Popujt që harrojnë historinë e tyre nuk janë të lirë

66
Sigal

Kjo thënie e Presidentit Miteran, vëndit që bëri Revolucionin e Madh francezë, i shkon për shtat mëngjesit të sotëm, në kujtim të 17 Nëntorit 1944, ditës kur Tirana u cclirua nga lufta partizane ,pa ndihmën e huaj. Kujtimet e Xhaferr Peccit ish-komandat batalioni në Brigadën e Parë për 19 ditët e luftimeve, beteja e Barrikadave me 127 partizanë të vrarë dhe 290 të plagosur

Nga kujtimet e Xhaferr Peçit, ish komandant batalioni i Brigadës së Parë dhe korrierit partizan: Pas marrjes së urdhërit, Mehmet Shehu organizoi sulmin ndaj nazistëve për çlirimin e kryeqytetit.

-19 ditë luftime, ku spikati beteja e Barrikadave, me 127 partizanë të vrarë dhe 290 të plagosur

– Parisi, Varshava, Roma, u çliruan nga ushtritë e aleancës

 -79-vjetori i çlirimit-

 

“Gazeta Telegraf”

Ai mbante mend deri në detaje gjithçka kishte ndodhur në 17 nëntor 1944 . Kujtimet e tij ai i bënte present për lexuesin tek gazeta Telegraf. Në vesh i oshëtinin (siç thoshte) ende gjëmimet e topave, ndërsa para syve parakalon e gjithë situata e një beteje të përgjakshme. Kujton se është luftuar në çdo qoshe muri, shesh, rrugicë e dritare. Në këtë mënyrë, arena e luftimeve për të mbajtur me çdo kusht, apo marrë me çdo kusht kryeqendrën shqiptare, u bë tepër e egër. Ish Komandanti i Gardës tanimë në pension, 84-vjeçari Xhafer Peçi, i cili në atë kohë ka qenë dhe komandant Batalioni në një prej njësive më të lavdishme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Brigadës I Sulmuese, rrëfen edhe një herë me ngjyra të gjalla, atë çka ndodhi gjatë 19 ditëve të luftës frontale për çlirimin e Tiranës. Gjatë intervistës ekskluzive për gazetën “Telegraf”, Xhafer Peçi shpjegon se përparimi i ushtrisë sovjetike në të gjitha frontet, dhe që më 15 tetor çliroi Nishin, i detyroi trupat ushtarake naziste për të mos mbetur të bllokuara, të tërhiqeshin nga Ballkani, duke përdorur rrugët përmes Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës. Trupat gjermane u përkisnin gruparmatës “E”, në të cilin bënte pjesë edhe Korpusi XXI me qendër në Tiranë. Garnizoni gjerman i Tiranës, i përbërë prej 3000 veta kishte detyrë të mbronte qytetin për të siguruar tërheqjen e trupave naziste, që vinin nga Greqia e Maqedonia, duke ndjekur rrugët Strugë-Elbasan-Tiranë dhe Durrës-Shkodër. Në Tiranë kishte mbetur edhe një forcë me rreth 500 shqiptarë të armatosur, që ishin bashkuar me forcat gjermane. Armiku në qytet kishte bërë fortifikime dhe vende-vende si në ndërtesa kryesore, kazerma, centralin elektrik, etj., kishte vendosur mina.

Kur do të motivohej sulmi mbi Tiranë?

Pas Kongresit të Përmetit u formua dhe Divizioni i Parë, në përbërje të të cilit ishin Brigadat e 1-rë, e 4-t, e 5-të Sulmuese dhe komandoheshin nga gjeneral Dali Ndreu dhe nënkomandant kolonel Mehmet Shehu. Na u dha urdhër që në qershor të kalonim në Shqipërinë e Mesme e në Veri. Pas disa përpjekjesh me forcat naziste u hodhëm në Maqedoni. Kaluam zonën e Gostivarit, qëndruam në Kërçovë për 20 ditë, ku anglo-amerikanët na hodhën nga ajri ushqime, veshmbathje e municione. Aty sulmuam Dibrën dhe këtë aksion e ka udhëhequr Mehmet Shehu, i cili kishte nën komandë edhe Brigadën e Parë Kosovare dhe Brigadën e Parë Maqedonase. Në 28 tetor na u dha urdhri për të sulmuar Tiranën. Unë mora pjesë në luftimet për të marrë Radio-Tiranën. Dua të them se sulmi për të marrë kryeqytetin, Tiranën, është një histori heroike e luftës së Dytë Botërore nga partizanët shqiptarë.

Kur do të vinte urdhri?

Plani i Komandës së Përgjithshme përcaktonte si detyrë kryesore çlirimin e Tiranës me çdo kusht, asgjësimin e forcave armike dhe mënjanimin e grabitjes e të shkatërrimit të qytetit nga gjermanët. Në urdhrin e Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxha thuhej: “Duhet sulmuar Tirana dhe të merret me çdo kusht”. Mësymja në Tiranë do të bëhej nga dy forca kryesore. Në të parën, do të hynte në mësymje Divizioni I Sulmues, që në përbërje të tij ishin tri Brigada I, IV dhe XXIII, e cila kishte zëvendësuar Brigadën V, që kish shkuar në Kosovë, së bashku me Brigadën III, për çlirimin e asaj krahine. Në fazën e dytë do të futeshin në luftim Brigadat VIII, X, XXIV. Komandant i Divizionit ishte Mehmet Shehu, i cili organizoi shtabin operativ dhe drejtoi me aftësi të rrallë operacionin për çlirimin e kryeqytetit. Veprimet për çlirimin e Tiranës përbënin një operacion të kombinuar. Në kohën që Divizioni I dhe Brigadat VIII dhe X do të mësynin brenda në qytet e në periferi të tij, Brigadat II, XX, XV, XVII, XI e XII do t’i jepnin goditje armikut gjatë rrugëve që nga Qafa e Thanës-Elbasan-Tiranë, Tiranë-Shkodër, Elbasan-Durrës si dhe brenda në qytetet Elbasan, Peqin, Kavajë, Durrës.

Kur do të fillonte realisht sulmi?

Mësymja. filloi në orën 18.00 të 29 tetorit. Vështirësia më e madhe për partizanët e Brigadës I u paraqit tek kazermat e Xhenios (sot Akademia Ushtarake). Aty kishte pozicione të fortifikuara. Gjermanët rezistuan për një kohë, por kur panë se do të rrethoheshin plotësisht, u detyruan të tërhiqen dhe kazermat ranë në duart e partizanëve, si dhe spitali civil e ushtarak që ishin pranë njëri-tjetrit. Duke kontrolluar ndërtesat e zëna, më dorëzuan partizanët 40 e ca ballistë të armatosur qe ishin fshehur. Luftime u zhvilluan në rrugët “Bajram Curri”, Tafajve, Shenasi, Dishnica, në Kodrën e Kuqe, Medrese, në postën pranë “Varrit të Bamit”, në rrugën “Hoxha Tahsim”, para sheshit “Avni Rustemi”. Brigada IV sulmoi në kodrat afër Pallatit të Brigadave dhe në Tiranën e Re.

A u vu në zbatim i gjithë plani i përgatitur?

Pas 10 orë luftimesh Brigada I doli në rrugën e “Barrikadave”. Armiku u tërhoq me nxitim dhe nuk mundi të vinte në zbatim. planin për të hedhur në erë depot e ujit, spitalet, komandën e xhandarmërisë, etj; Fillimi i mbarë i mësymjes tregonte përgatitjen e divizionit për betejën e madhe, vendosmërinë e komandave e luftëtarëve për të çliruar Tiranën. Ky fillim i mbarë iu dha krahë partizaneve dhe ringjalli gëzim të madh në popullsinë e qytetit. Ja si e përshkruan këtë komandanti i operacionit Mehmet Shehu: “Ndërsa partizanët ndiqnin këmba-këmbës gjermanët, kur nëpër rrugët e qytetit kërcet bomba, mitralozi, automatiku, pushka, populli i Tiranës (plaka, të rinjtë, pleqtë, të gjithë) dalin nëpër qoshet për të përshëndetur partizanët duke brohoritur”. Pas tri ditësh mësymje, partizanët kishin asgjësuar nyje të rëndësishme në sistemin e mbrojtjes armike, kishin zënë gjysmën e qytetit dhe ishin në qendër të tij. Komanda e Korparmatës I i raportonte komandantit të Përgjithshëm: “Populli në prapavijë qëndron fare mirë, me moral të lartë, punon bashkë me partizanët në ngritjen e barrikadave. Forcat tona ndihmohen nga këshillat e komandat e lagjeve”. Deri më 10 nëntor u zhvilluan luftime të ashpra rrugë më rrugë e shtëpi më shtëpi, sulme e kundrasulme të shpeshta nga të dy anët. Partizanët jo vetëm që mbajtën pozicionet e zëna, por i përmirësuan ato më tej, duke hyrë në brendësi të qytetit. Në mëngjesin e 10 nëntorit mori fund faza e parë e mësymjes.

Çfarë përmbante faza pasardhëse?

Në fazën e dytë erdhën edhe Brigadat VIII, X, XVII, XXII, kjo e fundit vinte nga Kukësi. Të gjitha këto vareshin nga shtabi operativ. Brigada VIII mori detyrë të mësynte nga ana e jugut e perëndimit të qytetit së bashku me një pjesë të Brigadës IV, Brigada X, XXIV dhe Batalioni “Antonio Gramshi” (i Brigadës I) kishin për detyrë të bllokonin rrugën Tiranë-Vorë, ndërsa Brigada XXIII do të vepronte gjatë rrugës Vorë-Shkodër.

Mëngjesi i 17 nëntorit ’44,  Tirana, i vetmi kryeqytet në Europë  i çliruar pa ndihmë.

“Mëngjesin e 17 nëntorit përfundoi beteja për çlirimin e Tiranës. Pas 19 ditë luftimesh të pandërprera e të përgjakshme, ku vetëm në qytet humbën jetën shumë luftëtarë, kryeqyteti ishte i lirë. Kjo ishte fitorja më e shkëlqyer mbas të gjitha luftimeve, sakrificave të pallogaritshme që kishte bërë populli ynë gjatë sundimit nazi-fashist. Në operacionin për çlirim, brenda në qytet, dhanë jetën si partizanë, (94 prej të cilëve nga Brigada I), ndërsa jashtë saj gjithsej ranë dëshmorë 127 veta, veç qindra luftëtarëve të tjerë që morën plagë të rënda. Kryeqyteti ynë Tirana ishte i vetmi kryeqytet në Evropë që u çlirua me forcat tona. Parisi, Varshava, Roma, u çliruan nga ushtritë e aleancës. Në atë kohë unë isha zëvendëskomandant i Batalionit I dhe u emërova si komandant. Më urdhëruan të siguroj hotel “Dajtin” se vinte qeveria nga Berati”.

Bilanci i luftës. Ja dëmet e 19 ditëve përpjekje

“Lufta për çlirimin e Tiranës i kushtoi armikut më tepër se 2000 të vrarë, ndër të cilët 3 kolonelë të identifikuar, veç të plagosurve; më tepër se 300 robër, 25 topa në gjendje të mirë, përmbi 100 mitralozë, 200 automjete, 250 karro me material të ndryshëm, 120 kafshë të gjalla, 300 kafshë të vrara, municion, ushqime, veshmbathje të panumërta si edhe 4 tanke. Veç këtyre shpëtuan pa u prekur centralet e elektrikut, stabilimentet e radios, ura e Farkës dhe e Erzenit si edhe të gjitha ndërtesat e mëdha të Tiranës, që ishin që të gjitha të minuara. Në veprimet e spastrimit u arrestuan përmbi 400 kuislingë dhe të dyshimtë për bashkëpunim me okupatorin. Në luftën për çlirimin e qytetit dhe të popullit të Tiranës, ranë dëshmorë 127 partizanë dhe u plagosën 290 të tjerë. Ndër të vrarët ishin dy nënkomandantë batalionesh, dy komisarë kompanie, dy zv. komisarë kompanie, dy komandantë kompanie, dy, zv.komandantë kompanie dhe tre skuadër-komandantë”.

Kujtimet e korrierit Dhimitër Lala: Çlirimin e Tiranës e festuam si ditën më të bukur të jetës

Kushdo që lexon dhe do shikojë në film jetën e Dhimitër Lalës do të befasohet. Ai qysh në moshën 13-vjeçare ka qenë partizan në Brigadën IV Sulmuese. Po, po partizan në atë moshë. Që fëmijë ai dallohej për shtatin e gjatë, fizikun e bukur elegance, por edhe për dëshirën për të çarë në jetë. Ai ka lindur në qytetin e Pogradecit, më 2 tetor të viti 1931. Fëmijërinë e shkollimin e ka kaluar në këtë qytet të bukur buzë liqenit. Aty mori mësimet e para, mori dëshirën për të mësuar dhe dashurinë për artin. Edhe më vonë, kur iku nga Pogradeci, kthehej vazhdimisht. La aty nënën, babanë, dy vëllezër e dy motra. Pas lufte ai nuk shkoi më në Pogradec, por qëndroi në Tiranë ku pati një jetë intensive sa të bukur po aq dhe tragjike. Po le ta njohim jetën e tij përmes kësaj interviste….

-Kur u larguat për herë të parë nga Pogradeci dhe u lidhët me LNÇ?
Unë deri në moshën 13-vjeç nuk kisha shkuar në ndonjë qytet tjetër përveç fshatrave afër Pogradecit. Isha i lidhur shumë me vendlindjen. Kisha një lidhje shpirtërore të fuqishme e kurrë nuk e kisha menduar se do të largohesha prej saj. Por ja që vjen një moment që të gjitha sa kishe menduar shemben si një kala prej rëre. Kur isha 13-vjeç në Pogradec vjen Brigada IV Sulmuese. Unë kisha dëgjuar shumë për partizanët dhe emri i tyre i mirë qarkullonte kudo. Në Brigadë pashë shumë vajza të reja, por edhe të rinj me shtat më të shkurtër se unë. U tundova. Shikoja nja dy moshatarë me pushkë mbi supe dhe me kapelë me yll dhe mendova: “Ç’kanë këta më shumë se unë?!” U dashurova me uniformën dhe me armën. I thashë njërit prej partizanëve që t’i thoshte komandantit, se doja dhe unë të vija partizan. Ai në fillim ngurroi, pastaj më pyeti, se a i kisha thënë familjes. Ju përgjigja se po. Kur Brigada do largohej unë shkova pas tyre. Ata më pajisën me rroba dhe më dhanë një pushkë. Sa u lumturova! Tashmë isha partizan. Atë ditë morëm rrugën për të çliruar Veriun e vendit. Ishte një rrugë e gjatë. Pas Veriut na u dha urdhri për të çliruar Tiranën. Mua më mbanin shumë mire në Brigadë. Mundoheshin të më shmangnin nga betejat direkt duke më ngarkuar me detyra të ndryshme. Por unë doja të isha pjesë e luftës, e betejave. Kur dëgjoja trimëritë e partizanëve doja të imitoja ata.

Po në luftën për çlirimin e Tiranës çfarë detyre t’u dha dhe si e sillni në memorie atë ditë?

Për mua lufta për çlirimin e Tiranës është beteja më e madhe që kanë zhvilluar partizanët gjatë LNÇ. Ato ditë thuajse gjithë vëmendja e luftës ishte përqëndruar vetëm në Tiranë. Flitej shumë për heroizmat e partizanëve. Herë pas here shikonim që kalonin pranë shokëve të plagosur. Mua më caktuan në Pallatin e Brigadave që ta ruaja të mos vidhej dhe të mos shkatërrohej. Aty kam ngelur i befasuar! Ishte një luftë e pazakontë. Tirana dukej sikur do digjej nga zjarri i pushkëve, mitralozave, mortajave. Kurrë se kisha imagjinuar një luftë të tillë. Nga të katër anët kishte vetëm krisma. Ato ditë 14-17 nëntor, partizanët thuajse nuk flinin fare gjumë. Tirana dukej si një unazë zjarri që kush ishte brënda saj do të digjej. Luftohej rrugë më rrugë, shtëpi më shtëpi, dritare më dritare. Madje edhe fëmijët u bënë pjesë e kësaj lufte. Asgjë nuk dihej e saktë se kur do vinte ora e çlirimit. Gjermanët luftonin përt jetë a vdekje. Nuk dorëzoheshin. Çfarë nuk flitej për atë luftë. Lajmet tek ne vinin nga më të ndryshmet. Dukej sikur Tirana do të shembej e gjitha, aq ashpër luftohej. Disa nga partizanët e vjetër thoshin se po u çlirua Tirana do të çlirohet dhe gjithë Shqiëpria. Dhe ashtu ndodhi. Më 17 nëntor na erdhi lajmi se Tirana u çlirua. Gëzimi ynë ishte i madh. U përqafuam me njeri tjetrin si për një ditë të shenjtë. Hidhnim kapelet në ajër dhe shtinim në ajër. Nuk dinim si ta festonim këtë fitore! Edhe të plagosurit festonin mes dhimbjesh. Ishte një ditë e madhe e paharruar. Për aftësi në Luftë mora “Medaljen e Trimërisë”, “Medaljen e Çlirimit” dhe “Medaljen e Kujtimit”.