12 batalione. Kjo nuk do të thotë se 12 batalionet kishin hyrë në Bicaj. Këto batalione kanë filluar të dalin nga Prizreni që nga data 9 nëntor. Ata janë nisur në dy drejtime, njëri për Mirditë (që kaloi ne krahun e djathtë të Drinit të Bardhë dhe te Ura e Vezirit e që përbëhej nga 6 batalione (siç shënon vetë historiografia jugosllave. B. Ratkovic), dhe pjesa tjetër për në Lumë. Kur  Prochaska shkruan “nuk hasën në  kundërshtim” e ka fjalën për të dy drejtimet, si  për atë të Lumës, dhe për grupimin e Adriatikut  që kaloi nëpër Mirditë. Datën e fillimit te betejës, edhe Prochaska e jep më 15 nëntor në telegramin e tij të datës  27 nëntor. Sipas tij forcat serbe kishin hyrë në Bicaj me datë 12 nëntor pa hasur në kundërshtim. (nga raporti i datës 13 nëntor) Por me 15 nëntor “lumjanët kishin  ngritur krye papritur e pakujtuar” ( raport i datës 27 nëntor). Kjo vërteton tërheqjen mjeshtërore në kurth të reparteve serbe nga lumjanët dhe goditjen e tyre në befasi…” Lufta, vijon konsulli, u bë tek Kulla e Shën Gjonit, Kulla e Lumës dhe në Zhur e Curr afër Prizrenit”. Goditja ne befasi, krahas motit te keq etj., e bën të besueshme edhe shkallën e lartë të humbjeve serbe. Po mes informacionit të konsullit Prochaska  dhe atij të historiografisë serbe ka diferenca të mëdha. Nga 12 batalione që kanë dalë nga Prizreni, sipas Prochaskës, 6 batalione kanë  përbërë grupimin e ‘Adriatikut’ të Divizionit Shumadija I’(Ratkovic. Prvi balkanski rat.1912-1913,libri i dytë, f.294) . Ratkovic  shkruan  se në Lumë u angazhuan vetëm 3  batalione, duke lënë pa adresë tre batalione të tjerë, që, sipas konsullit austro-hungarez ,kanë dalë nga Prizreni. Kështu del se  informacioni që jep Aqif Pashë Elbasani për qeverinë e Vlorës, bazuar në thëniet e Ahmet Zogut për 6 batalione serbe në Lumë , duhet konsideruar. Në telegramin e tij dërguar Vjenës më 27 nëntor 1912 konsulli Prochaska shkruante për “një luftë të ashpër e të përgjakshme, (në Lumë) që u ka kushtuar serbëve humbje të mëdha dhe i ka detyruar të thërrasin për ndihmë të gjithë forcat e tyre”. Konsulli austro-hungarez sjell edhe një fakt tjetër: shkallën ekstreme të urrejtjes shoviniste serbe ndaj lumjanëve, që, në mënyrën e vet, flet për shkallën e humbjeve në Lumë. Ai i raporton Vjenës:” Në vizitën që kleri katolik bëri tek gjenerali serb (është fjala për komandantin e Armatës së tretë Bozhidar Jankovic)me 21 të këtij muaji (3 ditë pasi kish marrë fund beteja (shënim im), ai deklaroi se sa u përket lumjanëve, ai ka marrë urdhër që “fisi Lumës do të shfaroset krejt, me gra e fëmijë”. Tanimë dihet se forcat serbe bënë krime të llahtarshme më 1912 –‘13  për të zbatuar këtë urdhër famëkeq. Në tetor 1913 masakruan më shumë se 1800 veta në Topojan, Përbreg Brekijë, Kalis, Palush, Lojme etj.. Mbi të gjitha konsulli Prochaska na ka dhënë dy të dhëna që e vendosin betejën e Lumës në një taban të fortë në pikëpamje historio-grafike: 1-“Luftë e ashpër, humbje të mëdha” 2- numrin e reparteve  serbe që kanë marrë pjesë në këtë betejë. Prochaska na thotë se kanë dalë më datë 9 nëntor 12 batalione nga  Prizreni. Kjo e dhënë ka rëndësi shumë të madhe dhe kjo ka munguar deri sot për studiuesit shqiptarë. Prej saj mund të nxirret një përfytyrim më i saktë dhe më realist i betejës së Lumës.  Kjo do të thotë se skema e historiografisë serbe duhet rivlerësuar dhe studiuar sipas të dhënave të reja që jep arkivi austro-hungarez dhe konsulli Prochaska duke ndërtuar një skemë  tjetër, duke mbajtur parasysh numrin e 6 batalioneve, terrenin , kohën dhe intensitetin e veprimeve luftarake etj.

Për të përfunduar: Forcat serbe pjesëmarrëse kanë qene 6 batalione (6500 veta) me gjithë artileri e ndërlidhje e logjistike. Pra, nuk kanë qenë 18000, e as 16000, siç kanë shkruar disa studiues… Po del se  nuk kanë qenë as tre 3 batalione forcë pjesëmarrëse dhe as 198 të vrarë (apo disa qindra), siç ka fshehur historiografia jugosllave. Ne edhe më parë i jemi referuar një informacioni që i shkonte ushtrisë osmane dhe që shënon ne Lumë për 24 orët e para 1000 pushkë të kapura, pra të 1000 ushtarëve serbë të vrarë. Pra deri me datë 16 nëntor një humbje prej 1000 vetësh e bën më të besueshme të kenë qenë në Bicaj deri në Kolesjan dy batalione. Mund të besohet se ky ritëm humbjesh shumë i lartë (50 %) të ketë vijuar edhe me datë 16-17 nëntor dhe 17-18 nëntor. Pra i bie të kenë humbur rreth 2000 e më shumë ushtarë serbë dhe gjysma e tyre,(diçka më pak a më shumë) të kenë dalë gjallë e të plagosur .Kjo mund ta konkretizojë përfundimin e Novakovicit (serb, që ka marrë pjesë në ketë betejë) që thotë  “disa qindra të vrarë”, “humbje të mëdha“, dhe “humbje e plotë”. Këtyre të dhënave u vjen ndihmë edhe një informacion i nënkonsullit britanik nga Shkupi i cili në shkurt 1913 shkruan se në Lumë Serbia ka humbur 8 batalione…Natyrisht studimi i arkivave serbe (që edhe sot mbahen të mbyllura, në veçanti për shqiptarët) do të sillte të dhëna edhe më konkrete e të hollësishme për këtë betejë të famshme, të cilën e ka ruajtur aq fort kujtesa popullore dhe folklori i krahinës dhe  e ka përmendur në krijimtarinë e tij artistike edhe  shkrimtari i madh Ismail Kadare.