125 efektivë të FA-së dhe dy helikopterë të angazhuar, 5 vatra zjarri ende aktive

Dhjetë vatra zjarri janë evidentuar në territorin e vendit deri në orën 14:00, ndërsa pesë prej tyre vijojnë të jenë aktive ku katër të tjera mbahen nën monitorim.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në terren janë angazhuar 153 forca operacionale dhe 21 automjete zjarrfikëse, ndërsa në mbështetje të tyre janë 125 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.

Sigal

Në Dajt, situata vijon të mbahet nën monitorim.

Në Cikallesh të Kavajës, zjarri është shuar plotësisht dhe zona po monitorohet. Ndërkohë, në Priskë e Madhe vijon ndërhyrja me katër automjete zjarrfikëse, 15 efektivë të MZSH-së dhe një helikopter të Forcës Ajrore. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Mallakastër, vatrat në Riban, Ngraçan, Panahor dhe Çyçen janë shuar dhe po monitorohen. Nën kontroll të plotë është vënë edhe zjarri në Drenie të Patosit.