Kristo Frashëri në librin “Enver Hoxha” të Fevziut (2)

1266
Sigal

Kristo Frashëri nuk shpëtoi në saj të “Tutiusit” 250 lekësh, por me një të tillë ai ka ndryrë enigmën se si shpëtoi nga eliminimi

vijon nga numri kaluar

      Gjithsesi, më vonë Kristo Frashëri  u pranua që të bëhej partizan dhe ndryshe nga të tjerët si ai nuk mori “një plumb pas qafe”. Kështu del se ka patur një letër të dytë si ajo e vitit 1942. Një enigmë e madhe është e ndryrë tek fraza e Enver Hoxhës “po e drodhi bishtin, këputini një plumb pas qafe”. Në kuptimin stalinist, me “dredhje bishti” kuptohej që Kristo Frashëri të mos pranonte të kalonte provën e besueshmërisë, që në raste të tilla ishte që t’ i jepte një plumb pas qafe dikujt tjetër. Se cilit ia dha këtë plumb pas qafe profesor Frashëri, i cili doli nga lufta partizane i gjallë dhe me grada oficeri, kjo është një gjë që rëndon mbi ndërgjegjen e tij dhe ai do të rivlerësohej shumë para Historisë nëse do të bënte një rrëfim të sinqertë para vdekjes.

      Sa për takimin e Enver Hoxhës me Kristo Frashërin në tetor 1962, ai nuk ka qenë aq i rastësishëm sa ç’kërkon ta paraqesë Frashëri. Së pari, vetë Fakti që Frashëri mori një ftesë për të marrë pjesë në takimin e Enver Hoxhës me intelektualët, është domethënës dhe tregon se Frashëri ishte aktor në teatrin politik të radhës të Enver Hoxhës. Enver Hoxha e takoi Frashërin se ai tashmë kishte hyrë në ekipin special të historianëve të regjimit. Frashëri ishte bashkautor i vëllimit të parë të librit “Historia e Shqipërisë” (1959), që ishte botimi i parë zyrtar akademik i këtij lloji i historiografisë së regjimit komunist. Më tutje Frashëri vazhdoi që të ishte bashkautor në pjesën më të madhe të botimeve të këtij lloji. Aftësia këtu nuk kishte asnjë ndikim, se shumë njerëz të tjerë të aftë qenë flakur tutje nga Enver Hoxha. Fevziu thotë më tutje për Kristo Frashërin:

      I pyetur në vitin 2007 sesi kishte mbijetuar nga spastrimet e Hoxhës, ndërkohë që miku i tij më i afërt Anastas Lulo qe pushkatuar, Kristo Frashëri u përgjigj:

      “Unë kam shpëtuar në sajë të 250 lekëve. Në atë kohë shiteshin dryna ‘Tutius’ 250 lekë. Unë bleva një dry dhe ia vura gojës. E lashë politikën, s’ u mora më me politikë, as fola për politikë”.[i]

      Por shumë të tjerë si ai, ndonëse ia vunë drynin gojës, nuk shpëtuan megjithatë. Në të vërtetë, Kristo Frashëri nuk shpëtoi në saj të “Tutiusit” 250 lekësh, por me një të tillë ai ka ndryrë enigmën se si shpëtoi nga eliminimi. Një arsye mund të kenë qenë marrëdhëniet personale të Kristo Frashërit me Miladin Popoviçin. Fevziu në librin e tij “Enver Hoxha” shkruan duke iu referuar rrëfimit që Kristo Frashëri bëri në emisionin e tij televiziv në 2007:

      Kristo Frashëri u takua me Enver Hoxhën, i sapozgjedhur anëtar i Komitetit Qendror më 17 nëntor 1941, nëntë ditë pas themelimit të Partisë në një bazë në periferi të Tiranës. 70 vjet më pas ai kujton ende me detaje përballjen me njeriun që do të ndikonte aq shumë në jetën dhe në karrierën e tij. Frashëri 21-vjeçar kishte shkak të entuziazmohej për atë burrë të ri, 12 vjet më të madh, që po sillte në Parti një frymë të re të ndryshme nga ajo e grupeve komuniste dhe sherrnaja e tyre:

      “Gjatë takimit ai u tregua tepër i rezervuar. Në fillim më tepër na dëgjoi se foli. Donte të na njihte. Nuk na ngacmoi fare, por na tha: ‘Tani fillon një epokë e re, duhet hequr dorë nga puna e mëparshme’. Ne na bëri përshtypje. E vërteta është se ishte një njeri që përdorte terma frëngjisht, përdorte ca fraza nga filozofët e famshëm të Francës, e na bëri përshtypje, kurse këta të tjerët, jo Koçi Xoxe, jo Vasil Shanto, këta ishin të tabanit popullor, nuk dinin ata, dinin: ‘Armikut t’ i biem kokës e ta shpartallojmë e të fitojmë’. Kështu dinin ata. Ishin fare pa kulturë. Kurse ky kishte një gjuhë prej intelektuali. Ishte njeri që kishte lexuar. Dideronë e kishte shumë për zemër, bënte ç’ bënte dhe fliste për Dideronë”.

      Frashëri qëndroi pothuajse një muaj në të njëjtën bazë me Enver Hoxhën dhe Miladin Popoviçin. Ai njohu nga afër liderin e partisë dhe krijoi rezervat e para. 70 vjet më pas, tanimë historian në kohën e lirisë së mendimit e të shkrimit, Frashëri botoi të parin libër mbi historikun e Lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe themelimin e PKSh, të mbështetur mbi burime nga më të larmishmet, përfshi edhe kujtimet personale, ku Enver Hoxhës i ka dhënë atë vend që mendon se ka merituar.[ii]    

      Këtu të bën përshtypje se cilësitë që i atribuon Kristo Frashëri Enver Hoxhës janë ato të një njeriu që në fjalorin komunist quhej “intelektual borgjez”. Enver Hoxha mund të fliste për filozofët francezë dhe për Dideroin posaçërisht në takimet me “intelektualët borgjezë”, të cilët donte t’ i bënte për vete, por jo në takimet e celulave komuniste, siç ishte rasti i takimit për të cilin flet Kristo Frashëri. Për raste të tilla Enver Hoxha kishte përgatitur një manual të vogël me shprehje marksiste-leniniste, çka duket nga fjalimet dhe letrat e tij të asaj kohe që janë botuar më pas. Frashëri nuk e ka shpjeguar kurrë saktë se si ndodhi që ai, një komunist i thjeshtë dhe për të cilin kishte shumë dyshime, për shkak se kishte qenë anëtar i Grupit të të Rinjve, u gjend në një bazë (shtëpi) së bashku me dy drejtuesit e rinj të PKSH, Miladin Popoviçin dhe Enver Hoxhën. Kjo mund të ndodhte vetëm nëse Frashëri ishte duke marrë detyra speciale nga Miladin Popoviçi, për të cilin flet me adhurim. Citimet që Fevziu i bën Kristo Frashërit janë nga emisioni “Opinion plus” i datës  15 tetor 2007, pra një ditë para përvjetorit të lindjes së Enver Hoxhës, kur Fevziu kishte ftuar prof. dr. Kristo Frashërin, në cilësinë e historianit dhe të dëshmitarit të ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore, posaçërisht në lëvizjen komuniste shqiptare të kohës, si pjesëmarrës i saj. Kristo Frashëri bëri një përsëritje të përrallës së Enver Hoxhës të treguar në librin “Kur lindi Partia” (1981), se nga të dy të dërguarit jugosllavë për të krijuar PKSH, Miladin Popoviçi ishte i miri dhe Dushan Mugosha ishte i keqi. Prof. Frashëri tha se Dushan Mugosha ishte serb, ndërsa Miladin Popoviçi nuk ishte serb. Por profesori nuk tha se çfarë ishte Miladin Popoviçi. E vërteta është se Miladin Popoviçi, ashtu si Dushan Mugosha, ka qenë serb nga Mali i Zi, i çuar si kolonist në Kosovë, në kohën e Jugosllavisë monarkiste. Etninë malazeze e krijoi Tito pas Luftës së Dytë Botërore, me qëllim që të reduktonte kombin serb, se para Luftës së Dytë Botërore, në Jugosllavinë monarkiste banorët sllavë ortodoksë të Malit të Zi ishin deklaruar serbë në regjistrimin e vitit 1921, dhe po serbë ishin deklaruar në regjistrimin e vitit 1905, në Malin e Zi, kur ky ishte shtet i pavarur. Edhe sot një e treta e banorëve të Malit të Zi deklarohen serbë, sipas regjistrimit të fundit të vitit 2002. Kolonistët sllavo-ortodoksë të Kosovës, të ardhur pas vitit 1918 kanë qenë antishqiptarët më të tërbuar në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi.

      Kristo Frashëri, tha se i pati njohur personalisht të dy të dërguarit jugosllavë, Popoviçin dhe Mugoshën, gjithashtu tha se nga ata, Popoviçi ishte fjalëëmbël dhe diplomat, ndërsa Mugosha ishte brutal dhe e shprehte hapur urrejtjen për shqiptarët. Nëse është kështu, kjo tregon vetëm atë se Popoviçi ka qenë më dinak dhe më i sofistikuar se Mugosha. Prof. Frashëri në vazhdim tha se Miladin Popoviçin nuk e kanë vrarë shqiptarët në Kosovë, siç thuhet, por pas vrasjes së tij qendron dora e Beogradit. Profesori la të kuptohet se Popoviçi u vra se ishte dashamirës ndaj shqiptarëve, gjë që është dhe versioni që Enver Hoxha ka dhënë për këtë vrasje. Nëse profesori do ta analizonte këtë vrasje si historian, ai do të shikonte se teoria e tij (Enver Hoxhës) e Miladin Popoviçit, shqiptarofil dhe i vrarë nga serbët, nuk qëndron, se nëse do të kishte qenë kështu, Beogradi nuk do ta çonte Popoviçin përsëri në Kosovë, pasi u largua nga Shqipëria shtetërore, në fund të vitit 1944, me detyrën që kishte pasur para vitit 1941, atë të shefit të Partisë Komuniste Jugosllave për Kosovën. Në këtë periudhë të dytë të qëndrimit të tij në Kosovë, deri në mars 1945, kur u vra, Miladin Popoviçi drejtoi genocidin kundër shqiptarëve të Kosovës, të kryer në dimrin e vitit 1944-1945, kur nga ushtria partizane jugosllave u vranë mijëra e mijëra shqiptarë në trojet e tyre në Jugosllavi.

      Më tutje, Kristo Frashëri e bëri Miladin Popoviçin kriter të Shqiptarizmit, duke i vlerësuar shumë figura historike shqiptare si Mehdi Frashërin, Mit’hat Frashërin, Mustafa Krujën, Abaz Kupin etj., sipas qëndrimit që ata kishin mbajtur në kohën e Luftës së Dytë Botërore, në raport me pushtuesit italianë dhe gjermanë të vendit, në kohën kur sipas prof. Frashërit, Enver Hoxha dhe Miladin Popoviçi luftën për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit fashistë. Kështu, sipas logjikës së prof. Frashërit dilte se Shqipërinë e ka dashur më shumë serbi Miladin Popoviç, se shqiptarët që ishin Etër themelues të shtetit shqiptar, duke firmuar aktin e shpalljes së Pavarësisë, si: Mustafa Kruja, Lef Nosi, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Eqerem Vlora, Zihni Kanina apo kontribuues në ndërtimin e këtij shteti që në fillim si Mehdi Frashëri.

      Kristo Frashëri u shpreh se ai kishte një balancë për të gjykuar figurat historike, duke vënë në të veprimet e mira dhe të këqija të tyre dhe duke parë se nga anonte balanca. Kështu, siç u shpreh profesori, Mustafa Kruja apo Mit’hat Frashëri kishin bërë veprime pozitive, duke firmuar aktin e pavarësisë etj., por ata kishin bërë veprime negative duke bashkëpunuar me pushtuesit fashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në të njëjtën mënyrë gjykoi profesori dhe për Mehdi Frashërin. Profesor Frashëri u shpreh se, Balli Kombëtar dhe Mit’hat Frashëri kanë një përgjegjësi të madhe për vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri, se ata, pavarësisht prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, nuk luftuan kundër gjermanëve, në mënyrë që pas çlirimit të kishin legjitimitet të dilnin si alternativë e Frontit Nacional-Çlirimtar të kontrolluar nga komunistët dhe të merrnin pjesë në zgjedhje, por ua lanë komunistëve pushtetin në dorë. Me këtë që ka thënë i duket vetja burrë shumë i zgjuar këtij Kristo Frashërit! Këtu çështja është nëse komunistët shqiptarë kishin ndërmend dhe po punonin për vendosjen e diktaturës komuniste, që në vitin 1941, kur krijuan partinë, apo këtë e bënë pas 29 nëntorit 1944. Kristo Frashëri tha se regjimi komunist u vendos në 1947-n, kur u bënë shtetëzimet e mëdha në ekonomi. Por në rast se krahasojmë dokumentet që PKSH dhe forumet e dalë nga Konferenca e Pezës shpërndanin publikisht, me dokumentet konfidenciale që tregojnë vendimet që merreshin në mbledhjet e PKSH gjatë luftës që nga vitit 1941, dokumente që u publikuan vetëm pas luftës, del se që në vitin 1941, në realitet është punuar për vendosjen e një diktature represive të PKSH, që do të kamuflohej pas Frontit Nacional-Çlirimtar në fillim dhe më vonë (1945) pas Frontit Demokratik. Që në rezolucionin e parë të PKSH, dokumentin themelues, thuhet se ajo do të jetë një parti e ndërtuar sipas mësimeve të Leninit dhe Stalinit, pra një elitë revolucionarësh pararojë që merr pushtetin me puç të armatosur, sipas manualit leninist dhe që instalon diktaturën genocidale sipas manualit “stalinist”.

      Pra, edhe sikur në 29 nëntor 1944 të ekzistonin përballë Fronti Nacional-Çlirimtar i kontrolluar nga komunistët dhe Balli Kombëtar dhe Legaliteti, kjo do të bënte që në Shqipëri të fillonte lufta civile pas luftës botërore, si në Greqi, apo në Kinë. Në fakt kështu ndodhi edhe në Shqipëri, se komunistët, në kundërshtim me dispozitat kushtetuese që nxorën (Deklarata e të drejtave të qytetarit e tetorit 1944) dhe Kushtetuta e vitit 1946, i arrestuan dhe dënuan me burg dhe pushkatim të gjithë ata që krijuan parti alternative me frontin e kontrolluar prej tyre.

      Prandaj, bashkëpunëtorët e pushtuesve fashistë në vende si Shqipëria, Jugosllavia apo Greqia, ku kishte lëvizje komuniste të fuqishme të kontrolluara nga Moska, që rrezikonin të merrnin pushtetin, janë të shfajësuar në krahasim me homologët e tyre në vende ku lëvizjet komuniste qenë të dobëta si Danimarka, Norvegjia, Holanda, Belgjika. Se tekefundit në kohën e Luftës së Ftohtë, kur SHBA dhe Britania e Madhe, nuk shikonin më si rrezik fashizmin por komunizmin, a nuk mbështetën ato regjime antikomuniste me natyrë fashiste në vendet ku rrezikohej që komunistët të vinin në pushtet, si në Amerikën Latine, Vietnam, Kubë, Greqi etj. SHBA e mbështetën sundimin e Frankos në Spanjë deri në 1975 dhe të Salazarit në Portugali, në emër të antikomunizmit. Nuk ka arsye pse mos mendohet që kështu do të ishin sjellë dhe me kolaboracionistët shqiptarë pas Luftës së Dytë Botërore, nëse do të kishin mbetur në pushtet pas ikjes së gjermanëve.

      Ndryshe nga ç’ thotë Fevziu në librin e tij, Kristo Frashëri nuk mund të shkruajë një histori serioze të lëvizjes së majtë shqiptare dhe aq më pak të krijimit të PKSH, se ai nuk ka vullnetin dhe kurajon për të rrëfyer rolin e tij të vërtetë në të. Kristo Frashëri i ka bërë shërbime të mëdha historiografisë shqiptare pas vitit 1990, veçanërisht me ato që ka shkruar kundër uzurpatorit grek të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Janullatosit, si dhe me ato që ka shkruar kundër detraktuesve të Skënderbeut. Por puna e Kristo Frashërit nuk do të jetë e plotë nëse ai nuk bën një rrëfim të sinqertë për periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Nëse mosha dhe shëndeti nuk ia lejojnë që të shkruajë një libër për këtë çështje, do të mjaftonte një artikull në shtyp, ose disa faqe me kujtime. Kristo Frashëri nuk duhet të vdesë me gojën e mbyllur me drynin e blerë në kohën e Enver Hoxhës.


[i] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011,  f. 85

[ii] po atje: f. 71-72

HESHTJA DHE BASHKËPUNIMI

 Frashëri nuk e ka shpjeguar kurrë saktë se si ndodhi që ai, një komunist i thjeshtë dhe për të cilin kishte shumë dyshime, për shkak se kishte qenë anëtar i Grupit të të Rinjve, u gjend në një bazë (shtëpi) së bashku me dy drejtuesit e rinj të PKSH, Miladin Popoviçin dhe Enver Hoxhën. Kjo mund të ndodhte vetëm nëse Frashëri ishte duke marrë detyra speciale nga Miladin Popoviçi, për të cilin flet me adhurim.

SEKRETI

 Puna e Kristo Frashërit nuk do të jetë e plotë nëse ai nuk bën një rrëfim të sinqertë për periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Nëse mosha dhe shëndeti nuk ia lejojnë që të shkruajë një libër për këtë çështje, do të mjaftonte një artikull në shtyp, ose disa faqe me kujtime. Kristo Frashëri nuk duhet të vdesë me gojën e mbyllur me drynin e blerë në kohën e Enver Hoxhës.

SHËRBIMET DHE TË PAVERTETAT

 Ndryshe nga ç’ thotë Fevziu në librin e tij, Kristo Frashëri nuk mund të shkruajë një histori serioze të lëvizjes së majtë shqiptare dhe aq më pak të krijimit të PKSH, se ai nuk ka vullnetin dhe kurajon për të rrëfyer rolin e tij të vërtetë në të. Kristo Frashëri i ka bërë shërbime të mëdha historiografisë shqiptare pas vitit 1990, veçanërisht me ato që ka shkruar kundër uzurpatorit grek të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Janullatosit, si dhe me ato që ka shkruar kundër detraktuesve të Skënderbeut.