Luan Omarin debat me Ramizin: Sigurimi i Shtetit rreh qytetarët

993
ARKIVA VI / Nga takimet e Ramiz Alisë me intelektualet e vendit në prag të ndryshimeve të mëdha të vitit 1990

TAKIMI ME INTELEKTUALËT
“Telegraf” vijon botimin e pjesës së gjashtë të bisedës se Ramiz Alisë me intelektualet, zhvilluar me 12 gusht 1990. Zhvillimi i ngjarjeve në Evropë pas përmbysjeve që ndodhën në vendet e lindjes padyshim që të çonte në mendimin se ajo që ndodhi andej do të ndodhte edhe në Shqipëri. Në atë kohë, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së, Alia ka biseduar për rreth katër ore në Pallatin e Kongreseve me rreth 60 intelektuale, mes te cilëve Dhimitër Shuteriqi, Luan Omari, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Ylli Popa, Sali Berisha dhe Fatos Nano. Në këtë edicion që botohet sot, bie në sy diskutimi i juristit Luan Omari, anëtar i Akademisë së Shkencave, i cili kritikon mënyrën e trajtimit të vendimeve nga Partia e Punës dhe veçanërisht aktivitetin e Sigurimit të Shtetit dhe policisë. Omari deklaron se ka pasur teprime nga ana e policisë për shkak se janë rrahur qytetarët. Gjithashtu, juristi i njohur shprehet në bisedë se Sigurimi i Shtetit zbaton metoda të vjetra të punës.

(vijon nga numri i kaluar)
Ramiz Alia: “Unë kam mbledhur shokun Adil, shoqen Nexhmije, që drejton Institutin (e Studimeve Marksiste-Leniniste), shokun Backa dhe ja katër vetë të tjerë ekonomistë, të cilët i kam ngarkuar të studionin çështjen e mekanizmit ekonomik, se duhet medoemos të ndryshohet kjo metodë e drejtimit të ekonomisë. Nuk shkon drejtimi administrativ dhe drejtimi administrativ duhet zëvendësuar me drejtimin ekonomik, me ligjet ekonomike, ka dy vjet. Dhe shokët që u ngarkuan për të studiuar, studiuan mbi këtë çështje. Koinçidoi kjo mbas ngjarjeve që ndodhën. Dua të them se nuk mund të bëhesh ai studim përgjysmë”.

Luan Omari: “Për Kodin Penal, për shembull, ndryshimet më të improvizuara, ato kanë vite të tëra që janë përvijuar dhe kanë thënë që të shikohen, mund të ketë pasur zvarritje edhe për këtë çështje. Unë e di mirë edhe ju e keni theksuar në mbledhjen për Kodin Penal që u pa, ndonjëherë kjo përshtypje krijohet dhe unë mbaj mend mbledhjen që bëri presidiumi, e bëri për këtë arsye, për të përgënjeshtruar këtë mendim të gabuar që mund të krijohet. Por, që ka edhe ndonjëherë hapa të pamatura. Për shembull, çështja e pasaportave, u mor njëherë një vendim i drejtë dhe menjëherë të gjithë e përshëndetën. Pati zvarritje, mendoj, në zbatimin e kësaj mase. Sepse edhe shokëve që do thoshin, nuk e përmenda. Mirëpo u krijua një opinion i tërë, sikur kjo është një hi syve, një perde tymi. Shumë mirë po e shoh unë, mund të ishte bërë një gjë aktive…”

Ramiz Alia: “Prapë tek informacioni, aty dalim…”
Luan Omari: “Për shembull, televizioni të bënte një gjë aktive, të tregonte njerëzit që kanë marrë pasaportën konkretisht. Të mos zgjatemi me orë të tëra në televizion për gjëra të dorës së dytë. Kjo çështje që preokupon njerëzit u la në heshtje, fare mirë mund të thuhej: Shiko, shok kam marrë pasaportën. Për të thënë që ka njerëz që marrin pasaportën dhe kjo nuk është një gjë formale, siç është bërë. Por, partia e vë në zbatim. Ose ta zëmë, pati nga policia veprime te pamatura. Policia sigurisht ruan rendin, është e padiskutueshme. Madje në raste të veçanta ligji parashikon që mund të përdorë edhe armën, siç e parashikon në çdo vend të botës, por ama pati veprime të pamatura nga policia, kot me kot. Por, në vetë kemi asistuar, unë vetë kam parë me sytë e mi, njerëz që kapeshin. Pasi kapeshin, polici i gjuante me shkopinj dhe i fusnin në makinë duke i rënë, janë parë nga njerëzit. Sigurisht kjo nuk është as vija e partisë, as vija e shtetit, por qëndrimi mund te mbahet gjithmonë, jo vetëm në shtyp. Kur njerëzit informohen, mund të mbahet qëndrim kritik në situata të disa policëve”. 

Ramiz Alia: “Në raste të tilla besoj se mund të bëhet edhe publikisht. Për raste të tilla, sepse partia dhe shteti duhet të marrë distancë nga problemet, nga thyerja e ligjit. Rrahja e qytetareve ndalohet me ligj. Unë kam dhënë urdhër kategorik që të mos përdoret rrahja e njerëzve. Kam dhënë urdhër kategorik që të mos përdoret arma, e kupton”.

Bashkëbisedues: “Janë thyer këto urdhra”.
Ramiz Alia: “Mirë pra, pikërisht po të them që kur thyhen urdhra ligjore, urdhri akoma është urdhër, është ligji mbi të tëra. Ne duhet të marrim distancë si shtet dhe si parti, edhe publikisht. Unë kam ngarkuar që medoemos duhet të formulohet ligj, kur dhe në çfarë rastesh mund të përdoret arma dhe me ligj duhet përcaktuar dhe nuk duhet lënë kjo në dorën dhe arsyetimin e individit që ka armën, të cilit, i teket e nxori dhe s’i teket, s’e nxori. Por, duhet me ligj që kur ka të drejtë dhe kur nuk ka të drejtë. Nëse thyhet ligji, domethënë është tejkalim i kompetencave të tij, doemos të marrim distancë. Unë për këtë jam edhe publikisht”.

Luan Omari: “Lidhur me këtë, më lejoni që të bëj një vërejtje, vërejtje që kam dëgjuar edhe nga shokë të tjerë, meqenëse jemi mbledhur dhe i themi gjërat hapur partisë. Në Plenum u kritikuan me sa marr vesh, në seancën e fundit të Plenumit, veprimet e policisë nga juaj dhe Ministri i Brendshëm, i cili u shkarkua nga ana juaj. Opinioni i shumë shokëve, siç kemi biseduar, është se kjo masë ishte e pamjaftueshme. Domethënë, Ministri i Brendshëm u shkarkua dhe u caktua Ministër i Kontrollit të Shtetit. Ai mund të jetë njeri shumë i mirë dhe ka merita, por ai është përgjegjës për këtë konkretisht. Po, se ai s’ka dhënë urdhër që të përdoreshin armët dhe do të kishte qenë me konsekuente dhe me dobiprurëse, sikur ai të ishte shkarkuar edhe nga detyra të tjera. Më falni që po ju vë në kompetenca që janë të Plenumit. Ta them troç mendimin tim”. 

Ramiz Alia: “Jo, jo , jo … Më falni… Jo, jo… Dëgjo unë e kam zakon dhe dua të jem i hapur me njerëzit dhe me shokët. Ja ku është ky shoku i Plenumit. Unë kam qenë atje”. 
Bashkëbisedues (shoku i Plenumit): “Tani më dëgjoni mua të them një gjë reale. Shoku Ramiz ka pasur mendim këtë variant që u tha këtu. Pastaj në Plenum…”
Ramiz Alia: “Kur u ngritën kritikat ….”
Bashkëbisedues: “Kur u ngritën kritikat, unë tërhiqem nga e para. U dha urdhër që ta gjykojë Plenumi këtë çështje”. 
Ramiz Alia: “Ja ku janë dhe shokët e Plenumit. Dhe u thashë, unë tërhiqem nga opinioni im, prandaj mos u ndikoni. Tani Plenumi ta vendosi si të veprojë, si të dojë. Kur u shtrua çështja që, madje ky e tha që mundet të shkoj në kontroll dhe jo në Bashkime Profesionale, unë i thashë avash, prit. Çështja është a do mbajmë qëndrim tjetër apo jo?! Të gjykojnë shokët. Domethënë, e kam këtu fjalën që… nuk po bëjmë ndonjë gjë të tepërt. U diskutua, u gjykua. Jo, jo, jo… dëgjo unë jam i ekspozuar ndaj çdo lloj kritike edhe… S’e kam frikë ta them …. O Luan, shih këtu që të bisedojmë një çikë me ashtu, pavarësisht që i kemi dyert e hapura, bisedojmë shtruar… Mua, personalisht, ta them kështu, për efekte… efekte thënë kështu të jashtme mund të bëjmë, hiqe këtë ose largoje atë. Mund të bëjmë një gjë të tillë. Por, si e shikoj unë dhe sa e gjykoj unë situatën, nuk është aq shume për individin. Më duket mua”.

Luan Omari: “Në thelb ashtu, edhe ana e jashtme ka rëndësinë e vet”.
Ramiz Alia: “Ka. Por më duket se nuk është…”
Luan Omari: “Jo, unë e thashë që ai sigurisht vetë personalisht nuk është fajtor, jam i bindur”.
Ramiz Alia: “Ashtu është, drejtë. Ky është problem i drejtë”.
Luan Omari: “Shoku Ramiz, ju e dini fare mirë që kur një ushtar mbytet në lum apo plagoset me armë, komandanti megjithëse nuk ka të bëjë fare… në këtë kontekst…”
Ramiz Alia: “Në këtë kontekst përgjigjesh ti thuaj…” (Qesh)
Nesër do të lexoni:
Privilegjet që kishin drejtuesit e Partisë së Punës dhe kryesisht anëtarët e Byrosë Politike. Ramiz Alia, i cili drejtonte njëkohësisht Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe Partinë e Punës, u shpjegon intelektualëve trajtimin që përfiton, duke sqaruar edhe për kufizimet që ka kërkuar të bëhen, në mënyrë që të shmangen abuzimet.
REPLIKAT
Ramiz Alia: “Edhe i kam trajtuar, edhe s’i kam trajtuar, po hë”.
Bashkëbisedues: “Po unë mendoj që edhe një dokument për organizatat bazë të partisë, edhe një letër, për shembull, mbledhja e sotme të ishte si një letër e hapur që juve e trajtuat si Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë me një sërë njerëzish. Një dokument i tillë në organizatat bazë të partisë aktualisht më duket se është i nevojshëm. Tamam një letër e hapur për këto probleme që ka partia dhe që qarkullojnë në opinion. Tani do vijnë studentët në Tiranë. Njerëzit presin që çdo bëjnë. Në Kavajë kalojnë njerëzit po s’ia bërë me dy gishta thonë…” 

Ramiz Alia: “Unë isha në Vlorë… Duhet të këtë ndodhur?”
Bashkëbisedues: “Jo, ka ndodhur, për shembull, një shofer i Vlorës është aksidentuar sepse duhej të ngrinte dy duar se na la Vlora në baltë. S’bëri gjë Vlora. Janë… domethënë, qarkullojnë këto”.

Ramiz Alia: “Qarkullojnë”.
Bashkëbisedues: “Edhe Vlora thotë që ne jemi në ballë, po jemi me Partinë e Punës”.
Ramiz Alia: “Mirë, dakord”.
Bashkëbisedues: “Unë, lidhur me këtë të informacionit kam dhe një gjë lidhur me…, jo vetëm në këtë aspekt, por edhe për një moment tjetër që unë e ngrita edhe ne Komitetin Qendror, që njerëzit kanë nevojë t’u krijohet një perspektivë më e gjatë. Për shembull, lexova dje në gazetë për ato minierat e murit, që ka allçi e andej-këndej. Me të thënë të drejtën u skandalizova për atë gjendje kur fare mirë mund të vihen linja të përdorimit të allçisë atje, edhe dëgjova. Si unë edhe shumë të tjerë”.

Ramiz Alia: “E dëgjove mbrëmë ministrin e Ndërtimit se foli për ato që botoi gazeta, foli edhe për murin”.
Bashkëbisedues: “E kundërshton ai artikullin e gazetës”.
Ramiz Alia: “Kishte edhe ai arsyetimin e vet”.
Bashkëbisedues: “Unë isha me atë idenë që këto ndërmarrjet e përbashkëta dhe të gjitha këto krijojnë një gjendje më optimiste te njerëzit. Mbi këto mund të mbështeten njerëzit dhe në agjitacion-propagandën e tyre. Janë këto që thatë edhe juve që avash-avash do të bëhen. Po kemi 45 vjet që presim e që… Ju gjithnjë avash-avash. E kam fjalën që këto gjëra që mund të jepen në shtyp, krijojnë një gjendje tjetër tek njerëzit. Populli tek ne është i durueshëm dhe beson në fjalën e partisë. Po këtë duhet me jua thënë që sot do të bëhet kjo, nesër do të bëhet kjo”.

Ramiz Alia: “E drejtë. Ka filluar gazeta të japë pak kështu”.
Bashkëbisedues: “Jam dakord me këtë analizë dhe dua të them, megjithëse shpreh mendimin tim personal, nuk pretendoj të shpreh mendimin e shokëve, një gjë të jetë e qartë. Siç thatë edhe ju, inteligjencia jonë ka besim në lidhjen e partisë, është plotësisht me vendimet e Plenumit të fundit. Kam vëne re edhe të huajt, u vjen plasja, se në këta njerëz që kanë në ambasada nuk janë intelektuale të vërtetë, janë njerëz naiv ose të deklaruar, ose armiq. Inteligjenca ka besim, tek ajo që thatë ju, se në këto rrugë është shumë pa kthim, të ecësh përpara. Jo sepse na e imponojnë të tjerët, por janë kushtet tona që na e kërkojnë, pa dyshim. Megjithatë, sigurisht ne kemi vërejtje të pjesshme. Në asnjë mënyrë nuk mund të vëmë në diskutim vijën tonë dhe drejtësinë e partisë. Por, ka vërejtje që edhe janë thënë nga shokët në raste të ndryshme. Vetë ju e thatë në atë bisedën tuaj, që u konstatua nga të gjithë ne, ka pasur zvarritje në realizimin e vendimeve të Plenumit të fundit, ka zvarritje dhe ka zvarritje për arsye të ndryshme. Për konformizmin me atë praktikë që kemi akoma sot, për mosdashje të telasheve, ndoshta edhe për një opozitë të heshtur, nuk po themi në forume të larta, por në praktikë, në baza. E ka zvarritjen… Injorancë, shumë faktorë, mikroborgjez etj., ka shumë faktorë”. 

Ramiz Alia: “Mua me shkroi një herë një letër dhe u habita, se të them të drejtën nuk e dija. Më thotë: Shoku Ramiz, ç’t’u desh që e takove atë Sulsbergerin, për atë ka shkruar keq shoku Enver…?! Nuk e di a ka shkruar kund shoku Enver. Nuk e dija. Po mirë ç’do me thënë që ka shkruar?! Mund të ketë shkruar, po për Shtrausin çfarë nuk kemi shkruar ne, ka gjithfarë njerëzish”. 

Bashkëbisedues: “Ka shkruar dhe ma tha njëri që ma tregoi. Më solli librin “Dy popuj miq”, në ekstrakt ku flet për Sulsbergun etj., etj. Për Shtrausin kishte thënë më shumë akoma. Edhe Shtrausi kur ka ardhur në kohën kur ishte gjallë Enver Hoxha”. 

Ramiz Alia: “Ka zvarritje të ndryshme. Ka vonesa edhe në marrjen e vendimeve. Ndonjëherë krijohet përshtypja e gabuar, por që duhet evituar kjo përshtypje që të krijohet, sikur ne po i marrim vendimet nga presioni i ngjarjeve. Domethënë, ndodh diçka, u bë trazira në Kavajë, atëherë hajde të marrim vendimin për shtimin e pagave të larta. Kjo është shumë e rrezikshme, sepse krijon opinion edhe brenda, edhe jashtë shtetit, sikur mjafton dikush neve të na tregojë dhëmbët, edhe ne të bëjmë lëshime. Prandaj edhe të veprojmë në atë mënyrë që kjo përshtypje të evitohet, që partia, udhëheqja, ka një program të qartë çdo të bëhet. Sigurisht, kjo menjëherë nuk bëhet, do të ishte naive të mendosh që diçka mund të bëhet menjëherë, por kjo duhet evituar. Një nga arsyet që nga mbledhja e presidiumit votuam pas këtyre dekreteve edhe njoftimin që presidiumi krijoi një komision për çështjen e…”.
Sigal