Ndriçim Kashami: Do jetë kampionat shumë i fortë, me 4-5 ekipe pretendente

KATEGORIA E PARË/ Java e parë nis me gola e tension, ja analiza e specialistit të futbollit Ndriçim Kashami

Nga Agron KAJA

Sigal


Kategoria e Parë luajti në fundjavë e shkuar ndeshjet e javës së parë, starti i sezonit të 79-të në këtë kategori. Në gjashtë ndeshjet e luajtura, vetëm 2 fitore u arritën, ndërkohë që e 4 barazimet e tjera tregoi se rivaliteti do të jetë bashkëudhëtar gjatë gjithë garës së këtij sezoni. Këtë këndvështrim teknik e shpreh edhe specialist i futbollit shqiptar Ndriçim Kashami, i cili për gazetën “Telegraf”, dje analizoi të gjitha ndeshjet, me fokus shënimin e golave dhe paraqitjen në fushë të skuadrave. “Në këtë sezon janë 10 ekipe të cilët kanë qënë pjesë e Superiores, e mes tyre ka kampionë e fitues të trofeve në elitë. Nisur nga ky këndvështrim, mendoj se Besa me Pogradecin  më duken shumë më të fuqishëm nga sezoni i kaluar. Edhe Flamurtari tregoi shumë në përballjen me Besën, ndërkohë që barazimi i Bylisit me Sopotin, më jep idenë se librazhdasit kanë ndërtuar skuadër të fortë. Kësisoj, mendoj se do të jetë kampionat shumë i fortë me 4-5 ekipe pretendente”, kështu e nisi bisedën specialisti Kashami, i cili në analizën e ndeshjes Besa-Flamurtari 3-3 tregon një arsye. “Besa nuk e mbajti avantazhin, e mendoj se ndikuan zëvendësimet që u bënë, ku pas tyre skuadra e humbi ritmin. Këtu përfitoi Flamurtari duke barazuar, por në letër ishte e parashikueshme për një rezultat të tillë. Stoli i Besës duhet të jetë më i përgjegjshëm, na zhgënjeu. Nga ndeshjet e tjera, barazimi i Pogradecit në Fushë Krujë ishte normal dhe i pritshëm. Fitorja e Kukësit nuk më çuditi, sepse është një skuadër më e mirë nga sezoni i kaluar. Për Orikun si debutues, ishte humbje normale me Korabin, ndërsa barazimi 2-2 i Kastriotit në Burrel, nuk kishte ndonjë gjë të veçantë, veç elementëve të sherrit e kartonëve të kuq”. Po si e parashikon Ndriçim Kashami ecurinë e garës në Kategorinë e Parë 2026-2027? “Me 2 fitore, 4 barazime dhe15 golat e shënuar, themi se është një javë e kënaqshme në tundjen e rrjetave. Një shifër normale që tregoi se do jetë më premtuese nga sezoni i kaluar”, ishte kjo analiza e specialistit të futbollit Ndriçim Kashami.

KOMBËTARJA

Supergol i Asllanit, ja reagimi i mesfushorit të Al Jazira

Kristjan Asllani është shfaqur protagonist në ndeshjen që ekipi i tij, Al Jazira fitoi në transfertë përballë Shabab Al-Ahli Dubai në fundjavën e shkuar. Sfida e vlefshme për javën e 4-t të kampionatit në Emiratet e Bashkuara Arabe, përfundoi 1-3. Mesfushori i Kombëtares shqiptare la shenjë me golin e 3-të që e “vulosi” sfidën, pasie gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 91-të me anë të një supergoli nga jashtë zone. Edhe pse u fut në lojë në minutën e 64-t, ia doli që të linte shenjë, njëherësh me golin e parë me klubin e “sheikëve”, Al Jazira.

Për Brojën nuk kanë fund telashet

Tifozët e Bërnlit ku luan Armando Broja, i janë kundërvënë skuadrës pas mungesës së rezultateve. Por ky nuk është telashi i vetëm, sepse klubi i Midëllsbrou ka bërë një ankimim zyrtar në Ligën Angleze, për shkak të pesticideve që përdor ky klub në barin e stadiumit. Gjithçka ishte pasojë e një pesticidi që kishte përdorur klubi për të luftuar një lloj krimbi në tapetin e gjelbër. Midëllsbrou ka kërkuar që të paktën të kompensohet financiarisht nga Bërnli.

Rei Manaj vazhdon serinë e golave, në garë me europianë

Sulmuesi shqiptar Rei Manaj, është kthyer në qendër të vëmëndjes jo vetëm në Ligën e Parë të Turqisë. Në 6 ndeshjet e kampionatit ai ka shënuar 6 gola dhe 1 asist në 6 ndeshje me Sivasspor, ndërsa në ndeshjen kundër Antalyaspor shënoi 1 gol përcaktues në fitoren 2-1. Nëse i referohemi shënuesve në kampionatet e tjera prestigjioze, në të njëjtën linjë është Rafinja i Barcelonës, por sa i takon Manajt, ka reaguar edhe klubi i Sivasspor pas fitores së fundit. Ata e kanë identifikuar 29-vjeçarin shqiptar me kurorën e mbretit.

Idrizi i Flamurtari del në “skenë”: Futbolli në Shqipëri si një luftë bandash!

Presidenti i klubit vlonjat Sinan Idrizi, është shprehur se futbolli në Shqipëri po  kthehet në një luftë bandash. Ai i bëri thirrje Presidentit të FSHF-së Armand Duka, për të reaguar ndaj situatës që po kalon futbolli shqiptar në këto javë të para të sezonit të ri. Dy ndeshjet e radhës në fushën e tij, Flamurtari do ti luajë pa tifozë.

Axhenda e javës së 2-të, luhet në dy ditë

Ndryshe nga java e parë, ndeshjet e javës së dytë të Kategorisë së Parë 2026-2027, do të luhen në dy ditë. Vetëm 1 ndeshje luhet ditën e premte, Flamurtari-Burreli ora 18:30, ndërsa të gjitha ndeshjet e tjera luhen ditën e shtunë, nisur nga ora 16:00.

KATEGORIA E PARË

 SEZONI 2026-2027

    Kampionati i 79-të

(5 shtator 2026 – 2 maj 2027)

Ndeshjet-Java 2             

E premte, 11 shtator 2026

Flamurtari-Burreli   18:30

E shtunë, 12 shtator 2026

Iliria-Kukësi           16:00

Sopoti-Besa            16:00

Oriku-Bylis            16:00

Besëlidhja-Korabi   16:00

Pogradeci-Kastrioti 16:00

RENDITJA  

Skuadrat             Nd     P              

1.Kukësi               1        3

2.Korabi               1        3

3.Besa                  1        1

4.Flamurtari          1        1

5.Kastrioti            1        1

6.Burreli               1        1

7.Bylis                  1        1

8.Sopoti                1        1

9.Iliria                  1        1

10.Pogradeci         1        1

11.Oriku               1        0

12.Besëlidhja        1        0

 

Alarmi te Kastrioti, rrezikon të mbetet me 14 lojtarë!

Alarmi tashmë është lëshuar për Kastriotin, edhe për sfidën e së shtunës ndaj  ndaj Pogradecit. Kastrioti ishte vetëm me 15 lojtarë në dispozicion për javën e parë të Kategorisë së Parë, dhe duke qenë se u dënua Fabio Hasa e trajneri Ramadan Ndreu e merkato vazhdon e bllokuar më 11 shtator do të jenë vetëm 14 lojtarë në dispozicion. Edhe huazimet ranë si opsion, për shkak se merkato nuk u zhbllokua para datës 1 shtator.