Nesip Kaçi: Jahja Bej Dukagjini, poeti i madh i klasicizmit osman

63
Sigal

Ja si dukagjinasi u bë poet i madh, me veçoritë si e njeri i shpatës (luftëtar) dhe i penës (shkrimtar)

Nesip Kaçi 
Ish-ambasador në Turqi

Jahja Bej Dukagjini është një nga djemtë e familjes së Lekë Dukagjinit, që mund të jetë marrë peng, fëmijë i vogël i marrë me forcë nga otomanët Ai pasi u rrit u dallua si ushtarak dhe shërbeu spahi në ushtrinë osmane, ku tregoi aftësi të veçanta në luftimet që komandonte në Tameshvar (Hungari) Sulltan Sulejman Kanuniu (Ligjvënësi).Veç fushave të luftës, Jahja Bej Dukagjini, u shqua dhe në fusha të tjera, si në letërsi

 

Jahja Bej Dukagjini është një nga djemtë e familjes së Lekë Dukagjinit, që mund të jetë marrë peng ose ka qënë (devshirme), fëmijë i vogël i marrë me forcë nga otomanët në familjet e krishtere, i rritur e stërvitur në Oborin Perandorak. Ai pasi u rrit u dallua si ushtarak dhe shërbeu spahi në ushtrinë osmane, ku tregoi aftësi të veçanta në luftimet që komandonte në Tameshvar (Hungari) Sulltan Sulejman Kanuniu (Ligjvënësi).

Veç fushave të luftës, Jahja Bej Dukagjini, u shqua dhe në fusha të tjera, si në letërsi, veçanërisht në poezi. Bashkëkohësit e tij e përshkruajnë zemërmirë e bujar. Turqishten e Stambollit e zotëronte fare bukur. Poezitë dhe vjershat e tij i kishte përmbledhur në një divan (antologji) dhe kishte zënë një vend nderi në dhjetë poetët e dalluar të asaj kohe.

Jahja Bej Dukagjini që nuk e kishte harruar atdheun dhe origjinën ku kishte lindur, në Mesnevinë (poemën) Genxhinei Raz (Visare të fshehta) shpejton të pohojë me krenari:

Arnavud asllë ollubdur asllëm

Këllëc ile dirillubdur neslim…

(Sojin e kam shqiptar,

Farefisi im jeton me shpatë në dorë).

Po kështu përkatësisë dhe origjinës së tij shqiptare, Jahja Bej Dukagjini do t’i këndojë edhe në poemën tjetër “Gylseni envar”, – “Kopshti i trëndafilave”.

Në këtë poemë ai shkruan si më poshtë:

Arnavudum hasllarë vu begleri.

Nesli kadëmën Dukagin begleri.

Këlldë beni hallëk-ë Kevn u meka.

Bendei efgende-i osmanian

Eluledi eshab-i yemine Karin.

Kërmëzë bajrakla elymde sinan.

Olur idi bir seçer-i erguvan…

Në shqip këtë poezi të Yahya Bej Dukagjinit, zoti Nexhip Allpan e ka përkthyer si më poshtë:

Farefisi im i lashtë rrjedh nga paria e shqiptarëve.

Sojin e kam prej princërve të Dukagjinit,

sado që u bëra rob i osmanëve

nuk e fsheh dot lumturinë time dhe krenohem

duke luftuar në fusha të betejave me flamur të kuq në dorë.

Jahja Bej Dukagjini mendohet të ketë lindur rreth vitit 1498 dhe ka ndërruar jetë në vitin 1582. Ai është ndër poetët më të vlerësuar të divanit (antologjisë) të shekullit XVI perandorisë osmane. Ai shkroi në gjuhën osmane, duke shkruar herë pas here për prejardhjen e tij shqiptare. Lindi në Tashliga, sot qyteza e Plevlës në Mal të Zi dhe herë pas here përdorte edhe llagapin Tashligjaliu. Sipas studiuesit Robert Eslie, Jahja Bej Dukagjini është arbër me prejardhje nga bashkësia katolike e krahinës së Dukagjinit në mesin e Alpeve, ndërsa orientalisti hollandez Martin Teodor Houstma e mendonte Jahjanë gjithashtu nga familja fisnike arbërore Dukagin dhe jeta e tij mori rrjedhë tjetër kur u fut në devshirme. Mendohet se kish të afërt poetin osman, Ahmet Bej Dukagjinin. Orientalisti britanik Harry Thirlëal Norris përcjell se ishte vetë Jahjai që e pretendonte në vargjet e veta prejardhjen nga fisnikët e Dukagjinit.

I rekrutuar për t’u bërë jeniçer Jahja Bej Dukagjinin e futën në trupat Axhemi Oglan (djemtë e rinj- kadet), prej ku delnin oficerë të jeniçerëve dhe mori gradën yayabash (oficer këmbësorie ) dhe bylykbash. Qatipi i jeniçerëve Shihab-al Din vërrejti aftësitë e tij dhe i lejoi liri të madhe, të cilën e përdori për t’iu afruar rretheve intelektuale të përbërë nga Kadri Bergamliu, Ibn Qemali, Ibrahim pashë Pargaliu, etj.

Ajo që i dha dorë dhe emër në ushtri Jahja Bej Dukagjinit ishte se në rini të vetë ai mori pjesë dhe shkëlqeu në disa beteja, që komandoheshin nga vetë sulltanët, si Selimi i parë në betejën e Calldëranit të 23 gushtit 1514, në luftën Osmano-Mamluke më 1516-1517, në ekspeditën e Bagdatit me në krye sulltan Sulejmanin, në betejën e Tameshvarit në Hungari, që komandoi vetë Sulltan Sulejman Kanuniu. Jahja Bej Dukagjini në këto luftime fitoi respektin e figurave kyçe të hierarkisë perandorake, mes të cilëve edhe të vetë sulltanëve.

Por poezia ishte gjithashtu mjet i rëndësishëm që i dha dorë dhe emër personalitetit të tij që të lartësohej e vlerësohej. Frymëzimin poetik Jahja Bej Dukagjinit ia dhanë fushatat e njëpasnjëshme në të cilat mori pjesë aktivisht, në ballë të tyre. Elias John Ëihinson Gibb shkruan më 1904 në studimet e tij se Jahja Bej Dukagjini, u frymëzua të shkruante Jusufi dhe Zelihaja, kur ishte në Palestinë, rrugës për në Mekë. Egjypti ishte po ashtu frymëzues për të, Kajron e quante qyteti i Jusufit.

Jahja Bej Dukagjini pati një hasmëri me Haxhali Mehmet Beun, një poet bashkëkohës i tij, të cilin e njohu më 1536. Gjatë luftrave osmano-safavide, Jahja Bej Dukagjini shkroi një kaside (poezi) kundër tij, domethënë kundër Haxhali Mehmet Beut, të cilën ia paraqiti sulltan Sulejmanit dhe Vezirit të Madh Rustem Pashës, i mbiquajtur “armik i poetëve” Aq i pëlqeu poezia Vezirit të Madh Rustem Pashës sa që e emëroi Jahja Bej Dukagjinin administrator të disa vakëfeve në Bursa dhe Stamboll.

Gjatë luftrave me persët sulltan Sulejman Kanuniu, i keqinformuar nga veziri i madh Rustem Pasha, ekzekutoi djalin e parë të vetë Shehzade Mustafain. Jahja Bej Dukagjini, princit të ekzekutuar i kushtoi një poemë elegjiake, që u prit shumë mirë. Por strumbullari i vrasjes Rustem Pasha nuk u lumturua, nuk u kënaq, nuk i erdhi mirë dhe bëri të gjitha përpjekjet që ta ekzekutonte Jahja Bej Dukagjinin. Por sulltani nuk e aprovoi ekzekutimin e tij dhe u mjaftua me xhveshjen e tij nga funksionet, që mbante deri atëherë, por duke qënë pjesë e shtresës së asqerëve nuk u privua nga bazat e mbijetesës, u mërgua në sanxhakun e Izvornikut (Bosnjë) dhe nuk u kthye më në Stamboll. Atje iu caktua një çiflig prej të cilit nxirrte diku nga 27.000 deri 30.000 akçe në vit. Më pas në Timishoara, qendër vilajeti, në një moment të caktuar mori pjesë në luftime. Megjithëse në moshë të shkuar mori pjesë me trimat e tij në rrethimin e Sigetvarit më 1565-6, ku i paraqiti sulltan Kanuniut një poezi dhe i kërkoi atij që të përkujdesej për fëmijët e tij. Ndër vargjet e poezisë përmëndet se ishte 80 vjeç.

Vitet e fundit të jetës mori dorë tek shejhu i tarikatit Gulshani, Dede Mehmet Urjani dhe iu përkushtua përshpirtshmërisë islame. Mendohet se ka vdekur mbi 90 vjeç, në vitin 1582. Sipas disa burimeve varri i tij gjëndet në Loznicë, jo larg Zvornikut.

Vepra letrare e Jahja Bej Dukagjinit

Jahja Bej Dukagjini është poet i famshëm i perandorisë osmane dhe më i madhi, më origjinali dhe më i shquari. Ai konsiderohet poeti më i madh i klasicizmit osman dhe iu kushtua me mish e me shpirt studimeve të letërsisë. Veprat kryesore të tij janë me përmbajtje morale-mistike.

Veprat më të njohura të tij janë: 1- Visare të fshehta (Gencine raz) 2- Jusufi dhe Zelihaja (Yusuf ve Zulejha) 3- Kopshti i trëndafilave (Gulsheni envar) 4- Shahu dhe lypësi (Shah ve geda) 5-Naze dhe lutje (Naz ve nijaz) 6- Libri i parimeve (Usulname kitab) 7- Qyteti i Stambollit (Shehruigiz-i Edirne) 8- Libër poetik për Sulltan Sulejmanin (Sulejman name), me 2000 rreshta i pambaruar. 9- Poema hierarkike (Kitabi usul).

Dukagjinasi, që u vlerësua poeti i madh i perandorisë osmane, Jahja Bej Dukagjini, ka thënë se: -Raca shqiptare është raca ime, kjo ishte motoja e tij, kur ishte poet i madh në Lindjen e asaj kohe. Ai kishte edhe një emër tjetër që njihej, Yahya Bey Tashligja, ose Dukagin-Zade Yahya bey. Jahja Bej Dukagjini, pavarësisht se ishte poet i oborit mbretëror, ai ishte dhe një burrë trim dhe shumë i mirëpritur edhe nga vetë sulltani. Përveç se ishte poet i famshëm, ai shquhej për aftësitë e tij edhe si figurë ushtarake.