Bashkim Koçi: 5 Heronjtë – Ata që përflakën Vigun dhe Mirditën

Bajraktarin e trembte prezenca e atyre djemve, të cilët kishin vendosur të bënin realitet që populli të zgjohej dhe të bëhej shpërndarës i dritës së Lirisë  për të gjithë Mirditën. Sepse në ata vite Mirdita, si rrallë krahina të tjera, sundohej nga shpirtra që, ashtu si gaforret zbytheshin terreve, që ecin mbrapsht në jetë e që në vend të bënin përpara, shtonin shëmtitë e tyre për të vënë damkën e zezë si vrasës.

 

Ngjarjet e rëndësishme të përjetuara gjatë jetës njeriu, sidomos ato të Luftës ANÇ, zakonisht, ose i harron, ose i mbeten të regjistruara në mendje për shkak të forcës nga çka ajo ka lënë gjurmë në ndërgjegjen e tij, apo të njohura nga librat e historisë. Ngjarja e vrasjes të 5 Heronjve të Vigut, në atë 21 gusht të vitit 1944, nga ata që kanë lindur dhe janë rritur me ndjenjën e pabesisë, më duhet të them se mbetet e veçantë. Është një rast kur njeriu nuk mund të imagjinojë dot se ku është fundi i cakut te marrëzia për të mos kuptuar qoftë edhe emocionalisht dhimbjen. Ata djem plot jetë e dritë, Ahmet Haxhia, Naim Gjylbegu, Ndoc Mazi, Hydajet Lezha dhe Ndoc Deda, kishin marrë përsipër misionin për të ndihmuar e ndriçuar mendjen e popullit të Mirditës për t’iu bashkuar, ashtu si gjithë Shqipëria, lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare. Por krejt pa pritur ata do të gjendeshin, pa ditur përse, në pritën e disa njerëzve pa arsye, me pamje të ngërdheshur, duke nxjerrë në pah fytyrën ku mund të lexohej qartazi shpirti i tyre i zi.

Sigal

Po çpatën, përse guxuan të ndërmerrnin atë veprim të padëgjuar ndonjëherë në ato anë, për ta bërë me turp Mirditën? Çfarë i bëri të lajthisnin ata burra zakoni, kapitenin Mark Gjonmarkaj, i cili i frymëzoi  të vrisnin barbarisht pesë djem, gjaku i të cilëve në atë ditë të zezë do të përflakte Vigun e Mirditën? Thuhet se një i marrë mund të marrosë dhjetra të tjerë, ashtu si ndodhi edhe në Vig.

Për të kthjelluar mendjen dhe për ta bërë të vërtetë marrëzinë e Markagjonve në Vig, duhet treguar e fotografuar fakti se ç’përfaqësonin ata djem zemrabashkuar, të cilët po shkelnin fshat më fshat e derë më derë për të realizuar diçka të madhe për kohën, kur pushtuesi ishte bërë rrezik jo vetëm për vendin, por edhe për Mirditën.  Ahmet Haxhia, Naim Gjylbegu, Ndoc Mazi, Hydajet Lezha dhe Ndoc Deda ishin pesë të rinj komunistë dhe që të pestë ishin pjesë e batalionit partizan ”Perlat Rexhepi”, një formacion i lavdishëm ushtarak që vepronte në Veri të vendit, në përpjekje për të shporrur pushtuesin gjerman. Pra ishin bërë pjesë e një formacioni partizan dhe kishin vënë gjithçka, shpirtin dhe zemrën, për të luftuar pushtuesin. Në këtë kuadër ata ishin ngarkuar me një detyrë të madhe, madje shumë delikate, për të mundur, që edhe mirditorët të bëheshin pjesë e Luftës ANÇ. Më e vështirë bëhej ky mision në Mirditë, sepse, siç dihej, aty sundonte për gjithçka dinastia e Markagjonve. Ata ishin njerëz pa ideal, në mos me mendime e ndjenja të mykura, të trashëguara në breza në tërë atë zonë disi “autonome”. Sepse kur njihesh me jetën dhe veprimtarinë e shkurtër të atyre 5 djemve idealistë, krimi dhe masakra që u bë ndaj tyre, nxjerr në pah jo vetëm mjerimin shpirtëror të atyre që guxuan të kryenin atë llahtari çnjerëzore, por edhe fytyrën me maskë se këtë gjë e bënin gjoja në emër të ndjenjës së patriotizmit, për të mbrojtur Mirditën nga “pushtimi” komunist.

Çmenduria dhe ligësia e Markagjonëve del zbuluar nëse njihesh me jetën, edhe pse të shkurtër, të Heronjve të Vigut. Tre djem yje, Ahmet Haxhia, Ndoc Mazi dhe Naim Gjylbegu ishin nga qyteti i Shkodrës dhe të tre ishin shokë që nga fëmijëria. Ata njiheshin si rebelë dhe veprimtarë të shquar të Lëvizjes ANÇ. Që të tre, për angazhimin në strukturat e të rinjve revolucionarë, kishin provuar burgun e madje ishin arrestuar nga regjimi disa herë si të pabindur dhe që luftonin për ndryshimin e regjimit. Ndërsa dy djemtë e tjerë, Hydajet Lezha ishte nga Lezha dhe Ndoc Deda ishte nga Miloti. Të dy iu bashkuan tre djemve nga Shkodra për të realizuar misionin, tashmë  të ngarkuar nga komanda e batalionit “Perlat Rexhepi”, i cili, siç thamë, kryente veprime luftarake në ato anë.

Të pestë kishin disa muaj që kishin nisur misionin në Mirditë, për të përhapur e bindur banorët e asaj zone liridashëse që ata t’i  bashkoheshin rezistencës që po bënin brigadat partizane dhe i gjithë populli shqiptar pushtuesve gjermanë. Dhe këtë mision ata nuk e bënin verbërisht, por duke biseduar e argumentuar malësorëve se ç’përfaqësonin dhe kujt i shërbente Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare.
Urdhërin për këtë mision aq të rëndësishëm e kishte dhënë komanda e batalionit, pas një udhëzimi që Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare u kishte dhënë më parë.
Saktësisht Shtabi i Përgjithshëm kishte udhëzuar që në krahinat e Malësisë së Madhe, Pukës dhe Mirditës, batalioni “Perlat Rexhepi” të caktonte grupe të vogla partizanësh për të angazhuar e thirrur  popullsinë në luftë kundër pushtuesve. Udhëzimi ishte që t’i bëhej bllok ndikimit të kapedanit Gjon Markagjoni në zonën e Mirditës, e madje të argumentonin me fakte se kishte ardhur koha t’i bashkoheshin forcave çlirimtare, si e vetmja rrugë që sillte lirinë.

Ata 5 djem, të etur për liri e drejtësi, e dinin që shkonin në një krahinë, që në fakt, ishte relike e një kohe të prapambetur, të mbetur nën sundimin e bajraktarëve, siç ishin Markagjonët e Mirditës. Nisur nga ky fakt, që aty sundonte Kanuni, ishte goxha e vështirë që ai popull të bënte kthesën, pra të shkëputej nga  ca personazhe egoistë për të sunduar, siç ishin bajraktari Gjon Markagjoni. Bajraktarin e trembte prezenca e atyre djemve, të cilët kishin vendosur të bënin realitet që populli të zgjohej dhe të bëhej shpërndarës i dritës së Lirisë  për të gjithë Mirditën. Sepse në ata vite Mirdita, si rrallë krahina të tjera, sundohej nga shpirtra që, ashtu si gaforret zbytheshin terreve, që ecin mbrapsht në jetë e që në vend të bënin përpara, shtonin shëmtitë e tyre për të vënë damkën e zezë si vrasës. Ndoshta ishte natyra njerëzore ajo që i kish ndarë, për shkak të misionit që kishin marrë përsipër të bënin. Në këtë rast vrasësit, Markagjonët e shërbëtorët që e ndiqnin prapa qorrazi, që vinin nga thellësitë e errësirës, ishin ata që do të shkonin, për t’ju lënë vendin çlirimtarëve, atyre që marshonin drejt Dritës.

Por nuk ka errësirë tjetër përveç injorancës. Ishte pikërisht kjo gjë që Markagjonët të mos lëshonin pe, por, ashtu të vendosur, organizuan pritën për të kryer masakrën e padëgjuar ndaj  atyre 5 yjeve, të cilët kishin guxuar të hynin në zonë të minuar nga terri dhe që ish marrë në mbrojtje nga ca gjallesa të sterrosura.

Në paraditen e të hënës së 21 gushtit, pra plot 80 vjet më parë, rreth 60 persona, kryesisht forcat e familjes Markagjoni dhe të xhandarëve të drejtuar nga kryetari i komunës së Kashnjetit, u bënë pritë, duke i rrethuar në një luginë e që më pas do jepnin ultimatumin për t’u larguar prej asaj zone, të cilën e konsideronin pjesë të “vilajetit” ku shtrinin sundimin, atë sundim ku kundërmonte era e mykur e bajraktarëve. Por trimat iu përgjigjën si trimat. Të pestë i kundërshtuan, të bindur se misioni i tyre për të ngritur popullin në luftë ishte bindja e tyre që nuk mund ta lëvizte kush, e jo më ca zëmërgjymtuar e me mendje të turbullt që nuk dinin ç’bënin. Djemtë, ku shpirtin e tyre e kish pushtuar drita e së ardhmes të Shqipërisë, nuk do t’i bënte të tërhiqeshin as joshja e as presioni. Debatet e ashpra do t’ju linin vendin nisjes së betejës, betejës që do të përfundonte në mënyrën më tragjike. Pas rreth 8 orë debatesh dhe përplasjesh me armë, të pestë do të mbeteshin të vrarë, për të mbetur kështu legjendë për Mirditën dhe për LANÇ, legjendë, e cila mbetet nga më heroiket edhe në këtë 80 vjetor të rënies së tyre.

Në nder të 5 heronjve në qendër të qytetit të Shkodrës, në vitin 1960, u vendos një skulpturë e Artistit të Popullit Shaban Hadëri. Ishte një vepër nga më dinjitozet jo vetëm për Shkodrën, por për të gjithë Shqipërinë. Por ata që nuk i kishim harruar, ata që errësia e trashëguar në breza u mori mendtë, e hoqën skulpturën nga ai vend nderi, për t’u zhvendosur në periferi të Shkodrës, aty ku ishte vendi i preferuar për ta, tek plehrat. Ishte viti 2006. Sali Berisha dhe Jozefina Topalli, pasardhëse e denjë për një familje kolaboracionistësh, ashtu si kukumjaçkat që nuk pranojnë as dritën e kandilit, prezenca e Heronjve të Vigut në mes të Shkodrës, drita që rrezatonin ata, e verbonin, u kujtonin vulën e turpit që u ka vënë historia. Por ata dhe “historianët” e djathtë, sido dhe sado të përpiqen për të nxjerrë e sajuar teorira ndjellakeqe, nuk do të arrijnë kurrë të zbehin heroizmin e 5 Heronjve të Vigut. Drita e tyre, që vjen e shpërndahet edhe sot, pas 80 vjetësh, do t’i verbojë edhe më, për të mbetur ashtu si deri tani, njollë turpi në historinë tonë lavdiplotë.