Kujtim Boriçi: Dyshimi për vjedhjen e jugosllavëve në nëntokën tonë, propozimi dhe debatet me Ministrinë e Brendshme

785
Sigal

 

Kush është Dr. Eqerem Shakaj, gjeodet dhe funksionar i lartë i Ministrisë së Brendshme

që përfaqësonte Shqipërinë në incidentet kufitare me Jugosllavinë, Greqinë dhe Italinë

 

Eqerem Çobo Shakaj u lind në vitin 1935 në Vranisht të Vlorës. Në vitin 1954 ai përfundoi Shkollën Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë me medalje ari. Pas saj, ai ka përfunduar dhe Shkollën e Lartë në degën gjeodezi, topografi, duke qenë i pari inxhinier topograf në Ministrinë e Mbrojtjes dhe më pas në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Deri në vitin 1985 ai ka përfunduar Akademinë Ushtarake, studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe të gjitha kualifikimet pasuniversitare në këtë universitet që lidheshin me profesionin e tij. Ka qenë ndër specialistët kryesorë të vendit duke ndjekur të gjitha seminaret dhe takimet për problemet e kufirit dhe të terrenit në përgjithësi të zhvilluara nga Ministria e Punëve të Brendshme, në rang ushtrie si, dhe në shkallë kombëtare. Ka qenë ekspert i aftë duke prezantuar e mbrojtur me profesionalizëm e në përputhje të plotë me ligjin kontaktet e shumta ndërshtetërore me fqinjët jugorë dhe veriorë të vendit tonë. Nga viti 1956 deri në vitin 1974, është marrë me problemet teknike që lidhen me profesionin e tij si rilevime, matje gjeodezike, etj. Për tre vite rresht, përkatësisht nga viti 1968 deri në vitin 1971 ka drejtuar dhe organizuar punën për zbulimin dhe zgjidhjen e problemit të kufirit në pjesën verilindore të vendit, lidhur me minierën që shfrytëzonin ilegalisht jugosllavët nëpërmjet territorit tonë. Nga viti 1975 deri në vitin 1989 ka qenë pedagog në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Brendshme. Eqerem Shakaj ka mbrojtur disertacionin “Roli dhe rëndësia e terrenit dhe mënyrat e studimit të tij”, në vitin 1985, duke fituar gradën shkencore ‘Kandidat i Shkencave’ e cila më vonë u njehsua me gradën shkencore ‘Doktor’. Puna e mirëfilltë shkencore e tij përmblidhet në: dy monografi të botuara; një tekst universitar për specialitetin e tij, 8 studime kërkimore, shkencore, 6 raporte inxhinierike, 3 kumtesa referuar në konferenca shkencore, një referat shkencor mbajtur në konferencën e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe një punim shkencor botuar në Revistën Ushtarake Shkencore. Njëkohësisht, Eqeremi ka dhënë mësim lëndën e Topografisë Ushtarake në të gjitha kurset e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Shkollë të Lartë, është anëtar i grupit që përgatitën hartën njësektore 1:25000, ka udhëhequr shumë diploma të nivelit universitar për studentët e policisë, kufirit e sigurimit, ka drejtuar diploma të studentëve të Universitetit të Tiranës për gjeodezinë.

 

Ekskluzive/ Vazhdim i rrëfimit të rrallë, i kolonel dr. Eqerem Shakaj dhe dokumente tepër sekret të një incidenti të ndodhur 50 vite më parë në kufirin shtetëror Shqipëri. Jugosllavi, në zonën Prizren- Has, shfrytëzimi i pasurisë minerare (krom) nëpërmjet galerive nëntokësore të Shqipërisë, në një vlerë tepër të madhe financiare. Parashtrimi i dyshimeve në Ministrinë e Brendshme dhe hapat e parë.

 

Dyshimi për vjedhjen e jugosllavëve në nëntokën tonë, propozimi dhe debatet në Ministrinë e Brendshme

Nga Kujtim BORIÇI

 

Pasi kolonel, Dr. Eqerem Shakaj, ka krijuar dyshimin, se prej kohësh, në minierën e kromit të Duzës në Prizren, jugosllavët mund të shfrytëzonin ilegalisht dhe nëntokën tonë në zonën e Kamit, ka menduar që të bëjë denoncimin në strukturat më të larta të shtetit shqiptar, duke qenë i ndërgjegjshëm që po ndërmerrte një hap tejet delikat, që mund ta bënte ‘hero’, por dhe mund ta groposte përjetësisht, merr vendimin e vështirë. Bisedon me eprorët e pak shokë të ngushtë të besës, por në një formë apo në një tjetër, ata i pohojnë se ‘po luante me zjarrin’. Por ai këmbëngul, e problemi shkon deri tek udhëheqja më e lartë e vendit. Niset me parashtrimin e këtyre dyshimeve në Ministrinë e Brendshme. Këtu nisin peripecitë e shumta, ku shpesh, rreziku i ‘shpatës së Demokleut’, i dukej se i qëndronte vazhdimisht mbi kohë.

“Ministri i Mbrojtjes, ma miratoi mendimin. Tashmë më duhej ndihmë e bashkëpunëtorë të aftë e besnikë. Takoj Skënder Deden, inxhinier i njohur në Ministrinë e Energjitikës e Gjeologjisë. Fatkeqësisht, në fillim s’më priti mirë. Më tha: “E kam ngritur edhe unë këtë problem, por nuk më dëgjoi njeri. Më mirë merru me një punë tjetër dhe mos u merr me këtë problem! Nuk e zgjidh dot!”. Po më pas, i vetmi që bashkëpunoi me mua gjatë gjithë kohës, deri në zgjidhjen e këtij problemi ishte po, ky: Skënder Dede”

-Midis atdhetarizmit, betimit ushtarak (që skënderbegas), për t’i shërbyer atdheut, dhe rrezikut që mund të të dëmtonte e që ishte tejet i madh, ju zgjodhët të parën?

Pa tjetër! Se për ushtarakun, nuk ka rrugë tjetër përveçse betimit që ka bërë, zgjidhjen e dytë as që e mendoja, dhe sikur unë të merrja ndëshkimin më të rëndë.

-Pra, formuluat dyshimet dhe propozuat që të ndërmerrej nisma zyrtare nga shteti shqiptar për verifikimin e skandalit?

-Po. Isha i ndërgjegshëm se këmbëngulja ime që synonte ngritjen e një akuze, ishte me “spec”, pasi nuk ishte një incident si kalim kufiri, arratisje, kalime të ndërsjellta bagëtish e të tjera të kësaj natyre. Ishte një ndërmarrje që duhet të përfundonte në akuzë të rëndë: Cënim i territorit të Republikës së Shqipërisë! Dështimi i fakteve, pavarësisht justifikimeve në dukje, do të binte kryesisht mbi mua. Ndaj e kisha mbledhur mendjen mirë.

-Pra, e nisët këtë sfidë, megjithëse ishe i ndërgjegjshëm për pasojat, në vartësi të rezultatit?

-Do ta konsideroja një sfidë shumë të madhe jo vetëm për veten time. Ata, jugosllavët, mendonin se ne shqiptarët nuk kishim aftësi, zgjuarsi potenciale shkencore që t’i kapnim këto punë në thellësi të tokës. Shpesh përsëritnim se serbët janë një popull me aftësi e cilësi të mëdha, që popujt e tjerë duhet ta marrin si shembull. Këtë e kisha konstatuar gjatë punimeve me ta, por nuk flisja. Në këtë moshë kisha arritur të njihja dhe vlerësoja mirë forcat dhe vullnetin tim. Kur vendosa për të kryer një detyrë, sado e vështirë të ishte, do të luftoja deri në fund për ta plotësuar atë, do të kapërceja të gjitha pengesat dhe nuk do të tërhiqesha asnjë hap prapa. Në përgjithësi unë lexoja dhe studioja shumë për ngritjen time. Po kur u ngarkova në këtë detyrë shumë të rëndësishme dhe delikate u bëra akoma më shumë kërkues ndaj vetes. Synimi ishte të mos bëja një gabim; të shfrytëzoja në maksimum kapacitetet e mia të njohurive. Nëse do të ndodhte më vonë që për një arsye ose tjetër dikush do të punonte me këto materiale, të ndiente kënaqësi për zgjidhjet e plota dhe të argumentuara të problemeve. Kisha dhe një garanci tjetër në këtë vendim delikat, që e theksoj, ishte “Tepër sekret” e pak njerëz, sa gishtat e një dore, kishin dijeni.

-Cila ishte kjo garanci?

-Shokët që kisha në krah në këtë operacion (pothuaj të gjithë), ishin kolegë të mi, ish-skënderbegas, që kishin mbaruar shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, universitetin dhe vazhdonim të punonim bashkë. Dhe të jesh skënderbegas (tashmë kjo është një aksiomë që e ka vërtetuar koha), je trim, inteligjent, i besës dhe i papërkulur.

-Si u organizua puna për zbulimin e shkeljes në kufirin shtetëror?

Fillimisht bisedova me zëvendësdrejtorin e kufirit në Ministrinë e Mbrojtjes, Llambi Premtin. Ai ishte kuadër me përvojë dhe e njihte shumë mirë kufirin shtetëror. Ai dha përgjigje: “Këtë problem e kemi ndjekur edhe ne shumë kohë më parë. Organet përgjegjëse kanë kthyer përgjigje të prerë. Nuk rezulton të ketë shkelje në territorin tonë, asnjë metër. Në vitin 1968 oficeri, Ali Hamzai, filloi punë në drejtorinë e kufirit dhe u ngarkua me detyrën e Kryetarit të Komisionit të Përbashkët Shqiptaro- Jugosllav (incidente) për riparim dhe ndërtim të piramidave kufitare. Kishte studiuar dy herë në Bashkimin Sovjetik dhe vinte nga detyra e Komisarit të Batalionit të Tropojës. Edhe ai e njihte shumë mirë kufirin dhe kishte dijeni për këtë problem. “Po të jetë se e kanë shkelur kufirin shtetëror, është shumë e vështirë për ta zbuluar, por unë jam dakord për ta ndjekur dhe do të kesh gjithë përkrahjen time” – më tha ai.

-Cilët qenë hapat në vazhdim?

-Udhëheqja e Ministrisë së Mbrojtjes u vu në dijeni dhe nuk kundërshtoi që të ndiqej si problem. Në këtë detyrë, më duhej dhe ndihma e specialistëve më të mirë të gjeologjisë në vend, sigurisht njerëz të besuar e të vendosur. U interesova dhe arrita të njihja inxhinierin gjeolog Skënder Dede. Kishte qenë partizan, mbaruar studimet në Bashkimin Sovjetik. Tani drejtonte një grup për studimin e kromit në një institut të Ministrisë, Miniera- Gjeologji. Mua më interesonte të bashkëpunoja me ndonjë kuadër me përvojë që punonte në Ministrinë Miniera- Gjeologji, për t’u konsultuar me punën që kisha filluar.

-E mirëpriti inxhinieri i njohur propozimi tuaj?

-Fatkeqësisht jo, e priti keq. Më tha: “E kam ngritur edhe unë këtë problem, por nuk më dëgjoi njeri. Më mirë merru me një punë tjetër dhe mos u merr me këtë problem! Nuk e zgjidh dot!”, Në fakt, kjo përgjigje qe një ‘lodhje’, apo të themi mosbesim i tij, pasi i vetmi që bashkëpunoi me mua gjatë gjithë kohës, deri në zgjidhjen e këtij problemi ishte po, ky: Skënder Dede.

 

“Isha i ndërgjegjshëm se këmbëngulja ime që synonte ngritjen e një akuze, ishte me “spec”, pasi nuk ishte një incident si kalim kufiri, arratisje, kalime të ndërsjellta bagëtish e të tjera të kësaj natyre. Ishte një ndërmarrje që duhej të përfundonte në akuzë të rëndë: Cënim i territorit të Republikës së Shqipërisë! Dështimi i fakteve, pavarësisht justifikimeve në dukje, do të binte kryesisht mbi mua. Ndaj e kisha mbledhur mendjen mirë.”

-Si arritët të siguroni këtë mbështetje?

-Theksoj se kishte në vend profesionistë të mrekullueshëm, por delikatesa e problemit, shpesh reflektonte dhe një farë mosbesimi, frike, apo përgjegjësie, të themi. Por thashë, se tashmë dyshimet e mia, ishin shoqëruar dhe me miratimin zyrtar të qeverisë së Shqipërisë. Informova dhe bisedova me shokët e mi oficerë, inxhinierë, topografë, gjeologë, Th. Jorganxhi, R. Hajro, S. Beqari, Z. Rjepa, S. Qorlaze, A. Duro; me inxhinierët e ndërtimit që punonin në Ministrinë e Mbrojtjes K. Çollaku, M. Cako etj. Të gjithë shprehën dëshirën për të më përkrahur dhe më inkurajuan. Shkova apostafat në Institutin e Naftës në Fier dhe takova zëvendësdrejtorin, N. Kodheli. E pyeta nëse mund të përdoreshin aparatet e sizmikës për problemin që i parashtrova. Më tha që mund të realizohej nga skuadra e aparaturës sizmike në rajonin që i përmenda dhe do të realizonte direkt kërkesën tonë. Po për këtë, duhet urdhër nga Ministri i Miniera- Gjeologjisë.

PËR KOLEGËT QË NA MBËSHTETËN NË ZBULIMIN DHE DËNIMIN E INCIDENTIT TË RËNDË NË KUFIRIN SHQIPTARO-JUGOSLLAV

 

Mirënjohje për të gjithë ata që kontribuan në zbulimin dhe dënimin e incidentit të rëndë në kufirin shqiptaro- jugosllav. Në atë kohë komandant batalioni i kufirit në Tropojë, ishte Hekuran Pashai nga Hekali i Mallakastrës. Ishte me trup mesatar, pak ezmer, me sy bojëkafe. Kishim mbaruar bashkë shkollën për oficerë. Kreu studimet e larta në Shqipëri dhe në Bashkimin Sovjetik. Ngeli tërë jetën duke shërbyer kufijve të Shqipërisë dhe nuk ankohej. Bëja shaka si shok: “Hekuran, mos u anko që ngele me shërbim në kufi. Unë ngela tërë kohën në Tiranë dhe s’e kam ngritur asnjëherë zërin për t’u transferuar!”. Ai kishte dy detyra, edhe komandant, edhe kryetar i komisionit të incidenteve. Dy ose tri herë në ditë pyeste për ne. Interesohej deri në detaje. Vinte ku rrinim dhe jepte urdhëra për të na e lehtësuar jetesën. Kërkonte që kur të vinim në Bajram Curri të shkonim në shtëpinë e tij të flinim. “Të dy palët po e mbrojmë kufirin. Ne sipër, ndërsa ju nëntokë,”. thoshte ai. Për rreth dy muaj, Skënderi, Myfiti, Seiti dhe unë e shoferi që na shoqëronte, jetonim në postën e Qafë Prushit. Flinim dhe punonim në një dhomë të doganës (magazinë), që u lirua dhe u përshtat për ne. U vendosën 3 krevatë metalikë dyshe, një tavolinë e vjetër, që mezi hapej dhe mbyllej. Në mes të dhomës u vendos një sobë që na ngrohte, por edhe që na nxirrte sytë nga tymi. Ushqimi vinte nga guzhina e postës: njësoj si me ato të ushtarëve. Nuk kishte aty afër ndonjë dyqan për të blerë ndonjë gjë. Në Qafë Prush shpeshherë binte shi, dëborë, frynte erë. Njëherë gazin, që kishim me vete, na ngeli në dëborë dhe e tërhoqëm me slitë. Ndërlidhja ishte mjaft e vështirë nga koha jo vetëm me Tiranën, por shpesh herë edhe ndërmjet postave. Aty ndoqëm dhe Festivalin e 12-të të Radiotelevizionit Shqiptar (me radio). Për mua këto kushte ishin si të thuash normale, sepse isha oficer dhe i kalitur, por për Skënderin, Myfitin, ishin mjaft të vështira. Ata ishin të martuar, larg familjes për shumë ditë, pinin ilaçe, nuk mbanin dot dietë etj. Nuk u ankuan njëherë, por punonin ditë e natë me përkushtim. Të gjithë ata që punonin në kufi në atë kohë oficerë, ushtarë dhe sidomos Hekuran Pashai, komandant i batalionit dhe kryetar i komisionit lokal të incidenteve u përpoqën dhe bënë çfarë kishin në dorë për të na ndihmuar. Ishim shumë të gëzuar që i kapëm jugosllavët duke grabitur kromin dhe shkelur kufirin shtetëror me paramendim. Seit Zeqiri ishte anëtar i Komisionit të Incidenteve për Tropojën nr. 4 dhe në këtë kohë drejtoi grupin e ekspertëve. I shkathët, i zgjuar, i papërtuar, korrekt në sjellje dhe në veprime në punën e ekspertëve. Edhe Seiti si Hekurani, na ftoi në shtëpi të treve. Kënaqej shumë i vjehrri i tij, ish- oficer, dhe vjehrra Bukuria, dhe e shoqja, na respektonin e na trajtonin shumë mirë. Hamdi Velaj ishte komandant poste në atë kohë, pothuajse rrinte me ne. Flisni çfarë doni na thoshte. Na ftonin në shtëpi të pinim kafe. Kështu silleshin dhe të gjithë kuadrot, që shërbenin në atë kohë në postën dhe doganën e Qafë Prushit. Oficerët e kufirit, kuadrot e tjerë kishin kushte të vështira shërbimi dhe jetese. Gratë dhe fëmijët e tyre jo vetëm pothuaj ishin të izoluar, por pa punë, mezi vazhdonin shkollën fëmijët e tyre, fusnin beriajt (ushqimet ) në kohë të mirë, se fillonte koha e keqe. Me leje shkonin rreth 20 ditë në vit.

 

NESËR DO TË LEXONI

 

-Takimi me Kadri Hazbiun, interesimi i tij për operacionin delikat dhe detyrat e ndihma që dha

– Hezitimi në fillim dhe mbështetja e operacionit delikat nga zëvendësministri i Brendshëm, Xhule Çiraku

-Rikonjicioni sekret në zonën kufitare dhe sigurimi i të dhënave të rezervuara në zonën e Prizrenit.