“Mirësevini” në SPAK: Zyrtarët e lartë të milionave të FSHZH dhe rindërtimit merren në pyetje për dosjen “Valiasi”

57

“Ndërtimet e pallateve në zonën e Valiasit u bënë mbi galeritë e ish minierës së Valiasit, ku nuk mund të ndërtohej pa bërë më parë mbylljen e puseve dhe bërë njëherësh rehabilitimin e zonës. Në zonën e këtij blloku ndërtimesh në Valias, investitor ishte Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe pallatet u bënë shumë pranë me pusin kryesor dhe puset ndihmëse të minierës”

Sigal

 

Të tjera zhvillime priten sot në SPAK kur nga ora 09:00 në Prokurorinë e Posaçme do të duhet të paraqiten së paku 3 zyrtarë të lartë publikë për të dhënë shpjegime. Mes tyre fletë thirrjet janë për Dritan Agolli, Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit njëherësh investitor i projektit të pallateve mbi minierën e Valiasit, Viola Haxhiademi, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës e drejtues të tjerë të lartë.  Por përse janë thirrur këta zyrtarë nga prokuroria e posaçme? Sipas gazetarit të formatit televiziv FactCheck në Mnc, Alban Rusta gjithçka lidhet me ndërtimet në zonën e Valiasit, të cilat u bënë mbi galeritë e ish minierës së Valiasit, ku nuk mund të ndërtohej pa bërë më parë mbylljen e puseve dhe bërë njëherësh rehabilitimin e zonës. Prej muajsh gazetari ka faktuar se zona ku janë kryer këto ndërtime ka patur ulje dhe rënie nivelesh të bazamentit. E gjitha nis nga një shkresë që daton në 4 maj 2021 ku institucionet ku bëjnë pjesë zyrtarët janë vënë në dijeni për situatën dhe masat që do të duhet të merrnin. Në shkresën e asaj kohe drejtori i AKBN Ardian Bylyku shkruante se “Grupi i specialistëve pas verifikimit në vend konstatoi se, në zonën e rrezikshme sipër punimeve vertikale të hapjes në ish minierën e qymyrit Valias ka filluar ndërtimi i një blloku banimi me 6 godina disa katëshe. Aktualisht në këtë zonë po hidheshin themelet. Ky është paralajmërimi se themelet po hidheshin në një zonë të rrezikshme dhe kjo shkruhej në faqen e parë të kësaj shkrese të AKBN. Asokohe kjo shkresë u ka shkuar përkatësisht Prefekturës Tiranë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Kjo shkresë është sekuestruar nga SPAK dhe është pjesë e fashikullit hetimor. Në faqen e dytë të kësaj shkrese shkruhet se “të respektohen detyrimet e urdhërit 388 datë 20.5.2011 të MIE. Për miratimin e formës dhe përmbajtjes të monitorimit postminerare. Ndërprerjen e punimeve në këtë bllok. Akordimin e fondeve për të bërë projektin dhe më pas mbylljen definitive të punimeve të kësaj miniere për të minimizuar risqet në këtë zonë minerare”. SPAK e ka pyetur më herët zotin Bylyky, i cili ka deklaruar se pas këtij paralajmërimi zyrtar ishte ai, dhe askush tjetër nga institucionet nuk reagoi dhe projekti me investitor Fondin Shqiptar të Zhvillimit vijoi pa ndërprerje. Për këtë rast është pyetur nga SPAK edhe Kryebashkiaku i Kamzës zoti Rakip Suli. Kjo bashki e refuzoi plot dy herë lejen e ndërtimit, ndërsa ministria asaj kohe drejtohej nga ish-numri dy i qeverisë Arben Ahmetaj. Në prill 2021 Bashkia Kamëz i refuzoi lejen e ndërtimit Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Në shkresën e saj datë 1 prill 2021 Bashkia Kamëz shkruante për- “Refuzim për kërkesën e mësipërme për leje për ndërtime të reja në zonat e dëmtuara dhe në zonat e reja për zhvillim me objektin Rindërtimi i Objekteve të banimit (pallate) Blloku 2, zona PDYV, Valias, bashkia Kamëz si e paplotë për arsye se: Miratimi i lejes së ndërtimit po shqyrtohet në këshillin teknik. Në këto kushte drejtoria e PKZHT-së, e ka të pamundur të vazhdojë me procedurat e mëtejshme.”,- thuhej në shkresë. Por kjo shkresë nuk u përfill nga investitori Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Tre javë më pas Fondi Shqiptar i Zhvillimit riaplikon për marrjen e lejes edhe pse këshilli teknik ishte duke punuar me studimin e sigurisë në zonën e ish minierës së Valiasit. Përsëri Bashkia Kamëz ja refuzon sërish këtë lejë duke i kthyer të njëjtën përgjigje “Refuzim për kërkesën e mësipërme për leje për ndërtime të reja në zonat e dëmtuara dhe në zonat e reja për zhvillim me objektin Rindërtimi i Objekteve të banimit (pallate) Blloku 2, zona PDYV, Valias, bashkia Kamëz si e paplotë për arsye se: Miratimi i lejes së ndërtimit po shqyrtohet në këshillin teknik. Në këto kushte drejtoria e PKZHT-së, e ka të pamundur të vazhdojë me procedurat e mëtejshme.” thuhet në shkresën e datës 22 prill 2021. Sërish refuzimi është bërë nga Rakip Suli. Por çështja është duke u hetuar imtësisht nga SPAK. Pas tre zyrtarëve që do të paraqiten sot, pritet që fletë-thirrjet të vijojnë ndaj të tjerë funksionarëve dhe bizneseve të përfshira në këtë proces i njohur si rindërtimi i Valiasit. Zoti Haki Çako drejtor i emergjencave civile u paraqit më herët në SPAK pasi ai, për shkak të agjendës nuk mund të paraqitej dot të hënën e sotme. Javën që lamë pas, ai u paraqit në SPAK dhe kur doli prej andej tha se “Isha në cilësinë e detyrës që kam për të sqaruar një çështje, që lidhej me fushën e përgjegjësisë po jo për mua jo personalisht e as për institucionin tim.” Hetimet e SPAK do të vijojnë për të faktuar nëse pallatet e ndërtuara në Valias kanë rrezik për jetën e banorëve. Në zonën e këtij blloku ndërtimesh në Valias ku investitor ishte Fondi Shqiptar i Zhvillimit ndërtimet u bënë shumë pranë me pusin kryesor dhe puset ndihmëse të minierës. Këto janë punime kapitale së kësaj miniere në thellësi 192 metra, të cilët lidhen me rrjetin nëntokësor të punimeve të përgatitjes dhe shfrytësimit të minierës. Në këtë minierë janë shfrytëzuar shtresa qymyri me trashësi 1.5 deri në 2 metra dhe si pasojë e formacioneve të paqëndrueshme në zonat e shfrytëzuara ka pasur ulje të sipërfaqes. Fenomeni i uljes fillonte direkt pas heqjes së armaturave në llavën e shfrytëzimit dhe më pas për një periudhë kohore 5 deri në 10 vjet reflektohej në sipërfaqe.