LANÇ: Brigadat partizane në Qarkun e Tiranës

1302
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Brigada e Pavarësisë
Më 28 Nëntor 1943, në 31 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, në katundin Shëngjergj të Tiranës, me partizanët e rretheve të Tiranës dhe Elbasanit, si dhe nga partizanë të rretheve të tjera të vendit, u formua Brigada II Sulmuese (Br. II S). Në fillim efektivi i brigadës, ishte prej rreth 600 luftëtarë. Komandant u caktua Beqir Balluku dhe komisar Vasil Konomi. Brigadën e drejtuan dhe mjaft kuadro e partizanë, të cilët luftuan me trimëri si zëvendëskomisari Kiço Ngjela, Irakli Bozo, Petro Bullati, Gani Goxhi, Nuri Huta, Enver Begeja, Mitat Kondi etj. Formimi i Br. II S në qendër të Shqipërisë ishte një ngjarje e rëndësishme për popullin e qarkut të Tiranës dhe u prit me gëzim prej tij. Krejt ndryshe e pritën atë reaksioni dhe pushtuesit hitlerianë, të cilët të përkrahur nga qeveria kuislinge e Tiranës, organizuan forcat dhe në dhjetor 1943 ndërmorën një mësymje të madhe në krahinën e Çermenikës kundër forcave partizane të Br. II S. Armiku kishte qëllim ta shpartallonte atë pa arritur që të organizohej mirë. Brigada u bëri ballë me trimëri goditjeve të njëpasnjëshme të armikut. Në këto luftime partizanët pësuan humbje të rënda, por nuk e humbën vullnetin dhe entuziazmin luftarak të tyre. Gjatë gjithë dimrit të vitit 1943-1944 forcat e Brigadës II S. luftuan në qarkun e Tiranës në kondita jashtëzakonisht të vështira. Më 23 janar 1944, në katundet Brrar e Tujan, në afërsi të Tiranës, partizanët e Brigadës zhvilluan luftime të ashpra kundër forcave të shumta gjermane e të tradhtarëve që ishin nisur nga kryeqyteti. Partizanët luftuan me trimëri, dhe në fushën e nderit ranë Kozma Naska, komisar i batalionit të parë, Besim Imami, komisar kompanie etj. Në prill 1944, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, Brigada kaloi Shkumbinin dhe, duke pastruar Dumrenë nga forcat reaksionare arriti në Panarit të Korçës. Operacioni armik i Qershorit 1944 i gjeti forcat partizane të Br. II S në qarkun e Korçës. Ato u ngarkuan të vepronin në afërsi të Leskovikut, Ersekës, Qafës së Dëllinjës etj. Në luftimet kundër fashistëve, brigada manovroi me sukses dhe nëpër fshatrat ku luftoi, shtoi radhët e saj me luftëtarë të rinj. Pas operacionit armik të Qershorit, Shtabi i Përgjithshëm e ngarkoi Brigadën me detyrën e rëndësishme për të penguar lëvizjet e nazistëve gjermanë nga Janina në drejtimet e Korçës dhe të Follorinës. Në të njëjtën kohë asgjësoi forcat tradhtare dhe çliroi krahinat e Kolonjës, Devollit dhe në muajin tetor qytetet e Leskovikut, Ersekës dhe Bilishtit. Në luftimet e saj për muaj të tërë kundër autokolonave të armikut, ajo mbajti nën vëzhgim rrugët Janinë-Korçë-Follorinë. Çliroi plotësisht krahinat e Devollit dhe Kolonjës, duke shpëtuar fshatrat e këtyre krahinave nga djegiet, vrasjet dhe plaçkitjet e tradhtarëve dhe të nazistëve gjermanë. Në bashkëpunim me forca të tjera partizane çliroi qytetin e Korçës më 24 tetor 1944 dhe organizoi ndjekjen e armikut në rrugën automobilistike Korçë-Pogradec, Qafë-Thanë e Strugë. Më 5 nëntor 1944 Br. II S zhvilloi luftime afër Strugës kundër një autokolone të madhe të armikut duke e shpartalluar plotësisht atë. Gjatë muajit nëntor 1944, Brigada u dha goditje të forta autokolonave naziste gjermane në tërheqje gjatë rrugës Strugë-Elbasan. Në aksionet e betejat luftarake të saj ranë dëshmorë 43 partizanë, si dhe Heronjtë e Popullit Kozma Naska, Alqi Kondi, Shejnaze Juka.

Brigada që përshkoi 3500 km
Më 18 shtator 1944 në Pezën heroike u formua Brigada XXII Sulmuese (Br. XXII S), në të cilën morën pjesë njësitet partizane të krahinës së Pezës, ku në efektivin e saj kishte 1236 luftëtarë. Komandant i brigadës u caktua Sali Verdha dhe komisar Tonin Jakova. Në shtabin e Brigadës drejtuan kuadro me përvojë në luftime si Rexhep Zuma, Nimet Ymeri, Muharrem Kokomani, Ziso Dako, Skënder Peza, Nexhmi Mezelxhiu, Sotir Spiro etj. Shtabi i Përgjithshëm i dha urdhër Brigadës për të pastruar zonën e Shijakut nga forcat tradhtare, detyrë të cilën e kreu me sukses të plotë. Më 23 dhe 25 shtator forcat partizane të Br. XXII S sulmuan forcat naziste gjermane në Leskaj, ku dogjën një depo me bomba aviacioni. Më vonë forcat e saj zhvilluan luftime gjatë rrugës Ndroq-Plazh i Durrësit dhe Kavajë-Rrogozhinë-Peqin. Partizanët depërtuan edhe në periferinë e Tiranës. Në rrugën Mamurras-Milot ata goditën pa ndërprerje armikun dhe shpartalluan postat e tij. Më 1 tetor Br. XXII S u inkuadrua në Div. II S. Në këtë kohë ajo mori urdhër që të përgatitej për të kaluar në Shqipërinë e Veriut, ku duhej të zhvillonte luftime kundër pushtuesve fashistë gjermanë dhe tradhtarëve të vendit. Në mbrëmjen e 6 tetorit Brigada asgjësoi në ecje e sipër në Kashar e Kus forcat balliste dhe marshoi në drejtim të Valiasit. Prej datës 17 deri më 21 tetor Brigada mori pjesë në luftimet për çlirimin e Shpalit, të Pukës e të Shkodrës dhe më 1 dhjetor 1944, së bashku me forcat e tjera të Div. II S, kaloi kufirin për t’i ardhur në ndihmë popullit jugosllav në luftën për çlirimin e vendit të tij. Megjithëse në kushte jashtëzakonisht të Vështira, partizanët e Br. XXII S prej 4 deri më 16 dhjetor luftuan me trimëri për çlirimin e Tuzit. Në këto luftime ranë dëshmorë në fushën e betejës 14 partizanë. Pas çlirimit të Tuzit, Br. XXII S mori pjesë në luftën për çlirimin e Podgoricës dhe Vishegradit. Pasi kreu detyrën ajo u kthye në Atdhe. Nga radhët e Brigadës ranë në fushën e nderit 107 luftëtarë si dhe Heroi i Popullit, Met Hasa.

Brigada me përvojë luftarake
Më 21 shtator 1944 në Zall-Mner të rrethit Tiranës u formua Brigada XXIII Sulmuese (Br. XXIII S). Në këtë Brigadë u inkuadruan Batalioni i Matit, ai Krujë-Ishëm dhe i Dajtit, me një efektiv rreth 950 luftëtarë. Drejtuesit e brigadës ishin komandant Hamit Keçi, komisar Xhavit Qesja dhe kuadro me përvojë në luftime si Haxhi Seseri, Muharrem Kokomani, Mërkur Çela, Haki Fejzo, Sejdin Avdia etj. Brigada mori urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë të vendosej në drejtimin kryesor të tërheqjes së nazistëve gjermanë, në rrugën Tiranë-Shkodër, me detyrë që të pengonte kalimin e tyre në këtë rrugë dhe të godiste postet dhe përqendrimet e tjera armike në këtë sektor. Gjithashtu, ajo u ngarkua të pastronte nga forcat reaksionare zonat e Ishmit, Krujës e Milotit. Të shumta janë goditjet që bëri Br. XXIII S në rrugën Tiranë-Shkodër. Më 6 tetor 1944 forcat e saj, të vendosura në pozicion luftimi, goditën një autokolonë armike që shkonte nga Tirana në drejtim të Shkodrës. Më 8 tetor partizanët vunë në pritë një autokolonë prej 20 makinash, e cila u shkatërrua tërësisht dhe partizanët hynë në Mamurras, Gjorm dhe Laç. Ndërsa një pjesë e Brigadës gjatë dy-javëshit të parë të nëntorit goditi pa pushim autokolonat armike, batalioni i dytë i saj u drejtua në Ishëm, për të pastruar këtë zonë nga reaksionarët. Këtu ishin grumbulluar forca të shumta balliste dhe të Legalitetit. Goditje të rëndë Br. XXIII S i dha armikut më 17 nëntor 1944. Në këtë ditë forcat e saj goditën një autokolonë armike pranë Kodrës së Kuqe, Farukaj dhe në afërsi të Mollzës. Megjithëse autokolona ishte e shoqëruar me tanke dhe autoblinda, armiku pësoi humbje. Pas luftimit që batalioni i dytë zhvilloi në afërsi të Gjormit kundër nazistëve gjermanë dhe me çlirimin e Milotit nga batalioni i tretë, Br. XXIII S vazhdoi të ndiqte armikun në drejtim të Shkodrës, ku më 29 nëntor 1944 partizanët e brigadës vendosën të parët flamurin e lirisë në kalanë e qytetit. Me vendosmëri dhe trimëri luftuan ata edhe për likuidimin e mbeturinave të reaksionit në qarkun e Shkodrës, duke dhënë kështu një kontribut të madh në konsolidimin e pushtetit popullor. Për çlirimin e vendit nga fashistët e tradhtarët dhanë jetën 21 dëshmorë si dhe shumë të plagosur nga radhët e brigadës partizane. Qarku i Tiranës ka dhënë një kontribut të madh gjatë LANÇ-it, si qyteti ashtu dhe mjaft fshatra të tij u bënë baza të rëndësishme dhe i dhanë Luftës bijtë dhe bijat më të mirë. Tirana u masakrua dhe u godit shumë, por populli dhe qytetarët e saj rezistuan dhe i bënë qëndresë heroike, ngritën barrikada, i kthyen shtëpitë në kala dhe qëndruan në këmbë. Ndaj me të drejtë këtyre njësive dhe luftëtarëve, populli i Tiranës iu ka ngritur monumente dhe i përkujton e i nderon në vijimësi.
Sigal