Sevo Tarifa: Shoku Odhise Porodini, pionier i LANÇ-it, dhe personalitet i shquar i Komitetit të Veteranëve, sot futet në dekadën e dhjetë

965
Sigal

Nga Sevo Tarifa

MIRË SE VINI NË DEKADËN E DHJETË,
SHOKU ODHISE PORODINI! 

Këtu do gjeni edhe veteranë të tjerë të kësaj dekade, si Gani Bengu, Faik Çota, Yzeir Dervishi, autori i këtyre radhëve  e  të tjerë. Na vjen keq që nuk janë të pranishëm edhe shokët e tjerë, që u shuan në prag të moshës shekullore, si Rita Marko,  Xhaferr Peçi, Orhan Frashëri, Nexhmije Hoxha, Vito Kapo, Stavri Milo etj, të cilët na i kërkon syri…

Sa mirë kur njeriu duket
më i ri se ç’është!

Ai 20 gusht i vitit 1930 ishte i nxehtë. Rrezet e diellit në Labovën e Odries, “gjithë lisa, gjithë hije”, mund “të piqnin edhe bukën”.  Atë ditë u shtua një “Lule jete”, një filiz i ri, që gusht më gusht u bë nëntëdhjetë vjeçar, por ngjan si djalë: është Odhise Porodini. Dhe sot mund të themi se “do qëndrojë siç është tani me shpirt të ri”! Ndaj me zemër e urojmë: jetëbardhë mbi një shekull, dhe përherë i fortë si hekur!

Është lumturi të zgjatësh vitet e rinisë, të shtysh tutje pleqërinë, të hysh në të dhjetën dekadë, të mos e ndiesh veten plak, peshën e rëndë të kësaj moshe, që “të hedh qoshe më qoshe”! Por me shokun Odhise ndodh ndryshe! Këto ditë shokët i thonë: “Ne na dukesh si një djalë, gjithnjë e më vital!”  Dhe vërtet: kush e ka parë djalosh të ri, po e sheh dhe tani, nuk gabon të thotë: “është po ai Odhise që kam njohur në djalëri”, gati me atë trup, lëkurë e ngjyrë, flokëdendur, pa dëborë në flokë, i shkathët, dinamik e zëlartë, siç atëherë në moshë të re. Për vitet që ka, edhe pse në pleqëri të thellë, shikojeni kur ecën: jo me shkop, por me hapi ushtari, me sy përtokë e mendje në kokë. Dhe flet me timbrin e zërit si në vitet e rinisë!

Ku qëndron “sekreti”? Ka ditur të vlerësojë jetën, të mbajë veten, pa abuzuar me duhan e me alkol “nuk ka lakmuar gojën, por bojën”. Këto e të tjera cilësi të paraqitjes së jashtme e dallojnë nga shumë vërsnikë të tij. Ka nga ata me këtë moshë që nuk njihen: janë deformuar, thinjur, kërrusur, ecin me bastun, mezi flasin etj. Janë plakur para kohe, pa menduar e pa vepruar për jetëgjatësi, kanë “harruar” se vitet e rinisë janë më të bukurat e njeriut, janë si pranvera e vitit.  Zgjatja e moshës së rinisë te Odhisea nuk është arritur vetvetiu. Është fituar me përpjekje, me kulturë, me vetkujdes, me regjim jete. I ka parë këto nga pikëpamja konceptuale e jetësore në praktikë, sipas fjalës së urtë që “Rininë e zbukuron rinia, plakun stolia”! Sa për mendjen, këtë s’ia luan topi. Është i patjetërsuar. Bile tani më i mprehtë, më i pjekur, më i freskët.

Drejtuesit çmohen më mirë
nga njerëzit e popullit

Më bukur se te populli, te njerëzit e thjeshtë në bazë, të vërtetën s’ke ku e gjen. Ndaj, duke shkruar këto radhë u zgjuan te unë mendime e kujtime, jo vetëm nga bukuria e dy krahinave, prej nga ka prejardhjen shoku Odhise: Labova në Rrëzën e Tepelenës ku ka lindur, dhe Karjani i Lunxhërisë ku është rritur, por edhe zëra të njerëzve të mirë kur i dëgjon që flasin për probleme, nuk lënë pa përmendur me emër edhe njerëz, sidomos kuadro drejtues.

Kushdo që jeton e  punon nuk është i shkëputur nga  vendi, kushtet, koha dhe shoqëria. Terreni ku ka fillesën rinore shoku Odhise është i bukur dhe njerëzit i ka me kulturë. Kudo të kënaqin shpirtin dhe sytë natyra, gjelbërimi, pemët frutore e drusore, në degët e të cilave lëvizin fletët nga era dhe duken sikur hedhin valle! Ajo fushë e gjerë e Valaresë, në të cilën kur mbillej grurë, të jepte përshtypjen se është “mbuluar me flori”! Oborret e shtëpive me lule shumëngjyrëshe, a thua se je në një hapësirë lulishteje gjigande. Por mbi të gjitha të kënaqet shpirti me njerëz atdhetarë, bujarë, duarartë, mikpritës, me traditën që “mikut i japin bishtin, e armikut gishtin”; me burra zakoni e të pashëm, me gra e vajza si sorkadhe, me këngëtarë të talentuar, me fëmijë si lule, me dasma të bukura, që dhe martesat i bëjnë sipas urtisë popullore “Plaçkë vendi, mall argjëndi”. Më është dhënë rasti të shërbej edhe unë në atë zonë.

Shkoj në Karjan. Takoj në shtëpi Ndone Kutrën. Më informon për kohën e luftës në fshat. Brofën në këmbë pleq e fëmijë. Ndër të tjera si u formua organizata e pionerit, ku kryesori ishte Odhisea, përgjegjësi i grupit. Kishte dhe të tjerë si: Fane Konomi, Simo Prifti, Sevo Rizo etj. Për DEBATIK-un më kishte treguar dhe Arqile Andrea. Pastaj në pranverën e vitit 1944 në Tiranë, si pjestar i Grupit të Dytë Ushtarak të Pezës, shoku Odhise do të jepte një kontribut të veçantë  për çlirimin e “Tiranës së tiranisë, që do të bëhej Tirana e Lirisë”.

Karjanjoti vazhdoi me rininë, sytë e së cilës lëshonin xixa. Tregoi se në kursin e luftës kundër analfabetizmit me 60 gra e burra që mësojnë shkrim e këndim, drejton mësuesja e re Eftimi Porodini, bashkëshortja e shokut Odhise. 

Kthehem në Gjat. Rrugës takoj Çemen, aktivist i mirënjohur, nga i cili mora një informacion të gjerë, edhe për Odhisenë, që u përpoq të ma jepte si në një fotografi cilësore.  Takova dhe priftin e fshatit, papa Ilia, të cilin e kishim ngarkuar nga Fronti Demokratik për të nxjerrë vullnetarë për ndërtimin e hekurudhës. Pas një dekade u poqëm në festën e Libohovës. Më erdhi përballë. Më shikonte dhe e shikoja. Ai më njihte, unë s’isha i sigurt nëse ishte ai. Pastaj më tha: “E ç’të më njohësh, tani jam pa mjekër!  Vazhdova rrugën për në Nokovë.  Takoj Vaso Çiçin, anëtarin e byros së rinisë të rrethit. Më tregon për punët e rinisë, dhe si punonin kuadrot. Më foli mirë për figurën dhe punën e frutshme të Odhisesë kur ishte kyetar i lokalitetit të Lunxhërisë.

Në Suhë më takoi kryetari i kooperativës Fane Gogo. Më informoi se do ndërtojnë shkollë të re tetëvjeçare. Më foli mirë për rininë e fshatit. Na shoqëroi për në Stegopul. Në këtë fshat e dija që Odhisea ishte dhëndërr. Niko Koqini më “armatosi” me situatën politike dhe ekonomike të fshatit. Dhe fjalët më të mira për rininë dhe për Odhisenë. Na pa Vaso Konomi që ndodhej në fshat dhe erdhi aty. Na foli për Urani Rumbon, por edhe për dy dhëndurë, që janë martuar me dy “thëllëza” të Stegopulit: Odhisea me Eftiminë dhe Aleko Dhamoja nga Hllomoja me Marikën. Për Odhisenë dëgjova se ka zemër të bardhë, është i ndershëm dhe punëtor si bleta. Vasua e njihte mirë që kur Odhisea ishte student për jurist dhe oficer. Atë ditë mbetëm dakord me Vason që të shkojmë për të parë shkollën e mesme në Qesorat, ku kishte dhënë mësim Koto Hoxhi.

Labovën e lashë në fund, si ëmbëlsira pas një dreke të shijshme. Të parin takova të mirin Koço Toti, sekretarin e rinisë. E përse nuk më foli ky njeri! Për Odhisenë, s’mbaronte, mbaj mend këto dy fjalë: “E kemi birko djalë”! I kërkova dhe ca vargje nga ato që i sajonte vetë aq shpejt. Kur ai i kishte thurur për vajzat vllahe, që kishin qëndisur një shqiponjë me rruaza kuqezi, dhuratë për Enver Hoxhën. Për Odhisenë më kishin folur mirë Timo Muçi, Polo Llavdaniti e Andon Puci, që më kishte thënë “Odhisea fle si plak, ngrihet si djalë”!

Me pjekuri, edhe pse i ri në moshë, Odhisea diti të zgjidhte shoqen e jetës, Eftiminë, me të cilën krijuan një familje dinjitoze, lindën, rritën dhe edukuan tre fëmijë të mrekullueshëm, nga të cilët sot Odhisea ka dhe gjashtë nipa e mbesa dhe pesë stërnipa e stërmbesa, të cilët i do si sytë e ballit. Edhe pse ndarja nga jeta e Eftimisë ishte një godije e rëndë, Odhisea u ngrit mbi këtë dhimbje, sepse u rrethua me dashuri nga fëmijët dhe shokë të organizatës së veteranëve.

Odhisea, kuadër cilësor,
nga i cili mëson shumë.

Ato që pashë e dëgova ishin për mua jo vetëm një pasuri njohjeje, por edhe një verifikim i dijeve që, ndër të tjera kisha për atë zonë, për rininë e saj dhe për kuadro, midis të cilëve edhe për shokun Odihse, me të cilin njiheshim prej dekadash më parë. Edhe me moshë na ndajnë vetëm tre vjet. Edhe me vendlindje na ndan vetëm një lumë. Por drejtpërdrejtë dhe më nga afër në punë e sipër njihemi këtu në Tiranë. Në dy dekadat e fundit na kanë bashkuar shërbimet brenda e jashtë kryeqytetit. Na ka bërë një, puna e nderuar me veteranët. Kjo më ka dhënë mundësi të njoh dhe virtyte të tij, nga të cilat disa janë: puna e me nivel  në drejtim, lidhja me njerëzit, ndjeshmëria, besnikëria, përkushtimi, korrektësia, vendosmëria, thjeshtësia etj. Është punëtor i palodhur i mendjes, edhe pse ka vuajtur për vite të tëra nga zemra. Iu sëmur rëndë dhe iu hoq një sy, tani me protezë, megjithatë është gjithnjë në punë. Përballon detyrat, edhe pse me një sy, punët më të vështira i mban vetë e të lehtat për bashkëpunëtorët. Si drejtues është shembull vullneti, por edhe i aftë e oganizator i veprimtartive të oganizatës së veteranëve. Është nga ata që ashtu si te vetja, edhe te tjerët “nuk shikon hijen, por dijen”.

Ndër të tjera, kombinon mirë punët e funksionit të Seketarit të Përgjithshëm të Komitetit Kombëtar të Veteranëve,  lexon e shkruan çdo ditë pa u kursyer. Të shkruarit e vlerëson “një të shkruar baraz me dy të lexuar”. Kjo duket edhe në nivelin e organizimit e të zhvillimit të veprimtarive  në shkallë vendi, në  trajtimin e problemeve që përgatiten me cilësi, në analiza të forumeve të organizatës, në seminare me kuadro drejtuese të rretheve, në referate e fjalime që mban. Dëgjon me vëmendje ankesa e propozime dhe është i kujdesshëm për zgjidhjen e tyre. Për këto cilësi më kanë folur edhe dy pasardhës veterani: Sherif Ymeri e Zabit Ametaj. Si drejtues ka përvvojë. Shquhet për punë në bazë. Është nxënës, pastaj drejtues. Nuk ka rreth që të mos ketë shkuar e ndihmuar organizatën , mëse një herë,  sidomos në fushata të zgjedhjeve në oganizatën e veteranëve. Në ndihmën konkrete që jep shfaqen cilësitë e tij: horizonti i gjerë, aftësitë, shembulli për problemin që flet, është njohës i mirë i jetës dhe i punëve të organizatës. Kuadër  me guxim politik. Dallohet në luftën që zvillohet për mbrojtjen e LANÇ-it. Me shkrim dhe me gojë, në shtyp, në intervisa e në emisione televizive. Në përballje me kundërshtarë politikë flet me argumente. Polemizon me nivel. Është për mirëkuptim dhe nuk bën lëshime në parime.

Në marrëdhënie shqërore e miqësore është shembull. Duke u kujdesur për shëndetin e veteranëve sidomos të moshuar, por edhe të aktivistëve, vepron jo vetëm kur i takon në bazë, por shëndetin e tyre e ndjek edhe pasi kthehen  në familje e në punë. Dashurinë dhe respektin që ka për baskëpunëtorët, e tregon edhe fakti se këta shpesh i përgigjen  me të njëtin kujdes dhe, kur s’e gjejnë, falënderimet dhe të falat i lënë në shokë të tjerë. Gjurmët e punës lavdëruese së shokut Odhise, gjenden kur shokë të tjerë shkojnë në bazë dhe shohin e dëgjojnë për figurën e tij. Dhe kjo nuk ndodh vetëm në Jug të vendit, por në të gjithë rrethet, me kuadro e aktivistë të  organizatës.

Për kontributet që ka dhënë shoku Odhise gjatë LANÇ-it, në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Elbasan dhe në funksionet shtetërore e shoqërore, duke përfshirë edhe atë në organizatën e veteranëve, i janë akorduar rreth 15 urdhra, medalje, certifikata, tituj të lartë nderi nga Presidiumi, Qeveria, Bashkia e Tiranës, nga organizata e familjeve të Dëshmorëve, e Invalidëve të LANÇ-it, nga Shoqata Atdhetare e Kulturore si dhe titulli “Krenaria e Qarkut Gjirokastër”.

***

Datëlindjet janë festa të gëzuara, personale, famljare e shoqërore. Në këto raste, kushdo kthen kokën pas dhe shikon ecurinë e tij në vite, frymëzohet, krenohet dhe nxitet për të vazhduar më tej jetën që rrjedh e vrullshme dhe mbarëvajtjen e punëve. Gjen forca të reja të bredshme dhe fuqizohet për t’i dhënë më tepër Atdheut dhe popullit. I urojmë shokut Odhise Porodini të vazhdojë në këtë rrugë të thepisur, me zigzage por të lavdishme, duke shënuar rezultate të larta edhe në vitet që ka përpara, që buzëqeshja të mos i mungojë e zemra t’i këndojë! Po e mbyllim me fjalët, që po të ishin prindrit e tij të pranishëm, me siguri do ta uronin: “Pak nga pak ti u rrite, na nderove, s’na korite, veten dhe neve na ndrite!”