Ermira Babamusta: Rikthim i suksesshëm i Andamion Murataj dhe Shqipërisë në skenën e filmit Europian

575
Sigal

*New York

Skenaristi dhe regjisori i famshëm Andamion Murataj e bëri të njohur artin shqiptar në shkallë ndërkombëtare. Me filmin “Fjala e Gjakut” (The Forgiveness of Blood) Andamion arrit të fitojë çmimin prestigjioz “Ariu i Argjendtë” për skenarin më të Mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin 2014.  Skenari i tij i radhës mban titullin “Burri i Shtëpisë” (Man of the House) dhe e merr temën nga burrneshat shqiptare. Ky skenar ka tërhequr vëmendjen e shumë figurave të njohura të kinematografisë botërore duke shënuar sukses që në hapat e tij të parë. Andamioni sapo ka shënuar edhe një përfaqësim dinjitoz në Trieste të Italisë ku filmi i tij është  ndër 12 projektet e filmit artistik të përzgjedhur prej 200 filmave konkurrues, për t’u prezantuar para forumit të rëndësishëm të producentëve europianë “Kur Lindja Takon Perëndimin” (Vvhen East Meets Vvest).  Ky sukses vjen disa muaj pas arritjes së tij të mëparshme, ku skenari u përzgjodh si një ndër 10 projektet internacionale më premtuese për zhvillim nga një juri që përfshin disa nga figurat më të larta të skenarit botëror, filmat e të cilëve janë të vlerësuar me çmimin “Oskar” siç janë David James, V. Hart etj.. “Skenari i filmit ‘Burri i Shtëpisë’ një histori shumë origjinale, emocionalisht ngërthyese e shkruar shkëlqyeshëm që na dërgon në një botë të panjohur. Është një skenar mrekullisht ndjellës për një botë të çuditshme dhe misterioze të mbushur me karakteret krejt unikë. Është një rrëfim me potencial të mrekullueshëm kinematografik”, thotë Clarie Dobbin, drejtore e Festivalit të Filmit Ndërkombëtar të Melbourne dhe mentor i Laboratorit të Zhvillimit të Skenarit: Eksperienca Puljeze 2014.  “Unë besoj që një skenar i mirë është “basti” më i sigurt për suksesin e një filmi. Filmi i mëparshëm nuk e pati fillimin e “Burrit të Shtëpisë” dhe do më pëlqente të thoja që fillimi i mbarë është gjysma e punës,  por nuk është krejt kështu. Në film, çdo hap është përpjekje intensive. Shpresoj që në momentin e duhur të më bashkëngjiten njerëzit dhe institucionet e duhura në këtë rrugë, të cilën deri më tash e kam bërë i vetëm. Është pjesë e punës si ‘filmmaker’ të kërkosh mbështetje, por është po aq pjesë e detyrimeve institucioneve kombëtare të identifikojnë dhe mbështesin projektet që dëshmojnë cilësinë në konkurrimet ndërkombëtare”, thotë Andamion Murataj. Kualiteti i projektit “Burri i Shtëpisë” ishte premtues që në Laboratorin e Puljas. Mbas eksperiencës në Pulja, regjisori Murataj u kthye në Shqipëri për të thelluar kërkimet mbi temën dhe për ta zhvilluar më tej. Sukseset më të fundit të projektit më të ri të regjisorit dhe skenaristit të shquar Andamion Murataj, shënojnë arritje të re për kinemanë Shqiptare e cila së fundi po vlerësohet në rangun e lartë të arritjeve të artit europian. Është një moment historik që kërkon trajtim dhe vëmendje të veçantë te institucioneve të artit dhe filmit në Shqipëri, sidomos pas dështimit të institucioneve të filmit në Shqipëri për t’u radhitur ndër mbështetësit e filmit “Falja e Gjakut” që rezultoi të ishte suksesi më i madh i kinemasë shqiptare në arenën ndërkombëtare.   “Unë shpresoj që institucionet e filmit në Shqipëri të kenë nxjerrë mësimet e duhura e të mos përsëritet sërish ajo çka ndodhi me filmin “Falja e Gjakut. Burri i Shtëpisë (Man of the House) rrëfen historinë e një burrneshe shqiptare në ditët e sotme, e cila duhet të zgjedhë nëse duhet të vazhdojë jetën e saj prej burri apo të rigjejë ndjenjat e ndrydhura femërore për tu bërë nëna që i mungon mbesës së saj, Zanës.

Do të ishte fatkeqësi t’i rikthehemi sërish në pikën zero. “Burri i Shtëpisë” është fitues në shumë evente ndërkombëtare dhe institucionet europiane të filmit i kanë kriteret përzgjedhëse shumë të qarta. Është koha që filmat shqiptarë të kalojnë nëpër të njëjtat filtra konkurrues dhe për të marrë mbështetjen e nevojshme financiare në vendin e origjinës” shtoi regjisori Andamion Murataj.