Zinxhira: Ja sa do paguajnë shqiptarë jashtë për pasaportën shqiptare

62
Sigal

Pasaportat një biznes: Shteti shqiptar me dy fytyra – Shqiptarët në Greqi paguajnë pasaportën shqiptare PESË herë më shtrenjtë se në Evropë?

Pasaportat shqiptare në Greqi 5 herë më të shtrenjta se Rajoni. Shqipëria është i vetmi vend ku pasaporta me të dhëna konfidenciale, janë dhënë për menaxhim një kompanie private.

Po sa paguajnë emigrantët shqiptarë në Greqi një pashaportë shqiptare në krahasim me vendet e tjera në BE? Nga verifikimet e bëra na del se emigrantët shqiptarë paguajnë shumë herë më shtrenjtë se disa vende dhe më shtrenjtë se çdo vend në Evropë. Konkretisht: Shqiptarët e paguajnë pasaportën 7 herë më shumë se Bullgari, 6 herë më shtrenjtë se Suedia, 5 here më shtrenjtë se Spanja dhe Polonia, 3 herë më shrenjtë se Qipro, 2 herë më shtrenjtë se Austria, Belgjika dhe Rusia etj. Kjo pasaportë shqiptare monopol i shtetit, falë ish-kompanisë franceze ALEAT janë 5 herë më të shtrenjta se në Evropë, dhe ndryshe nga Shqipëria ato janë monopol i shtetit, kjo kompani për 15 vjet i rropi emigrantët me çmime nga më të larta, ndërsa sot mesa duket edhe shteti do të ndjekë rrugën e kësaj. Por me gjithë këtë edhe pse jemi një nga vendet më të varfëra, sot jemi kampion në Ballkan dhe në Evropë duke zënë vendin e parë përsa i përket çmimit të pashaportës shqiptare. Skandale të tilla në kurriz të emigrantëve nuk kanë të sosur, ata shihen nga kjo kompani si një rubinetë çezme.

Një gjë është e vërtetë edhe pse jemi një nga vendet më të varfëra në rajon, vlera e çmimit të pasaportave i kemi nga më të shtrenjtat në rajon. Po sa kushton një pashaportë shqiptare nëse emigrantët do e marrin në Greqi? Pashaporta kushton 130 euro dhe 12 euro karta e identitetit, kësaj shume duhet t’i shtohet edhe 2.5 euro shërbimi bankar, si dhe 6.7 euro shërbimi postar dhe shuma që emigrantët duhet të paguajnë për 1 pasaportë kap shifrën 154 ero. Lidhur me këtë problem një shqetësim është se një kompani private ka hapur një zyrë përballë ambasadës sonë në Athinë, ku për një aplikim pasaporte u marrin emigrantëve nga 10 euro, duke e çuar atë në kuotën e 164 euro. Duke u hedhur një sy shifrave që paguhen për këto pashaporta në disa vende të Rajonit, shikojmë se ato variojnë si më poshtë: Greqi 83 euro për pashaportë dhe letërnjoftimi falas; Itali 83 € Belgjikë, Zvicër 126€; Angli 144£.; Austria 72€ ; Belgjika 65€; Bullgaria 19,8€ , Qipro 54€ ; Danimarka 81€ ; Franca 81€ ; Gjermania 59€; Polonia 31€; Portugalia 54€ ; Rusia 69€; Spanja 29€; Suedia 27€; Anglia 84€; Rumania 58€ . Këto fakte plotësojnë bindshëm mendimin e emigrantit se ish- kompania private e shfrytëzoi atë dhe nuk është një aludim. Të mos harrojmë që çmimi i pashaportës shqiptare varet edhe nga largësia e shteteve dhe çmimet për këto vende janë edhe më të shtrenjta. Madje për ata që e duan më shpejtë, çmimet dyfishohen. Duhet pranuar edhe një fakt , që Shqipëria është i vetmi vend ku pasaporta, pjesë e simbolit dhe identitetit kombëtar, i ishte dhënë për menaxhim një kompanie private, pavarësisht se brenda saj ka të dhëna konfidenciale, sikurse janë të dhënat personale dhe shenjat e gishtrinjve. Gjatë gjithë këtyre viteve policisë tonë i është dashur të bëjë pagesa të veçanta tek koncesionari i huaj për të marrë të dhëna në raste kur i nevojiten identifikimi i gjurmëve të gishtërinjve. Skandali tjetër është se për të bërë një kartë identiteti duhet të udhëtosh 1500 km nga Greqia në Shqipëri, pasi kushti është që duhet bërë bashkë me pasaportën në Greqi. Një çmënduri alla-shqiptarçe me vulën e ish-kompanisë Aleat.

Por çfarë ndodh sot me këtë biznes? Qeveria mashtroi për çmimin e pasaportave dhe kartave, të cilat nuk do të ulen pas shtetëzimit, duke shfaqur dy fytyrë. Tashmë që monopoli i kaloi shtetit dhe qeveria nuk i uli çmimet, fitimet marramendëse do të shkojnë në arkën e qeverisë për t’u menaxhuar nga burokratët e shtetit. Ish ministri brendshëm Bledi Çuçi deklaroi se letërnjoftimet biometrike do të prodhoheshin nga kompania shtetërore IdentiTek, ndërsa sqaroi se me kalimin e këtij shërbimi nga privati tek shteti, do të ketë edhe mundësi për rishikimin e çmimit të tyre. Prodhimi i pasaportave u shtetëzua. Konçesioni i shtrenjtë i francezëve, që u mori shqiptarëve mbi gjysmë miliardë euro përfundoi gjatë 15 viteve, nuk ka ndërgjegjsuar dhe vënë para përgjegjësisë morale dhe politike qeverinë Rama, që sot tregoi se nuk i uli çmimet.

Për 15 vjet me radhë, Aleat ka qenë një nga ndërmarrjet më fitimprurëse në Shqipëri, duke regjistruar norma fitimi që kanë variuar nga 25 deri në 50 për qind të xhiros. Të dhënat historike tregojnë se për të gjithë periudhën 15 vjeçare Aleat arkëtoi 52.5 miliardë lekë ose gjysmë miliardë euro nga qytetarët shqiptarë për pajisjen e tyre me dokumenta identifikimi. Sot këtë rrugë do ta ndjekë edhe vetë qeveria, duke pare atë si një biznes në kurriz të popullit shqiptar.