(10 Korriku 1943, kujtesë historike)
Në planin ndërkombëtar, lufta Antifashiste Nac.Çl. e popullit shqiptarë, u inkuadrua në luftën Ballkanike e Botërore të koalicionit Antifashist, ku Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë partizane, lozi një rrol të rëndësishëm politik e ushtarak. Qysh gjatë viteve 1942-43, jehona e kësaj lufte i kaloi kufijtë e vendit. Shtypi dhe propaganda e shumë vendeve të huaja, filluan të flisnin për luftën heroike të popullit shqiptar kundër pushtimit nazi-fashist.
Kjo bëri që aleatët e mëdhenjë, SHBA, BS dhe Britania e Madhe në dhjetor të vitit 1942, nëpërmjet ministrave të tyre të jashtëm, bënë deklarata mbi njohjen e luftës Antifashiste Nac.Çl. të popullit shqiptarë, si pjesë përbërëse e luftës së përbashkët kundër nazi-fashizmit. Kjo ishte një fitore e madhe për popullin shqiptarë, njëherazi shërbeu dhe për të nxitur më tej mobilizimin e popullit në luftën e ashpër e të vendosur kundër pushtuesve nazi-fashistë.

Duke dalë në planin ndërkombëtar, për ushtrinë tonë partizane, ishte i nevojshëm Shtabi i Përgjithshëm Ushtarak, pasi nuk mund të bashkërendohej si duhet me luftën që bënin shtetet e popujt anëtarë të Koalicionit të Madh Antifashist Botëror dhe në veçanti Fuqitë e Mëdha. Njëkohësisht ky shtab do të mundësonte dhe ndihmonte në lidhjet me krijimin dhe forcimin e një fronti Ballkanik në luftën kundër armikut të përbashkët, siç ishte nazi-fashizmi që kërcënonte gjithë Botën.
Fitoren kundër këtij armiku të përbashkët, e vendosën padyshim, armët e përbashkëta të Fuqive të Mëdha Antifashiste, SHBA, BS dhe Britania e Madhe. Ky është një fakt i padiskutueshëm historik dhe i gjithëpranuar. Por në Deklaratën e Kombeve të Bashkuara Antifashiste të 1 janarit 1942 në Ëashington, që finalizoi Koalicionin Antifashist Botëror, e nënshkruan 23 kombe nëpërmjet përfaqësuesve të tyre legjitimë. Shqipërisë iu refuzua kjo e drejtë për fat të keq, pasi e refuzoi Mbreti Zog që ishte në emigrim. Por Shqipëria dhe shqiptarët e vendosën këtë antarësim, përmes luftës Antifashiste Nac.Çl. në betejat kundër ushtrisë nazi-fashiste. Në qoftë se Britania e Madhe e refuzoi të drejtën e Zogut për të firmosur Deklaratën e Kombeve të Bashkuara Antifashiste, ajo më pas do të bëhej iniciatore për të shpallur në dhjetor 1942, Deklaratën e Ministrave të Jashtëm të tri Fuqive të Mëdha Aleate, që njohën rezistencën e armatosur të shqiptarëve kundër pushtuesve nazi-fashist, duke e inkurajuar dhe ndihmuar zgjerimin e mëtejshëm të kësaj lufte.

Njohja e drejtëpërdrejtë e luftes antifashiste dhe dëshira e interesi për ta mbështetur atë, ishte dhe dërgimi në fillim të prillit 1943 i Misionit të Parë Britanik në radhët e forcave partizane shqiptare dhe që u pasua nga të tjera më pas në të gjitha zonat e vendit, pranë njësive të ushtrisë NacÇl. Gjithashtu në vitin 1944 erdhën në Shqipëri pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl. dhe Misione Ushtarake Amerikane dhe Sovjetike. Misionarë të veçantë britanikë, u lidhën dhe me përfaqësues të Ballit Kombëtar në momente të veçanta, për t’i nxitur ata të largoheshin nga bashkëpunimi me gjermanët dhe për t’u bashkuar me rezistencën antifashiste. (Prof. Paskal Milo në 75 vjetorin e fitores mbi fashizmin, kujtesë e apel).
Lufta Antifashiste Nac.Çl. e radhiti Shqipërinë defakto me Kombet e Bashkuara Antifashiste, të udhëhequra nga aleatët e mëdhenjë, Amerikanë, Britanikë e Sovjetikë. Ky kontribut u njohë në deklaratat zyrtare të tyre në vitet 1943-44 dhe në bashkëpunim konkret me Shtabin Aleat të Mesdheut në Bari të Italisë, si dhe me ndihmën materiale luftarake dhe financiare që aleatët dhanë në këtë luftë, së bashku dhe me kordinimin e veprimeve operative në betejat kundër pushtuesve nazi-fashist në Shqipëri.

Kurorëzimi dhe njohja e këtij kontributi të luftës Antifashiste Nac.Çl. të popullit shqiptarë, ishte dhe vendimi i Konferencës së Paqes në Parisë 1946, që e radhiti zyrtarisht dhe përfundimisht Shqipërinë si fuqi aleate në krah të Kombeve të Bashkuara Antifashiste. Pikërisht për këtë luftë e këtë kontribut, shqiptarët janë me të drejtë krenarë dhe kontribues në fitoren përfundimtare të luftës kundër mortajës nazi-fashiste.
Si rezultat i kësaj politike, prej prillit 1943, u atashuan pranë forcave kryengritëse partizane shqiptare, veçanërisht në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, oficerë ndërlidhës britanikë. Ata u stacionuan pranë Shtabit të Përgjithshëm e forcave partizane të Ushtrisë Nac.Çl. dhe më pas për një kohë dhe pranë forcave të Ballit Kombëtar, më tej dhe pranë Legalitetit. Qëllimi i tyre ishte të ndihmonin në organizimin pa dallim të luftës kryengritëse kundër trupave të ushtrisë gjermane, me pjesmarjen e të gjitha grupimeve politike shqiptare.
Kjo bëri që pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe pranë disa njësive luftarake partizane, u atashuan jo vetëm misione ushtarake britanike, por kohë pas kohe dhe përfaqësues të ushtrisë Nac.Çl. jugosllave, si dhe u vendosën lidhje me shtabin e ushtrisë Nac.Çl. të Greqisë. Në pranverën e vitit 1944, erdhën pranë Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë sonë dhe Misione Ushtarake nga SHBA dhe BS, ndërsa në korrik 1944, një delegacion i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl., nën drejtimin e Bedri Spahiut, vajti pranë Shtabit Aleat të Mesdheut në Bari të Italisë. Këto ishin shprehje të lidhjes së luftës Antifashiste Nac.Çl. shqiptare me Luftën Antifashiste Botërore dhe vlerësimin që kishin Aleatët e Mëdhenj për luftën e armatosur në Shqipëri. Pranë Shtabit të Përgjithshëm të luftës NAÇl., kanë vepruar tri misione britanike radhazi: Misioni i drejtuar nga Maklini, Misioni i drejtuar nga Gjenerali Devis dhe gjatë periudhës së fundit të luftës, Misioni i drejtuar nga Koloneli Palmer.

Prania e këtyre misioneve ushtarake në organizatat politiko-ushtarake shqiptare, ka patur dy qëllime:-E para, për t’i hedhur të gjitha forcat politike e ushtarake në luftë të armatosur kundër nazi-fashizmit dhe e dyta, pajtimin e forcave politike shqiptare dhe bashkimin e tyre në një front të përbashkët kundër pushtuesve nazi-fashist. Për arritjen e këtyre qëllimeve, misionarët anglezë, bënë përpjekje të shumta. Por forcat politike shqiptare, nuk e gjetën dot rrugën e mirëkuptimit e të bashkëpunimit për të mirën e vendit. Megjithë ftesat e herëpasherëshme të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl. ndaj Ballit Kombëtar dhe Legalitetit për bashkëpunim e bashkëveprim në luftën e përbashkët kundër pushtuesve, ata asnjëherë nuk pranuan, përkundrazi u vunë në shërbim të okupatorit dhe kundër luftës partizane Nac.Çl. (Dokumente të SHPUANÇl. Vëllimi i I-rë faqe 183).
Një nga drejtuesit e misionit ushtarak britanik, Gjenerali Devis, mori kontakt me të gjitha forcat politike shqiptare dhe arriti në përfundimin që:
“Fronti Nac.Çl., ishte forca e vetme ushtarake që luftonte aktivisht kundër Ëehrmacht-it gjerman”. Kurse Kryeministri anglez Çurçill, në fjalën e mbajtur në parlamentin anglez në 4 nëntor 1943, deklaroi:
“Mijra guerilas shqiptarë po luftojnë në malet e tyre për lirinë e pavarësinë e vendit të vet. Oficerët britanikë të ndërlidhjes janë pranë këtyre guerilasve dhe i kanë çmuar cilësitë e tyre luftarake. Ne shohim që shqiptarët po luajnë rolin e vet në përputhje me traditat e tyre të vjetra luftarake. Ne dëshirojmë ta shikojmë Shqipërinë të lirë nga zgjedha e Boshtit nazi-fashist dhe pavarësinë e saj të rivendosur”. Ndërsa misionerët e huaj të shpërndarë në njësitë e ushtrisë Nac.Çl., njoftonin herëpashere në Kajro, Londër e Bari se:
“Lëvizja Nac.Çl. në Shqipëri është palë shumë e fortë ushtarakisht, më e organizuar në pikpamje organizative dhe ndër-kohë më aktivia kundër boshtit armik. Përsa i përket numrit të trupave të rregullt të lëvizshme dhe vlerës së tyre luftarake, qëndrojnë më lartë se çdo grupim tjetër në Shqipëri. Pra, meritojnë të përkrahen nga pikpamja ushtarake”. (Historia e LANÇ të Shqipërisë, Tiranë 1975)

Në korrik të vitit 1944, aleatët ndërkombëtarë, po vërenin në horizontin e politikës shqiptare, shfaqjen e imazhit të drejtimit komunist të vendit, fill pas luftës. Eshtë e mirëvërtetuar nga një numër i madh dokumentesh, kryesisht angleze, se aleatët perëndimorë po shprehnin një interes të madh për të zbarkuar në Shqipëri, në mënyrë që ti pritej rruga “Sovjetizimit”, në fakt dhe “Jugosllavizimit” të Shqipërisë. Lidhur me këtë dukuri, në një raport amerikan në fund të gushtit 1944, ndër të tjera shkruhet: “Duhen nisur menjëherë rreth 5000 forca amerikane në Tiranë dhe Durrës, për t’i dal para një ndërhyrjeje të mundëshme të forcave ruse”. Ky plan i britanikëve me aleatët amerikanë, tregon më së miri dyshimin e tyre për shndërrimin e Shqipërisë pas luftës, në një vend komunist. (Prof. Dr. Marenglen Kasmi, “Politika e fuqive aleate ndaj Shqipërisë, gjatë luftës së Dytë Botërore”).
Por ideja e zbarkimit të Aleatëve në Shqipëri, u refuzua rreptësisht nga Fronti Nac.Çl., të cilët nuk lejuan përzierjen e Aleatëve Ndërkombëtar në politikën e brendëshme të Shqipërisë. Përpara këtij fakti, Aleatët intensifikuan ndihmat humanitare kaq shumë të nevojshme për popullsinë dhe ushtrinë partizane shqiptare në ato kushte të vështira gjatë dhe pas luftës, në mënyrë që të ndikonin sado pak në rritjen e frymës pro britanike në Shqipëri.
Përfundimisht mund të theksohet se, Shqipëria ishte i vetmi vend europian që nuk u çlirua drejtë për drejtë nga aleatët, por dhe nuk u përdor si rrugë kalimi prej tyre. Ish misionari anglez në Shqipëri gjatë luftës Antifashiste Nac.Çl. R. Hibbert, midis të tjerave shkruan:
“Ndihmat britanike ishin tepër të nevojshme në situatën e vështirë që kalonin partizanët dhe populli shqiptarë, por këto furnizime, duke u bazuar në numrin e vogël të tyre, nuk mund të konsiderohen si faktori vendimtar i fitores së luftës dhe fitores së pushtetit nga komunistët”. Pra, ishte lufta vendimtare e popullit shqiptarë, që me bijtë e tij trima dhe me komandantët e patriotët në ballë, i dolën zot vendit deri në shporrjen përfundimtare të armikut pushtues dhe bashkëpuntorëve të tyre dhe kjo luftë heroike çoi në fitoren e plotë, çlirimin përfundimtar të vendit.
Në këto momente të rëndësishme për fatet e vendit, në Kajro të Egjiptit, ishte formuar një qeveri hije në mërgim e Mbretit Zog, sikurse ajo e Ballit Kombëtar brenda vendit. Në maj-qershor 1944, gjermanët në bashkëpunim me forcat balliste, ndërmorën një tjetër ofensivë që u quajt, “Operacioni i Qershorit 1944”, që i shtyu partizanët dhe gjithë ushtrinë Nac.Çl. të nisnin kundërmësymjen e fuqishme për ta mposhtur këtë plan të armikut. Ky operacion armik ishte nga më të rrezikshmit që ndërmorën gjermano-ballistët kundër ushtrisë Nac.Çl.. Ishte një operacion i planizuar deri në hollësi dhe shtrihej në një brez me përmasa 40-50 km. gjerësi dhe 100-120 km. thellësi, me një pjesëmarje prej mbi 40 mijë forca të zgjedhura ushtarake gjermane dhe rreth 10 mijë mercenarë xhandaro-ballistë shqiptarë.
Ushtria Nac.Çl. ishte organizuar tashmë në formacione nga më të mëdhat, me Brigada, Divizione dhe Korparmata, të cilat luftuan me heroizëm, duke përdorur një kundër-sulëm frontal ndaj armikut, duke shpartalluar planet e tij dhe duke siguruar fitoren vendimtare deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë në 29 nëntor 1944. Kjo ishte fitore e popullit, e partizanëve trima dhe e PKSH që udhëhoqi luftën dhe që krahas fitores mbi fashizmin, arritën të eleminonin dhe kundërshtarët e tyre, Ballin Kombëtar dhe Legalitetin, që s’arritën të bashkëpunonin me Frontin Nac.Çl., por bashkëpunuan me armikun nazi-fashistë deri në fund të luftës dhe ku disa krerë të tyre, në prag çlirimi, u arratisën jashtë vendit së bashku me forcat armike.



















