Ilmi S.Qazimi: Br.10.S, njësia partizane që ngriti flamurin me yllin e ndritur edhe për çlirimin e Tiranës

71

-79 vjet më parë-

Sigal

Ilmi S.Qazimi,
pasardhës veterani

Kolonel Njazi Myftar Çepani, ish-komandant i Br10S

 

Më 29 tetor 1944, në lagjen Sulaj të Karbunarës të Lushnjës, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqipërisë firmosur nga Komandanti Enver Hoxha, u formua Brigada 10 Sulmuese Partizane. Përshëndeti këtë themelim brigade sekretari i partisë së Qarkut të Beratit Kahreman Ylli. Brigada u formua me rreth 1225 partizanë të batalioneve: “Riza Cerova”, “Tefik Lapani”, “Ajet Xhindole” si dhe batalioni i katërt, “Myzeqeja” me të rinj dhe të reja nga rrethi i Lushnjës. Batalioni i parë- 270 vetë; batalioni i dytë- 200 vetë; batalioni i tretë-290 partizanë; batalioni i katërt-250 vetë; kompania  e shtabit-50 vetë; shtabi i brigadës me efektiv rreth 45 vetë. Komanda e Brigadës: Koço Papaj, komandant, i cili pas dhjetë ditëve u caktua me një detyrë tjetër të rëndësishme duke u zëvendësuar nga Njazi Çepani; komisari Mane Nishova; zëvendëskomandant Qamil Hamzaj; zëvendëskomisar Misto Bllaci dhe intendent: Nexhat Skënderi.

Përbërja gjeografike e brigadës: Partizanë nga Skrapari – 482 vetë;(vetëm nga Komuna e Çepanit ishin 49 partizanë);nga Berati- 370 vetë; nga Fieri- 81 vetë; nga Lushnja-76; nga Tiranë-40; nga Shijaku-30; nga Elbasani-16 etë etj. Në këtë efektiv ishin 15 vajza partizane; ishin  gjithashtu edhe 10 partizanë italianë.

Nazif Sh.Osmani, partizan i Br10S, i gjalle ne Tirane

Mosha mesatare e partizanëve të Br.10.S: Me përjashtim të pesë kuadrove: Tafil Tërpani(51 vjeç), Myrteza Sevrani, Safet Iljazi, Xhevahir Spathara e Nikolla Gjeçi, që ishin  dyzet vjeç, gjithë efektivi i brigatës, ishte në  moshë të re. Mosha më e vogël: 14 vjeç; (gjithsej 10 vetë); ishin 20 vetë të moshës 17 vjeç; mosha më e madhe dominuese  29 vjeç;

Armatimi i brigadës: Ditën e përurimit të brigatës ishin siguruar: 950 pushkë;(571 italiane, 210 gjermane, 50 greke, 25 turke, 20 belge); 55 automatikë (25 italianë, 20 gjermanë, 10 anglezë), 40 mitrolozë të rëndë e të lehtë;4 mortaja; (Armët e rënda i përdornin partizanët italianë, sepse ishin të stërvitur në atë specialitet); 20 mushka ngarkese.

Furnizimi me ushqime dhe veshmbathje bëhej kryesisht nga popullsia fshatare.

Strehimi bëhej në shtëpitë e banorëve të zonës ku vepronte brigata dhe në terren të hapur si male, fusha, pyje-ku ta zinte çasti dhe urdhëri.

Qemal H.Bego, partizan i Br10S, i gjalle ne Tirane,hero i punes socialiste

Shkurt nga kalendari i luftimeve të brigadës:

Më 30 tetor, brigada mori urdhrin luftarak nga Shtabi i Përgjithshëm që të nisej për të marrë pjesë në luftimet për çlirimin e Tiranës. Efektivi i brigadës së porsakrijuar me disiplinë të  hekurt dhe me motive të fuqishme sulmuese, gjatë një marshimi të gjatë në këmbë nga Karbunara deri në periferi të Tiranës, më 8 nëntor goditën në Fatishë të Peqinit  një autokolonë gjermane me rreth 70 makina, 10 tanke dhe disa autoblinda që lëvizte nga Durrësi për në Elbasan duke i shkaktuar asaj humbje të ndjeshme. Me urdhër të Shtabit të  Korparmatës së parë Sulmuese të Ushtrisë, brigada u përqëndrua në Kashar për të mbajtur nën goditje të pandërprerë rrugën Tiarnë-Kashar dhe Tiranë -Vorë. Më 11 nëntor  sulmoi në befasi forcat gjermane, që kishin zënë vijën Yzberish-Yrshek-Kashar-Gjokaj-Vorë dhe më 12 nëntor e kapi këtë vijë, përveç garnizonit gjerman tepër të fortifikuar të Vorës. Po atë ditë, tre batalione të brigadës u vendosën në pritë në rrugën Tiranë –Vorë, ndërsa batalioni i dytë i brigadës u vendos në zonën e Shijakut. Për shtatë ditë e netë u zhvilluan luftime në këtë rajon e në këto vija duke  i sjellë humbje të rënda në njerëz e teknikë armikut pushtues. Më datën 13 nëntor pati zhvillime të ashpra deri edhe në luftim me granata dore midis forcave partizanë nga njëra anë dhe atyre gjermano-balliste nga ana tjetër. Më 16 nëntor brigada çliroi Shijakun dhe Durrësin. Në këto luftime nga pala gjermane pati 14 të vrarë dhe shumë armë, teknikë e municione të kapur. Nga brigada u vranë dhe mbetën dëshmorë të atdheut 12 partizanë: Agush Guraziu, Ali Sollaku, Alush Grepcka, Avni Prishta, Hajdar Tafa, Hasan Veseshta, Jorgji Greku,Meleq Gjoni, Nazmi Diko, Qani Malimati, Shyqyri Faslliu. Më 18 nëntor  brigada u rreshtua në përbërje të Divizionit të  Parë Sulmues, në Gjirokastër, në roje të kufijve shtetërorë, nga Kakavija deri në Leskovik dhe më pas u  inkuadrua në strukturat e Forcave të Armatosura të Republikës Popullore të Shqipërisë. Brigada e 10 Sulmuese e përmbushi detyrën e saj ndaj atdheut e popullit me heroizëm. Ishin ata të rinj e të reja, partizanë, të cilëve era e barutit ua motivonte çdo ditë të jetës së tyre dhe flijimin për liri e quanin si veprën më të thjeshtë sa edhe sublime. Por në ditët e sotme, disa pinjollë të ringjallur ballistë dhe ndonjë pseudohistorian e politikan i pafytyrë, mundohen të shpifin e të hedhin baltë mbi këto fitore. Historia është bërë e nuk zhbëhet më. Çlirimi i Shqipërisë erdhi nga lufta që bënë brigadat heroike partizane dhe tërë populli ynë liridashës.