16 vjet pa “Zonja nga Qyteti” , Violeta Manushin. Flet Peliniku dhe Milkani

58
Sigal

16-vjetori i ndarjes nga jeta

Violeta Manushi mbetet një nga ikonat e Teatrit Kombëtar, aktive për mëse 55 vjet. Aktore e madhe, që ka shkëlqyer njësoj si në komedi (Ollga tek “Zonja nga qyteti”) ashtu edhe në dramë (Nica tek “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”). Numëron mbi 100 role në teatër dhe 16 në kinema. Në maj 2004 u rikthye me sukses në skenën e Teatrit Kombëtar, me tragjikomedinë “Streha e të harruarve”

Fëmijëria dhe ëndrra për teatrin

Lindur më 6 mars 1926 në Voskopojë të Korçës, Violeta do të kalonte një fëmijëri pa përralla. Një fëmijëri të vështirë. Një familje e varfër, uria e së cilës e njohu me ‘’udhën e punës’’. Vetëm 14 vjeçe! Familja e saj jetonte në varfëri të tejskajshme. Fëmijët u detyruan të punonin në moshë fare të njomë, për të siguruar bukën e gojës. Aktorja është shprehur se, ka qenë një fëmijë e padëshiruar, por kur u konstatua, prindërit gëzoheshin se mos do të lindte djalë, që t’i bëhej krah Llambit, djalit të vetëm. Që në moshën 14-vjeçare, ajo do të provonte mbi shpinën e njomë punën fizike fillimisht në fabrikën e këpucëve në Korçë, më pas punëtore në shtypshkronjën “PEPO”. Kështu vitet kalonin dhe Violeta e rritur para kohe po bëhej një zonjushë e vendosur. Do të ishte 20 vjeçe kur do të dëgjonte melodinë e fatit në vitin 1946, prej ku do të shquhej menjëherë talenti i saj në shkollën e parë dramatike të hapur pranë Teatrit të Shtetit, sot Teatri Kombëtar. Do të ishte ky rrugëtim i saj i gjatë i mendjes, shpirtit dhe dashurisë. Shtëpia e saj! Fati i saj! Me një karrierë 60-vjeçare në themele të teatrit. Me 110 role të gdhendur e skalitur skenës dhe plot 16 të tjera në kinematografi. Ishte viti 1957 tek ‘’Orët e Kremlinit’’ rekordi i parë që do të thyente me interpretimin e tri roleve. Më pas do të shkëlqente në rolet protagoniste më 1959 ‘’Gratë gazmore’’, ‘’Morali i zonjës Dulska 1958. Me shumë sukses një Olimbi të paharruar tek ‘’Karnavalet e Korçës’’ 1964, Zyhranë tek ‘’Fytyra e dytë’’ 1968, Nicën tek ‘’Gjenerali i ushtrisë së vdekur’’ 1971, e shumë të tjerë. Në vitin 1997, së bashku me ‘’Mjeshtren e madhe’’, profesoreshë Drita Pelinkun, bordi drejtues i Institutit Amerikan të Biografive do i vlerësonte për kontributin e dhënë dhe arritjet e karrierës ndër 500 udhëheqësit më me influencë të shekullit të XX.

Ikja në përjetësi

Violeta Manushi iku duke lënë gjurmë të pashlyera në radhët e korifejve të artit skenik shqiptar, në radhët e atyre që vunë themelet e godinës së aktrimit teatror dhe filmik. Në atë kohë Luftar Paja për Violeta Manushin do të thoshte mes të tjerash: “Ajo për këtë teatër ka sakrifikuar jetën, duke luftuar me penë dhe djersë për të mposhtur konceptet e asaj kohe. Ajo ishte këmbëngulëse në rolet që bënte. Ka qenë një njeri i respektueshëm në klimën artistike që sot me keqardhje mund të them se çalon. Artistët si ajo ishin të rrallë. Dritëro Agolli do të mëtonte kësisoj për aktoren: “Shtëpia e Violetës ishte skena, rolet ishin fëmijët e saj. Artistja e Popullit Violeta Manushi, mbetet një nga kalorëset më fisnike të skenës, që bashkë me brezin e saj, hodhën themelet e Teatrit Kombëtar dhe vendosën bazamentin e dashurisë për teatrin tek njerëzit. Në këto themele, bashkë me teatrin, Violeta Manushi, ndërtoi edhe shtëpinë e saj. Për atë, teatri dhe shtëpia ishin një. Ajo nuk u martua, nuk bëri fëmijë, vatra e saj ishte skena dhe rolet, ishin fëmijët e saj. Këta ishin shumë, të vegjël, të rinj, të moshuar, të mençur, shakatarë e seriozë. Atyre u dha frymën e saj, shpirtin dhe mendjen, u dha karakterin kombëtar dhe popullor, veset dhe virtytet, zemërimin dhe trishtimin, prandaj, këto personazhe të krijuara prej saj, u bënë thellësisht popullore, bashkë me të.

Drita Pelinku

‘’E di si jam njohur me Violetën? Kanë kaluar shumë vjet, por për mua ky takim mbetet nga ata të rrallët që të dhurojnë çelësin e shumë sekreteve. Isha në teatër kur shoh 3 vajza që po vinin, veshur bukur. Pas tyre Violeta, e cila me shumë çiltërsi më shtrëngoi dorën. Mbante veshur një xhaketë burrash, një palë atlete lecke, flokët e prera drejt dhe nuk e di pse e paragjykova… artistët duhej të kishin imazh tjetër. E kush e dinte që pas kësaj vajze aq të varfër do të fshihej kjo artiste ikonë, nga ku më mbush shpirtin plot sa herë vjen këtu…!’’

Pirro Milkani

Ekzigjenca estetike e filmit për staturën e saj bëri që kjo Ollgë të mos harrohej kurrë. Zakonisht kur aktori identifikohet me rolin, është arsye suksesi. E dimë tashmë të gjithë që para se të ekranizohej, kjo ishte një vepër teatrale që luhej në Teatrin e Korçës. Por konvertimi i pjesës teatrale në film kishte ndryshime. Për shembull skena e Malos me Violetën, doli aq e bukur, pasi ky ishte marifet i saj. Sigurisht dhe teksti i Ruzhdi Pulahës bënë që ky film të kishte sukses të jashtëzakonshëm.

Disa prej roleve që ka interpretuar “Artistja e Popullit”, Violeta Manushi.

Teatër:

“Qypi me flori”
“Epopeja e Ballit Kombëtar”
“Dom Gjoni”
“Pas vdekjes”
“Halili dhe Hajria”
“Tartufi”
“Mikroborgjezët”
“Rrënjët e thella”
“Orët e Kremlinit”
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”
“Morali i zonjës Dulska”
“Arturo Ui”
“Lumi i vdekur”
“Karnavalet e Korçës”
“Zonja nga qyteti”
“14 vjeç dhëndër”
“Epoka para gjyqit”
“Borgjezi fisnik”
“Fytyra e dytë”
“Pallati 176”
“Valsi i titanikut”
“Kati i gjashtë”, etj. etj.

Filma:

1958: “Tana” – Ngjela
1961: “Debatik” – (E shoqja e tregëtarit)
1965: “Vitet e para” – (Lonevica)
1969: “Përse bie kjo daulle” – (Banakierja)
1969: “Plagë të vjetra” – (Nëna e Verës)
1970: “Gjurma” – (Vjehrra e Artanit)
1973: “Mimoza llastica” – (Gjyshja)
1975: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” – (Plaka Nice)
1976: “Zonja nga qyteti” – (Teto Ollga)
1977: “Zëmra që nuk plaken” – (E shoqja e Azemit)
1979: “Përtej mureve të gurta” – (Gjyshja e Asimesë)
1980: “Një shoqe nga fshati” – (Teto Ollga)
1982: “Një vonesë e vogël” – (Nëna)
1984: “Taulanti kërkon një motër” – (Tezja)
1986: “Rrethimi i vogël” – (Frosa)
1987: “Eja” – (Ruzhdia)
1987: “Telefoni i një mëngjesi” – (Banakierja)
2005: “Trishtimi i zonjës Shnajder” – (Banakierja)