Prof. Ing. Av. Sazan Guri: Ja pse nuk duhet të ndërtohen pallate poshtë digës së liqenit artificial?! 

Duket se s’ka të ndalur plani ç’urbanizues me veprat e ndërtimit tekposhtë Liqenit të Tiranës, madje kësaj rradhe si për hakmarrje me vepër 58 kate pranë dhe nën digën e Liqenit.

Në këndvështrimin tonë si ekspert gjeolog me ekspert të infrastrukturës apo me ekspert të hidroteknikës shqiptare dhe digave, dhe në emër të shumë qytetarëve të përgjegjëshëm, do donim të shprehnim mendimin tonë për anulimin e këtij plani që bie ndesh me komponentët gjeoteknik, hidroteknik dhe mjedisor, sepse në asnjë rast, në vende të ndryshme të botës nuk ka ndërtime nën hapësirën e rrjedhjes së ujit, me shtrirje sa vetë diga, ku Artikulli 56 i Ligjit, “International Humanitary Loë”, mbështetur mbi Konventën e Gjenevës dhe të Hagës (1899), përcakton parimin e rrezikut të ndërtimit të Digave në zonat e banuara dhe parashikon dëmtimin e objekteve dhe rrezikut që mbartin këto për jetën e popullatës civile. Ky artikull zbatohet i detyruar në vendet që nuk janë në konflike apo luftra apo rrethana të tjera të rrezikshme. (Ref. – International Humanitary Low).

Sigal

Të ndërtosh vepra civile nën digë, me patjetër duhej të llogaritet siguria e digës për 10,000 vjet sipas standardeve të Bankës Botërore, gjë që nuk është bërë, (Ref. – shih studimet e BB për digat). Ndaj, në asnjë rast, në vende të ndryshme të botës nuk ka ndërtime nën diga, sidomos kur ajo mban një Liqen, siç kemi në Liqenin e Tiranës; (Ref – studimet shqiptare para viteve ’90).

Ky kompleks e ka të pamundur gjetjen e rrugëve të reja apo zgjerimin e rrugëve hyrëse ekzistuese, si ajo nga Petro Nini dhe ajo nga Kopshti Zoologjik (Ref. – shih Raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis të këtij projekti dhe Raportin e Vlerësimit Strategjik Mjedisor për Tiranën, me autor prof.dr. Lirim Selfo, prof. Sazan Guri, etj.). Ndërtimet e menduara nën digë, me patjetër duhet të kishin një studim me matje hidroteknike, hidrologjike dhe hidraulike për 20 vitet e fundit, gjë që nuk është bërë ndonjëherë për rastin e Liqenit të Tiranës. Hidrologjia e Lumit Drin njihet qysh nga matjet e kryera më 1924, por mos harroni se Francezët i kanë matjet qysh 300 vjet përpara, dhe prapë iu quhen pak. Po lumi Erzen që i ka mosmatjet qysh 50 vjet, dhe nuk dimë se çfarë ndodh njëherë në 100 vjet?. (Ref. – shih Studimet Hidrologjike të kryera para viteve ’90).

Nga ana tjetër, pesë pallatet me 17 kate që d.t.th 17 x 3m = 51m lartësi x 1,6 (koificient i largësisë së veprave urbane = 80m + 50m (zonë buferike e digës) = 130m larg duhet të jetë standardi i veprës urbane nga Diga. (Ref. – Ligji i Zonave të Mbrojtura dhe Rregulloreja Urbane e v.2012). Po pallati që po nis punimet me 58 kate sot???

Këto vepra civile me pallate 17 kate dhe 58 kate bien në kundërshti me vendimin nr. 22, dt.22.12.1993 “Për Planin Rregullues të Parkut të Madh të Tiranës”, ku koncepti i zhvillimit të Parkut sipas pikës 1 të këtij Vendimi lejon zënien e territorit vetëm për objekte të veçanta që nënkupton ndërtim objektesh sociale në shërbim të Parkut dhe kurrësesi banimi.

Ndërkohë, që edhe neni 42 i rregullores, si dispozitë e posaçme, përcakton se ndërhyrja në këto territore ka për synim të rivlerësojë infrastrukturën rrugore dhe inxhinierike në çdo nënnjësi, dhe thjesht riorganizimin e hapësirave publike. Ndaj, me patjetër duhej që këto projekte në zona kaq sensitive duhet të kalonin për mbrojtje nën suazën e një diskufimi më të gjerë publik, jo vetë me gjasme të atyre Këshill Bashkiak dhe në KKT që kanë për pronarë politikën e vendit.

A e dini të dashur Qytetarë se diga e Skoranit me 50-70m lartësi u anullua vetëm për një fakt, se në atë përqindjen e pasigurisë që ka diga që mund të ndodh edhe sikur njëherë në 10,000 vjet, ajo mund të përpinte asobote Tiranën qytet me 150 mijë banorë digë. Ndërsa për Liqenin e Tiranes, merrej ujë nga Erzeni dhe bëhej shkarkimi me anë të një porte dhe një kanali, uji i së cilës shkonte deri në ish Kombinatin tekstil. Mbi këtë portë, prapë ndodheshin porta të tjera automatike të emergjencës, me pragje që lejojnë shkarkimet në rast rreziku. Po sot, a janë më këto porta? A është më ky kanal, i cili u hap për të tharë liqenin në 2002, dhe për të ndërtuar mbi të.

A e dini se kjo digë, sikundër ajo e Kurjanit të Fierit janë ndërtuar sipas metodës aziatike që presupuzon ndërtimin e kuadrateve të vogla me argjila e suargjila që kur mbushen me ujë shkarkohen në vaskën tjetër pranë. Dhe jo rastësisht kanë shfaqur probleme e defekte me kohën, agjinatura e së cilës është rregulluar nga kompania Tris, ndryshe nga ajo e Ulzës e Fierzes, etj., që janë ngritur mbi baza të mirëfillta shkencore, ku bërthama e këtyre digave përbëhet nga argjila me lagështi 14%, ku uji i i tepërt del e avullohet, ndërsa në digën e Tiranës nuk kanë qenë këto metoda.

A e dini se kur digat kanë popullsi poshtë, siç ështe kjo e Tiranës rritet shkalla ose grada, ndaj edhe kjo digë është tipizuar si e kategorisë së parë. Ne jemi vend antar te Komitetit të Digave Europiane dhe nuk mund të ndërtosh pa informuar të paktën komisionet përkatëse të tyre.

A e dini se kjo digë është ndërtuar në vitet ‘50, dhe është Digë homogjene me parete muresh ndarës që kanë pranueshmëri ngjeshjeje të ndryshme, ndryshe nga ato Diga ku hyri shkenca japoneze në veprim që në Digat homogjene si Fierza, etj., veç shtresave dhe dhérave argjilorë e suargjilorë të papërshkueshëm për të mos ndodhur fenomeni i sustës materiali përzihesh edhe me pak zhavore, ndërsa kjo digë nuk i ka këto elementë.

A e dini ju se kur arrin e ndërtohet nëndigë mund të ndodh që veprat civile mund të ndërpresin përrenjt nëntokësorë dhe të kemi një rritje të pasqyrës ujore, mund të kemi ekuilibre të reja midis digës me liqen dhe zonës poshtë saj, që d.t.th. se nëse diga pa ndërtime poshtë mund të ketë qenë e projektuar për të duruar tërmete mbi 9-10 ballë, tashmë ajo mund të fillojë çarjet për shkaqe tërmeti nën 6 ballë. Tamam si procesi i lëngëzimit të rërave në bregdet. Nëse pa projektuar, rërat rrinë në ekuilibër me natyrën, me bregun, me njeriun, etj., por kur ti i vendos pesha me pallate, një tërmet 30km larg dhe i vogël mund të ngacmojë këto rëra e t’i bëjë të kthehen në rëra të lëngshme, duke fundosur godinat nën dhe.

Dhe e fundit, a e dini të dashur qytetarë që diga e Liqenit të Tiranës ka filluar të ketë çarje gjatësore dhe tërthore 10 deri në 12 herë më të mëdha, pra nga mikromilimetra deri në një centimetër, dhe të gjata nga disa dhjetra cm në disa dhjetra metra në krahasim me kohën para se të ndërtoheshin pallatet nën të.

A e dini pse mbahet Liqeni me ujë të pakët sot? Pikërisht nga ndërtimet që janë bërë deri më sot nën Digë. A e dini sesi do të jetë e ardhmja e Liqenit? Shumë e thjeshtë! Duke qenë se do të ndërtohet edhe kjo vepër urbane, e cila do të pronotohet qysh në themel (se ne shqiptarët vdesim që të dukemi si ‘bosa’ dhe nuk do të pyesim për rreziqet), do të kërkohet mbas popullimit të kësaj vepre urbane heqja e ujit të liqenit ose tharrja e tij, për shkak të arsyeve të mësipërme. Dhe çfarë do të ndodhë? O njerëzit, o uji. Dhe sigurisht më e lehtë do jetë heqja e ujit, pra tharja e Liqenit e me këtë rast do të vazhdojnë ndërtimet e tjera. Po pse më 2002 për çfarë u hap diga? Për kësi pazaresh.

Ndaj, e theksojmë fort se biznesi dhe politika që nuk ngopen me vepra urbane kanë vend për t’i ngritur këto anembanë Tiranës, por jo nëndigë, ndryshe hakërrimi i natyrës nuk do të mungojë.