Pajtim Xhelo: “Shkodra nuk ka qenë kurrë kryeqytet i Serbisë, si pretendon në librin e vet sërbi Milutin Jovanoviç në librin e vet”

58
Sigal

U fol shumë nga disa ëndërrimtarë, apo “Kërkues të Thesarit” për hamendësinë e vendndodhjes së Trojës së Lashtë në Shkodër apo Lezhë. Historiografia bazohet mbi dy fakte kokëfortë:

1. Shkrimet e studjuesve të lashtësisë, veprat e të cilëve janë më afër kohës së atyre që kanë ndodhur.

2. Zbulimet arkeologjike të të gjitha kohëve. Fillimisht po jap disa fakte të pamohueshme për zbulimin e Trojës, pastaj do përpiqem të hedh poshtë hamendësimet e ëndërrimtarëve. Arkeologu gjerman Hajrih Shlieman, ndodhej në Turqi në fund të shekullit të XIX për një kërkim të çuditshëm. Ai ishte duke gërmuar një vendbanim të vjetër të braktisur. Vendi, i njohur si Hisarlik, njihej vetëm nga disa specialistë. Teksa po gërmonte atje, Shlieman po shpresonte të gjente rrënojat e qytetit më të famshëm në literaturën klasike: Trojën. Problemi ishte se Troja ndoshta mund të mos kishte ekzistuar kurrë. Poeti i mirënjohur grek Homeri, popullarizoi trojanët dhe qytetin e tyre tek Iliada dhe Odisea, poemat epike të shekullit VIII-të të E.S. Këto vepra, rrëfenin historinë e një lufte 10-vjeçare midis Greqisë dhe Trojës, të zhvilluar nga personazhe të tillë të përjetshëm si mbreti Priam dhe Agamemnoni; luftëtarët kurajozë, Hektori dhe Akili, dhe të mbijetuarit, Odiseu dinak dhe Enea besnik. Poemat përshkruajnë betejat e përgjakshme, aventurat fantastike, veprat heroike dhe pasojat tragjike. Por a ishte Troja një vend i vërtetë? Shlieman shkoi në Turqi për të dëshmuar se po. Dhe ai ia doli. Hisarlik, pranohet tashmë gjerësisht si vendodhja e ngjarjeve të tregimeve epike të Homerit. Studimet kanë zbuluar se kodra 100 metra e lartë nuk përmban vetëm një, por nëntë Troja, secila e ndërtuar mbi rrënojat e asaj që ishte më parë. Sot arkeologët e konsiderojnë Trojën e VI-të, si kandidaten më të mundshme për të qenë Troja e Homerit. Ky qytet daton nga rreth vitit 1700-1250 p.e.s, dhe qytetarët e saj jetuan në kohëra dinamike. Përgjatë disa shekujve Troja u shkatërrua në mënyrë të përsëritur, por një qytet i ri do të ngrihej shpejt në rrënojat e tij. Njerëzit jetuan atje deri në periudhën e ngritjes së Perandorisë Romake. Rrënojat mund të shihen ende sot, rreth 350 km në jugperëndim të Stambollit. Në lindje të tyre ndodhej Perandoria Hitite në rënie dhe në perëndim, Grekët Mikenas që ishin të plotfuqishëm. Vetë Troja zuri një vend strategjik, që komandonte hyrjen në atë që sot njihet si Ngushtica e Dardaneleve. Kushdo që zotëronte Trojën, do të kontrollonte trafikun përgjatë rrugës tregtare tejet të frekuentuar, një fakt që nuk do t’i shpëtonte rivalëve të tyre grekë. Megjithatë, përshkrimi i Homerit për Trojën, sillet më tepër rreth pasioneve dhe jo politikës. Ai fillon me lidhjen dashurore midis princit të Trojës, Paridit, dhe Helenës, gruas së mbretit spartan Menelau, vëllait të Agamemnonit të fuqishëm, udhëheqës i ushtrisë greke. Për këtë arsye grekët sulmuan Trojën, duke shkaktuar luftë midis dy kombeve, dhe një rrethim një dekadë të gjatë, që mori fund me fitoren e grekëve, përmes dredhisë së famshme të kalit prej druri. Në fakt, motivet për një luftë të tillë ishin ndoshta më pragmatike. Pavarësisht nëse ka ekzituar apo jo një Helenë aq e bukur, sa që pamja e fytyrës së saj do të niste kundër Trojës 1 mijë anije, vlera komerciale dhe strategjike e Trojës e bëri atë një objektiv të dëshirueshëm për secilin nga fqinjët e saj. Qytetarët e Trojës i kishin parashikuar kërcënimet e jashtme. Ata kishin ndërtuar një mur mbrojtës, dhe madje kishin hapur llogore për të penguar karrocat e luftës, mjetet kryesore të sulmit të botës së lashtë. Problemet duket se mbërritën kulmin rreth vitit 1250 p.e.s, kur mbetjet arkeologjike tregojnë shenja të një sulmi dhe një zjarri shkatërrues. Por ne s’mund të themi se kush kanë qenë sulmuesit, apo nëse shkatërrimi është shkaktuar nga një veprim i vetëm, apo një seri sulmesh me kalimin e kohës. Aty ku zhduket siguria e arkeologjisë, ne mund t’i drejtohemi vetëm poezisë së lashtë për rënien e Trojës. Iliada e Homerit, e parathotë rënien e qytetit, por ndalet pak në shkatërrimin e tij. Në vazhdimin e historisë tek Odisea, fundi i luftës përmendet si një lloj retrospektive. Me kalimin e shekujve, autorë të tjerë i kanë shtuar elemente historisë origjinale, por vetëm fragmente të veprave të tyre kanë mbijetuar. Këto përfshijnë dy kapituj të Iliupersis, një tekst, që daton ndoshta nga shekulli i VII p.e.s, i cili i referohet shkatërrimit të qytetit. Më shumë detaje rreth ditëve të fundit të Trojës janë shkruar shekuj më vonë. Këto përfshijnë Eneidën e Virgilit, nga rreth shekullit I -p.e.s dhe Posthomerikën e Kuintus Smirnaus, shkruar gjatë shekullit të tretë E.S. Kuintusi e nis historinë e tij aty ku e lë Iliada e Homerit: funerali i Hektorit, birit të Priamit dhe trashëgimtarit të fronit të Trojës. Sipas tij, qyteti dukej i destinuar të rrënohej pas vdekjes së Hektorit, luftëtarit më të madh të Trojës. Megjithatë, disa trojanë vazhduan të kenë shpresë për një fitore, ndërsa prisnin ardhjen e aleatëve për t’i ndihmuar në heqjen e rrethimit. Përforcimet e para, ishin luftëtaret Amazona të Mbretëreshës Pentesilea, që gjithsesi s’mundën të përmbajnë përparimin e tërbuar të luftëtarëve gati të pathyeshëm të Akilit. Pas amazonave mbërritën etiopianët. Etiopia e përmendur nga Homeri, është një vend i largët në brigjet e lumit mitik Oqean, ndoshta i identifikueshëm me Nilin. Ky vend, kishte furnizuar prej kohësh me mercenarë faraonët egjiptianë. Ushtria etiopiane, e urdhëruar nga Mbreti Memnon, qëndroi si vija e fundit e mbrojtjes midis Akilit dhe portës së Trojës. Të dy luftëtarët, ranë dakord ta vendosin fatin e luftës me një betejë të vetme mes të dyve. Nën diellin përvëlues, ata përleshen egërsisht, dhe në një moment Akili arrin të vrasë Memnonin. Fitorja i takoi Akilit, por nuk zgjati shumë.

Princi i Trojës, Paridi, e pa duelin nga bedenet e murreve mbrojtëse të qytetit. Teksa Akili po bëhej gati të sulmonte qytetin, Paridi, i udhëhequr nga Perëndia Apollon, godet me shigjetë Akilin në pikën e tij të dobët – thembër. Për tmerrin e grekëve, heroi i tyre vdes. Befas, 10 vjet lufte rraskapitëse, duken të kota. Komandanti grek, mbreti Agamemnon, urdhëron tërheqjen. Në këtë moment ndërhyn Odiseu, dredhia e të cilit me kalin e drunjtë ndryshoi rrjedhën e historisë. Grekët masakrojnë të gjithë trojanët, që gjejnë dhe i vënë zjarrin qytetit. Sipas Virgjilit, nga masakra arrin të shpëtojë vetëm një luftëtar i luftës së Trojës: Enea. Ai u arratis në Itali, ku do të gjente një Trojë të re, qytetin e njohur tani si Roma. Historia e Trojës, ka personazhe të paharrueshme, por ndoshta figura interesante e saj, është ajo për të cilën nuk flitet kurrë – kali prej druri. Ky simbol është risjellë në letërsi, poezi, art dhe kinema. Teoritë rreth kalit prej druri janë të shumta. Sipas njërës prej tyre, kali ishte një përfaqësim poetik i anijeve prej druri me të cilat grekët mbërritën në Trojë. Një tjetër sugjeron se qytetin e tradhëtoi po një trojan, duke skicuar një kalë në një portë sekrete, si një shenjë për grekët. Të tjerë theksojnë se kuajt ishin të lidhur ngushtë me perëndinë Poseidon. Studiuesit e kohëve të fundit, kanë ofruar një teori më pragmatike, duke përfshirë atë sipas së cilës kali prej druri ishte në fakt një mjet i përdorur gjatë rrethimit. Një pajisje e tillë mund të shihet në një baso-reliev asirian nga pallati i Asurnasirpalit II (883-859 p.e.s) në Nimrod. Por edhe nëse ky është një shpjegim i kënaqshëm, mbeten ende shumë pikëpyetje: Kush ishin njerëzit që sulmuan Trojën? Dhe kush ishin trojanët që luftuan kaq shumë dhe në mënyrë të dëshpëruar për ta shpëtuar atë nga flakët? Tani po jap disa argumenta të studjuesit serb Milutin Jaçimoviç, nga përfundimet e të cilit janë nisur edhe disa studjues diletantë, që përkrahin këtë hipotezë. Në librin e tij “Troja…” e botuar serbisht dhe rusisht, autori Milutin Jovanoviq tregon me fakte që Lufta e Trojës është kënduar edhe në “Iliadën” dhe “Odisenë” e Homerit dhe se ishte luftë shtetesh të vogla në Mesdhe dhe thellë në Ballkan. Me bindje të madhe e hodhi poshtë teorinë e Shlimanit kur thotë se Troja dhe deti mund të shiheshin nga maja e maleve thrakase të Sharit. Nga malet e Sharrit, nga Korabi mund të shihen edhe Bjeshkët e namura. Për “Trojen” e Shlimanit ai thotë që aty nuk është as një lumë i cili derdhet në det. Ai e shpjegon se afër lumit të madh, qe e cekë edhe Homeri rrjedh edhe një lumë më i vogël, pra Drini dhe Buna. Drini dhe Buna lidhen në një rrjedhë, të cilat përmenden edhe në Iliadën e Homerit. Edhe një shpjegim për lumenjtë rreth Trojës; “ Dihet që ngjalat e detit, kur i hedhin vezët, atë e bëjnë edhe në Mesdhe, dhe në Bunë. Edhe lumi Zeta përmendet në “Iliadë” që sipas tij dikur quhej Esepi dhe liguna ku rrjedh Zeta sot, quhej Zelija. Nëse në “Iliadë” përmendet njolla e zezë e lumit, autori e shpjegon që këto janë algat, për shkak të rrjedhës së ngadalshme të lumit. “Nëse Pajonët jetonin rreth Vardarit, pra është e vërtetë në veriperëndim ku është Shkodra, një lloj ashtu si e këndon Homeri “ Burri i botës, Jovanoviçi na bindë që edhe Dardania, nuk përkon me gjetjen e Shlimanit, sepse Dardania ka dalje në Adriatik. Pra, ja ky ishte shpjegimi i gjetjes së Jovanoviqit. Por e vërteta e tij ka ngjyrë serbe edhe titulli i librit është: “Prava Troja je Srpska prestonica Skadar, Šlimanova Troja u Turskoj je falsifikat”. E kuptuat? Troja e vërtetë ishte kryeqyteti i Serbisë, Shkodra “. Përkrahësit e kësaj hipoteze, e cila u duartrokit dhe u prit me mjaft interes në Petërburgun rus, pra në Kryeqendrën e vjetër të sllavizmit, duhet të kenë parasysh se mbi gjithçka ” të ëmbël”, që thuhet në atë libër për ” Trojën në Shkodër”, mbyllet me pretendimin e poshtër (dhe krejtësisht të pabazuar në asnjë argument historik) që ” Shkodra ka qenë Kryeqyteti i Sërbisë “! Po këtë poshtërsi nuk e pranon asnjë shqiptar, me përjashtim të atyre që nuk thellohen në prapaskenat e studjuesit sllav. Edhe nëse Milutin Jovanoviç është përpjekur të aludojë për spostimin e Trojës nga atje ku ka qenë në të vërtetë, në Shkodër, e kupton edhe bufi që këtë e ka bërë për të mbrojtur pretendimin e pabazuar që ” Shqiptarët janë të ardhur në Ballkan dhe se serbët kanë qenë këtu para tyre” Dihet që ky pretendim është, sa foshnjor, aq rdhe qesharak, sepse, që sllavët e jugut ( serbët) kanë ardhur në Ballkan në shekullin e shtatë të erës së re, ndërkohë që shqiptarët ( albanët, arbërit – pasardhësit legjitimë të pellazgëve ) kanë qenë në Ballkan qysh 12000 vite më pare dhe qytetet më të hershme të tyre njihen që 8000 vite më parë. Pra, nëse Shkodra (Skodra) njihet si qytet 8000 vite më parë, ku u gjet kryeqytet i serbëve që erdhën në Ballkan 1350 vite më parë? Nuk po zgjatem në këtë argumentim, që tashmë është ” aksiomë ” Po flasim për argumentat që jep studjuesi serb për të ligjëruar studimin dhe përfundimin e tij.

1.Po të lexosh ” Iliadën ” e Homerit, nuk mbetet asnjë shteg i lirë për të kundërshtuar zbulimin e Shlimanit që Troja e Lashtë është në afërsi të vendbanimit Hisarlik, përballë ishujve të shumtë (nëpër të cilët kaloi Uliksi). Në Kryeveprën e Homerit përshkruhen një numër i madh ishujsh. Ndërsa këta ishuj janë edhe sot e kësaj dite midis Greqisë dhe Turqisë, në detin Adriatik janë vetëm dy ishuj, njeri prej të cilëve mendohet të ketë qenë vend i banuar. Ky është një argument kokëfortë që e rrëzon tërësisht hipotezën e Jovanoviçit dhe përkrahësvte të tij.

2. Grekët (qytetet- shtete) të Athinës, Spartës, etj, nuk kanë shkuar kurrë (nuk ka asnjë të dhënë nga historiografët e lashtë) nëpër detin Adriatik më sipër se Durrësi. Edhe pretendimet që Korkyra e Zezë është koloni helene, prej kohësh është rrëzuar nga vetë ata (studjuesit grekë).

3. Sa i përket tokës, grekët nuk e kanë kapërxyer kurrë Grykën e Këlcyrës, as Finiqin (Foiniken). Përkundrazi, ishte Teuta që pushtoi disa ishuj, përtej Korfuzit (Korkyrës)

4. Nëse Troja ndodhej në Shkodër, përse grekët duhet t’i binin me rrugë detare për të shkuar atje, kur mund të shkonin përmes rrugëve
tokësore.

5. Historikisht, asnjëherë ilirët nuk kanë patur miqësi, apo marrëveshje lufte apo paqeje me grekët…Asnjëherë. Nga u gjet Paridi në Mikena ???

6. Në Shkodër nuk janë zbuluar asnjëherë shtresime të para, të dyta, apo të treta të qytetit të rindërtuar, siç janë gjetur në Trojën pranë Hisarlikut, Trojën e Shliemanit shtresime; të cilat përputhen me të dhënat historike për shkatërrimin mbi gjashtë herë të qytetit super të zhvilluar të Trojës.

7 .Të mos harrojmë Kadmin e famshëm ilir( pellazg), i cili në aventurën e tij që nga veriu i Ballkanit, deri në Detin e Kuq, themeloi disa qytete, mes të cilëve edhe Shkodrën, Onhezmin ( Sarandën), Butrintin ( Buthrot), Dodonën Pellazgjike, tre qytete të tjera në Epir dhe përmes ngushticës së Dardaneleve, shkoi te Hititët dhe mesitët (në afërsi të Kostandinopojës, Stambollit, që andej u ul më poshtë, ku themeloi qytetin e Trojës me një pjesë të kalorësve dardanë, që kishte marrë me vete. Pra, Kadmi me një numër kalorësh themeloi edhe Trojën. Po kjo ka ndodhur katërmijë vite para Krishtit. Trojën e kanë themeluar Dardanët. Edhe emri i Dardaneleve është i tyre, po për këtë duhet kohë dhe do të flasim një herë tjetër.. Është kjo arësyeja që në ndihmë të trojanëve në luftrat e gjata të Trojës, shkuan edhe Dardanët, njeri prej të cilëve, Enea Dardaniti u bë ndër themeluesit e qytetërimit pellazg në Europë.

8. Pas rënies së Trojës, ata që shpëtuan shkuan në brigjet e detit Jon, pra në Epir dhe që andej u ngjitën më në veri, në Italinë e veriut dhe te vëllezërit e tyre, në Dardani. Nëse Troja do të ishte në Shkodër, përse do të shkonin trojanët pas shkatërrimit të qytetit në jug, në bregdetin Jon, kur mund të ngjiteshin direkt në Italinë e Veriut? Të gjitha të dhënat thonë që trojanët që shpëtuan nga masakra, shkuan me anije në bregun e Jonit. Nëse Troja do të ishte në Shkodër, njerëzit e shpëtuar nuk kishin pse udhëtonin me anie për në jug, pastaj të ngjiteshin në veri të Italisë. Ky është një antikap dhe një absurd, të cilin përkrahësit e studjuesit serb, duhet ta kuptojnë menjëherë. Mund të radhisja edhe dhjetra argumenta të tjera që kundërshtojnë serbin qëllimkeq, por po mjaftohem me kaq. Tani më duhet të sqaroj diçka, argumentin e vetëm, me të cilin e mbrojnë këtë hamendësim përkrahësit e serbit qëllimkeq. Në veprën e Homerit, përmendet fakti që Troja ishte në bashkimin e dy lumenjve, ose diçka e tillë. Edhe kjo e ka një shpjegim. Nëse do t’ i marrim për të vërteta të gjitha ato që thuhen tek Iliada, duhet të bëhemi me dije, që diku, në lindje dhe verilindje të Hisarlikut janë të dukshme mbetjet e shtretëve të dy lumenjve të tharë. Po ta marrim parasysh këtë, e gjithë Hamendësia e serbit qëllimkeq, rrëzohet. Veç më vjen keq me përkrahësit e tij, që nuk kanë arritur të kuptojnë gjithë Lojën e Ndyrë të këtij shërbëtori të sllavizmit. Po e mbyll me mendimin që njerëzit që mendojnë ndryshe, nuk kanë pse të marrin inat me këto argumenta. Ashtu si studjuesi sllav, edhe unë mund të ngre pretendimin absurd që Troja ka qenë në Vlorë, atje ku lumi i Vlorës (Shushica), bashkohet me Vjosën, apo në Apoloni, sepse Apolonia ka qenë port në afërsi të grykëderdhjes së Vjosës.