Kur arbëreshët i donte agjentura për enverizmin. Raport mbi udhëtimin në Siçili dhe Kalabri

920

Albert Kotini
Si shfrytëzoheshin ndjenjat e pastra të dashurisë për Dheun mëmë nga politika shtetërore 
Prej datës 13 deri më 22 prill 1960, isha në ishullin e Sicilisë dhe në qarkun e Kozencës në Kalabri, për të shoqëruar shokët e ardhur nga Tirana, për të vizituar këto zona lidhur me gjetjen e dokumenteve historike dhe letrare, mbi veprimtarinë e arbëreshëve. Gjatë kësaj kohe, vizituam disa vende. Në Palermo: Piana degli Albanesi, në Kosenza: S. Demetrio Corona, Machia Albaneze, Lungro, Frascinete, Ejanina, Plataci, Vacarizio Albanese, S. Basile dhe Acauqformoza. Pjesën më të madhe të kohës qemë të shoqëruar nga një prift, i cili jep mësimin e shqipes në universitetin e Barit dhe në pjesën më të madhe, vizitat u bënë nëpër priftërinj, sepse ata janë të vetmit sot për sot që merren me ruajtjen e gjuhës dhe me mbledhjen e dokumenteve historike dhe letrare, kanë kohë më tepër se të tjerët dhe ka mbetur traditë nga e kaluara.
Në Palermo
Në Palermo shkova me avion nga Roma. Zbritën në fushën e re të aviacionit që është ndertuar kohët e fundit në perëndim të qytetit rreth 30 km larg tij. Aeroporti ishte i vogël por në të mund të uleshin aeroplanë dy motorësh, ndërsa ata katër motorësh nuk uleshin dot aty, por në atë të Boca di Falco. Në aeroport nuk kishte avionë të tjerë, por ishte një repart i aeronautikës. Aeroporti në bazë të të dhënave të shtypit, është ndërtuar si aeroport ndërkombëtar i Palermos, por që nuk është i përshtatshëm dhe shoqëritë e huaja nuk duan që të dërgojnë avionët e tyre për t’u ulur, sepse në periudhën e dimrit dhe, sidomos në tremujorin nëntor-janar dhe më pak në shkurt, nga erërat e mëdha nuk lejohet ulja e aeroplanëve. Ka zëra që ky aeroport t’i jepet ushtrisë dhe aeronautikës, por akoma nuk është vendosur se kush do ta marrë. Në aeroport, akoma vazhdojnë punimet për zgjatjen dhe zgjerimin e pistës, po kështu dhe ndërtimin e pistave të manovrimit. Për ta lidhur aeroportin me qytetin, po ndërtohet një autostradë gjatë bregut të detit. Si në rrugë dhe në aeroport, punimet vazhdojnë me gjithë kritikat e bëra më parë apo kohët e fundit. Siç thashë më lart, aeroporti është i vendosur në perëndim të qytetit dhe në breg të detit, nga jugu i tij është një kodër e madhe dhe që bën të mos mbrohet nga erërat e tjera. Shërbimi i pasagjerëve nga aeroporti në Palermo, bëhet me anë të autobusëve të shoqërisë Alitalia. Me mbërritjen në qytet, pa zënë vend në hotel, u interesova të gjeja personin që më kishte dërguar një letër. Mbasi u orientova në qytet dhe kontrollova, nëse isha i ndjekur, shkova në adresën e letrës. Atje nuk gjeta personin që kërkoja dhe që nuk njihesh fare. Këtu dyshova se mos letra ishte bërë nga ndonjë person tjetër me qëllim provokimi dhe u largova nga zona. Me të zënë vend në hotel, u vura në ndjekje ashtu siç ishin edhe dy shokët e tjerë të ardhur aty nga Bari. Qyteti i Palermos, si gjithë qytetet e jugut të Italisë, nga ana ekonomike është i varfër, lagje të tëra gjatë bregut të detit rrojnë në mizerie dhe me vjedhje ose peshkim. Me gjithë se kjo varfëri është në kontrast me pasurinë që ka ishulli dhe aq më tepër si kryeqendër. Ne darkë u takova me dy shokët dhe në mëngjesin e datës 14, u nisëm me autobus për në Piana degli Albanesi, që është rreth 40 km nga Palermo dhe në zonën malore. Fshati ishte i varfër dhe popullsia e tij e përbërë nga arbëreshë merrej me bujqësi dhe blegtori. Aty morëm kontakt me shokë të partisë dhe me klerin, mbasi këta të fundit kanë një shkollë dhe një bibliotekë të pasur. Në biseda me shokët dhe me njerëz të tjerë rreth situatës, u tha atyre se këtu po ngrihen edhe baza. Në biseda u mësua, se në zonën e tyre nuk ka asnjë punim ushtarak dhe asnjë repart të tillë me përjashtim të stacionit të karabinierisë, të cilët sa qëndruam aty nuk na u ndanë fare. Në veri të fshatit, është një liqen tek i cili kanë ndërtuar edhe një hidrocentral që furnizon me energji elektrike krahinën. Kanë ndër mend të ndërtojnë edhe një hidrocentral tjetër. Ky hidrocentral është i shoqërive elektrike të ishullit. Në darkë u kthyem në Palermo dhe në orën 22.30, u nisëm me tren për në Kozenca. Në mëngjesin e datës 15, u ndodhem në Messina ku kaluam edhe ngushticën. Si porti i Palermos ashtu edhe porti i Messinas, janë të mëdhenj dhe mundet të hyjnë anije edhe të tonazhit të madh. Në Messina kishte 4 anije ushtarake të rojës së kufirit dhe anije të tjera transporti. Me kalimin në bregun kontinental të çdo mjeti nga ana e rojeve të financës, kryhet kontrolli për çështje kontrabande dhe më tepër për kripën se siç dihet kjo është monopol dhe meqenëse prodhimi i vitit të kaluar nuk ka plotësuar nevojat e vendit. Italia është detyruar që të importojë kripë dhe prandaj kontrolli më i madh bëhet për këtë lëndë. Në Kozenca mbërritëm në orën 19.00 të datës 16 dhe nga data 17, filluam vizitat në fshatrat arbëreshe të kësaj krahine. Është për të theksuar se në këtë krahinë, është shumica e arbëreshëve të Italisë, të vendosur në pjesën dërrmuese në zonat malore të vendit dhe në afërsi të detit Jon. Në Krahasim me fshatrat e Italisë qendrore ose veriore, gjendja ekonomike dhe kulturore e këtyre fshatrave është më e keqe, kryesisht merren me bujqësi dhe blegtori. Një numër i vogël nga fshati Lungro, Acquaformoza dhe Fermi punojnë në kriporet e Lungros (miniera). Në fshatrat e Kozencës të banuara nga arbëreshët, me gjithë se në gjendje ekonomike jo të mirë ka një farë zhvillimi kulturor, të rrallë janë fëmijët që nuk e venë në shkollë. Për sa i përket mikpritjes, është karakteristikë në drejtim të vizitorëve shqiptarë, pavarësisht nga pikëpamjet e tyre politike të afrohen dhe flasin me dashuri për Shqipërinë si vendin e të parëve të tyre. Kjo është një anë e mirë edhe për punën tonë, sepse në rast se do të ketë të dhëna që në atë zonë bëhen punime që ne na interesojnë, me një vizitë legale në këto zona dhe që është e justifikuar mundet të mësohen të dhëna të sakta dhe të vlefshme. Popullsia e këtyre vendeve edhe me rastin e okupimit të Shqipërisë nga fashizmi, në pjesën më të madhe kanë mbajtur qëndrim dhe bile ka ndodhur që edhe kleri të ketë reaguar e për këtë arsye kanë dashur t’i internojnë. Ka shumë njerëz të gatshëm të ndihmojnë në çdo gjë ,sidomos nga shkencëtarët u shkrua si filli në informacionit 

A/d/. Nga bisedat e bëra me ta, në të gjitha fshatrat doli që në zonën e tyre nuk janë kryer punime të rëndësishme me karakter ushtarak. Thuhet se në Silla, në një nga majat më të larta ka një stacioni radar të aeronautikës, por nuk dihej me siguri pse në atë zonë ka edhe antena të televizionit për atë zonë. Për sa u përket punimeve të tjera me rëndësi, jo vetëm nuk dinin gjë, por ishin të sigurt se nuk duhej të kishte në krahinën e tyre. Këto punime thoshin, mundet të kryhen në Jug në krahinë të Katanzaros ose të Reggio Calabrise, krahina për të cilat nuk dinin shumë gjëra. Siç thashë edhe më lart, dashuria dhe patriotizmi i tyre për vendin tonë, është një anë pozitive për punën tonë megjithëse nga ato zona lëvizin shumë pak dhe më rrallë. Lëvizja e jonë më e dendur në këto zona mund të influencojë pozitivisht në mbajtjen gjallë të dashurisë për vendin tonë, patjetër udhëtime të tilla do të bëhen me autorizimin e Ministrisë tonë të Jashtme, edhe pse shpenzimet janë të shumta, mbasi duhet qëndruar disa ditë. Një masë tjetër që do të mbajë gjallë patriotizmit dhe lidhjet shpirtërore me vendin tonë, është edhe dërgimi sa më shumë i materialeve që botohen tek neve dhe sidomos i librave shkollorë, gjë për të cilën dhanë fjalën edhe dy shokët që ishin dhe që janë kompetentë të çështjeve. Në zonat që shkuam dhe sidomos në Palermo dhe Kozenca janë këto reparte dhe organe ushtarake:

Në Kozenca
151 Regiment Fanterise AVELINO dhe distretoja e komanda ushtarake. Gjatë gjithë qëndrimit dhe lëvizjeve tona si në zonën e Palermos ashtu dhe në atë të Kozencës, kemi qenë të ndjekur. Në Palermo njerëzit që na ndiqnin, qëndroni në sallën e hotelit dhe me daljen tonë na viheshin mbrapa. Në Kozenca, jo vetëm që ishim të ndjekur, por sipas të dhënave të shokëve u nderuan gjatë kohës edhe portieri e njerëz që jepnin çelësat e dhomave të cilët u zëvendësuan nga të policisë dhe dinin të gjitha lëvizjet tona. Meqenëse lëvizjet në fillim i bënim me autobus, mundet të ketë pasur njerëz që na ndiqnin ndërmjet te pasagjerëve, ndërsa kur lëvizjet i bënim me makinën e priftit Ferrari, nuk kishim njerëz pas, por meqenëse lëvizjet tona diheshin dhe kudo gjenim përpara karabinierë në fshatrat që shkonim. Gjatë gjithë qëndrimit tonë në këto zona,vetëm në S. Demetrio Corona disa elementë të djathtë dhe fashiste hynë në bisedë dhe donin të provokonin një bisedë të tillë, ne ju shmangëm kështu që nuk e zgjatëm bisedën me ta. Është e natyrshme se kur shkon në ndonjë vend për punë dhe vendosesh në hotel me tu regjistruar vetë njerëzit e hotelit vënë në dijeni organet e policisë dhe ata organizojnë ndjekjen. Ndjekja bëhet e hapet dhe duket qartë njeriu që të ndjek. Distanca e qëndrimit të tij, varet nga rruga që ndjek por ajo sillet në maksimum deri 30 metra dhe më afër. Si përfundim, mundet të thuhet se në zonat e banuara nga italo-shqiptare, ruhen zakonet e vendit tonë, ka dashuri të madhe për Shqipërinë dhe kjo është pozitive, se në biseda me ta merr të dhëna që ne na interesojnë për zonën e tyre dhe që ata janë të gatshëm të bisedojnë hapët. Patjetër gjatë bisedave, duhet pasur parasysh kujdesi dhe trajtimi i çështjeve për ti nxjerrë atje ku donin pa ju dhënë të kuptojnë se ti ke qëllim të mësosh për ato.


Sigal