Elona Agolli, rrëfen për jetën e poetit të madh Dritëro Agolli

Ja çfarë tregon vajza e kolosit të madh të letrësisë, Elona Agolli nga dorëshkrimet e të madhit Dritëro si student në Moskë. Qëndrimi në bordellin që  kishte frekuentuar edhe Pushkini, përjetimet , përkthimet e librave dhe malli për Shqipërinë

Ja çfarë tregon ajo nga dorëshkrimet e të madhit Dritëro

Nga Odesa u nisëm me tren në Moskë ku ndenjëm disa ditë në konviktet e studentëve (një javë). Pastaj, po me tren u nisëm në Leningrad. Zura vend në shtëpinë e studentëve pranë lumit të Nevës, në vendin e quajtur “ Mitninskaja Naberezhnaja 6“ (Bregu i Mitninskës) Shtëpia e studentëve dikur, në kohën e Carit, kishte qenë bordell për oficerët. Thuhet se këtë bordell e kishte frekuentuar edhe Pushkini

Sigal

Pak biografi… Dritëroi tregon: “Në mbarimin e verës në 1952 u nisa me vaporin e vogël rus “ Kotovski “ nga Durrësi për në Odesë. Ishte hera e parë që shikoja det Deti qe i keq, i ashpër. Më mundoi tepër.

Nga Odesa u nisëm me tren në Moskë ku ndenjëm disa ditë në konviktet e studentëve (një javë). Pastaj, po me tren u nisëm në Leningrad. U regjistruam në Universitetin Shtetëror “Zhdanov”. Zura vend në shtëpinë e studentëve pranë lumit të Nevës, në vendin e quajtur “ Mitninskaja Naberezhnaja 6” (Bregu i Mitninskës) Shtëpia e studentëve “Dom 5” (Pallati 5), në katin e tretë. Dikur, në kohën e Carit, Dom 5 kishte qenë bordell për oficerët. Thuhet se këtë bordell e kishte frekuentuar edhe Pushkini, i cili kishte ndenjur në Leningrad dhe kishte shumë pllaka përkujtimore për qëndrimin e tij në këtë qytet gjigand.

Në dhomë isha me Marash Hajatin, me një gjerman të quajtur Gunter dhe një student çek nga Praga, që u bë më vonë filozof po për fat të keq ia kam harruar emrin. Me Gunterin jam takuar një herë mbas shumë vjetësh në një udhëtim në Gjermani. Me çekun s’jam takuar kurrë më. Pedagoge kam patur albanologen e madhe ruse Desnickaja. I shquar ka qenë edhe pedagogu Bjallij, që na jepte letërsinë ruse, nga i cili kam mësuar shumë, si dhe një tjetër studiues me famë botërore i quajtur Proppi, i cili ka bërë librin “ Morfologjia e përrallës”, një libër model që anon nga strukturalizmi, që rusët e kanë lëvruar shumë.

Gjatë studimeve kam ardhur me pushime vetëm një herë në Shqipëri, në vitin 1954, dhe jetova gati dy muaj te shtëpia e prindërve, që ishin vendosur në Sukth, shtëpi që është akoma në këmbë.

Në Leningrad dhe në udhëtimet që bëra në Rusi njoha shumë gjëra; bota u bë e pakufishme. Leningradi është porta e dytë shumë herë më e madhe për mua”.

Për tre muaj mësova shumë mirē rusishten. Lexoja papushim si i tërbuar. Blija libra te bukinistët e Nevës, edhe nga librat e shkrimtarëve të ndaluar nga regjimi sovjetik.

Në vizionin tim hyri Pushkini, Lermontovi, Çehovi, Tolstoi, Gogoli, Andrejevi, Bunini, Babeli, Dostojevski etj. U njoha gjatë leksioneve në Universitet me Ehremburgun, Shollohovin, Tvardovskin, Nazim Hikmetin, Jevtushenkon etj.

Posaçërisht më tërhoqi Bagricki, të cilin fillova ta përkthej me dashuri dhe pasion.

Në Rusi, larg Shqipërisë, e desha shumë më tepër Shqipërinë. E kuptova më thellësisht, dmth, më poetikisht. Përjetova pse Naimi në mërgim kishte shkruar aq bukur dhe me mall për malet dhe fushat e Shqipërisë.

Rusia më bëri më shumë se më parë shqiptar. Kjo është plotësisht e vërtetë. Këtë gjë e vërtetojnë librat e mi.