Habit Pjanic, transferimin e dua në…

296
Sigal

Mediumet e mëdha evropiane raportojnë sot se mesfushori i Juventusit, Miralem Pjanic, është pajtuar të transferohet në Barcelonë gjatë afatit kalimtar të verës.

Gazeta italiane Gazzetta dello Sport kishte shkruar gjatë javëve të fundit se mesfushori boshnjak do të përfshihej në një marrëveshje shkëmbimi që do ta dërgonte Arthur Melon në Juventus.

Tani, po e njëjta gazetë italiane dhe disa media të tjera shkruajnë se Juventusi kanë arritur marrëveshje me mesfushorin Pjanic për transferimin e tij në Barcelonë gjatë afatit kalimtar të verës.

Tani gjithçka që mbetet të arrihet është një marrëveshje mes dy klubeve, pasi që Juventusi e vlerëson Pjanic me çmim prej 60 milionë eurosh, që do të jetë vështirë i përballueshëm për Barcelonën këtë verë, shkaku i planeve edhe për transferime të tjera të mëdha.

Për këtë arsye, Barcelona do të preferonte të përfshinte lojtarë në marrëveshje, veçanërisht një shkëbim me Arthurin, të cilin e do Juventusi. Megjithatë, braziliani e ka bërë të qartë në një intervistë të fundit se nuk e do një transferim të tillë.

“Ka gjithmonë spekulime, por unë e kam shumë qartë të ardhmen time. I vetmi opsion që më intereson është të qëndroj në Barcelonë. Jam i sigurt dhe i qetë për këtë gjë”, kishte thënë Arthur.

“Unë po kaloj mirë këtu dhe i jam mirënjohës klubit dhe stafit për besimin që ma kanë dhënë. Kjo është një tjetër arsye që më shtyn ta mendoj vetëm qëndrimin këtu”.

“Interesimi i klubeve të tjera është gjithmonë lajkatues për të gjithë dhe një shenjë pozitive, por unë e kam në mendje të luaj këtu edhe për shumë vite të tjera. Barcelona është klubi ku gjithmonë kam dashur të jem dhe unë dua të jem këtu për një kohë të gjatë, më shumë sesa gjithçka”.

“Çdo ditë po ndihem më rehat dhe më i lirshëm këtu, në skuadër, në klub dhe në qytet. Unë e dashuroj shumë edhe kulturën e tifozëve këtu dhe me të vërtetë e ndiej përkrahjen e tifozëve”.

Braziliani i bëri 23 paraqitje me karakter garues këtë sezon, duke i shënuar katër gola dhe duke kontribuar me katër asiste të tjera.