Hyqmet Zane: Konventa e Lozanës 100 vjet më parë ishte nënshkrim i tradhëtisë anti-çame

194
Sigal

Është folur dhe shkruar shumë për veprimet antishqitpare në marrëveshjet e qeverisë së Turqisë m me atë të Greqisë që u nënshkrua si konventë në Lozanë 100 vjet më parë. Çamët janë shqiptarë autoktonë dhe nuk ka Vendim i Llozanë apo Bruksel, as Athinë e Ankara  që i tjetërson ata si trashëgimtarë shekullorë në vendin e tyre. Dua ta them që në fillim se Konventa e Lozanës 100 vjet më parë ishte nënshkrim i tradhëtisë anti-çame. Nuk dua të anatemoj se cilët ishin ideatorët e nënshrkimit të asaj Konvente, por dihet se vendimet e Lozanës u kundërshtuan fuqishëm dhe prindërit tanë kujtojnë se vaporrët e Turqisë mbetën në pritje me muaj në molin e Gumenicës sepse popullata çame e refuzoi atë vendim. Pati nga ata që ikën dhe u vendosën në brigjet perëndimore të Turqisë që sot, me gjithë dëshirën për të ruajtur identitetin e tyre, ata janë tjetërsuar dhe kanë humbur shumë identitet. Ndërkohë që “zgjidhja përfundimtare” e politikës dhe kishës greke ishte shpëngulja me dhunë e genocid e popullatës muslimane nga trojet e shtëpitë e tyre nga Çamëria dhe që u vendosën në Shqipëri. Ajo që do të duhej të kujtohej dhe të merren vendime do të ishtë Shoqata Çamëria që do të duhej ta risillte në kujtes këtë Konventë të Lozanës, si një përgjigje ndaj sjelleve të papërgjegjshme të qeverive të njëpasnjëshme të Greqisë, po aq sa edhe papërgjegjshmërisë së qeverive të njëpasnjëshme shqiptare që kanë heshtur dhe, edhe pse kanë nënshkruar Traktat miqëse me Greqinë më 1996 dhe ka një Rezolutë të miratuar nga Parlamenti Shqiptar më 2004, kanë lënë në sirtare të pluhërosur ato ose i kanë kaluar në kalendat greke. Është thjesht një sjellje kritizeri, por një kujtesë e të vërtetave historike që meritojnë trajtesa për t’i sjell në kohë dhe hapsirë si detyrime dhe kërkesa për veprime të mëtejshme. Sjellja intelektuale e zotit Fahri Dahri që tërheq vëmendjen për këtë ngjarje historike që mbetet potencialisht një detyrim për të nxjerrë mësime dhe për të hartuar strategji për çështjen çame. Ai i drejtohet një grupi intelektualësh që i njeh për veprate  tyre në shërbim të çështjes çame si : Tahir Muhedini, Namik Selmani, Hasan Hasani, Selman Sheme, Resmi Osmani, Hyqmet Zane , Njazi Xhelo, Hekuran Halili,  etj., ku ndër të tjera kujton “  Erdhi dhe viti 2023 ku mbushen 100 vite që nga  viti 1923, i Lozanës ku ne çamëve Bota e madhe na këmbeu si kafshët  sikur ishim turq dhe turqit sikur ishin grekë. A ka ndonjë rregull ndërkombëtar për tu hedhur poshtë ai traktat i fëlliqur ? A nuk shfuqizohet as nga koha ai traktat ? Të shikojmë si do veprojë Shqipëria jonë mëmë. Si thoni, ministria e jashtme do ketë ndonjë lëvizje ?? Mos duhen zgjuar ata që paguhen për mbrojtjen e të drejtave të kombasve ? Përshëndes të gjithë pasardhësit e shqiptarëve të Çamërisë dhe mbarë kombasit tanë kudo ku janë”. Sinqeriteti i këtij intelektuali të moshës së tretë që më preku e më vuri në sedër për të risjell në kujtesë të vërtetat e asaj Konente. Konventa e Lozanës u nënshkrua më 30 janar 1923 nga Ismet Inony në Lozanë marrëveshje e veçantë turko-greke, mbi shkëmbimin e grekëve të Anadollit, me “turqit” (këtu u përfshinë shqiptarët e besimit myslyman nga Çamëria) e Greqisë pas luftës çlirimtare turke nën drejtimin e Mustafa Qemal Ataturkut . Me një dekret Greqia përvetësoi pronat e shqiptarëve myslimanë (çamët) dhe jo-zyrtarisht i trajtoi si popullsi shkëmbyese, ashtu siç e parashihte Marrëveshja e Lozan-es për turqit e Greqisë. Sipas marrëveshjes, duke filluar që nga 1 maji i vitit 1923: “…duhet të kryhet shkëmbimi, i detyrueshëm i shtetasve “turq” të besimit ortodoks. Grekët e vendosur në tokat turke, gjithashtu edhe i shtetasve grekë të besimit mysliman nga të vendosur në tokat greke. Të shkëmbyerit duhet të linin vendin e origjinën dhe duhej të fitonin atë të vendit ku shkonin, pa të drejtë kthimi. Ndërsa, në verë të vitit 1924, procesi i shkëmbimit mori karakter masiv. Pas kësaj në vitin 1938 qeveria e mbretërisë jugosllave ka nënshkruar një konventë me qeverinë e Republikës së Turqisë për emigrimin e popullatës turke (në të vërtet ishte fjala për shpërnguljen e popullsisë shqiptare të konfesionit mysliman), nga pjesa jugore e Serbisë, gjegjësisht nga Kosova dhe trevat tjera shqiptare që shtriheshin në 3 banovina: në banovinën e Zetës, Moravës dhe të Vardarit. Traktati e përdorte përkatësinë fetare si kriter për përkatësinë kombëtare dhe kështu për zhvendosjen. Traktati i Lozanës ishte një traktat paqeje i nënshkruar në Lozanë, Zvicër, më 24 korrik 1923. Ai e pushoi zyrtarisht konfliktin që kishte ekzistuar midis Perandorisë Otomane dhe Aleatëve (Perandoria Britanike, Republika Franceze, Mbretëria e Italisë, Perandoria e Japonisë, Mbretëria e Greqisë dhe Mbretëria e Rumanisë) që nga mbarimi i Luftës së Parë Botërore. Traktati i Lozanës i dha fund konfliktit dhe përcaktoi kufijtë e Republikës së sotme të Turqisë. Traktati u ratifikua nga Turqia më 23.08. 1923, nga Greqia më 25.08. 1923, nga Italia më 12.03.1924, nga Japonia më 15.05.1924, nga Britania e Madhe më 16.07.1924. Traktati hyri në fuqi më 6 gusht 1924. Me mbarimin e ratifikimit të instrumenteve, ato u depozituan zyrtarisht në Francë në Paris. Kush ishte fati që i u caktua Shqiptarëve në Traktatin e Lozanës’? Më 30 janar 1923 u nënshkrua në Lozanë marrëveshja e veçantë turko-greke, mbi shkëmbimin e ortodoksëve të Anadollit me “turqit”e Greqisë. Sipas marrëveshjes, duke filluar që nga 1 maji i vitit 1923 u vendos: ”…duhet të kryhet shkëmbimi,  i detyrueshëm i shtetasve “turq” të besimit ortodoks. Grekët (saktë duhet të thuhet: ortodoksët e Azisë së Vogël) banues e në tokat e shtetit Turk, po ashtu edhe shtetasit e besimit mysliman banues në tokat e shtetit Grek”. Të shkëmbyerit duhet të linin vendin e origjinës dhe duhej të fitonin atë të vendit ku shkonin, pa të drejtë kthimi. Në këtë shkëmbim nuk përfshiheshin “banorët grekë të Stambollit dhe turqit e Thrakës Perëndimore”. Mehdi Frashëri, përfaqësuesi shqiptar në Lozanë, më 11 janar 1923, i dërgoi një notë Kryetarit të Komisionit të pakicave, Z. Montagna, ku i tërhiqte vëmendjen për fatin e shqiptarëve me banim në Greqi, veçanërisht në Epirin jugor (Çamëri), rajon i dhënë Greqisë më 1913, duke kërkuar që të merreshin masa, “me qëllim që të ruhej elementi shqiptar nga një trajtim i dhimbshëm”. Përfaqësuesi i Shqipërisë i paraqiti funksionarit të lartë edhe një histori të shkurtër të popullsisë Çame në Greqi, duke argumentuar që çamët banonin në Greqi qysh prej kohërave që s’mbahen mend, edhe pëpara se sa të zbrisnin grekët në Evropë. “Përfshirja në shkëmbimin që po diskutohej e kësaj popullsie shqiptare, duke e konsideruar atë si turke, edhe pse s’kishin asnjë lidhje gjaku, gjuhe e zakoni me elementin turk, do të ishte një padrejtësi e madhe e hidhur dhe me pasoja”.Në diskutimin e “notës së shtetit shqiptar” në Konferencë, delegati italian, kryetari i sesionit të pakicave në Konferencën e Lozanës, i sugjeroi sesionit të shkëmbimeve të popullsisë rishikimin e formulimeve në marrëveshje. Sipas tij në parim shprehja “shtetas grekë të fesë myslimane”, kishte rrezik të përdorej për shqiptarët kur “këta patjetër duhej të përjashtoheshin nga shkëmbimi”. Për t’i paraprirë këtij rreziku të mundshëm, ai propozoi që kjo frazë të saktësohej si më poshtë: “shtetas grekë të fesë turke myslimane”. Përfaqësuesi grek Caclamanos duke e pranuar këtë sugjerim deklaroi: “Greqia s’ka për qëllim të kryejë këmbimin e myslimanëve me origjinë shqiptare. Shqiptarët banojnë në një krahinë të përcaktuar qartë, “Epir”, se ata ishin bashkëfetarë me turqit, “por s’janë anëtarë të një kombi”. Një deklarim i tillë pa u thelluar ishte i pranueshëm, por  në të vërtetë fshiheshin dy probleme tepër të rëndësishëm dhe që do dëmtonin më vonë popullsinë shqiptare të Çamërisë, siç u vërtetua më pas me pretendimin se atje përmendej vetëm Epiri dhe jo krahinat e tjera të banuara në Greqi nga shqiptarët dhe e dyta shprehja “me origjinë shqiptare”, ku dihej që para 1913 nuk kishte shtet shqiptar dhe se banorët e rajonit të Çamërisë dihej që ishin autoktonë. Prej atij deklarimi më vonë u krijuan pengesa të qëllimshme, keqdashëse tepër serioze. Njëkohësisht kuptohen qartë manovrimet dhe dredhitë e qëllimshme të shtetit Grek për të realizuar spastrimin e shqiptarëve etnikë nga vendbanimet e tyre autoktone dhe shtrirjen e helenizmit. Krahas përfaqësuesit grek foli edhe delegati Turk Riza Nuri Beu, i cli gjithashtu deklaroi që shqiptarët të mos përfshiheshin në shkëmbim dhe komisioni e mbylli raportin duke vendosur që shqiptarët nuk do të ishin pre e shkëmbimit. Mbështetur në këtë arritje, Kryetari i sesionit të pakicave në Konferencën e Lozanës, i drejtohej Mehdi Frashërit, si i deleguar i Shqipërisë pranë kësaj konference, më 20 janar 1923 duke e njoftuar, se si përfaqësuesit turq ashtu si edhe përfaqësuesit grekë kishin deklaruar qartë se pakicat shqiptare të Turqisë ose të Greqisë janë ligjërisht dhe faktikisht të përjashtuara nga këmbimi i popullsive. Përjashtimi i shqiptarëve nga shkëmbimi i arritur në këtë marrëveshje theksohet edhe në dokumentat e arkivës turke. Kjo ishte një fitore e palës shqiptare, e cila shërbeu si pikë referimi për gjithë lëvizjen e popullsisë shqiptare në Greqi, dhe kudo ku ka shqiptarë, të cilët ishin kundër shkëmbimit të tyre në Turqi. Në atë kohë Mehdi Frashëri ka deklaruat se : “kjo i shpëtoi çamët nga shkëmbimi i detyruar”. Në verë të vitit 1924, procesi i shkëmbimit mori karakter masiv. Në këto kushte qeveria shqiptare ndërmori një varg hapash serioze duke e bërë mbrojtjen e popullsisë shqiptare të Çamërisë, një ndër objektivat kryesore të veprimtarisë së saj diplomatike. Ajo kërkoi që çështja të shtrohej për shqyrtim edhe një herë në Këshillin e Lidhjes së Kombeve. Në letrën që i drejtonte sekretarit të përgjithshëm, duke i bërë një interpretim të saktë Marrëveshjes së Lozanës të vitit 1923, shkruhej : ”Qeveria shqiptare mendon se parimi i prejardhjes që ka adaptuar komisioni miks, mund të zbatohet edhe kjo deri në një farë pike, vetëm për ata shqiptarë që banojnë në Maqedoni në mënyrë sporadike, kurse ai nuk mund të merret fare parasysh për një krahinë si Çamëria ku popullsia është kompakte. Ajo mendon se edhe vet fakti që kësaj popullsie i kërkohet të shfaqë dëshirën, është në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Lozanës, e cila thotë se elementi shqiptar do të përjashtohet nga shkëmbimi..”. “Qeveria shqiptare është e mendimit se është e pamundur të merret seriozisht, një dëshirë e shprehur nga një popullsi që është nën tmerrin e masave të dhunës së autoriteteve helenike…”. Problemi çam zuri një ndër vendet qendrore në veprimtarinë diplomatike të qeverisë së Fan Nolit, duke ndërmarrë një varg hapash për sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar, përmes Lidhjes së Kombeve, denoncimin për dhunën e përdorur nga autoritetet greke për shpërnguljen e shqiptarëve. Nolit nuk i mungonte asnjëherë përpjekja për krijimin e një klime të re midis të dy vendeve. Ai e shikonte problemin e minoriteteve jo si pengesë, por si një urë lidhjeje dhe bashkëpunimi. Në një intervistë që i kishte dhënë Noli gazetës greke “Politika” duke dashur të krijojë një atmosferë të re, në mënyrë të veçantë midis Shqipërisë dhe Greqisë, ka theksuar se : “Pakica kombëtare, si këtej, ashtu edhe andej, duhej të jenë jo si një pengim, por si një lidhje dhe si një urë për marrëveshje midis nesh”. Kur nën pretekstin absurd të “hetimit për përcaktimin e prejardhjes”, dëbimi i popullsisë çame po merrte përmasa të gjera, qeveria shqiptare kërkoi që çështja të shtrohej përsëri për shqyrtim në Këshillin e Lidhjes. Në telegramin që i dërgohej sekretarit të përgjithshëm, më 11 gusht 1924 thuhej se : ”…..fizionomia etnike shqiptare e krahinës së Çamërisë është përcaktuar në mënyrë të pakundërshtueshme, për arsye se popullsia është autoktone, ajo flet vetëm shqip, se kultura turke është krejt e pa njohur aty dhe se asnjë element tjetër i huaj nuk ndeshet në këtë krahinë…”. Në këto kushte çdo hetim është i tepërt dhe në kundërshtim me çdo gjë që është vendosur më parë.

Megjithatë, në prag të hapjes së Asamblesë në Gjenevë, autoritetet greke kishin përfshirë në shkëmbim afro 10.000 çamë. Delegacioni shqiptar në Asamblenë e 5-të të Lidhjes së Kombeve e bëri çështjen e mbrojtjes së të drejtave të kësaj popullsie një nga objektivat e tij kryesore. Në krye të delegacionit, Fan Noli, denoncoi me forcë veprimet e paligjshme të qeverisë greke dhe të komisionit miks. Në përfundim, nëpërmjet analizës që i bëri procedurës, komisioni miks “e linte derën hapur për lloj-lloj persekutimesh nga ana e autoriteteve greke”. Në fjalën që mbajti më 29 shtator 1924 në sesionin e Këshillit të Lidhjes së Kombeve, Fan Noli ndër të tjera tha: ”Shumica e shqiptarëve myslimanë të Greqisë janë përfshirë në shërbim sepse është një e vërtetë palisiane (që duket sheshit) se myslimanët e Epirit nuk janë gjë tjetër veçse shqiptarë…”. Traktati i Lozanës i vitit 1923, iu dha shkas qarqeve drejtuese të Athinës që të dëbojnë me dhunë nga trojet e tyre stërgjyshore shqiptarët çamë. Në vitet pasardhëse shteti Grek arriti të ndryshonte vetëm taktikat, strategjia mbeti e njëjtë, çrrënjosjen e plotë të popullsisë shqiptare të Çamërisë, të cilën e përfundoi me gjeneralin Napoleon Zerva në vitin 1944, duke realizuar gjenocidin grek ndaj çamëve të rajonit të Çamërisë. Fakte të vërteta që tregojnë synimin strategjik grek për ç’farosjen etno-fetare të çamëve me çdo mjet, duke përdorur krahas shpifjeve, mashtrimeve edhe dënimet pa shkak, dëbimet masive dhe vrasjet. Në Traktatin e “Lozanes”, u bë një përpjekje e pa skrupull (scrupolo-it.), për të quajtur popullsinë myslimane të Çamerisë si popullsi turke. Shumë çamë u detyruan nga pala greke të emigronin për në Turqi. Por ndodhi që përfaqësuesi grek Kaklamanos, dhe ai turk Riza Nuri, deklaruan se: ”Banorët shqiptarë të Greqisë do të përjashtoheshin nga marrveshja e shkëmbimit”. Sakaq sipas raportit të “Komisionit Evropian për Ligj e Demokraci“ në “Këshillin e Evropës”, pas negociatash të gjata në komisionin miks “Më 19/1/1923 përfaqsuesi grek Kaklamanos deklaron se askush nga shqiptarët e Epirit nuk do të dëbohet, dhe premton publikisht se Çamët nuk do ishin kontigjent shkembimi midis Turqisë dhe Greqise”. Nga ky qendrim, automatikisht çamët përfitonin dy statuse të munguara, më shumë të mohuara nga shteti Gre k:

  • – Statusin etnik dhe,
  • -Religjoz (fetar), i siguruar nga Traktati i Sevrës dhe ai i Lozanës.

Epilog

E gjej me vend të “bërtas” e ta ngre zërin deri në kupë të qiellit se mali i patrejtësive kërkon jo një grusht, por një “armatim” të mirëmenduar që të shkërmoq malin e padrejtësive ndaj Çamërisë.