Pyetjet: Nga Kristaq Laka
-Profesor Josifi, në këtë intervistë dua t’iu ngacmoj, për Dodonën, një pasion i juaj hulumtues. Pyetja e parë që dua t’iu drejtoj është: Çfarë ishte Dodona, përmendet si grua, si hyjni, si tempull e faltore, si qytet…
– Miti i Dodonës, ka qenë dhe mbetet një nga çështjet më të debatuara në qarqet shkencore të arkeologjisë dhe historiografisë. Për këtë janë publikuar shumë libra nga autorë të huaj dhe vendas, të cilët çuditërisht vazhdojnë të përballen me qëndrimin indiferent të institucioneve shkencore. Herodoti kur shkruan për Dodonën thotë: “Mbret i Pellazgëve dhe dodonëve, o Zeus, ti që nga larg sundon edhe Dodonën…”. . Ndërsa Homeri tek Iliada II, 16. thekson: “O Zeus, mbret dodonas e pellazgjik, që banon larg dhe kujdesesh për Dodonën dimërkeqe, ku përreth janë sellët…”. Me këtë dua të them, në përgjigjen e pyetjes suaj, se në Dodonë ndodhej Tempulli i Zeusit ku njerëzia shkonin për t`iu lutur Zotit të tyre, Zeusit dhe Orakulli ose Faltorja, për t`u këshilluar me Hyjnitë. Pranë tyre ndodhej edhe qyteti i Dodonës.
-Nëse është e mundur mund të sqaroni se si u krijua Miti i Dodonës, nëse është Mit dhe, në cilën kohë ka filluar të përmendet emri dhe ekzistenca e saj?
– Thuhet se Kulti i Zeusit u soll në Dodonë nga Sellejt , një degë e fisit të Thesprotëve, midis shekullit të XIX -të – dhe XIV -të p.k. Në vitet 900-800 p.k. ka qenë qendra më e rëndësishme e hapësirave pellazgjike, pasi aty ishte edhe varri i Zeusit. Vendi i shenjtë arriti kulmin e zhvillimit të tij në shekullin e tretë p.k. Ka të dhëna se emri dhe ekzistenca e Dodonës, një nga faltoret më të lashta, daton që nga epoka e Bronzit, para Përmbytjes së madhe. Përmbytja në kohën e Deukalionit u shkaktua nga zemërimi i Zeusit, i nxehur nga mendjemadhësia e Likaonit dhe bijve të tij, pasardhës të Pellazgut. Sipas kësaj historie, mbreti Likaon i Arkadisë i kishte flijuar një djalë Zeusit, i cili i tmerruar nga kjo ofertë, vendosi t’i jepte fund Epokës së “Bronzit” duke lëshuar një përmbytje. Plutarku përshkruan një legjendë që tregon se Deukalioni (i biri Prometeut) dhe gruaja e tij Pirra ishin vendosur në Dodonë të Epirit. Homeri, shekulli i VIII-të p.k. e përshkruan si një vend ku orakulli i Zeusit jepte profeci.

-Autorëtë të antikitetit që janë marrë me studimin, apo thjesht e kanë përmendur, Dodonën ku e vendosin atë? Dhe a ekziston mundësia e një vendosjeje të gabuar?
-Po, mund të themi se ekziston vendosja e gabuar e Dodonës, praktikisht ku ajo njihet në rrethinat e Janinës. Kjo është bërë objekt debati menjëherë pas punimit të paraqitur nga Karapanos në Akademinë Franceze. Sipas dëshmive të lëna prej shkrimtarëve të lashtësisë: Herodotit, Hesiodit, Plinusit, Pindarit, Piutarkut, Didimosit etj. si dhe shënimet e lëna nga gjeografët, kryesisht nga Straboni, e vendosin Dodonën në skain verior të Epirit dhe jo në rrethinat e Janinës. Këto dëshmi të autorëve antikë kanë ndikuar për të sjellë hipoteza të tjera të vendosjes së Dodonës si p.sh. në malin e Tomorit, në Dëshnicë të Përmetit, apo në malësitë e Kolonjës, për të cilën ne do të flasim. Ju takon qarqeve shkencore përkatëse, për ta riparë edhe njëherë këtë çështje. Shpresoj se kjo ditë nuk do të jetë e largët. Kjo kërkon shqyrtimin e fakteve dhe hipotezave që janë ngritur, shoqëruar me gërmimet arkeologjike.
-Çfarë vërtetojnë hulumtimet dhe gjetjet arkeologjike? Është zbuluar të paktën ndonjë mbishkrim apo gjetje ku të vërtetohet ekzistenca e një qyteti apo tempulli, me emrin Dodona dhe si nderohej ajo si hyjni? Me sa kam lexuar Hyjnia Dodona mbante edhe një epitet tjetër, përse?
-Mesa di unë gjetjet arkeologjike në malin e Aliçkës në Janinë si edhe në Tomorr nuk sjellin fakte bindëse për egzistencën aty të Orakullit të Dodonës. Duhet të theksoj se ndonjëherë ngatërrohet pa ose me dashje Tempulli i Dodonës me Orakullin. Aty ku pretendohet se mund të ndodhet Faltorja e Dodonës duhet kërkuar edhe Tempulli i Dodonës që ishte ngritur në nder të zotit të pellazgëve, Zeusit. Pra tjetër është Tempulli i Zeusit, hirorja dhe tjetër Orakulli i Dodonës, faltorja. Prandaj mendoj se një studim i plotë nuk është i mjaftueshëm me identifikimin vetëm të vendit se ku ka qenë faltorja por edhe vendit se ku ka qenë Tempulli i Zeusit. Se ku mund të kenë qenë konkretisht këto në Kolonjë, do t`i trajtojmë në një shkrim tjetër.
-Autorë shqiptarë, përfshi edhe Ju Profesor Josifi, në këto dy dekadat e fundit, kanë treguar interes të veçantë për të ndriçuar të vërtetën mbi Dodonën, aq sa është vënë në pikpyetje pozicion gjeografik i saj. Ju në librin tuaj kushtuar Dodonës e përcaktoni vendodhjen në krahinën e Kolonjës. I qëndroni kësaj teze? Mund t’u shpjegoni lexuesve të gazetës se pikpamja juaj është më afër së vërtetës?
— Mund të themi, se të dhënat e trajtuara në këtë libër na japin të drejtën të ngrjmë hipotezën, se ekziston mundësia, që këto malësi të kenë qenë malet e Dodonës, aty ku ka qenë Orakulli fatthënës i Dodonës. Përveç pozicionit gjeografik, të sqaruar nga shkrimtarët e lashtësisë, të cilat janë thelbësore, vlejnë edhe toponimet që ne kemi përmëndur këtë libër. Këtë hipotezë e përforcojnë më shumë edhe disa cilësi të tjera, të cilat janë trashëguar në këtë trevë, qysh nga ajo periudhë. Madje edhe tek banorët e sotëm që popullojnë këtë trevë. Në malësitë e Kolonjës gjenden edhe një pjesë e mirë e karakteristikave Epirote, Molose, siç janë: monedhat epiriote, këngët, vallet (vallja Pirrike), veshjet (fustanella, takija), zakonet, doket e përtëritja e emrave të heronjve antikë nga pasardhësit. Mund të themi, se në të njëjtën mënyre, deri në njëfarë mase, janë ruajtur edhe traditat e mbarështrimit të gjësë së gjallë (kuaj, lopë, dhi e dhen), punimit të tokës, gatimit dhe mënyrës e stilit të jetesës. Të gjitha këto na japin mundësinë e një interpretimi të ri. Ato janë dëshmi të lidhjes së kësaj zone me Epirin dhe Mollosinë e Pirros (Burrit), e në mënyrë të veçantë, me Dodonën zulmëmadhe, aq të kërkuar. Nga sa thaamë më sipër, mendojmë se kemi sjellë atë ç`ka kemi parë e dëgjuar, atë ç`ka dimë ne për këtë krahinë, pasi mund të ketë edhe shumë të fshehta të tjera, që kanë humbur ose mund t`i mësojmë në të ardhmen. Mundet, edhe të mos jentë kështu, si ne i kemi sjellë, por, për asnjë moment nuk dua të tingëlloj si ata pseudo nacionalistët, të cilët përpiqen që çdo gjë që nuk është shqiptare ta kthejnë në të tillë, të njëjtën gjë që fqinjët tanë rreth e rrotull, kanë shekuj që po e bëjnë, madje me vetëdije dhe për fat të keq, pa u thelluar ne ato i marrim për të mirëqëna.
-A mund të ketë disa vendndodhje të Dodonës, apo ekziston mundësia e një shtrirjeje të gjerë gjeografike?
– Unë mendoj se ka pasur vetm një Faltore (Orakull) të Dodonës, ashtu siç ishte edhe Orakulli i Delfit dhe ajo ndodhej në një territor shumë të kufizuar. Teoria se ka pasur disa Dodona është përhapur kohët e fundit nga disa studiues për të justifikuar hipotezat e tyre se Dodona ndodhet në Janinë, në malin e Tomorrit apo Deshnicë të Përmetit. Kjo për faktin se jo të gjitha përcaktimet që kanë dhënë autorët e lashtë përputhen me vendndodhjen që ata pretendojnë. Qoftë edhe një dëshmi të mos përputhet, pa dyshim që hipoteza bie. me këtë rast pretenduesit duan të thonë se ka disa Dodona. Unë po përmënd vetëm dy fakte që në asnjërën nga tezat e e mësipërme të dhënat nuk përputhen: 1. Malet Dodonianë shtrihen në veri të maleve të Pindit ku ndodhej edhe Orakulli i Dodonës. 2. Sipas autorëve antikë fqinjë të dodonasve kanë qenë Perrebejtë, që jetonin në rrethinat e maleve të Pindit (Konicë) dhe Enianët që shtriheshin në pjesën veri-lindore të rrjedhës së lumit Aos (Vjosa).
-Duke qenë një faltore me famë, a ishte kthyer në vend pelegrinazhi për shtresat e thjeshta të shoqërisë, për heronjtë e luftrave dhe sunduesit e asaj kohe?
– Në vargjet e shkruara nga Homeri, në librin e tij “Iliada dhe Odisea”, gjejmë fakte të shumta që mbretër dhe heronj mitologjikë si Odisea, Akili, Aleksandër Mollosi, Pirro Burri e Aleksandri i Madh, kanë shkuar në Dodonë për t`Ju lutur Zotit të Tyre Zeusit për fitore dhe njëkohësisht të merrnin aty edhe profecinë nga fatthënëset. Fama e Dodonës Pelazgjike ishte aq e madhe saqë ajo ishte bërë një kult hyjnor i besueshëm për të gjithë botën pellazgjike. Këtë e dëshmon edhe fakti që Oresti, djali i Agamemnonit, duke mos gjetur dot prehje në Orakullin e Delfit për mëkatin e tij (pasi ai vrau të jëmën dhe jaranin e saj, të cilët i vranë të atin, Agamenonin, një tragjedi e shkruar nga Eskili), ai shkon në Dodonë dhe aty ai gjen qetësinë. Mandej ai sundoi fisin e Orestëve, që ndodhet pranë maleve të Kolonjës. Nisur edhe nga ky fakt natyrshëm mund të themi se në malësinë e Kolonjës shtriheshin malet Dodoniane.
-Ka patur shtrirje dhe ndikimin mbi popujt e tjerë që jetonin në hapësirën ballkanike? Dhe a emërtohet prej studiuesve të këtyre vendeve, siç emërtohej në antikitet: Dodona Pellazgjike?
-Për fatin tonë të mirë, popujt e tjerë të ballkanit nuk kanë pretendime për autorësinë e Dodonës, përkundrazi me ardhjen e tyre në ballkan qëllimi i tyre kryesor ka qenë jo vetëm shkatërimi i Faltores por edhe Tempullit të Zeusit e me këte rast zhdukjen e besimit pagan të popullit më të lashtë të Europës. Shkatërimin më të madh Dodona e ka pësuar nga Elotët të drejtuar nga Doriamusi i tërbuar (në vitin 219 p.k.) dhe të fundit nga famëkeqi Paul Emili i cili në vitin 167 para krishtit, kur kaloi nëpër Epir dogji, vrau e shkatëroi 70 qytete, mori me vete 150 mijë robër dhe të gjithë arin që kapte vlera të konsiderueshme, madje nuk kurseu as Dodonën. Pushtuesit përvehtësuan gjithçka Ilire e Epiriote, ndryshuan edhe emrat e Perëndive Pellazge, por ama jo Dodonën, ajo njihet si “Dodona Pellazgjike”.

-Josif… Me sa di Ju kanë mbërthyer “ethet” e ndriçimit të së vërtetës për Dodonën. Mund të thoni disa nga zbulimet tuaja të reja për Dodonën?
– Nuk mund të them se më kanë mbërthyer “ethet” për të ndriçuar të vërtetën për Dodonën, duke pasur parasysh indiferencën dhe shpërfilljen që tregojnë institucionet shkencore kopetente, pasi janë ato që do të vendosin në fund të fundit për çdo hipotezë që ngrihet. Dëshira, sado e madhe që të jetë, nuk vlen pa u mbështetur në argumenta. Angazhimi im në këtë çështje ka arrdhur si rezultat i hulumtimeve të mia në fushën e historisë të mjekësisë tradicionale. Në fillim ishin disa shënime të cilat më pas u shtuan dhe i kam bërë publike në librin tim “Dodona në matësitë e Kolonjës”, që së shpejti do ti shtohet edhe një vëllim tjetër.
Le të shtjellojmë edhe njëherë shkurtimisht, disa pika se ku përcaktohet Dodona sipas Shkimeve të Lashta dhe disa përshtatje (gjetje) që e lidhin këtë Tempull fatthënës me Malësitë e Kolonjës dhe kryesisht me malësitë e zonës së Barmashit.
- Dodona, ndodhet larg, në kufijtë e fundit të Epirit [Toskërisë], madje, cilësohet në veri të maleve të Pindit: Aty ndodhen malësitë e Kolonjës [Gramozi, Radomi, Malet e Barmashit], të cilat shquhen për pamjet e mrekullueshme (… tërheqëse në pamje….) dhe për të ftohtin e dimrit (dimërashpër). Pindari (libri IV, fq. 84) thotë që prej Pindit e kundrull (përballë e mjaft larg) afër Peonëve, janë edhe malet Dodonianë.
- Dodona ndodhet afër qytetit Ella ose Sella: Në malësitë e Barmashit, në fshatin Kamnik ndodhet një vëndbanim i vjetër. Quhet Maja e Sellarëve ose Sellarë, ku egzison mundësia të kenë banuar Sellarët, (Selejt). Ky vend duhet të eksplorohet, pasi aty duhet të ketë qenë qyteti Sella i Sellopisë.
- Sellopia është vend me plot dhera (ara) pjellore, me plot livadhe të mira për kullotje … Aty jetonin burra me shumë dhen ose tufa të mëdha dhensh. Herodoti e quan trevë “shumë pjellore e me luadhe të mira”. Të tilla kanë qenë edhe janë Livadhet e Radomit, Shelegurit deri në
- Tufa të mëdha dhensh: — Në malësitë e Kolonjës kanë shtegëtuar e shtegëtohen tufa të tëra dhensh nga zonat bregdetare si dikur që Kaonët veronin bagëtitë e tyre në Molosi dhe çonin atje kripën aq të çmuar (sa caliqet plot me ar) për banorët e malësisë përreth Dodonës. [ Dh. Pilika]
- Atje bënte një dimër i keq [Dodona dimërashpra] : Në malësitë e Kolonjës bën dimër shumë i ashpër. Aty janë regjistruar temperatura -200 Në malin e Gramozit, dëbora nuk shkrinte kurrë, saqë thuhet se zinte dëbora dëborën. Po kështu edhe në malësitë e Barmashit.
- Faltorja [Dodona] ndodhej pranë një lumi në një faqe mali: Aty kalon një lumë, i cili përligj edhe emrin e ngricave të kësaj zone. Ai quhet Langarica (La-ngricat). Ky lumë është degë e Vjosës. Ai i ka fillesat nga malësitë e Barmashit. Langarica, bashkohet në fshatin Petran të Përmetit, me degën tjetër të Vjosës, që mbledh ujrat e maleve të Pindit. Nga banorët e zonës lumi i Langaricës është quajtur edhe “Lumë i Shenjtë”.
- Orakulli i Dodonës ndodhet në malin Tomar. Me këtë emërtim e gjejmë në burimet antike p.e.s. (Straboni). Gjeografi Claudius Ptolemaeus, në një nga botimet e tij në vitin 1548, ka bërë një përshkrim të maleve të Ilirisë dhe të Epirit. Në këtë punim ai e përshkruan malin Tomar si mal në jug të Ilirisë dhe mal të Epirit që ndodhej në kufirin verior të Epirit në teritorin e Molosisë Pelazgjike ku ndodhen, sipas tij, Tempulli i Zeusit (Dias DODONEN) dhe Orakullit të shquar. Pasi përshkruan luginën e lumit Osum (Apsus) ai tregon për luginën e Vjosës (Aos) ku ndodhej Dodona. Në këtë pozicion gjeografik ndodhet mali i Gradishtës dhe Radomit, natyrshëm mund të themi se mali Tomar duhet të jetë mali i Gradishtës ose Radomit. Nga ky mal kanë fillesat e tyre dy lumenjtë që përmënd autori. Burimet dhe përrenjtë që ndodhen në pjesën veriore shënojnë fillesat e Osumit ndërsa ato të faqes jugore shënojnë fillesat e Vjosës. Është e pamundur që të gjendet një mal tjetër që të plotësojë këto kushte dhe që për më tepër shënon kufirin jugor që ndan Ilirinë nga Epiri, prandaj mali Tomar = Gradishta vendi ku ne ngrejmë hipotezën tonë se mund të ndodhet Faltorja e Dodonës.
- Afër Dodonës ka shumë burime dhe moçale. Këtë e thotë edhe Plinusi, duke shtuar se në malin e Dodonës rrjedhin 100 burime: Malësia e Barmashit, numeron mbi 100 e ca burime dhe pranë tyre ka dhera moçalishte me shumicë. Mali i Gradishtës ka shumë moçale. Edhe fusha e Barmashit ka shumë moçale, si rezultat i burimeve të shumta dhe i përenjve që kalojnë në të, saqë gjatë stinës së shirave në disa vënde nuk mund të kalohet dot nga moçalishtet.
- E përmënda edhe më lart se Homeri tek “Iliada” thotë: “Pas Enianëve vijnë Perrebetë, që banojnë rreth Dodonës dimërkeqe”. Këto dy fise sipas Omerit ishin pjesmarrëse në luftën e Trojës Dardane dhe banues pranë Dodonës Pellazge. Dihet se Enianët kanë banuar në rrjedhën e sipërme të lumit Vjosa, që i bie përgjatë dhe në të dy krahët e degës së saj (Vjosës) që është lumi Langarica. Pas tyre vijnë Perrebejtë që kanë banuar rrëzë maleve të Pindit, Të dy këto territorre janë rreth malësisë së Barmashit (rreth Dodonës dimërkeqe).
- Gjithashtu, Oresti (i biri i Agamemnonit), ka shkuar në Dodonë për tu çliruar nga mëkati pasi vrau nënën e tij, ngaqë në orakullin e Delfit nuk gjeti qetësi. Gjithashtu, në këto teritore kanë banuar edhe Orestët. Kjo mund të jetë një dëshmi që tregon se ai mund të jetë vendosur në trojet e të parëve të tij të cilët emigruan në Peleponez.
Ka, dhe mund të evidentojmë edhe shumë fakte të tjera në një moment tjetër….
-Në përfundim të kësaj interviste, a mund të na thoni diçka që mund të shërbejë për të nxitur interesin e lexuesve e sidomos institucioneve studimore e shkencore brenda dhe jashtë shqipërisë ?
– Për të zgjuar e nxitur interesin e studiuesve tanë e të huaj, do të doja që në përfundim të kësaj bisede të përdorja një “thirje” që na ka bërë Prof. Dhimitër Pilika në librin e tij “Pellazgët origjina jonë e mohuar”. “….Ne besojmë se me forcat e bashkuara të studiuesve tanë të shumë disiplinave… e vërteta pellazge do të dijë të bëjë për vete çdo shkencëtar të ndershëm e serioz, duke ngadhënjyer në rrafsh botëror dhe duke vendosur në vend të vërtetën historike, të mbuluar jo vetëm nga hiri i paanshëm i shekujve, por edhe nga dhuna, gjenocidi dhe dinakëria e të interesuarve..” Mund të them me bindje se unë e mbështes këtë tezë për të cilën folëm, pasi është më afër të vërtetës, sepse nuk ka asnjë të dhënë të autorëve antikë që nuk përputhet me përcaktimin e tyre për vendndodhjen e Dodonës Pelazgjike.
– Mendoj se kemi bërë gjënë e duhur, atë që na takon ta themi me plot gojë të gjithë, të mos ngurojmë dhe të mos heshtim përpara fakteve dhe të vërtetave. Pra, nuk po e hapim këtë diskutim, të shtyrë nga asnjë ndjenjë tjetër, por thjesht informuese e debatuese dhe mbi të gjitha, si një detyrim për vëndlindjen dhe vendin tim.
Ballafaqimi dhe diskutimi i tyre, pa dyshim është objekt i punës së specialistëve të fushave përkatëse. Shpresojmë, se përfundimet e tyre do të nxjerrin në dritë misteret që mban të fshehura nëntoka e kësaj treve.


















