Dorian Bubeqi: Vllaznia e “vrau” kualifikimin, Egnatia e Partizani e kalojnë turin

Dorian Bubeqi

INTERVISTA/ Ish goleadori i Superiores, kavajasi Dorian Bubeqi, skanon skuadrat tona në Europë

Agron KAJA

Agron Kaja

Tre skuadra tona i nisën sezonin me ndeshjet e para në Europë. Cili rezultat ishte i pritshëm, dhe cili jo?

Sigal

Egnatia mu duk pak e ngarkuar fizikisht, por kjo është kohë faze. Arriti të bëjë detyrën duke e fituar ndeshjen e parë. Rezultat që nuk pritej ishte humbja e Vllaznisë, ndërkohë Partizani kishte më shumë mundësi se sa barazimi.

Veç fitores në ekstremin e ndeshjes, çfarë veçoni në sfidën Egnatia-Breidablik?

Së pari, atmosfera e krijuar në stadium ishte perfekte. Ambienti-Tifozeria-Organizimi, ishin tre komponentë pozitivë brënda në një stadium model për një qytet të vogël. Me këtë, tregoi se atje janë të dashuruar me futbollin e tyre.

Po Vllaznia me Partizanin, çfarë treguan më shumë se kundërshtarët në ndeshjet e tyre?

E përmënda më sipër, se Vllaznia sikur e “vrau” vetë kualifikimin. Tregoi se ende nuk e ka harmonizimin e plotë në skuadër, dhe Balaj do ta ketë humbur shënjestrën. Partizani më duket në rritje, me pak kujdes e kalon turin e parë.

Nga skuadrat tona, cila prej tyre e meritoi rezultatin në këto ndeshje të para?

Unë them se Egnatia ka lojtarë më cilësorë nga kundërshtari, krijoi raste më shumë e volum lojë. E meritoi fitoren dhe në Islandë duhet të fitojë. Vllaznia se si e menaxhoi lojën, e meritoi humbjen, ndërsa Partizani se ka bërë një zgjidhje taktike të rezultatit. Barazimi jashtë fushe, është motivim për fitore në ndeshjen e kthimit.

Mendoni se të treja treguan vlerat e duhura të futbollit shqiptar në këtë sfida, apo ishin dobët?

Vlerat e lojës në një ndeshje nuk shikohen vetëm nga golat që shënon, apo nga rezultati final. Egnatia dhe Partizani e hodhën hapin e kualifikimit, treguan vlerat e tyre më të mira. Ndërsa Vllaznia i tregoi vlerat që ka, por nuk i mjaftojnë për më tej.

Çfarë mund të korrigjojnë Egnatia, Vllaznia e Partizani për ndeshjet e dyta në Europë?

Duke parë si rrodhën minutat e ndeshjes së parë, Egnatia duhet të ndërhyjë për një sulmues goli. Madje kështu edhe për Vllazninë e Partizanin, sepse mundësitë e kualifikimit i kanë në dorën e tyre. Të shënojnë gola në portën kundërshtare.

Ndërsa muaji korrik po vazhdon me mot të nxehtë, çfarë duhet të bëjnë të gjitha skuadrat në të tilla kushte?

Mendoj se duhet të stërviten në fusha me ambiente të freksët, me qëllim që të shërbejnë në thithjen e oskisgjenit për një performancë më të mirë. Një fazë përgatitore në kushte malore, është një bazë e fortë fizike për sezonin.

Me emrat që ka në përbërje Superiorja 2025-2026, si e mendoni startin e përgatitjeve të tyre?

Po këto ekipe që janë në Kupat e Europës, them se do të jenë më pretendentë, por  do veçoja se presidentët e rinj mund të jenë më aktivë në merkato. Këtu veçohet Teuta, ndërkohë që Tirana nuk është serioze për emrin që ka, nuk është ku pritet.

Edhe në këtë sezon të ri do ta kemi formulën “Final 4”në Superiore, si e mendoni këtë skemë?

Për mendimin tim, kjo skemë ka dalë pozitive për shumicën e skuadrave, por jo për gjithë ekipet është e mirë. Në sezonin e kaluar, lufta sportive mbeti deri në ndeshjen e fundit, por për katër skuadrat e para u duk si një skemë jo produktive.

Të gjitha skuadrat kanë deklaruar përgatitje dhe merkato. Ju si e përshkruani këtë situatë merkatoje?

Deri tani nuk po shoh një merkato cilësore tek të gjithë ekipet e Superiores. Ndaj mendoj që pretendentë do jenë po ato katër skuadrat e sezonit të kaluar. Në merkaton mediatike të shpallur nga skuadrat, nuk ka një emër që të bëjë diferencën në Superioren tonë.

Sezoni 2025-2026 nis më 23 gusht, si specialist futbolli, çfarë do sygjeroni tjetër skuadrave në këtë periudhë përgatitore?

Të gjitha skuadrat e Superiores duhet që të investojnë më shumë tek lojtarët cilësorë, por edhe tek të rinjtë nga Akademia e klubit të tyre. Sepse po humbasim shumë vlerat e futbollit tonë, po na ikin talentet në shtete të tjera.

Arbitri boshnjak “sy mbyllur” në Rrogozhinë

Më disa vendime të dyshimta të tij, arbitri boshnjak Antoni Bandiç, i irritoi shpesh vendësit e Egnatias, ku tifozët ishin më të irrituar ndaj tij. Sikur të ishte sy mbyllur, ky arbitër dukshëm ishte i orientuar kundër rrogozhinasve në këtë të parë në stadiumin e tyre. Më e veçanta mbeti në minutën e 71-të, kur Bakajoko goditi shumë keq topin me kokë, pas një krosimi në zonë. Te Egnatia kishte edhe disa debutime, si Poçi dhe Gruda.

Liga e Kampioneve

Ndeshja e parë

Datë 8 korrik 2025

Egnatia-Breidablik                  1-0

Ndeshja e kthimit

Datë 15 korrik 2025

Breidablik (Isl)-Egnatia          19:00

Liga e Konferencës

Ndeshjet e para

Datë 10 korrik 2025

Kalju (Est)-Partizani               1-1

Vllaznia-Daugavpils                0-1

Ndeshjet e kthimit

Datë 17 korrik 2025

Daugavpils(Let)-Vllaznia        17:00

Partizani-Kalju (Est)               20:00

Ndeshjet e kthimit i nis Egnatia të martën

Tre skuadrat e Superiores: Egnatia, Vllaznia e Partizani, i mbyllën ndeshjet e turit të parë kualifikues në kompeticionet e UEFA-s. Në ndeshjet e kthimit ato do të synojnë të çojnë synimet deri në fund, sa i përket shanseve të kualifikimit të mëtejshëm. Konkretisht, e nis Egnatia që të martën me ndeshjen e Ligës së Kampioneve, Breidablik-Egnatia, e cila do të luhet në Islandë në orën 21:00. Ndërkohë, Vllaznia është ndër të parat që luan të enjten ndeshjen e kthimit në Ligën e Konferencës ndaj Daugavpils në Letoni, ora 17:00. Ndërsa Partizani do të  luajë në mbrëmje kundër Nome Kalju, pikërisht në “Air Albania”, ora 20:00.

Mesfushori Ujka i Egnatias drejt Belgjikës

Mesfushori i Egnatias, Serxhio Ujka është drejt një aventure të re, këtë herë jashtë Shqipërisë. Dhe bëhet fjalë për kampionatin belg, ku skuadra Zulte Uaregem që luan në elitën e futbollit belg, e kërkon mesfushorin sapo të mbyllë ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampioneve kundër Breidablik. Ujka nuk shkon falas në Belgjikë, por Egnatia do të përfitojë nga shitja e tij. Sipas “Transfermarkt”, ai vlen plot 500 mijë euro, si lojtari më i vlefshëm te Egnatia. Transferimi i tij në Belgjikë është një vlerësim për rritjen e tij si lojtar profesionist.

Nuk kishte VAR, Vllaznia pretendoi dy penallti

Në ndeshjen e parë të Konferencë Ligë kundër Daugavpils të Letonisë, shkodranët e Vllaznisë pretenduan për të paktën dy 11-metërsha, pas ndërhyrjeve në dëm të kapitenit Bekim Balaj. Por që të dy rastet nuk u gjykuan si të tilla nga ana e kryesorit armen, Ghaltakhchyan. Duhet thënë se kjo ishte një ndeshje ku mungonte sistemi VAR, dhe këtu mbetet pjesa e arbitrimit vendimtare, që në të dy rastet nuk treguan korrektesë. Ishte një ndeshje me disa episode të dyshimta në fushën e lojës, dhe në disa raste, drejtuesit shkodranë patën pretendimet e tyre ndaj gjykimit, duke u ndëshkuar edhe me kartonë, si trajneri Martini dhe drejtori Sinani.