Ymer Dishnica: Mantelbardhët

759
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Mukja yt dhe Mukja im nuk kanë shërim!

Rreth viteve 70 pati një ulje masive dhe të konsiderueshme të çmimeve të barnave mjekësore. Vetëm pak ditë pasi kishte filluar ulja e çmimeve të ilaçeve na vjen në shtëpi im gjysh, babai i sime ëme. Ishte vizituar tek Vlashi i Rroskovecit, mjek me emër të mirë si njeri dhe zanatçi, por që gjithsesi tim gjyshi nuk ia kishte mbushur mendjen dhe e kishte ”detyruar” të vinte të vizitohej edhe njëherë në Berat tek më i miri në atë fushë, tek doktor Ymer Dishnica.

– Vlashi i mirë shumë është, po Dishnica është edhe më i mirë, ndaj erdha të rri sot këtu e nesër të vete në Berat – na tha gjyshi pasi u shplodh edhe duke pirë kafenë që i kishte bërë ime ëmë. Ishte ditë e diel dhe ajo e kishte pushim, ndaj i bëri hysmet dhe e rehatoi të jatin si s’ka më mirë.

– Mirë bëre baba, nesër merr me vete Ladin dhe shkoni të dy në Berat…po kot, për kuriozitet, përse nuk mbarove punë tek Vlashi, ju e mbani në gojë për mirë, apo jo? – i tha ime ëmë.

– Ashtu është, Vlashi është shumë i mirë dhe më vizitoi me shumë kujdes. Me recetën që më dha shkova në farmaci për të marrë ilaçet dhe aty më lindi dyshimi.

– 30 lekë bëjnë – më tha farmacistja teksa më jepte ilaçet – tregoi gjyshi dhe vazhdoi :

– Do të vi më vonë për t’i marrë, nuk paskam lekë me vete – i thashë farmacistes dhe vendosa në moment të vija këtu.

Të nesërmen shkuam të dy me gjyshin në Berat dhe në pritje për t’u vizituar degjonim të pranishmit tek flisnin me superlativa për dr Ymer Dishnicën. Mbaj mend si sot që po atë ditë dëgjova nga dikush shprehjen lapidar të dr Dishnicës për dikë me sëmundje të pashërueshme :

– Si e quajnë baban ? – kishte pyetur Dishnica të birin pasi i kishte vizituar të jatin.

– Muke – i qe përgjigjur i biri.

– Dëgjo more djalë, bëja ato që të dhashë, por duhet të dish se Mukja yt dhe Mukja ime nuk kanë shërim – i kishte thënë dr Dishnica pasi kishte krijuar mendimin se kishte të bënte me një djalë inteligjent.

Kur na erdhi radha, hyra brënda unë me gjyshin. Dishnica vizitoi gjyshin mirë e bukur dhe u ul të shkruante recetën. Gjyshi me një shprehje kënaqësie në fytyrë hidhte vështrimin herë nga unë e herë nga Dishnica dhe duart e tij që po shkarravitnin mbi recetë.

– Urdhëro, merri këto dhe do të bëhesh mirë – i tha Dishnica tim gjyshi.

– Sigurisht që mirë do të bëhem përderisa erdha në dorën tuaj – iu përgjigj gjithë mirënjohje gjyshi.

– Jo, jo, kudo që të vije mirë do bëje, po këto ilaçe do të jepnin – ia ktheu me modesti Deshnica.

– Nuk e besoj, ja shiko se ç’më ka dhënlë dr i Rroskovecit, 30 lekë ilaçe – ia ktheu përsëri gjyshi duke i lënë në dorë recetën e Vlashit.

Ymeri e mori recetën në dorë, dhe në fraksion sekonde, i tha tim gjyshi :

– Shikoji të dyja recetat, janë të njëjtat ilaçe, ato që të ka dhënë Vlashi të dhashë edhe unë pa e ditur që ti ishe vizituar tek ai.

– Domethënë, do të shërohem me 30 lekë ilaçe – i tha gjyshi paksa i zhgënjyer në pritshmërinë e tij.

– Mjeku nuk jep ilaçe me qëllim që kostua e tyre të dalë sa më e madhe, mjeku jep ilaçet që shërojnë pacientin….pastaj, nuk e di ti se çmimet e ilaçeve u ulën para disa ditësh ? – i tha Dishnica dhe me buzëqeshje e dashamirësi na përcolli deri tek dera.

Gjyshi u bë mirë brenda pak ditëve me ato 30 lekë ilaçe, u bë mirë sa nga efekti i ilaçeve aq edhe nga besimi që kishte tek mendjendrituri Ymer Dishnica. Dr Dishnica krijoj shumë shpejt një emër të madh si mjek, aq të madh sa beratasit e më gjërë nuk e njihnin më si protagonist në Mukje, ata e njihnin dhe e nderonin për atë çka ai ishte në mjekësi. Dhe Dishnica s’ishte pak, ishte në majë të mjekësisë shqiptare të asaj kohe.