Rrëfimi i Ish-Drejtorit të përgjithshëm të RTSH, Marash Hajati

2521
Sigal

Cilësitë aktoriale të Enver Hoxhës, shpërthimi i tij në Sarandë për kufijtë në 1978, xhirimet kur këndoi me Xhevat Avdallin, kurorat në varrezat  e Dëshmorëve. Kongresi i 8-të i Partisë në nëntor 1981 dhe takimi i fundit me Mehmet Shehun

Në kuadrin  e dossierit  “Historia e rrallë  e RTSH”  tek lexuesi  do përcjellim intervistat e zhvilluara para 8-vitesh me personalitete  që hodhën themelet  e RTSH dhe u rritën bashkë me të. Këto intervista të ruajtura në arkivin e gazetës “Telegraf” dhe përbëjnë një thesar për këtë  historik kaq të rëndësishëm të së vetmes Radio dhe Televizion deri në vitin 1991.

Intervista/ Rrëfimi i  ish-Drejtorit të Përgjithshëm i RTSH, shkrimtarit, publicistit, Marash Hajati: Enver Hoxha ka poseduar cilësi të spikatura në fushën e aktrimit

 

Vijon nga numri i kaluar 

Albert Z. ZHOLI

 

01-Shpërthimi i Enver Hoxhës në Sarandë: Mos doni të vijmë ne e të bëjmë punën tuaj këtu, t’ua ruajmë kufijtë?

02- Vizita e parë dhe lodhshme në jug të Shqipërisë e Enverit 1978, qe e fundit në këto përmasa me regjistrime e takime jashtë në natyrë.

03- Xhirimet më të vështira kur këndoi në 1978 me Xhevat Avdallin, dhe kur shkoi vetëm në varrezat e Dëshmorëve në vitin 1982

04- Transmetimi i Kongresit të 8-të të Partisë në nëntor 1981 arriti sukseset spektakolare të punës në televizion

05- Ai ishte kongresi i fundit që marrin pjesë të gjallë E. Hoxha e Mehmet Shehu

06- Më 24 dhjetor 1981, një javë mbas asaj vetëvrasjes së Mehmetit, Enveri vendosi, të dalë para kamerave.

 

-Zoti Marash, bëheshin seleksionime në atë kohë nga bisedat e fjalimet e E. Hoxhës?
Veç montazheve për cilësinë e figurës apo të lapsuseve, që ishin të paevitueshëm ka pasur raste që xhirimet materiale nuk janë transmetuar për vetë temën e trajtuar. Për shembull, i ndodhur në Ksamil mes banorëve të ardhur nga krahina të ndryshme e, që për hir të së vërtetës, me mundin e djersën e tyre, kishin krijuar plantacione me portokalle, limonë e ullinj të papërsëritshëm, E.H. duket nga frymëzimi, sikur doli jashtë kontrollit të vetes dhe të bashkëshortes, bëri humor dhe i ngacmoi të rinjtë.
– Sa kalamaqër do bëni ju? – e filloi ai dialogun. – nga tre po, se dhe unë tre kam bërë, bile mund të bëja dhe më shumë, apo jo Nexhmije? Kjo bisedë aq sa i takonte dialogut me Nexhmijen, nuk u transmetua kurrë në ekran.
Të rinjtë e gjorë qeshën e nënqeshën, më shumë jo për numrin e fëmijëve që do bënin, por për nuset që nuk i shikonin as me dylbi, mbasi ato të shkretat vajza shtegtonin në qytet, ku mund të siguronin një jetesë më të përshtatshme. Montazhi i atij emisioni do të mbahej mend për numrin pa fund të ngjitjeve.

-Është perifrazuar e dëgjohet edhe sot rëndom nga ata që e kanë parë drejtpërdrejt apo edhe kur shikohet nga sekuenca filmike, se E. Hoxha ka pasur cilësi aktoriale dhe emocione të spikatura. Sipas mendimit tuaj është e vërtetë kjo?
Më lart, kur fola për disa dhunti, që zoti apo fati u jep njerëzve, përmenda veç inteligjencës e kapacitetit mendor, u jep edhe figurën, zërin dhe aftësitë komunikuese që, të gjitha bashkë janë pjesë e aktrimit. Fillimisht dua të theksoj, e citova pak më lart, se s’ka njeri në jetë që të mos dëshirojë të jetë pak aktor, është tjetër gjë sa ia arrin ai për të konfirmuar personalitetin e tij në shoqëri. Ballafaqoni tani liderët me këto kërkesa në raport me njerëzit e tjerë. S’ka dyshim se janë të shkallës më të lartë. Nisur nga përvoja e hulumtimi profesional publicistik kam pohuar, dhe me këtë mendim janë shumë specialistë me mua se Enver Hoxha ka poseduar cilësi të spikatura në fushën e aktrimit. Nuk dua të perifrazoj asgjë për të argumentuar këto mendime. Ndoshta do të krijohet bindje më e saktë për këto teza përmes shembullit që do të sjell më poshtë. Zhvillohej mbledhja e këshillit popullor të rrethit të Sarandës. Raportohej për gjendjen moralo-politike të të gjithë krahinës. Nga diskutimet e faktet, që u sollën për një seri tentativash të të rinjve për të kaluar kufirin e për t’u arratisur në Greqi, E. H. u inatos aq shumë, sa thirri i papërmbajtur:
– Mos doni të vijmë ne e të bëjmë punën tuaj këtu, t’ua ruajmë kufijtë? Punoni keq! Sinori nuk është atje tek piramida. Ai nis këtu, në shtëpi, në rrugë, në zyra e shoqëri. Kundër atyre që duan të tradhtojnë vendin, asnjë mëshirë!
Njerëzit u ngrysën. Salla u nxi. Mirë kjo që ndodhi, por si do t’i vinte halli më tutje vizitës? Takimi u zhvillua ftohtë, pa ovacione e duartrokitje. Çdo gjë u përligj me atë që këto ishin mbledhje pune e s’kishte nevojë për eufori e brohoritje.

Në darkën e po asaj dite ishte planifikuar një koncert mirëseardhjeje, përgatitur nga krijuesit më të mirë të rrethit. Frika se E.H. s’do të merrte pjesë, ngaqë ishte zemëruar, u shtua shumë tek drejtuesit e Sarandës. Mirëpo me ardhjen e forcave të sigurimit në sallë, ata u ngrohën dhe e morën veten. Koncerti u zhvillua pa ndërprerje e pati sukses. Sapo mbaroi koncerti dhe u ul sipari i skenës, E.H. pa biseduar me asnjeri vajti drejt e në prapaskenë. Atje u bë një pështjellim, por ai duke buzëqeshur kërkoi grupin lab të fëmijëve të veshur bukur me fustanellë e kapelet e mëdha mbi kokë. U zu me ta dorë për dore e hodhi valle, e këndoi me shumë kënaqësi.
Shoqëruesit, operatorët e fotografët bënë një rrëmujë në sallë, duke kapërcyer mbi karrige, për të arritur të filmonin diçka nga ai takim i befasishëm. Kur mbaroi kënga e vallja, udhëheqësi i pyeti fëmijët me radhë se të kujt ishin, si mësonin, çfarë dëshirash kishin etj. Kur mësoi nëpërmjet përgjigjeve me atë çiltërsinë fëminore, se atyre u mungonin fletoret, s’kishin çanta të bukura, s’kishin libra të mjaftueshme, se u kërkonin prindërve e ata s’kishin ku t’i merrnin, në sytë e E.Hoxhës u shfaqën lotët. Ashtu u fiksua edhe në kamera. Hajde beso tani, në botën e këtij njeriu! Kujt i përkiste ai? Mbledhjes së mëngjesit me thirrjet për burgosje dhe eliminim të atyre që nuk bindeshin, që thyenin kufirin, apo lotëve e valles që hoqi me vogëlushët! Ai ishte një interpretues i habitshëm i bindjeve të tij në jetë e në kamera.

-Gjithë çfarë dëgjuam deri tani ishin fakte nga jeta, nga xhirimet e paraqitja publike e E. Hoxhës përpara kamerave. A mund të na thoni ndonjë gjë shkurt për ato që kanë ndodhur jashtë kamerës?
Nëse pyetjen e marrim në volumin total të saj, për ato që kanë ndodhur jashtë kamerës për Shqipërinë e atyre viteve për udhëheqjen, për E. Hoxhën e lidhur ngushtë me to, vetëm shkurt nuk mund të flitet. Ajo ishte një histori e tërë rreth 50 vjeçare. Aty janë kongreset, plenumet, mbledhjet e Byrosë Politike të qeverisë. Aty janë vendimet. Aty janë grupet armiqësore, devijimet, letrat e hapura, eliminimet të gjitha mbi bazën ideologjike të asaj kohe, çka janë tema të veçanta edhe për historinë e shtypit shqiptar. Megjithatë nga ajo pyetja për E. Hoxhën jashtë kamerave, që lidhet edhe me vizitën e vitit 1978 në Gjirokastër e Sarandë, do të them diçka. Në atë vizitë pati edhe dy ngjarje të pakëndshme. Në to, pa dashur zbuluam një E. Hoxhë tjetër, disi të ashpër e brutal, larg skemave artificiale të jetës zyrtare. Mbas një takimi në lagjen Palorto, bashkë me një kolegun tim, u gjendëm në oborrin e shtëpisë së pritjes. Donim të miratonim urgjentisht tekstin për kronikën. Në hyrje ndodheshin shoqëruesit. Oborri s’kishte njeri. Enveri, që sapo ishte ngjitur lart, kërkonte duke thirrur Nexhmijen, e cila ende s’kishte arritur. Ndonjë vonesë me të afërmit e të shoqit, si në qytetin e gjinisë. Nga dhoma u dëgjuan bërtitje, sharje e fyerje me fjalë të pabesueshme. Nga sa u kuptua ai kishte ngelur i zhgënjyer nga mjedisi. Dhomat nuk ishin ngrohur, orenditë të vendosura pa rregull. Deri poshtë vinte zhurma e përplasjes së karrigeve. S’na mbeti gjë tjetër, morëm hijen me vete dhe u larguam. Tekstin na e dërguan më vonë. E njëjta situatë u përsërit dhe në Sarandë, por me tone më të ashpra e të pakontrolluara. Qëndronim me Sulon, shoqëruesin, kur papritmas u shuan dritat. Kjo e inatosi shumë udhëheqësin. Ishte muzg mbrëmjeje e lart në katin e dytë u bë shumë rrëmujë nga Enveri. Suloja thirri një shofer dhe e nisi urgjentisht për elektricistin. Ne zbritëm në këmbë deri në breg të detit. Dritat nuk vonuan të vinin.
– Programin e vizitave do t’ua sjell unë gjithnjë, – tha Suloja.
Edhe kjo gjë njerëzore është. Edhe udhëheqësit janë njerëz të dashur, të ëmbël, të sertë, inatçi e brutalë. Tjetër sa ruhen e si ruhen, për të mos i demonstruar anët negative të tyre.
E. H. ishte nga ata që nuk zbulohej lehtë.

-Kur ka filluar rrallimi i transmetimeve për Enver Hoxhën e cilat kanë qenë arsyet?
Vizita e parë dhe lodhshme në jug të Shqipërisë 1978, qe e fundit në këto përmasa me regjistrime e takime jashtë në natyrë. Në fillimet e viteve ’80, ai u rëndua dukshëm nga sëmundjet, nga tensionet politike me grupe armiqësore e komplotiste e sidomos mbas rënies ekonomike, si pasojë e prishjes me Kinën. Në atë periudhë, dalja e tij para kamerave shërbente më shumë për të treguar se pushteti dhe sistemi socialist ishin ende gjallë. Në atë kohë veprimtaritë me prezencën e sekretarit të parë të K.Q., për arsyet që përmendëm më lart, u kufizuan ndjeshëm. Paraqitja e tij lidhej me ndonjë mbledhje plenumi, mbrëmje solemne gjatë votimeve e rregullisht në paradën e 1 Majit. Kronikat dhe telereportazhet nga këto veprimtari ndiqeshin deri në imtësi nga R.Alia dhe nga Nexhmija. Megjithatë në veprimtarinë e televizionit të vetëm shqiptar në atë kohë gatishmëria për të sjellë në ekran informacionin apo lajmin më të rëndësishëm të ditës, ka qenë e madhe, aq më tepër kur bëhej fjalë për të parin e vendit. E them këtë, sepse për dy të papritura, që lidheshin me aktivitetin e E. Hoxhës, televizioni mund ta kishte paguar rëndë. E para, ka ndodhur në mars të vitit 1978, kur mbas gjithë veprimtarive të programuara të ditës, Enveri ngarkoi shoqëruesin e përhershëm Sulo Gradeci që menjëherë të niseshin te mulliri, ku punonte këngëtari i famshëm Xhevat Avdalli, sepse do ia marrim me të një herë labçe, por do jemi pa suitë. Po televizioni, kishte thënë Sulua me vete! Dhe papritur, pa kujtuar, nxitimthi gjen një operator, teknikun e zërit dhe ndriçuesin e fill e tek mulliri, ku Xhevati ia merrte e Enveri ia priste me iso. Kronika doli mjaft origjinale e njerëzit me njëfarë buzëqeshje thoshin: këndoka mirë shoku Enver!
E papritura e dytë, ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 28 nëntor 1982. Edhe për të gjithçka ka kaluar me komandë të përshpejtuar dhe vetëm nga shoqëruesi. Grupi i xhirimit ndali frymën tek monumenti “Nënë Shqipëri”. Enver Hoxha i vetëm bënte homazhe në varrezat e dëshmorëve të Atdheut. Po të bëhet ndonjë konkurs për realizim lajmi televiziv, ndoshta edhe sot mund të konkurrohej për mjeshtërinë e realizimit. Mbas një ore nga instanca më e lartë e K.Q. kanë pyetur me ankth, nëse u arrit gjë të filmohej.
Me Enver Hoxhën, enkas për televizionin, është organizuar vetëm gjuetia e peshkut në Volorekë të Pogradecit. Ka qenë viti i fundit i jetës, i lodhur, i sëmurë, por jo dhe krejt pa humor. Udhëheqja ishte në merak që ta paraqiste në publik përmes ekranit, se ai ishte mirë me shëndet. Kronikën “Enver Hoxha në peshkim” e pati realizuar operatori i talentuar, mjeshtër i kamerës dhe i lajmit, Gazmir Shtino. Vetë Enveri bënte mjaft humor me Gazmirin, sepse Feriku, babai i tij kishte qenë shok shkolle me Enverin. Të bëje shaka me kamera në krah si Gazmiri, s’ishte fort e lehtë. Operatori i thoshte se babai i tij kishte qenë nxënës më i mirë se ai. Enveri i tha atë ditë se suksesin e filmimit e keni të garantuar, sepse këtu te kanali me ujë të kristaltë, kanë mbyllur kalimet e, peshku jo vetëm mund të zihet me grep, por atë mund ta nxjerrësh nga rrjetat edhe me dorë. Enveri u paraqit në atë kronikë para shikuesve si peshkatar.

-Cila ishte porosia e prerë për filmimin e tij?
Ne, në televizion kishim marrë porosi të prerë, të shmangnim çdo marrje të afërt si portret. Përjashtim bën këtu regjistrimi e transmetimi i Kongresit të 8-të të Partisë në nëntor 1981. Aty janë realizuar veprime nga më spektakolare të punës në televizion ndonjë herë. Kësaj teme do t’i kushtohet një material i veçantë. Ai ishte kongresi i fundit që marrin pjesë të gjallë E. Hoxha e Mehmet Shehu. Gjithçka në marrëdhëniet e tyre ishte në buzë të greminës. Për 7 ditë ata as nuk folën, as nuk komunikuan së bashku. Mes tyre kishte marrë fund çdo gjë. Por shija e hidhur në kamera për E.H. ka ardhur përfundimisht mbas vetëvrasjes së M. Shehut. Komandanti i partizanëve legjendarë me plumbin e nagantit të tij, hequr vetvetes depërtoi thellë edhe në zemrën e E. Hoxhës, duke e mposhtur atë në mënyrë të pakthyeshme moralisht e shpirtërisht.
M. Shehu me aktin që kreu nuk iu nënshtrua Enverit, i cili donte ta shihte shokun e dikurshëm më të ngushtë të Luftës e të jetës, të gjunjëzuar. Kjo nuk ndodhi. M. Shehu me veprimin që bëri, i dogji në duar letrat E. Hoxhës. Kjo i solli një zemërim të jashtëzakonshëm. Atij i mbeti pa mbajtur pretenca përfundimtare: Konkluzionet e Byrosë Politike mbi veprimtarinë armiqësore të poliagjentit M. Shehu. Të nesërmen, nëpërmjet një incizimi të veçantë, i quajtur sinoptika e famshme, E. H. ankohej me zë të mbytur se ai, (Mehmeti) nuk priti ta dëgjonte atë, se çfarë do të thoshte. Pikërisht se e dinte se çfarë do të thoshte, Mehmet Shehu nuk desh ta dëgjojë. Dhe ajo ishte trimëri.
Më 24 dhjetor 1981, një javë mbas asaj vetëvrasjes, sekretari i parë i K.Q., vendosi, apo vendosën të tjerët, të dalë para kamerave. Në televizion nxitim e pështjellim! Disa herë u thirrëm në sektorin e shtypit. “Skenari i xhirimeve” ishte përgatitur nga lart. Enveri me pallto të hapur, shall të lëshuar dhe kapele republikë do të paraqitej duke hyrë në ekspozitën e arteve figurative mes të ftuarish, por jo në plan të parë të ekranit. Ekspozita ishte hapur me rastin e Festave të Nëntorit dhe me qëllim nuk ishte mbyllur. Pas një kalimi të qetë e të shkurtër, E. H. do të ulej në një kolltuk më mikrofon përpara e me ndriçim të posaçëm. Aty do të zhvillohej një bashkëbisedim me një grup nga inteligjenca e kryeqytetit, artistë, gazetarë e shkrimtarë. Çdo gjë u realizua sipas parashikimit, vetëm se kamerat nuk i dhanë dot jetë asaj skene. Ai fliste ngadalë, me ndërprerje, duke shtrënguar fort duart, që të mos i dridheshin. Bashkëbiseduesit i rrinin përqark si kurorë. E. H. i porositi ata, që të dëgjonte e gjithë Shqipëria, se uniteti parti-popull është i pathyeshëm. Në montazh na u desh shumë punë që kronika të quhej e pranueshme për transmetim.

-Zoti Marash, në intervistën tuaj pohuat se gjithçka që lidhej me figurën e
E. Hoxhës për televizionin realizohej përmes një skicë-skenari të paramenduar. Atëherë si ka mundësi që kohë mbas kohe, këto vitet e fundit të ndryshimeve demokratike, keni parë të transmetohen disa filmime të shëmtuara nga ana profesionale të mbledhjeve e takimeve të instancave të larta të asaj kohe me figura të deformuara të pjesëmarrësve, sidomos të E. Hoxhës, Kadri Hazbiut, R. Alisë, S. Stefani etj. Ka ndonjë shpjegim e si qëndron e vërteta?
Po. Prapa atyre xhirimeve e filmimeve të paraqitura si një gjetje e madhe të siguruar gjoja nga rrugë sekrete është vetëm një mashtrim, që lidhet me ngjarjen që do të rrëfej më poshtë. Në vitin 1980-81, me një akordim fondesh nga ana e qeverisë prej afro 10 milionë dollarësh, televizioni shqiptar nisi të pajiset me aparatura me ngjyra të asaj kohe. Kjo ishte një ngjarje e madhe, mbasi ishim të fundit në Evropë që ndaheshim nga kamerat bardh e zi. Pikërisht ato ditë në një takim pune, R.Alia më njohu me një studio të montuar në ambientin pranë sallës së madhe të mbledhjeve në aparatin e K.Q. Aty çdo gjë ishte diletante me magnetoskopë të dalë kohe. Me kamera bardh e zi të vendosura qosheve të sallës e që komandoheshin në distancë nga Murati teknik, punëtor, që kryente shumë punë të tjera, bile ishte edhe fotograf. Funksioni i gjithë kësaj aparature ishte të regjistronte pa pushim për orë të tëra zhvillimin e mbledhjeve të ndryshme. Aty nuk bëhej montazh. Veprimet e kamerave kalonin me ngjitje, siç i thonë me gjuhën teknike. Ramiz Alia në atë takim sygjeroi se edhe televizioni mund
të përdorte këto filmime.
– Për ne, – i pohova nuk kishin vlerë. Le që cilësia e marrjeve ishte shumë e dobët, por ne po ecnim drejt emisioneve e lajmeve tërësisht me ngjyra.
– U mësuat ju vetëm me ngjyra,- tha me shaka, po thjesht, për arkiva nuk mund të shërbejnë ato?
Sa keq që i doli fjala për t’i shfrytëzuar ato si material arkivor, sepse mbas ndryshimeve demokratike të 1990 në disa emisione u përdorën ato filmime si dëshmi të mosmarrëveshjeve të udhëheqjes së Partisë së Punës të diktatit të luftës kundër armiqve të popullit etj. Çdo gjë tjetër lidhur me këto xhirime si: Ishin xhirime franceze apo sikur ato i paskësh realizuar Sulo Gradeci si kamer e fshehtë janë thjesht trillime e spekullime për të përpunuar opinionin publik në kohë interesi.

-Zoti Marash, sot në mediat televizive është përhapur shumë mënyra e regjistrimit dhe më pas e leximit në monitor apo perde projeksioni të lajmeve, mesazheve edhe fjalimeve të personaliteteve. Duke përdorur leximin drejtpërdrejt, folësit i ecën ligjërata rrjedhshëm, nuk bën lapsuse e në këtë mënyrë pozon më bukur para kamerave. E.Hoxha e ka pranuar ndonjëherë të hyjë në këto struktura teknike televizive?
Më pëlqen ta nis përgjigjen me idenë e pyetjes, nëse është bërë ndonjë “truk” i tillë televiziv me E. Hoxhën. E them që në fillim se jo, asnjëherë. Dy janë arsyet: E para, në atë periudhë, tek ne njihej fare pak kjo metodë pune, le pastaj që s’kishim as mjete cilësore për realizime të tilla. Ndaj quhej diçka e pa preferuar. E dyta dhe kryesorja qëndronte në atë që sapo t’ua bënim instancave lart këtë propozim do të na thoshin: Medemek ju do t’i bëni udhëheqjes “dubla” si në filmat artistikë. Pra, nëse nuk na del mirë sinkrona e leximit, ta përsërisim edhe një herë frazën apo paragrafin e fjalimit. E kujt t’ia bënin këtë, E,Hoxhës! Hiqeni nga mendja. Në një shembull diku më lart kam thënë se, kur xhirimet e një takimi me veteranët nuk u quajtën të përshtatshme të transmetohej (figura ishte e dobët për arsye ndriçimi. Enveri nuk i pëlqente fare dritat e forta në sy). Gjithçka u “riparua” me një dalje tjetër të bujshme të E. Hoxhës në një takim me klasën punëtore të uzinës së autotraktorëve. Aty u punua shumë në kamera, por edhe vetë Enveri qëndroi tërë kohën i gëzuar dhe i buzëqeshur për të treguar se ishte i fuqishëm dhe mirë me shëndet. Për të plotësuar diçka nga pyetja juaj do të shtoj. Nëse E. Hoxha nuk pati regjistrime apostafat jashtë kamerave për t’u transmetuar më vonë, ai dhe grupi i tij me Sulo Gradecin e pjesëtarë të tjerë shoqërues kanë përdorur herë mbas here regjistrimet radiofonike për transmetim më vonë. Më i njohuri është regjistrimi në Radio-Tirana i raportit të tij prej disa orësh mbajtur (apo i dëgjuar në kongresin e 8-të të partisë, nëntor 1981. Kjo u justifikua. E para, sepse materiali ishte shumë i gjatë dhe autori do lodhej së tepërmi kur ta paraqiste direkt. E dyta, dhe kjo ishte kryesorja. Enver Hoxha ishte në atë kohë në një krizë tepër të rëndë me Mehmet Shehun. Por për këtë do të flitet diku tjetër. E shoh të domosdoshme të theksoj edhe diçka tjetër për pyetjen që më bëtë më lart e që lidhet me regjistrimet në monitor apo perde projeksioni të figurës, fjalimeve e mesazheve të udhëheqësve e personaliteteve duke bërë edhe “dubla” deri sa gjithçka të shkojë mirë. Televizioni Shqiptar e ka përdorur për herë të parë këtë me Ramiz Alinë e konkretisht në përshëndetjet për festën e Vitit të Ri. Thirrje të ndryshme për zgjedhjet, përshëndetje për Vitin e ri shkollor etj. Sot kjo metodë pune televizive ka zgjerim sidomos në leximin e lajmeve drejtpërdrejt, ku folësi si të thuash lexon me zë ato rreshta që dalin në monitor apo perde projeksioni, përdoret gjerësisht nga personalitete, ministra, deri edhe nga drejtues kryesorë, bile duke folur si në reklamë. (Me të qeshur) Ne në intervistën tone, folëm pa regjistrim as në monitor, as në perde projeksioni.

 

Nesër do të lexoni:  Historia e rrallë e Kongresit të 8-të të PPSH

01-Në historinë e Partisë së Punës s’besoj të ketë pasur marrëdhënie më të ndërlikuara, sesa ato mes Enver Hoxhës e Mehmet Shehut

02-Në Kongresin e 8 për rreth shtatë ditë me radhë E. H. dhe M. Sh. Nuk do të qëndronin më pranë njëri-tjetrit dhe asnjëherë nuk do të dilnin bashkë në ekran

03- Në filmimin e seancave ku M. Shehu mbajti raportin në emër të Qeverisë, porosia ishte që kamerat të merrnin  më shumë sallën

04- Çajup Rusmajli i dërgoi një copë letër Fiqiretes, që mundësisht shoku Mehmet të ndërronte kostumin, mbasi nuk dilte bukur në televizion