Spiro Mëhilli/ Si dhe kur lindi Shërbimi shëndetësor në Tiranë

2249
Sigal

Më 14 mars 1919, Kryqi Kuq Ndërkombëtar ngriti spitalin e pare në Tiranë

Tirana në vitin 1870 ka pasur vetëm një mjek. Ai ishte italiani Damarino, një i arratisur politik. Më pas, sikundër thoshte profesor Fejzi Hoxha, gjejmë mjekun tiranas me emrin Shaqir Mara. Rreth vitit 1900, doktor Panteqi, edhe ky nga Tirana, e ushtroi profesionin e mjekut këtu gjithë jetën. Emra të tjerë mjekësh tiranas janë: Hysen Mara, që punoi në vitet 1910-1923; Osman Beshiri, në vitet 1911-1913; Idriz Dautaj, në vitet 1913-1916; Më pas erdhën mjekët Jak Hobdari, Osman Jonuzi dhe Hazbi Kuçi. Në vitin 1907, qeveria Austro-Hungareze ngriti në Tiranë një spital nën drejtimin e motrave të “Dashurisë së Zagrebit”, ndërsa në vitet 1916-1917, hapi disa spitale në Tiranë: një te “Varri i Bamit”, një tek ish “Biblioteka Kombëtare” dhe një tek Hani i Esat Pashës. Në këto spitale shërbenin mjekë ushtarakë. Ata, përveç trupave të tyre, vizitonin dhe banorë të Tiranës ose të rretheve, si dhe shpërndanin barna falas. Më 14 mars 1919, Kryqi Kuq Ndërkombëtar ngriti spitalin e parë në Tiranë. Ai kishte 20 shtretër dhe drejtohej nga kirurgia Bruk, që kishte me vete disa infermiere austriake. Asistent i saj, ishte kirurgu

Osman Jonuzi. Më 1920, spitali u mor në dorëzim nga shteti shqiptar
dhe u transferua në një godinë pak më të madhe, përbri sahatit, në mjediset e Hotel “ELBASANI”, duke e rritur kapacitetin në 50 shtretër. Drejtor i spitalit u caktua Osman Jonuzi dhe internist Syrja Pojani. Më vitin 1922 internist u caktua Omer Nishani, më 1924 Bajram Emiri, më 1926 Sabri Tefiku dhe më 1928 Janko Theodhosi. Më 1929 spitalit iu shtua shërbimi radiologjik me doktor Ismail Tartarin. Më 1931 u shtua shërbimi i okulistikës me doktor Kristo Kristidhin. Ndërkohë u sollën nga Italia 4 motra Ançele (Ancele di Carita), për t’i shërbyer të sëmurëve. Më 20 gusht 1920, u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë, me në krye profesor Refat Frashërin. Pranë asaj drejtorie, u krijua Këshilli Shëndetësor, me kryetar Drejtorin e Përgjithshëm të Shëndetësisë dhe anëtar inspektorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë dhe drejtor të Laboratorit Baktereologjik të Shtetit, më pas me një nga mjekët më të njohur të qytetit, që kishte detyrë shtetërore, mjekun që kishte gradën më të lartë në ushtri, dhe dy mjekë privat të kryeqytetit, nga më të aftët. Nga kjo drejtori u nxorën
disa dispozita ligjore mbi ushtrimin e profesionit nga mjekët, dentistët dhe farmacistët. Një kurs për infermier u hap në vitin 1922 dhe vazhdoi vetëm dy vjet. Më 30 gusht 1923, u themelua në Tiranë “Shoqata e Mjekëve Shqiptarë”. Në vitin 1924 në Tiranë u ngrit “Laboratori Bakteriologjik i Shtetit”, me vlerë monetare 99845.69 franga ari, që u drejtua nga baktereologu francez Bernard Dody. Në vitin 1925, laboratori u transferua në Durrës, për t’u rikthyer përsëri në Tiranë në vitin 1928. Po atë vit, në laborator erdhi mjeku Bajram Emiri, i specializuar baktereolog në Institutin “PASTER” të Parisit. Më 1930 me largimin e Dr. Bernard Dody, drejtor u caktua Bajram Emiri. Më 10 shtator 1934 u inaugurua godina e re e laboratorit baktereologjik, në ndërtesën ku tani ndodhet
Fakulteti i Mjekësisë. Për ngritjen e saj u shpenzuan 99845.69 franga ari. Më 1928 u hap përsëri një shkollë për infermiere, por vazhdoi me ndërprerje. Më 1928 u hap “Instituti Rontgen i Shtetit”, që kryente ekzaminime radioskopike dhe radiografike. Më 15 tetor 1929 u hap Streha Foshnjore “Nëna Mretneshë”. Më 26 shtator 1929 u ngrit “Spitali i Përgjithshëm Ushtarak”, aty ku tani ndodhen Klinika e Parë e Kirurgjisë dhe Klinika e
Urologjisë “Ferdinant Paparisto”, me drejtor Jani Bashon (mjek i familjes mbretërore), e më pas Hiqmet Gegën. Në atë spital punuan nënkolonel Hasan Çoçoli (më parë, major dhe mjek në gardën e mbretit “ZOG I”); Eugen Levi (me origjinë bullgare); Luigj Benusi, Thoma Papavrami, Koço Floko, Sinan Imami (më pare mjek në oborrin e Mbretit “ZOG I”); Avdyl Skenduli, Selaudin Mborja, Baki Kopliku, Shyqyri Basha, Shan Gjoka, Nazmi Shehu, okulisti Italian Llampis, Kristo Kristidhi dhe Besim Zyma. Kostua shkoi 548894.88 franga ari. Më poshtë po jap foton e mjekëve ushtarakë në Spitalin e Përgjithshëm në vitin 1945, fill pas “çlirimit” të vendit. 232 Spiro V. Mëhilli Më 15 maj 1932, u inaugurua Spitali i Tiranës “ZOG I”, me 5 pavijone dhe kapacitet 200 vende. Për ngritjen e tij u shpenzuan 988849.51 franga ari. Pjesa ballore shtrihej në 66 metra gjatësi. Spitali kishte për të gjitha specialitetet 9 mjekë. Drejtor dhe shef i
repartit të kirurgjisë, doktor Osman Jonuzi; asistent kirurg, Vasil Laboviti; repartin e sëmundjeve të brendshme e drejtonin Janko Theodhosi dhe Sabri Tefiku; repartin e okulistikës e drejtonte Kristo Kristidhi; repartin e otorinolaringologjisë, Besim Zyma; repartin e pediatrisë, Jorgji Jorgoni; repartin e dermatologjisë, Stefan Pano, dhe radiologjinë, Ismail Tartari. Më 16 tetor 1934, arqipeshkvi i Durrësit, imzot Pjetër Gjura, së bashku me dr. Osman Jonuzin, i cili në vitin 1932 ishte caktuar dhe Drejtor i Përgjithshëm i Shëndetësisë, ranë dakord e sollën nga Breshia e Italisë, 15 motra fetare Ançela për të shërbyer si infermiere në Spitalin “ZOG I”. Sipas profesor Hoxhës, nga fundi i vitit 1932, drejtor i spitalit u emërua doktor Sabri Tefiku, për t’u pushuar nga puna në vitin 1933, bashkë me doktor Janko Theodhosin, i cili u rikthye përsëri në vitin 1937. Drejtor u caktua Ibrahim Dhrami, kurse internistë, Hajdar Vlora dhe Ludovik Kalmari. Doktor Osman Jonuzi më 1934 u hoq nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Shëndetësisë dhe në vend të tij u emërua Qemal Jusufati. Po atë vit, u shkarkua
nga posti i Drejtorit të Spitalit, Ibrahim Dhrami, për t’u zëvendësuar nga Beqir Puto, i cili e mbajti këtë funksion deri në vitin 1936, kur u zëvendësua nga Vasil Dhimitrai. Kur në fund të vitit 1936 doktor Vasil Dhimitrai u transferua në spitalin e Vlorës, vendin e tij e zuri për të dytën herë Sabri Tefiku. Më 1934 u ndërtua një godinë e vogël me 20 shtretër, për të shtruar prostitutat. U prish në vitin 1936. Më 1935 u mor nga spitali ushtarak një barakë, që ndodhej midis dy spitaleve, për të sëmurët me tuberkuloz. Ajo u modifikua për të mbajtur 50 të sëmurë. Kështu kapaciteti i spitalit u rrit në 270 shtretër. Më 1937 u hap një repart i vogël për fëmijë të sëmurë, me 14 shtretër, me shef shërbimi doktor Jorgji Jorgonin dhe asistentë Remzi Ficon dhe Xhanfize Frashërin. Në fund të vitit 1937 Spitali i Tiranës kishte repartin e kirurgjisë me 80 shtretër, të terapisë me 80 shtretër, të tuberkulozit me 50 shtretër, të dermatologjisë me 20 shtretër, të okulistikës me 10 shtretër, të otorinolaringologjisë me 10 shtretër, të pediatrisë me 14 shtretër dhe maternitetin me 10 shtretër. Kapaciteti i spitalit arriti 274 shtretër. Me 1940-ën, për nevojat e ushtrisë italiane u ngritën 5 pavijone paralel me ato të parat. Më 1942 kapaciteti i spitalit arriti në 600 shtretër. Në vitin 1935, Ahmet Zogu, pas vdekjes së nënës së tij, (flitet për gabim mjekësor nga mjekët e oborrit S.M.) solli në pallat dy profesorë vjenezë, internistin Shlesinger, dhe kirurgun Demer. Këta punonin njëkohësisht dhe në spitalin e Tiranës. Po atë vit, pas tre muajsh u largua profesor Demer për t’u zëvendësuar nga profesor Otto Hoche, i cili punoi deri në vitin 1937 dhe si kryekirurg i spitalit të Tiranës, duke pasur asistent, atë që më vonë do të quhej kirurgu me duar të arta, doktor Frederik Shirokën dhe doktor Spiro Treskën. Pas largimit të profesor Hoche, në Tiranë erdhi nga Vlora, profesor Valter Lehman, me origjinë hebre gjerman. Më 1937 erdhi nga Austria, radiologu Kuastler. Pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste, mjekët austriakë dhe gjermanë u larguan. Shef i kirurgjisë u caktua prof. Venanzio Lozzi,
kurse asistentë, mjekët Renato Martoni dhe De Markis Antonio. Frederik Shiroka u transferua në Shkodër, kurse Spiro Treska dhe Mihal Angjeli u pushuan nga puna. Shef i shërbimit të terapisë dhe drejtor teknik i spitalit, u emërua prof. Pjetro Stefanutti; shef i shërbimit të okulistikës, prof. Edoardo Tristanio; shef i shërbimit të otorinolaringologjisë, prof. Xhovani Fornari. Pas largimit të doktor Kalmarit, shef i shërbimit të fiziatrisë u caktua Petraq Leka. Përgjegjës i farmacisë së spitalit, Toffolo Agostino. Në vitin 1940, Dom Shtjefen Kurti themeloi Befotrofin. Ai filloi me 2 fëmijë për të arritur shumë shpejt në 42. Në vitin 1942 u ngrit spitali “Nëna dhe Fëmija”, me drejtor profesor A. Garasi dhe asistent Maliq Bekteshi. Në një studim të veçantë mbi shërbimin shëndetësor ka qëndruar dhe prof. F. Tartari[160]. Mjekë me klinika private:
1- Gaetano Ronga, italian, specialist për sëmundje veneriane dhe të lëkurës, me klinikë në Rrugën “Mbretëresha Elena” Nr. 162. 2- Pietro Stefanotti, italian, në Rrugën “Gjeneral Pariani” Nr. 24. 3- Kadri Kërçiku, specialist për sëmundje veneriane dhe të lëkurës, me klinikë në godinën vëllezërit Kërçiku, ndërtuar në vitin 1935, në Sheshin “Partheni” (e Mërkatës) afër godinës së Drejtorisë së Përgjithshme të Postës Telegraf Telefon, pronë e Xhelo Dibrës, ndërtuar në vitin 1928. Kishte aparat rëntgenoterapie për mjekimin e qerosëve, aparate për rreze ultraviolet dhe dioterapi. U dënua me
burgim në regjimin komunist. Meqë në Shqipëri, në atë kohë kishte sëmundje veneriane si sifilizi etj, u lirua me kusht dhe më pas, u la i lirë,
duke arritur të merrte me meritë titullin profesor. 4- Petraq Leka, patolog, në Rrugën “Hoxha Tahsin” Nr.130. 5- Fejzi Hoxha, patolog, me klinikë në Rrugën “Mbretëresha Elenë” Nr. 176. Karrierën e tij e filloi në vitin 1936 si mjek ushtarak në burgun e Burrelit, me gradën toger. Nga fundi i vitit 1938 kaloi mjek në Spitalin Civil në Tiranë. Në tetor të vitit 1939 deri në vitin 1941, u dërgua për specializim në Romë, në klinikën e prof. Gurgonit, që në ato vite ishte mjek personal i Benitto Mussolinit. Në vitin 1940,
u njoh me Abedin Nepravishtën, dhe shumë shpejt u martua me vajzën e tij, zonjushën Ylivere. Nga martesa ata morën në pronësi, prikë, vilën me dy kate në Rrugën “Naim Frashëri”. Në kohën e pushtimit italian, aty ishte selia e Guardia di Finanza. Dy djemtë e prof. Fejziut, Agronin dhe Benin, i kam pasur shokë. Me Benin kam mbaruar fakultetin. Kur shkoja te shtëpia e tyre, në katin e parë, dhomën nga e majta, profesori e kishte bërë kabinet vizitash. Pasi isha diplomuar, sa herë hyja në dhomën përballë, më dilte përpara
një pikturë me madhësi të zakonshme, ku pasqyroheshin në vaj disa pemë në pyll. Në fund të tablosë ndodhej firma e Shishkinit, që vërtetonte origjinalitetin. Atë ia kishte dhuruar profesor Fejziut prof. Agaleckaja, përpara se të largohej nga Shqipëria. Profesor Fejziu ishte korrekt dhe zotërues i lëndës. Një ditë pati krizë stenokardie dhe nuk ngopej me frymë. Kërkoi t’i sillnin një tabletë trinitrinë. Çuditërisht nuk gjendej asnjë kokërr në pavijonin IV. Doktor Skënder Dauti u tregua praktik, mori një tabletë luminali dhe ja futi në gojë. Profesori u qetësua. Ai nuk e mori vesh të vërtetën, por me këtë dua të them se nën efektin psikologjik, tek ai ndodhën ndryshime të tilla neuroendokrine, që çuan në një vazodilatacion të menjëhershëm dhe profesori e kaloi krizën. Kjo është mjekësia.