Vasil Laçi : E Bëra Për Shqipërinë

1335
Me rastin e 75- vjetorit të atentatit ndaj Perandorit Fashist Viktor Emanueli III dhe ekzekutimit të Heroit te Popullit, Vasil Laçi 
76 vjet më parë, më 17 Maj 1941, Vasil Laçi (Hero i Popullit) kreu një atentat ndaj Perandorit të Italisë Fashiste ,Viktor Emanuelit III, në çastin kur ai po largohej nga Shqipëria, pasi kishte qenë për një vizitë zyrtare që prej datës 10 Maj 1941. Po si ndodhi ky akt, të cilin fashistët nuk e kapërdinë dot?

Por ç’ndodhi, vallë, ç’ndodhi?
Çfarë ishte ai gjëmim? 
Nga turma dikush doli, 
Shpërtheu flakë e tym.

Buçiti një revole 
E fshehur midis lulesh. 
Vrapo, o plumb, vrapo,
Mbi mbretin të ngulesh!
Pak histori rreth fillesave të pushtimit italian.
Pushtimi i Shqipërisë nga Italia Fashiste i ka fillesat qysh në mesin e viteve ’20, kur Ahmet Zogu rrëzoi Qeverinë e Nolit, e cila, për hir të së vërtetës, kishte bërë gabime trashanike, si në politikën e jashtme, ashtu dhe në atë të brendshme. Disa faktorë që ndikuan në rrëzimin e Nolit dhe triumfin e “Legalitetit” ishin se; Qeveria e Nolit ndoqi një politikë hakmarrëse ndaj kundërshtarëve politikë. Kjo qeveri nuk organizoi zgjedhje brenda 6 muajsh, me qëllim që të legalizohej si një qeveri e ligjshme. Noli firmosi një marrëveshje me ambasadorin sovjetik në Romë dhe Tirana u vizitua nga një delegacion komunist i nivelit të ulët. Noli në Nëntor 1924 mbajti një fjalim ne Lidhjen e Kombeve duke u tallur me Anglinë dhe Francën. Dhe faktori më kryesor ishte, se qeveria e Nolit nuk i dha koncesionin e vajgurit shoqërisë britanike “British Petroleum” (Shih librin “Ballafaqime Politike në Shqipëri”, Autori Sejfi Vllamasi, fq. 431, Botuar në Tiranë viti 2000 nga “Nereida”). Me të ardhur në pushtet, Ahmet Zogu i nisi një telegram Musolinit, ku i kërkonte bashkëpunim midis dy vendeve. Musolini u përgjigj menjëherë telegramit, duke njohur qeverinë e Zogut dhe duke u zotuar për lidhjen e aleancave të reja ushtarake dhe politike (Shih librin “Italy and Albania: Financial Relations in the Fascist Period”, Autor Alessandro Roselli, Romë 1988). Në muajin Maj 1925, Italia filloi depërtimin në jetën kombëtare të Shqipërisë, që do të kulmonte katërmbëdhjetë vjet më vonë me aneksimin e plotë të saj. Hapi i parë i madh ishte marrëveshja mes Romës dhe Tiranës, që lejoi Italinë për të shfrytëzuar burimet minerare të Shqipërisë. Pas kësaj, Parlamenti i Shqipërisë, në Shtator 1925, ra dakord për t’i besuar italianëve ngritjen e Bankës Kombëtare Shqiptare. Kjo bankë zyrën e saj kryesore e kishte në Romë, nga ku italianet e kontrollonin atë plotësisht. Qëllimi i vërtetë ishte grumbullimi dhe përvetësimi nga italianet i frangave të arit dhe zëvendësimin me franga letër. Po në këtë vit themelohet SVEA, Shoqëria Italiane për Zhvillim Ekonomik të Shqipërisë (Shih Librin “Italy and Albania: Financial Relations in the Fascist Period”, Autor Alessandro Roselli, Rome 1988, fq. 12). Si mjet kryesor për zhvillimin e ekonomisë shqiptare që ishte gati e rrënuar, SVEA kishte dhënien e kredive, por normat e interesit ishin shumë të larta dhe shpesh ato nuk shkonin në destinacion. Në industri, kompanive italiane u dhanë disa miniera si ajo e Selenicës dhe vendburime nafte e vajguri si në Devoll dhe në Kuçovë . Paktet me Musolinin kulmuan më 27 nëntor 1926, me nënshkrimin e Paktit Ushtarak midis Italisë dhe Shqipërisë, ku “de facto” Shqipëria kalonte në një protektorat italian (Shih librin “A Study of Crisis” autorët Michael Brecher dhe Jonathan Wilkenfeld, Michigan 1997, fq 247), Në këtë aleancë u vendos që Shqipëria do të mbante deri 6000 ushtarë dhe 675 oficerë, ku 280 prej tyre do të ishin italianë. Të gjitha këto kontrata dhe pakte të njëanshme çuan në 7 Prillin e vitit 1939, pra në zhdukjen përfundimtare të sovranitetit kombëtar të Shqipërisë dhe me pushtimin e saj nga Italia. Në Ditarin e lënë nga Konti Ciano paraqiten shumë detaje rreth këtij pushtimi, ku si arkitekt i vërtet i tij del Ciano, një antishqiptar i tërbuar, që nuk e fsheh përbuzjen ndaj shqiptarëve. Kjo u vu re dhe gjate vizitave te tij disa javë pas pushtimit, kur ai u prit me pompozitet të madh aq sa në disa raste iu shtrua si qilim flamuri kombëtar shqiptar. Pasi Gjermania aneksoi Austrinë, Italisë fashiste iu shtua oreksi për pushtimin e Shqipërisë. Kështu në fillim të vitit 1939, dy ideatorët për këtë pushtim ishin ministri i jashtëm i Italisë, Konti Ciano, si dhe vetë Musolini. Ndërsa Mbreti Viktor Emanueli III fillimisht ishte kundër, duke e quajtur një risk të madh. Në 25 Mars 1939 Italia fashiste i dërgon një ultimatum Shqipërisë. Plani ishte për marrjen e kontrollit të plotë të Shqipërisë, gjë që, fillimisht, Zogu e kundërshtoi. Plani origjinal italian ishte që në pushtim të merrnin pjesë deri në 50.000 burra, të mbështetur nga 137 njësi detare dhe 400 aeroplanë. Në fund forca ushtarake u rrit në 100.000 njerëz, të mbështetur nga 600 aeroplanë si dhe 11 000 kolonë italianë. Më 7 prill trupat e Musolinit, të udhëhequr nga gjeneral Alfredo Guconi, sulmuan Shqipërinë, duke zbarkuar në të gjitha portet shqiptare në të njëjtën kohë. Zbarkuan 65 njësi në Sarandë, 40 në Vlorë, 38 në Durrës, 28 në Shëngjin dhe 8 në Bishtin e Pallës. Në Durrës, Vlorë dhe Sarandë u zhvillua një rezistencë e armatosur e patriotëve shqiptarë. Në Durrës morën pjesë 360 patriotë, të udhëhequr nga Abaz Kupi dhe Mujo Ulqinaku. Rezistenca zgjati për disa orë. Italianët u sprapsën disa herë. Me vrasjen e Mujo Ulqinakut dhe zbritjen e tankeve në tokë, rezistenca u shkërmoq. Italianët e pushtuan Shqipërinë brenda 3 ditëve. Ky pushtim i tronditi shumë patriotët shqiptarë, të cilët organizuan disa protesta dhe demonstrata. Më të njohurat ishin ajo e 28 Nëntorit 1939 në Korçë, por dhe në Tiranë më 28 Tetor 1940. Në kundërpërgjigje, italianët arrestuan disa patriotë dhe i internuan në burgjet e Italisë, kryesisht në ishullin e Ventotenes . Ndër patriotët e arrestuar qenë: Faslli Frashëri, Llazar Fundo, Abaz Ermenji, Stavro Skëndi, Selman Riza, Dan Hasani, Shaqir Curri (nipi i Bajram Currit), (shih Abaz Ermenji “Kujtime”). Ndërkohë ishte krijuar dhe formacion i parë i armatosur antifashistë i Myslim Pezës. Urrejtja në popull ishte shtuar dhe kjo kulmoi me atentatin që Vasil Laçi i bëri Mbretit fashist, Viktor Emanuelit III. 

Po kush ishte Vasil Laçi? 
Vasili ishte një djalë nëntëmbëdhjetë vjeçar nga fshati Piqeras (Porto- Palermo) i Sarandës, fare i panjohur për atë kohë. Ai ka lindur me 15 Shtator 1922, disa muaj më pas se i ati i tij, Mihali, të ndërronte jetë. Vasili u rrit nga nëna e tij, Vitori Laçi. Sipas kujtimeve të motrës së Vasilit, Eftiqia (Laçi) Zaho, babai i tyre ka qenë marinar. Urrejtjen ndaj pushtuesve dhe patriotizmin familja e tyre e ka pasur traditë. Ajo kujton se i ati i Vasilit, Mihal Laçi ka mbytur një anije ushtarake italiane ( bëhet fjalë pas Luftës së Parë Botërore, rreth vitit 1920). Ndërsa nëna e Vasilit, Vitori Laçi thotë: ” Vasili lindi jetim dhe shumë i varfër. Ai ishte i shkathët, i zgjuar dhe krenar, por bujar dhe i dashur me shokët. Edhe copën e bukës e ndante me ata që nuk kishin. Shkollën fillore e kreu në fshat në Piqeras dhe i pëlqente të lexonte libra”. (Shih librin Vasil Laçi. Botim i Drejtorisë së Muzeumeve, Maj 1976, fq. 2 publikuar nga “Thënie për Shqiptarët”). Pushtimi fashist e gjeti në Tiranë, ku, fillimisht, ishte i punësuar në një familje tiranase, ajo e Sami Kokës, një ish oficer Zogist i internuar ne Itali. Ja si e kujton Genci, djali i familjes Koka këtë ditë: “Me Vasilin jam njohur për herë të parë aty nga muaji maj i vitit 1939, kur ai erdhi për herë të parë në shtëpinë tonë. Në atë kohë, familja jonë banonte në një shtëpi dykatëshe dhe me oborr, e cila ndodhet edhe sot, por e rrënuar, diku në fund të Rrugës së Kavajës, fare pranë Muzeut të Shkencave të Natyrës. Ajo shtëpi ishte e Qeramudin Sulos dhe ne banonim aty si qiraxhinj që nga viti 1937, kur babai ynë ishte zv/shef i Shtabit të Shtatmadhorisë dhe komandant i kufirit të Mbretërisë së Zogut” (Shih gazetën “Shqip” me shkrimin “17 maj 1941, kur Vasil Laçi qëlloi ndaj Emanuelit III” (http://www.arkivalajmeve.com/17-maj-1941-kur-Vasil-Laci-qellonte-ndaj-Emanuelit-III.44826/) Fillimisht ai punoi në këtë familje, pastaj, sipas Genci Kokës: “…Vasili kërkoi vetë të ikte nga shtëpia jonë, edhe pse nëna nuk donte. Kjo gjë ndodhi rreth 15 ditë përpara se ai të bënte atentatin. Në atë kohë që u dha lajmi, se Mbreti Viktor Emanueli do vizitonte Shqipërinë, Vasili shkoi dhe bisedoi me pronarin e hotelit “Internacional”, zotin Çano, i cili e pranoi atë në punë pa asnjë lloj rekomandimi. Ajo gjë u bë pas një telefonate të nënës sonë, e cila i tha atij se Vasili ishte xhevahir djalë…” Po në këtë shkrim, kemi të dhënën e vetme se si Vasili ka siguruar armën për atentatin. Mënyra e sigurimit të armës nuk është pasqyruar në asnjë dokument italian. Si duket kjo ka të bëjë me vendosmërinë e Vasilit për të marrë gjithçka mbi supet e tij. Ja si kujton Genci Koka po në këtë shkrim: “…Edhe pasi filloi punë aty, Vasili vinte përsëri në shtëpinë tonë dhe tre, katër ditë para ngjarjes, teksa ishim duke qëndruar në oborrin e shtëpisë, ai i kërkoi vëllait tim, Pëllumbit, që t’i jepte një revolver. Ne në atë kohë kishim disa armë të llojeve të ndryshme, të cilat ishin në gjendje pune dhe gjithashtu një koleksion të vjetër armësh, si ajo e Tafil Buzit, shpata e Marko Boçarit, e gjyshit tonë etj. Pëllumbi i tha Vasilit të zgjidhte kë të donte se ai i kalonte çdo ditë në duar ato, duke i fshirë nga pluhurat. Vasili kërkoi Beretën që ishte e vogël dhe unë u ngjita sipër e ia solla ashtu siç më tha vëllai im…”

Në ditarin e mbajtur nga Kontit Ciano thuhet se; Mbreti arriti në Shqipëri ne datën 10 Maj 1941 ( Shih librin “Albania in the Twentieth Century, A History: Volumi II; Albania in Occupation and War; From Fascism to Communism 1940-1945″ Autori Owen Pearson, USA 2005. fq 151, 152. 153). Ciano kujton se, kur mbreti zbriti nga avioni në Laprakë, ishte një kohë e ftohet binte shi, por kjo nuk ndikoi që rrugët të ishin të mbushura me njerëz që brohorisnin( Qeveria Kuislinge dhe fashistet kishin marrë dhe detyruar shumë banorë me forcë të dilnin nëpër rrugë, disa duke dhe i shpërblyer me të holla). Mbreti ishte me një humor të mirë. Ai, sipas Cianos nuk e kishte menduar se do ta gjente Shqipërinë kaq të zhvilluar dhe kaq të begatë dhe pjellore. Në mendjen e tij ishte krijuar ideja se Shqipëria ishte një copë shkëmb, ashtu si Mali i Zi. Mbreti ishte shume i sjellshëm me mua,- tregon Ciano. – Ai thoshte në mënyrë të përsëritur se isha unë, i cili kisha ndërtuar Shqipërinë dhe ai mundohej në çdo mënyrë t’u fliste miqve mirë për mua.” Ne 11 maj Mbreti qëndroi në Tiranë për fundjavë, nën shoqërinë e Kontit Ciano dhe të Kryeministrit kolaboracionist Shefqet Vërlaci. Ai vizitoi në fillim Xhaminë, pastaj Katedralen Ortodokse si dhe atë Romane, ku u prit me mirëseardhje nga kleri i lartë. Radiot Gjermane e dhanë lajmin se Mbreti mbërriti në Shqipëri ditën e Shtunë më 10 Maj dhe u prit me pompozitet dhe mirëseardhje. Sipas Cianos ceremonia u mbajt në Pallatin Mbretëror (i cili u hap për herë të parë për nder të mbretit) dhe shkoi shumë mirë. Pas ceremonisë, munguan disa lugë dhe pirunj si dhe disa sende argjendi. Po kjo nuk e zbehu aspak situatën e “mikpritjes”. Me datën 14 Maj mbreti vizitoi një numër pikash përgjatë frontit me ushtrinë greke, ku qëndroi dhe në një Manastir , i cili gjendej në një kodër afër Këlcyrës, në luginën e Dëshnicës. Ky ishte në zonën ndërmjet lumit të Vjosës dhe Osumit, ku grekët pretendonin se kishin bërë një nga betejat më të mëdha në histori që nga 9 Marsi deri në 14 Mars 1941. Në 17 Maj një djalë i ri nga fshati Piqeras afër Porto Palermos, i quajtur Vasil, Laçi shtiu katër herë me pistoletë makinën ku ishte mbreti Viktor Emanueli III me kryeministrin kolaboracionist Shefqet Vërlaci, në kohën kur makina ishte drejtuar nga qendra e Tiranës për në aerodromin e Laprakës. Atentatorit i mungoi shënjestra. Ai ishte veshur me kostum kombëtar shqiptar. Atentati u mbajt sekret nga italianët për gati një javë. Vetëm pas një jave agjencia shtetërore “Stefani”, duke cituar komunikatën e lëshuar në Romë, e përshkroi atentatorin në fillim si një grek, pastaj si një greko- maqedonas , më vonë edhe si një rus me emrin Mihajllov Vasil Llaçi. Italianët i servirën shtypit të kohës lajme kontradiktore duke dhënë si motiv të atentatit absurditete. Ata pretendonin se Vasili ishte një poet maniak, i cili për shkak se nuk i ishin botuar poezitë, kreu atentat kundra mbretit( Shih librin Vittorio Emmanuele III L’Astuzia di un Re” autori Antonio Spinoza, 1993 fq. 385).Në fund agjencia shtetërore “Stefani” e instruktuar dhe nga Qeveria Italiane dha si version se Vasil Laçi kishte dashur të vriste Kryeministrin Shefqet Vërlaci. Kjo, për arsye se nuk i ishte gjetur punë nga Qeveria e kohës. Këto lajme konfuze agjencia “Stefani” dhe gazetat e kohës i dhanë me qëllim që të ndërprisnin festimet dhe bujën që kishte fituar atentati Vasil Laçit në popullin shqiptar. Ciano, në ditarin e tij të mbajtur në 17 maj, atentatin e Vasilit e quan një “incident”. Ai është aq i pasaktë, sa vazhdon ta quajë Vasilin një poet, i cili ishte zhgënjyer nga mosbotimi i poezive dhe vendosi të kryejë atentatin ndaj Perandorit për shkak të këtij zhgënjimi. Në fund të ditarit Ciano mundohet ta paraqesë situatën të qetë, duke cituar Viktor Emanuelin, i cili, në bisedë e sipër, i kishte thënë Vërlacit me shaka: “Ai djali ishte shumë i dobët në shënjestër”( Shih librin: “The Ciano Diaries, 1939-1943”, Londër 1947) Ndërkohë, kishte dhe një variant tjetër të atentatit. Kjo sipas Adjutantit të Viktor Emanuelit të Tretë, Gjenerali Paulo Punioni, i cili, po atë mbrëmje, do të shkruante në Ditarin e tij: “17 Maj 1941. Në orën 13: 50 sovrani niset në formë zyrtare nga Shqipëria. Kur kishte mbërritur në një largësi jo të madhe nga aeroporti, ndodhi një atentat i kryer nga një shqiptar, i cili qëlloi kundër makinës me pesë të shtëna pistolete. Katër qëlluan automobilin….Pas të shtënave ndodhi një konfuzion i madh…” Atë ditë monarku italian shpëtoi vetëm pse ndërhyri një oficer që u ndodh pranë atentatorit në çastin kur ai qëlloi. Ndërhyrja e oficerit ndryshoi drejtimin e plumbave, por njëri prej tyre shpoi gomën e veturës, tjetri ra mbi rrethin metalik të gomës tjetër. Dy të tjerët gjithashtu prekën metalin, bile njëri ra mbi parafango. Nga frika “perandori” nuk lejoi të ndalej makina, nuk la as Vërlacin që e shoqëronte, të zbriste e të merrte masat e duhura në shenjë bindjeje ndaj padronit. Vetura me gomat e shpuara arriti deri në aeroport, prej nga Viktor Emanueli u nis për në Romë, i pushtuar nga tmerri ( Shih librin Vasil Laçi. Botim i Drejtorisë së Muzeumeve, Maj 1976, fq. 8-9 publikuar nga faqja “Thënie për Shqiptarët”). Konti Cianio këtë ngjarje e quajti me pak fjalë “Një njollë që prishi kuadrin e suksesshëm të vizitës” (Shih librin”Vittorio Emanuele III: l’astuzia di un re” fq. 385 Antonio Spinoza, Romë 1993). Por dëshmitarët okularë thanë se Vaslili, para se të qëllonte, thërriti: ” Rroftë Shqipëria”. Ai u kap dhe u torturua që në rrugë. Me çështjen e tij u mor policia e fshehtë (SIMI). Ajo përdori të gjitha mjetet se mos pas atentatit fshihej ndonjë organizatë antifashiste apo ndonjë dorë e huaj. Por Vasil Laçi me një vendosmëri heroike refuzoi sqarimet e kota dhe përsëriste të njëjtën përgjigje ” E BËRA PËR SHQIPËRINË”. Kur i çonin laps e letër në qeli që të bënte deklarata ai i mbushte këto me parulla antifashiste…(Shih revista Ylli, Volum 7. Tiranë, 1966). Pasi u bindën se Vasili kishte vepruar i vetëm, fashistët organizuan një gjyq farsë në mënyrë të shpejtë, duke i ndërruar identitetin Vasilit, me qëllim që të dukej si një atentat i kurdisur nga dora e huaj. Dokumentet italiane në AQSH e paraqesin kështu dënimin dhe ekzekutimin e tij : Pasi u dënua me vdekje me Vendim Nr. 227/41, Datë 26 Maj 1941, nga Gjyqi Ushtarak i Fuqive të Armatosura të Njihsueme të Shqipërisë, Francesko Jakomoni, Mëkëmbësi i Përgjithshëm i Viktor Emanuelit të Tretë nxori një Dekret në mënyrë të rrufeshme më 26 Maj 1941, i cili Miratonte Vendimin e Gjykatës Ushtarake kundër Vasil Laçit dhe urdhëronte ekzekutimin e tij ( Shih librin “Heronj të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare” bashkautorët Thoma Murzaku, Teuta Hoxha, Bashkim Trenova, viti 1986 fq. 537 si dhe shih Origjinalin në AQSH F. 555, Viti 1941, D.60, f.14). Mbasi u nxor i dënuari Vasil Mihaillof Llaçi nga qelia tue qenë i shoqënuem prej rojës së burgut ju këndue të dënuemit nga ana e togerit Pricolo Giovanni, funksionar i Gjykatës Ushtarake, aktgjykimi i Gjyqit në fjalë, gjithashtu ju lexue dhe Dekreti i Mëkëmbësit te Përgjithëshëm të tij, Mbretit Imperator, që urdhëron ekzekutimin e këtij vendimi. Si mori fund këshillimi fetar, u shoqërue në trikëmbëshin e pregatitun, ku i dënuemi tha disa fjalë (Fjalët e fundit ishin: “Poshtë Fashizmi! Rroftë Shqipëria!”); mbas këtyne u var me ndihmën e xhelatit…( Shih librin “Heronj të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare” bashkautorët Thoma Murzaku, Teuta Hoxha, Bashkim Trenova, viti 1986 fq. 538).

Por me kë kishte lidhje Vasil Laçi? Me zogistët, me komunistët? 
Në fakt është vetë ish udhëheqësi komunist, i cili gjatë një takimi me nënën dhe motrën e Vasilit Laçit, Vitori Laçi dhe Eftiqi (Laçi) Zaho mbajtur më 5 Maj 1976 gjatë vizitës bërë në shtëpinë e Eftiqi Zahos në Durrës, ku ai pranon se Vasili nuk ka patur lidhje me grupet komuniste dhe se ka vepruar i vetëm por le ta citojmë : “…Kur Vasili kreu atentatin kundër mbretit të Italisë, unë isha në Tiranë ilegal, se më ndiqnin. Në atë moment ndodhesha në një shtëpi në fund të rrugës së Durrësit tek Esat Dishnica dhe po bisedoja me të, po i flisja se ne nuk ishim akoma të organizuar, megjithatë, i thashë, po sikur t’i bëjmë ndonjë gjë këtij «qeni», Viktor Emanuelit, atë ditë që do të ikte. Kur, ja, krisi pushka dhe ne u ngritëm në këmbë. «Mos bënë atë që duhej bërë?», thashë unë. Vallë kush qenë ata që e bënë këtë atentat, se të gjithë ne, komunistët e grupeve, ishim në lidhje me njëri-tjetrin dhe dinim çdo gjë që do të bënim. Nxora kokën në dritare dhe pashë një katrahurë të madhe. Rrugëve rendnin me vrap milicë e karabinierë. U rrethua gjithë mëhalla. Çfarë të bënim që të merrnim vesh ç’kishte ndodhur? Pak më vonë mësuam se si një djalë i ri nga Bregu i Detit kishte qëlluar me armë mbretin e Italisë. Ca thoshin se atentatori e vrau, ca të tjerë thoshin e plagosi. Një entuziazëm të madh kishte kudo në popull. «Si e thonë?», pyeta unë. «Vasil, — më thanë, — dhe e arrestuan, nuk e vranë». Atë ditë lajmërova shokët, i pyeta në kishte njeri lidhje me Vasilin dhe njëri prej tyre më thotë se kishte pasur muhabet me të dhe në bisedat që bënin, Vasili fliste me urrejtje kundër fashizmit. Këto ndjenja e shtynë atë të qëllonte kundër mbretit okupator (Shih librin «Për ju pionierë», E. Hoxha f. 112 Tirane : Shtëpia Botuese ” 8 Nëntori”, 1979 ). Pra është e qartë, për Vasilin nuk kanë patur rëndësi bindjet politike, qoftë komuniste, apo zogiste, apo balliste. Diçka tjetër e ka shtyrë atë për të kryer këtë akt patriotik. Dhe këto ishin idealet kombëtare. Jehona e atentatit të Vasilit u përhap dhe jashtë Shqipërisë. Për të shkruajtën shumë gazeta perëndimore, por sigurisht pati ndikim dhe propaganda fashiste italiane dhe mjegulla që ata përhapen me anë të shtypit të shkruar dhe radios si dhe agjencisë shtetërore të lajmeve “Stefani”. Disa nga gazetat që shkruan ishin: Gazeta e Pensilvanisë ” Mount Carmel Item” e datës 24 Maj, me titull ” Mbreti Viktor Emanueli i Tretë i shpëton plumbit gjatë vizitës në Shqipëri”. Gazeta e Teksasit “Victoria Advocate” e datës 25 Maj 1941, në faqen 6 shkruan: “Qëllohet Mbreti i Italisë në Shqipëri”. Po kështu dhe prestigjozia “Time Magazine” e datës 2 Qeshor 1941, në rubrikën për “Malin e Zi dhe Dalmacinë” shkruan se; “… 19 vjeçari Vasil Laçi qëlloi Perandorin e Italisë, 71-vjeçarin Viktor Emanueli III gjatë vizitës që ky po bënte në Shqipëri…”, Këtë ngjarje e pasqyruan edhe shumë gazeta dhe radio te tjera si në Evropë dhe jashtë saj. Akti i Vasil Laçit menjëherë u lartësua në këngë. Edhe sot banorët e Piqerasit kujtojnë vargjet e një kënge; 

“…Në 1941 Maji 17/ 
Për vizitë në Shqipëri,
Seç erdhi Viktori vetë/ 
Qeveri e asaj kohe 
E kish ftuar për davet ../ 

Vasil Laçi, djalë i ri, 
Me një buzë duke qesh/ 
Nxorri rovolen nagant 
Dhe qëllon mbi veturët/

Shqiptaret s’janë mësuar, 
Nuk durojnë shtypje dhe mbret/ 
Kur të shpunë ne litar, 
Ngele i papërkulur – o/

Krehër kërkove të kriheshe, 
Të vdisje i bukur – o/
Priftin me kryq e përbuze ,
Poshtë tradhtarët – o/ 

Nënja, kur e dëgjoi, 
Hallall ta bëri gjirin – o/ 
I pavdekur do të ngelesh, 
Trim Vasil i nënës – o/ 
Piqerasi të kish rritur,
Populli të bë hero…”/ 
Fatkeqësisht, sot në fshatin e lindjes, në Piqeras, nuk ka asnjë muze që të përkujtojë veprën e Vasil Laçit. Banorët kujtojnë se dikur aty ka qenë një muze, por dora vandale e shkatërroi në fillim të viteve 1990. Mos ,vallë, ka ardhur koha për rindërtimin e tij përsëri? Mos, vallë, veprën e Vasil Laçit nuk e nxë asnjë muze sa do i madh qoftë? Një popull që harron të kaluarën ai nuk gjen dot rrugën as për të ardhmen.

Autori : Mrsc Besim DERVISHI
Sigal