Dr. Llambi Konomi: Trombofilia rrezik potencial i heshtur

Në artikullin ekskluziv për gazetën ‘Tefegraf’  Dr. Konomi është munduar që me termat dhe paragrafët e tij të vijë thjeshtë dhe kuptueshëm pranë lexuesve tuaj lidhur me një sëmundje apo patologji që u shfaq dhe po shqetëson shumë njerëzit mbas pandemisë së Covid-19.

Vetë mjeku në fjalë u thellua dhe më shumë në zbulimin e prejardhjes dhe të mjekimit të saj në mënyrë që të parandalojë pasojat fatale që sjell për jetën mpiksja e gjakut , kur e zbuloi që një pjesëtar i familjes në analizat e gjakut diçka nuk i shkonte. Sepse dëgjojmë që shumë njerëz të njohur, apo të panjohur e në mosha relativisht të reja vdesin krejt papritur e themi pati trombozë. Por pse ndodh dhe a mundet ta parandalojmë në fakt dhe kjo mund të mësohet në artikullin që po ju bashkëangjisë . Ja analiza e plotë e Dr. Llambi Konomi.

Sigal

1-Historia e pasojat e kësaj sëmundje:
Trombozat e vazove të gjakut tek njerëzit janë njohur e përshkruar qysh nga mesi i shekullit të 18-të, por që shkaku kryesor i tyre është trombofilia është konfirmuar këto 20-30 vitet e fundit me zhvillimin e biologjisë molekulare dhe të gjenetikës. Nocioni i patologjisë së trombofilisë që është futur në terminologjinë botërore do të thotë “miqësi për tromboza”dhe ajo faktikisht rrezikon seriozisht shëndetin dhe jetën e njerëzve. Ajo është një gjendje patologjike e trashëguar ose e fituar dhe karakterizohet nga hiperkoagulimi i gjakut që çon shpejt ose vonë në formimin e trombozave në venat e anësive poshtë dhe në organet e ndryshme, kryesisht në mushkërit , në tru, zemër , veshka, etj. Kjo patologji sot përbën një problem shqetësues në mjaft shtete perëndimore, sepse zë vendin e tretë të sëmundshmërisë, pas infaktit të myokardit dhe insultit cerebral dhe u evitentua kryesisht gjatë pandemisë së Covid-19, kur jo pak njerëz pësuan tromboza, nga të cilat humbën jetën, ose përfunduan të intubuar në reanimacion. Aktualisht në SH.B.A sot mjekohen nga tromboza të rënda të kësaj patologjie rreth 900.000 të sëmurë , ose 80 -117 raste në 100.000 banorë , nga të cilat 1/3  e tyre humbin jetën dhe kostoja e mjekimit për  çdo të sëmurë është 56.000 dollarë, ndërsa në vdekshmëri zë 6% , kur vetëm nga trombozat pulmonare vdesin 12%. Përqindja e rasteve me tromboza është konkluduar se influencohet shumë nga kombësia, nga mosha, nga natyra e saj trashëgimore ose e fituar, nga faktorët shoqërues të rrezikut dhe nga numëri i episodeve të ndodhura. Trombofilia në vetvehte është një patologji asimptomatike dhe kthehet në rrezik të madh për njeriun që e ka vetëm atëherë kur shfaqen në të një ose më shumë faktorë të rrezikut. Të tillë faktorë e që duhen të njihen nga të gjithë mirë si nga mbartësi, ashtu dhe nga personeli mjekësor janë mungesa në gjak e faktorit antitrombin, e proteinave C dhe S, e faktorit Leiden V dhe VIII, mosha e madhe, sëmundjet kanceroze dhe ato malinje të gjakut, sëmundjet inflamatore të zorrëve dhe kardio-vaskulare, syndromat e fosfolipideve, kardiolipideve  dhe nefrotik, obeziteti, shtatzania dhe periudha e lehonisë , jeta sedentare  dhe palëvizshmëria, variçet e anësive të poshtëme, dehidrimi, pirja e duhanit dhe alkoolit, traumat dhe operacionet ortopedike.

2-Njohuritë teorike dhe ato klinike në vendin tonë .
Në përgjithësi të mjekëve tanë deri më sot janë jo të plota për këtë patologji , prandaj u del detyrë imediate pasi të njohin mirë mënyrat e prevenimit të komplikacioneve të saj , të kërkojnë si shkak në çdo trombozë si dhe çdo ekzaminim rutin ose check-up periodik që bëjnë edhe mbartësit e trombofilisë. Pas verifikimit të çdo rasti se është trombofili duhet të kontrollohen patjetër gjithë pjestarët e tjerë të pemës amiljare. Duhet theksuar këtu se rastet me trombofili janë të shumta e të paidentifikuara deri më sot, se ato faktikisht nga studimet e bëra rezulton se vetëm nga trombofilia e trashëguar ato përbëjnë 10% te popullsisë.  Protokollet e kontrollit që duhet të zbatohen  në këto raste parashikojnë ekzaminimin hematologjik korrekt të të sëmurit nën 40 vjeç, tek ata që kanë pësuar tromboza pas marrjes së antikonceptiveve dhe preparateve hormonale pas episodeve recidivante, tek ata që pësojnë tromboza në vende jo të zakonshme si në zemër e sytë , tek gratë shtatzëna dhe në periudhën e lehonisë. Sipas  këtyre protokolleve ekzaminimet për këto kategori duhet të përfshijnë gjithë gamën e provave të koagulimit të gjakut , provën e antitrombinës , të proteinave C dhe S , të faktorit Leider V , të antikardiolipideve ,të antifosfolipideve dhe kryesisht për dy ekzaminimet e tjera molekulare që konfirmojnë saktësisht diagnozën, të mutacioneve G20210 A dhe A 1288 që kryhen në laboratorët e specializuara.

3-Njerëzit  me trombofili , 12%  e tyre do pësojnë trombozë
Ata që kanë mungesë të antitrombinës dhe të proteinave C dhe S  ne 60% të tyre dhe në përgjithësi burrat shfaqin më shpesh episode trombotike se gratë. Në këto kushte  opinion  shoqëror dhe ai mjekësor, duhet të sensibilizohet më shumë në kërkimin , zbulimin , depistimin dhe ndjekjen më të mirë të këtyre të sëmurëve. Në disa vende perëndimore janë ngritur qendra kombëtare hematologjike referuese që merren me drejtimin e luftës kundër kësaj patologjie.

Mjekimi për të gjitha llojet e trombozave është i njëllojtë:
Me medikamente kundër mpiksjes së gjakut siç është heparina me peshë molekulare të ulët , ose medikamente të reja nga goja siç është Xarelto ,Radexa dhr Eliquis. Zgjatja e këtij mjekimi duhet të bëhet për 3 muaj ose deri në shuarjen e faktorit të rrezikut që e ka provokuar atë, ndërsa në gratë shtatzëna mjekimi zgjatet deri në javën e 13-të të shtatzanisë. Gratë që kanë pësuar aborte, vdekje intrauterine të fetusit ose lindje parakohshme u rekomandohet të bëjnë doza të vogla të heparinës ose dhe Salospir. Tek personat ku rreziku i trombozës është i madh duhet të bëhen mjekime me antikoagulant për një kohë të gjatë.
4-Këshilla.
Të sëmurët asimptomatik me trombofili u rekomandohet të rregullojnë mirë regjimin ditor, të shmangin udhëtimet e gjata mbi 4 orë me avion ose autobus , të mos përdorin antikonceptive dhe hormonoterapi, të shmangin jetën sedentare e pa aktivitet, të humbasin në peshë, të ndërpresin duhanin dhe alkoolin, të ushtrohen fizikisht dhe të njohin mirë faktorët e rrezikut që i kërcënojnë me qëllim që të evitojnë ato, ose të përdorin mjekim antikoagulant provizorisht. Të sëmurët me patologji të rënda që qëndrojnë më shumë se 3 ditë në shtrat e  veçanërisht ata në moshë mbi 75 vjeç , ku është vërejtur se gati 50% e tyre kanë pësuar tromboza , u jepet mjekim me heparinë , çorape elastike me presion pozitiv  dhe u thuhet të lëvizin sa më shpejt. Zbatimi me përpikmëri i këtyre masave dhe mjekimi korrekt i trombozave kur ato shfaqen garantojnë plotësisht jetën dhe shëndetin e të sëmurëve me trombofili. Fakti i studimeve dhe botimeve të shumta vitet e fundit për këtë patologji flasin qartë se kujdesi i opinionit mjekësor është rritur në një farë mënyre dhe kjo është një shenjë e mirë inkurajuese fillestare për të ardhmen.