Jovan Bizhyti: “Lufta brenda llojit”! Partizanin veteran e shpalli kulak, dhe ministrin e pushtetit komunist, e çoi bari në stan, në një fshat të Labërisë

Ishte kohë jo shumë e largët, koha jonë, e brezit tim, që na ra fati t’i jetonim këto sisteme politike, bile atë të kohës komunisto-socialiste, që e përjetuam goxha gjatë, si ne dhe brezi i prindërve tanë që bënë luftën Nac.Çl, dhe pas nesh pjesërisht dhe brezi i fëmijëve tanë. I përjetuam me dinjitet ato kohë, punuam e luftuam me ndershmëri e përkushtim, dhamë dhe kontributin tonë me të mirat dhe mangësitë që kishte. Dhe një ditë, si çdo fenomen në jetë që nuk është i përjetshëm, edhe atij sistemi politik i erdhi fundi dhe ne sot na lind e drejta t’a analizojmë në të gjitha drejtimet, pse jo të ndalemi më shumë në shkaqet që e brenë nga brenda, nga “lufta brenda llojit” dhe si çdo kala, që rënimet e brendëshme e brejnë çdo ditë e më shumë dhe në një moment befasues, ajo shembet pa u ndjerë dhe siç ndodhi, zuri poshtë edhe njerëz që ndihmuan në rënimin e saj. Një dëshmi e këtyre brejtësve të “luftës brenda llojit”, që i hiqnin çdo ditë nga një gurë asaj kalaje, çoi si papritur në pasoja të çarjeve të mureve, rrëshqitje të dheut në themele dhe ajo kala e “fortë buzë Adriatikut”, një ditë u shkoq, sikur të ishte prej rëre! Agushi, një patriot i njohur me kontribute për ngritjen e forcimin e asaj kalaje, një ish partizan që hodhi pushkën krahut për çlirimin e vendit, bashkë edhe me 12 partizanë të tjerë të atij fshati malor të Labërisë, duke lënë dhe 3 dëshmorë në fushën e nderit, një ditë mbas çlirimit si papritur, u shpall “Kulak”, armik i pushtetit dhe i popullit të tij! Ai, me pasurinë e trashiguar nga prindërit dhe me punën e tij të palodhur, trashëgoi tokë, bagëti, pëndët e qeve dhe si puntor i zoti, e nxirte bereqetin dhe bukën, siç thuhej dhe nga “guri”. Kur nisi fushata e kolektivizimit për krijimin e kooperativave bujqësore, Agushi nuk qe shumë emtuziastë dhe rezistoi të futej në kooperativë. I vinte keq të dorëzonte tokën dhe bagëtitë në pronën e përbashkët. Kjo rezistencë i kushtoi shtrenjtë, megjithse familje e mirë, partizan dhe bazë e lidhur me luftën, puntor dhe i nderuar në fshat, një ditë prej ditësh, në mbledhje të fshatit, e shpallën “Kulak”, një paranojë e huazuar nga modeli rusë i asaj kohe. Kjo fjalë nuk ishte thjeshtë një paranojë, ajo kishte pas një prapavijë të rëndë politike, quheshe “armik” i partisë dhe i pushtetit popullorë për të penguar kolektivizimin e bujqësisë. Dhe Agushi e vuajti gjatë këtë “qyrk” që ja vunë mbi kurriz, si atij dhe familjes. U nda nga fisi dhe nga bashkëfshatarët, të cilët druheshin, i rrinin larg “kulakut”, sikur të ishte i infektuar me zgjebe! S’kaluan pak kohë dhe në atë fshat malor të Labërisë, ”lufta brenda llojit”, solli dhe shokun Lelo, ish Ministër në qeverinë komuniste të asaj kohe që doli pas çlirimit. Edhe Lelua kish qenë partizan, bile komandant batalioni dhe pas çlirimit, pasi bëri dhe tre vite studime të larta në Moskë të Rusisë, u bë Ministër në ato vite të para të pas çlirimit. Ishte kuadër i fortë shoku Lelo dhe me peshë në qeverinë e asaj kohe. Nuk e jetoi gjatë postin e ministrit, pasi një ditë, pas prishjes me BS dhe me kampin e Lindjes Komuniste, shoku Lelo u goditë nga ajo e famëshmja “lufta brenda llojit”, si njeri i padëshiruar për partinë dhe shtetin komunist me motivacionin për:- “Nostalgji ndaj BS dhe kampit komunist të Lindjes”! Shkarkimi nga posti i ministrit, u shoqërua dhe me përjashtimin nga partia dhe interrnimin e tij në një fshat të thellë të Labërisë. Familja, gruaja dhe fëmijët, për mos t’a ndjekur pas, bënë divorc, duke e lënë Lelon vetëm në këtë goditje të rëndë politike dhe shpirtërore. U shoqërua nga policia si, “Armik, antiparti” dhe drejtuesit e kooperativës në atë fshat malor të Labërisë, e caktuan stalljerë në stanin e bagëtive mbi fshat, ku jetoi goxha vite i vetëm në një ambjent të thjeshtë të atij stani malor. Të vetmit njerëz që komunikonin me Lelon, ishin barinjtë, që para se të lëshonin bagëtitë, kryenin proçesin e mjeljes dhe qumështin e ngarkonte Lelua në dy kafshë dhe e çonte në baxhon e fshatit aty pranë. Kjo ishte puna e tij e përditshme. Barinjtë ishin djemë të rinjë dhe u miqësuan shpejtë me Lelon, bënin shpesh muhabete, pse jo dhe shaka, që Lelua nuk rëndohej edhe kur ata e ngacmonin për kohën kur ishte Ministër. Ata e pyesnin:

-Kur shkove në krye të delegacionit në BS që vizitove kolkozet, çfarë pe andej?

NOA

-Pashë shumë gjera,- u thoshte ai. Vizituam një pjesë të Ukrainës, që ishte në kufi me Azerbaxhanin. Shkuam me tren se ishte larg nga Moska, rruga zgjati rreth 5 ditë e netë. Vizituam plantacionet e pambukut për industrinë tekstile. Ata me rastin e delegacionit tonë, organizuan një garë të vjeljes së pambukut. Kishin angazhuar disa gra stakonoviste, që kishin arritur rekorde në vjeljen e pambukut. Ato s’ishin gra, ishin si makina, që vilnin sasira të mëdha pambuku. Njera shquhej mbi të gjitha. Ishte një grua rreth të 35-ave, me trup të gjatë dhe e shëndoshë, quhej Olga Basti Bagirova, një emër shumë i dëgjuar në Ukrainë e përtej. Dora e saj ishte si lopatë, kapte 4-5 boçe pambuku njëherësh dhe mbante përpara një futë sa një thes.

E ftuam të vinte për eksperiencë në Shqipëri. Dhe s’kaloi shumë kohë dhe Bagirova erdhi tek ne. E çuam në fushat e Myzeqesë, në kooperativën e parë bujqësore të Krutjes në Lushnje dhe aty u vu në garë me vajzat myzeqare në vjeljen e pambukut. E hu…, i la shumë prapa vajzat tona. E pritën me nderime myzeqarët. Kur u kthye për në qytet, makina që kishte hipur Olga, një “Fiat” italian, iu thye amortizatori nga pesha e saj dhe nga gropat e rrugës me çakull. Barinjtë e pranishëm, qeshnin me historitë që tregonte shoku Lelo.

Një mëngjes, pasi përcolli bagëtitë për në kullotë, Lelua zbriti poshtë në fshat tek zyrat e kooperativës për të marrë rrogën e muajit. Pa aty Agushin që sapo kishte pirë kafen e mëngjezit në klubin e fshatit.

-Hajde Agush,- i tha,- ta pimë një gotë raki se mora rrogën e muajit. Dhe i vuri krahun për të ecur së bashku. Agushi nuk donte të binte në sy në shoqërinë e Lelos.

-Faleminderit,- i tha, por jam në kohë pune, më presin në brigadë. Iku dhe në kokë i zjenin një tufë mendime që e trishtonin.

-Bollë jam ngarkuar me hallet e mia,- mendonte me vete, edhe halli i Lelos më duhet. Damka e tij e “Kulakut”, i dukej më e lehtë se ajo e “Armikut të partisë” që mbante Lelua, ndaj i ruhej shoqërisë së tij.

Një ditë, Agushi shkoi nga mali për të bërë dru në pyll. Me vete kishte marrë dhe nipin e vogël hipur mbi gomar. E përgatiti shpejtë barrën e druve dhe nipi i stivonte ato për dy anët e ngarkesës së gomarit. Pastaj u ulën dhe gjyshi nxori qesen për të dredhur një cigare duhan. E pinte me të dredhur.

-U lodhe?- e pyeti nipi dhe nisi ta shohë me vëmendje. Pastaj e pyeti:- Gjyshi, pse në shkollë më trajtojnë ndryshe nga shokët? Megjithse i vogël, ai e kish kuptuar diferencimin që i bëhej si në mësime dhe në fiskulturë.

-Pse, ku e sheh ti diferencimin?- i tha gjyshi.

-Unë jam i pari i klasës në mësime, por nuk më nxjerin në tabelën e nderit të shkollës, kanë vënë një shokë tjetër që vjenë pas meje! Gjyshi e dinte shkakun, por nuk i ra në sy.

-S’mund të dalin të gjithë në tabelën e nderit more djalë. Një ditë edhe ti do dalësh. Djali pyeti sërish:

-Gjyshi, shokët në shkollë më thonë se, Gjyshi ytë është “kulak”!

-Janë paranoja more djalë, bëjnë shaka. Unë jam njeri i nderuar, kam qenë partizan në luftën për çlirimin e Shqipërisë. Këtë u thuaj atyre që të thonë “kulak”. Dhe pastaj ngarkuan drutë dhe morën rrugën e fshatit.

Shumë nga burrat e pinin kafen në mëngjes e çdo mbrëmje në klubin e fshatit. Agushi përjetonte vetminë. Ai fshat me të kaluar shumë patriotike, tani nga “lufta brenda llojit”, ishte bërë me dy armiq, Lelua dhe Agushi. Por papritur lindi dhe një armik i tretë. Ai ishte Sevua, një nga komunistat e fshatit, që si pa pritur një ditë të bukur u gëdhi dhe ai armik! Iu arratisë djali bashkë me një shokë, të dy barinjë, kaluan kufirin për në Greqi, dhe Sevon e gjykuan në organizatën e partisë dhe pa e zgjatur shumë, e përjashtuan nga partia. Ishte masë e rëndë përjashtimi. E shkarkuan dhe si brigadier në blegtori dhe e çuan në një punë më të vështirë, në bujqësi, të hapte kanal.

Njerëzit e prokurorisë i bënë kontroll në shtëpi dhe Sevua nga komunist dhe njeri i nderuar në fshat, u bë papritur armik, familje me djalë të arratisur, që nisi të shihej me dyshim nga njerëzit e fshatit! Pas kontrollit të shtëpisë, hetuesit e prokurorisë, të parët që morën në pyetje ishin dy armiqtë, Lelua dhe Agushi, me njolla në biografi. Hetuesit kur erdhën në fshat, të parin thirrën Agushin, “kulakun” dhe e mbajtën pothuaj gjysmë dite në hetim!

-A i ke njohur këta dy djemë,- e pyeti hetuesi dhe ç’lidhje ke patur me ta?

-Asnjë lidhje,-ia ktheu Agushi, i kam njohur si barinjë dhe si djem të fshatit, bile njeri ishte dhe djali i Sevos, njeri dhe familje e nderuar në fshat. Hetuesi gërmoi shumë, për të nxjerr sikur dhe një dëshmi të vogël ku mund të kapej për të plotësuar akt-akuzën e lidhjes së “kulakut” me djemtë e arratisur.

-Mos u lodh kotë,- i tha Agushi, unë vërtetë jam cilësuar “Kulak”, armik i politikës së partisë për kolektivizimin, por unë e dua partinë dhe shtetin tim, për këtë luftova si partizan për t’a çliruar vendin dhe tani punojë e luftojë ta forcojë shtetin dhe vendin tim. Nuk jam unë i pa kënaqur nga shteti im, por mesa shoh, është shteti i pa kënaqur nga unë.

Pastaj hetimi vazhdoi me Lelon, ai lidhej më shumë me barinjtë se ishte stalljerë në stan. Si babaxhan që ishte, ai bënte dhe shumë shaka me ta, jo më pak dhe ata e ngacmonin.

-Kur je takuar me dy djemtë e arratisur?- i tha hetuesi.

-Unë i takoja pothuaj për ditë kur ktheheshin me bagëtitë.- u tha ai. Hetuesit hetuan një më një të gjitha bisedat që Lelua kish bërë me ta, me të cilat kërkonin të zbulonin ndonjë lidhje të tij me djemtë.

-Mua vërtetë më ka dënuar partia dhe më ka degdisur në këto anë, por unë nuk jam armik,- u tha ai, unë kam luftuar për këtë liri e pavarësi të vendit tim. Unë dhe kështu siç jam, prapë e dua partinë, e dua Komandantin e vendit tim dhe nuk i tradhëtoj asnjëherë idealet e mia.

-Ata kanë qenë shumë të lidhur me ty,- i tha hetuesi. A të kanë shfaqur ndonjë kuriozitet për jetën në Greqi, apo në vendet e tjera të Europës?

-Si jetohet andej edhe unë nuk kam dijeni, ndaj s’kam pse bëjë biseda të tilla. Unë gjatë luftës kam luftuar edhe deri në thellësi të tokave greke e jugosllave, duke e ndjekur këmba-këmbës gjermanin. Po të kisha ato mendime, kisha ikur qysh atëherë se isha dhe i ri. Por unë jam atdhetar shoku hetues dhe partinë e vendin tim i dua, se luftova për këtë ditë, duke vënë dhe jetën time në rrezik atëherë kur bëhej thirrja, “Para partizanë”!

Hetuesit panë njeri-tjetrin në sy dhe u larguan duke i dhënë dorën Lelos. Jashtë kish rënë muzgu i mbrëmjes. Fshatarët sapo ishin larguar nga klubi i fshatit. Lelua ashtu i vetmuar, ktheu një gotë konjak në banakun e lokalit dhe mori rrugën e stanit.

-Si po shtohen radhët me armiq të rinjë,- u shpreh me vete Lelua. Kur erdha në fillim gjeta vetëm një armik, një kulak, Agushin. U futëm të dy në vathën e armiqve pa qenë të tillë! Të dy me Agushin kemi qenë partizanë, veteranë të luftës, po ja një ditë gëdhim “armiqë”! Tani hyri dhe Sevua në vathën tonë të “armiqve”, edhe ai pa qenë i tillë! Pra, tri armiqë nga radhët tona dhe pas nesh qëndrojnë fëmijët tanë, deri nipat e mbesat, jo më pak dhe njerëzit tanë të afërt që u bëmë shumë “armiqë” me biografi të keqe! Veç disidentëve me prejardhje nga klasat e përmbysura, siç ishin ballistët dhe zogistët, vatha e kundërshtarëve nga “lufta brenda llojit”, u mbush dhe nga radhët tona. Dhe ato ishin gurë që po hiqeshin një e nga një nga themelet e kalasë sonë.

Dhe pas viteve 90-të, kur u shemb kalaja, “armiqtë” e ”luftës brenda llojit” që dolën nga vatha, nuk qenë shumë emtuziastë, as dhe shumë të egërsuar, ata u kthyen qetë e qetë në rrjedhën normale të popullit, ku Agushi dhe Sevua u bashkuan me bashkëfshatarët e tyre në klubin e fshatit dhe nisën të shijonin kafetë si dikur të bashkuar. Kurse Lelua u kthye në Tiranë pranë familjes, pranë gruas dhe fëmijëve tashmë të burrëruar. Disidenca e tyre bëri që ndryshimet ndodhën më paqësore pa hakmarrje të ashpra. Për fat dhe në partitë opozitare që u krijuan, dolën në krye ish komunistë, figura të njohura, që i kishin shërbyer me devotshmëri asaj partie që sapo e la pushtetin 45 vjeçar, duke ndërruar emrin në “Parti Socialiste”.

Një ditë, Lelua u takua me shokun Ramiz Alia dhe u panë duke shëtitur nga parku i liqenit dhe një buzë mbrëmjeje të dy miqtë e vjetër ulur dhe në një nga kafenetë e “Bllokut”. Lelua fliste pa mbarim, ndërsa shoku Ramiz vetëm dëgjomte në heshtje. Si duket, Lelua i fliste pa fund për peripecitë e jetës atje në stanin malor të bagëtive në fshatin e Labërisë që e përjetoi për shumë vite, kurse shoku Ramiz me heshtjen, dukej sikur i thoshte:

-“Ke të drejtë o shoku Lelo, po këtë dënim s’e pate nga unë, ishte urdhër i Komandantit, ne s’dilnim dot para tij! Dikur, në ato mbledhje të gjata, ai kish ngritur dhe dorën për këtë dënim të “Armik të partisë” shokut Lelo e të tjerë, tani shëtiste me këta “armiqë”, bile pinte dhe kafe dhe jo njëherë, por për ditë! Dhe si për çudi, këta “armiqë”, vazhdonin ta kishin shokë e mik si dikur, pa patur asnjë qefë-mbetje apo urrejtje për të! Dukej që Ramizi ishte pajtuar me pafajsitë e tyre dhe duke i bindur se, ai nuk kishte dorë në këto akuza që hoqën shumë gurë nga themelet e asaj “kalaje të fortë”, që një ditë si pa pritur, u krijuan çarje dhe kalaja ra duke zënë brenda dhe shokun Ramiz me shumë të tjerë.

Ja pra, kalanë madhështore nuk na e rrëzoi kush nga jashtë, as me luftë e as në mënyrë paqësore, megjithse herëpashere ka pas përpjekje, por shteti komunist i ka asgjësuar me sukses. Thonë shpesh se, atij sistemi i erdhi koha të ikte nga skena e politikës si në shumë vende të tjera të lindjes, ndoshta dhe kjo, por unë mendoj se, kryesore ishte “lufta brenda llojit”, që bëri shumë armiqë, që ishin gurë në themele dhe heqja e këtyre gurëve nga muret dhe themelet, krijuan çarje dhe tronditje, ku një ditë kalaja ra e na zuri poshtë të gjithëve. Ja kjo është historia e përmbysjes së sistemit, që lufta e egër “brenda llojit”, është më e egër dhe më e rrezikshme edhe se lufta me armë. Ndaj Rilindasit tanë në amanetin e tyre në momente meditimi, e jo rrallë dhe dëshpërimi, për çka shihnin e dëgjonin për vendin e tyre, dërgonin mesazhin që dhe sot është aktual:-“Vetëm bashkimi e bënë Shqipërinë të fortë, or “Tungjatjeta”! “Jemi pak për t’u përçarë more të mjerë”!

E keqja është se, këtë koncept të përçarjes dhe të luftës së egër “brenda llojit”, po e vazhdon edhe sot politika e jonë. Pushteti i thotë “armik” opozitarit dhe e kundërta, bile po dole edhe kundër kryetarit të partisë, trajtohesh jo si kundërshtar ideologjik, por si “armik”! Si kudo edhe në politikë, duhen nxjerë mësime, qoftë dhe nga e kaluara kundërshtare, nga kjo e mallkuara “Përçarje” dhe “Lufta brenda llojit”!