Hekuran A. Rapaj: Atje tek rrepet e Kardhiqit ku zë fill historia e luftrave për liri

(7 GUSHT 1943 – 2024)

– Kjo traditë, ngeli si një meteor i pashkëputur me zanafillë ditën e parë të lindjes së batalionit partizan “Asim Zeneli”.

Sigal


Kanë kaluar mjaft vite e dekada, që kur ne ishim fare fëmijë dhe mezi prisnim të shkëputeshim pak nga punët në kooperativë, për të shkuar në festën madhore të krahinës tonë: Atë të 7 Gushtit. Kemi qenë vocërrakë, por tani e kemi të pranishëm në qenien tonë trupore dhe emocionale, kur prindërit dhe gjyshërit tanë na merrnin përdore në rrugën e gjatë, për te rrepet madhështorë të lumit të Kardhiqit, atje poshtë Zhulatit historik. Edhe vitet kalonin dhe ne mendonim se ishim rritur pak, (nxënës të shkollës 8-vjeçare), krijonim grupet tona të shoqërisë dhe vraponim për në Festë. Që një natë para, përzgjidhnim ndonjë këmishë e pantallona, shollët me rrypa që të mos na këputeshin rrugës dhe, si ketra kapërcenim shkurre e ferra për drejt festës. Jemi të bindur tani, se për shëmbull, nga Shtëpëzi deri në rrepet e Festës, nuk besojmë se ndonjë atlet do thyejë rekordin tonë të asaj kohe. Sa shkonim në fushën e Festës, edhe pse mitingu për nder të dërguarve të partisë dhe të shtetit të asaj kohe vazhdonte, ne kacavirreshim mbi spondet e makinave për të marrë, më të preferuarat tona: akullore dhe aranxhatë. Ishin mbresat tona të kohës që jetuam, të djeshmen, qoftë dhe të hidhur, por ndjemë një kënaqësi për ngjarjet e së kaluarës. Duke i ruajtur sado pak të gjalla kujtimet e atyre viteve, është detyrë njerëzore të transmetohen duke vërtetuar se kohët dhe sakrificat e njerëzore nuk kanë qenë kështu, siç mendohet dhe gjykohet ngandonjëherë me njëanshmëri. Nën hijen e rrepeve, pranë ujit të lumit që rridhte pak, gjallonte jeta e banorëve të krahinës së Kardhiqit, Gjirokastrës, Mashkullorës, Kurveleshit të Sipërm, Odries e Lunxhërisë, nëpërmjet sazeve, polifonisë së shkëlqyer labe, valleve tradicionale të Labërisë, Çamërisë, Odries e Zagorisë. Në ato rrepe ka lulëzuar përherë atdhedashuria, vëllazërimi, miqësia, mikpritja, humori, zgjuarsia, urtësia, besnikëria dhe virtytet më të mira të Labërisë, duke i lartësuar ato rrepe në pavdekshmëri. Pasi mbaronte ceremonia e rastit, fshatrat të ndara me “sinore” të mirë-përcaktuara, bashkërisht ndanin ato çfarë kishin marrë me vete, mishin e pjekur në hellë, mezet e rakisë dhe rakinë që nuk shteronte, shoqëruesja e këngës Labe. Çdo gjë tjetër, tradicionale e të veçantë e ndanin me grupet e fshatrave përreth, duke krijuar kështu një zinxhir miqësie dhe respekti të pashkëputur. Kjo traditë, ngeli si një meteor i pashkëputur me zanafillë ditën e parë të lindjes së batalioni partizan “Asim Zeneli”. Në kujtimet e veteranëve dhe dëshmitarëve të kohës, në ceremoninë e formimit të këtij batalioni morën pjesë mbi tre mijë vetë, burra, gra, fëmijë, të rinj e të reja, një festë si kjo nuk ishte parë ndonjëherë në këto anë. Aty shpërthyen këngët e vallet e Kurveleshit që nga Bolena, Kallarati Kuçi, Fterra, Borshi, Çorraj, Gusmari, Nivica, Rexhini, Progonati, Lekdushi, Golëmi, Verniku, Kaparjeli, Fush-Bardha, Zhulati, Kardhiqi, Plesati, Kolonja, Shtëpëzi, Lunxhëria, dhe qytetarë të Gjirokastrës e Mashkullorës.

Dhe ky zinxhir asnjëherë nuk u shkëput, deri në vitet pas ’90-tës, kur ne menduam se u futëm në rrugën e drejtë të demokracisë e të vlerave. Që atëherë e deri tani, pas më se 30-vjetësh jemi gënjyer, jemi vjedhur, çorientuar dhe, një marshim përbuzësh kundër vlerave më pikante të historisë së kombit tonë.  Ishte koha kur pushtuesi fashist e kishte mbërthyer tërë vendin në një darë të fuqishme ushtarake dhe terrori i egër fashist ishte mjeti kryesor i sundimit gjakatar. Për të zhvilluar luftën e armatosur, forcat antifashiste nuk kishin as mjete financiare, as armë, nuk kishte kuadër ushtarakë të përgatitur. Edhe përvoja politike ishte shumë e kufizuar. Pjesëtarët e Luftës Nacionalçlirimtare nuk kishin përgatitjen e nevojshme të gjerë e të thellë, teorike e praktike e të luftës partizane. Por, ata kishin ne damarët e tyre përkushtimi atdhetar dhe etjen për liri e pavarësi. Pengesat u kapërcyen vetëm në zjarrin e luftës, duke pasur besim të patundur në vendosmërinë e patriotizmin e pakufishëm të popullit shqiptar. Kjo luftë çlirimtare, në qytete, krahina dhe qarqe të ndryshme të vendit e drejtuan dhe e fituan në bazë të direktivave të Komitetit Qendror të Përkohshëm të PKSH, Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare nën drejtimin e shokut Enver Hoxha. Labëria dhe Kurveleshi i Sipërm e urrente pushtuesin fashist dhe në zemrat e lebërve vlonte dëshira për ta parë Shqipërinë të lirë e të pavarur. Ajo e ka shprehur këtë urrejtje në mënyra të ndryshme. Kundërshtonte të paguante taksat dhe të dorëzonte detyrimet në prodhime bujqësore të caktuara nga regjimi i pushtimit. Janë dhjetëra e qindra protesta të zonës së Kurveleshit të Sipërm e të Poshtëm, në Gjirokastër, Libohovë, Tepelenë e në krejt Labërisë. Para së gjithash, fshatari donte të shikonte vepra. Vepra të tilla që ushtruan një ndikim të madh në krahinën tonë, ishin aksionet e guximshme të njësiteve guerile, të çetave partizane e ato territoriale, heroizmi i pashoq në këto aksione i luftëtarëve të formacioneve luftarake partizane. Labëria ka një nderim të veçantë për trimat, sepse edhe lebërit vetë e kanë pasur në gjak gjithnjë trimërinë. Të tillë trima, të tillë njerëz të guximshëm, të tillë luftëtarë të vendosur kundër fashizmit, si pjesëtarë të çetave partizane, ngjallën tek ai dashuri dhe besim të pakufishëm. Në fillim të vitit 1942, krahinën tonë po e kanoste rreziku i urisë. Zija e bukës ishte pasojë e dëmeve të mëdha që pësoi bujqësia dhe blegtoria gjatë Luftës Italo-Greke, si dhe nga politika shtypëse e grabitqare e pushtuesve. Për të dalë nga kjo gjendej, fshatarësisë ia tregoi rrugën Lufta Nacionalçlirimtare. Ajo u bëri thirrje fshatarëve që të mos u jepnin fashistëve asnjë lloj takse, asnjë kokërr gruri e misri, asnjë pikë vaji e asnjë fije leshi.

Mbi themelet e kësaj bindjeje dhe të lidhjeve që u krijuan me fshatarësinë, u arrit që të ngriheshin bazat e para të lëvizjes çlirimtare. Deri në vitin 1942 ishin krijuar baza pothuajse në çdo fshat të Kurveleshit, Labërisë, në Kardhiq, Lunxhëri, Zagori, Gjirokastër, Libohovë, si dhe çetat partizane, të cilat kryenin veprime të armatosura duke i shkaktuar pushtuesit  dëme të ndjeshme.

Krijimi i çetave të reja partizane solli domosdoshmërinë e bashkimit dhe organizimit në formacione më kompakte komandimi. Formimi i batalioneve partizane përmbante një varg përparësish në krahasim me formacionet paraardhëse, siç ishin çetat partizane dhe njësitet guerile. Përparësitë e tij nuk shfaqeshin vetëm në faktin se përmblidhte një numër të përqendruar luftëtarësh. Kjo ishte njëra anë. Periudhat e ‘’eksperimentimit’’ aktiv, treguan se përparësitë e tij qëndronin sidomos në faktin se ishte një formacion më i plotë.

Nga vetë rritja e përmirësimi i këtyre formacioneve luftarake u shfaqën disa dukuri të reja. Në këtë fazë u zhvilluan disa lloje shërbimesh të batalioneve partizane. Drejtimi i batalionit partizan realizohej nëpërmjet një komande drejtues, që quhej shtabi i tij. Në këtë shtab, që në tërësi ishte i vogël por i saktë, bënte pjesë komandanti, komisari dhe, për herë të parë, edhe intendenca e batalionit. Kështu që udhëheqja e lartë e Luftës Nacionalçlirimtar Shqiptare, me porosi të shokut Enver Hoxha, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare vendosi që më 7 gusht 1943, në Cepo, atje tek rrepet e Kardhiqit, të krijohej batalioni partizan “Asim Zeneli. Nuk e harrojmë këtë datëlindje. Ai u formua me pjesëmarrjen e çetave “Avni Rustemi”, “Hajredin Tremishti”, “Toto Bolena” dhe “Çerçiz Topulli”, me më shumë se 250 luftëtarë, partizanë e partizane. Në krye të këtij formacioni, i pari në zonën Gjirokastrës dhe Kurveleshit të Sipërm, ishin: Komandant i batalionit Fuat Iljazi; komisari batalionit, luftëtari patriot, komandanti i ardhshëm i Brigadës VI Sulmuese, që me jetën dhe veprën e tij krijoi njeriun legjendë në histori, labi i vendosur me gjakun e damarëve dhe shpirtin e Çelo Picarit e Çelo Sinanit, Heroi i Popullit, Shefqet Peçi; ndërsa intendenti batalionit ishte Ethem Pogaçe. Shtabi i çetës “Avni Rustemi” përbëhej: komandant çete, Sadik Buza; komisar Veledin Zeka dhe intendent Fejzo Dalipi. Çeta partizane “Hajredin Tremishti” kishte në komandë: komandant Shaban Idrizi; komisar Mustafa Iljazi dhe intendent Bejo Asimi. Shtabi i çetës “Toto Bolena” përbehej nga: komandant Sulo Veipi; komisar Avdyl Hakiu; intendent Sheme Beqiri. Ndërsa, çeta “Çerçiz Topulli”, kishte komandant çete, Karafil Bello; komisar, Miho Xhani dhe intendent çete, Haxhi Progonati. Pjesa më e madhe luftëtarëve partizanë ishin nga Kurveleshi i Sipërm dhe i Poshtëm, nga zona e Kardhiqit, nga qyteti i Gjirokastrës si dhe nga fshatrat përreth, shumica lebër me përvojë luftarake në kryerjen e  aksioneve të ndryshme. Ata kishin vrarë spiunë, fashistë italianë, kishin shkatërruar postëkomanda, si në Kuç, kishin marrë pjesë në qërimin e nënprefekturës së Kurveleshit më 28 nëntor 1942 në Gusmar, kishin kryer aksione të ndryshme në Borsh, Himarë, Zhupdermë, Sopik, Zvinec, Cepo, Ura e Kardhiqit, Subash, Bistricë; kishin marrë pjesë në demonstratën e qytetit të Gjirokastrës, kishin ngritur këshillat nacionalçlirimtare të fshatrave, e shumë e shumë aktivitete të tjera. Për shkak të së vërtetës, Kurveleshi dhe Labëria e luftëtarëve të lirisë, e bijve dhe bijave më të mirë të saj, u rreshtua de facto  e de jure në Koalicionin e madh botëror Antifashist të popujve dhe pjesëtarëve të këtij Koalicioni, kishin fituar admirimin dhe prestigjin e popullit e të Lëvizjes Nacionalçlirimtare Shqiptare për shkatërrimin e plotë të fashizmit. Prandaj duhet theksuar për të ndaluar gojët e këqija. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare Shqiptare është ngjarja më e lavdishme në historinë e popullit shqiptar, duke shënuar kthesën vendimtare në jetën e tij. Ajo ishte pjesë përbërëse e luftës së madhe botërore antifashiste e lidhur ngushtë me Aleatët e Mëdhenj, SHBA-në, BRSS-në, Britaninë e Madhe, si dhe me luftën çlirimtare të popujve të robëruar. Kjo luftë ndryshoi shumë nga luftërat e mëparshme, sidomos për nga mënyrat e organizimit, të zhvillimit e të drejtimit. Ajo nuk ishte një luftë civile, siç duan të ndezin disa tani zjarrin e urrejtjes. Nga format e thjeshta të një qëndrese të vetvetishme, kjo luftë u organizua dhe u zgjerua, duke u përsosur hap pas hapi në organizimin e strukturave funksionale të saj, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë, madje edhe të trojeve tona shqiptare në veri të Shqipërisë. Luftëtarët e këtij batalioni, nuk e gëzuan dot deri në fund ditëlindjen e formimit të tyre, sepse në pasditen e asaj dite, pjesa më e madhe e batalionit; çeta “Hajredin Tremishti”, “Toto Bolena” dhe një pjesë e çetës “Çerçiz Topulli, u nisën për në Libohovë me detyre të sulmonin fashistët dhe tradhëtarët që kishin bërë masakra në këtë krahinë: Më 2 gusht 1943, vranë dy veta në Nepravishtë, në Goranxi dogjën gati të gjitha shtëpitë; në përroin që ndan Glinën me Gorancinë vranë 27 fshatarë krejtësisht të pafajshëm; më datën 6 gusht sulmuan të dy Labovat, të cilat i plaçkitën, u vunë zjarrin shtëpive dhe vranë dy fshatarë të pafajshëm. Pjesa tjetër e batalionit (çeta “Avni Rustemi” dhe një pjesë e çetës “Çerçiz Topulli), qëndruan për ruajtje në Manastirin e Cepos, pasi një forcë fashiste prej 1500 vetash kërkonte të hynte në zonën e Kardhiqit, duke detyruar armikun të tërhiqej drejt Gjirokastrës, pasi e kishin marrë vesh formimin e batalionit partizan “Asim Zeneli”. Batalioni sulmoi përsëri qytetin Libohovës, beteja përfundoi në luftimin trup me trup duke mbetur në altarin e lirisë, katër yjet e parë dëshmorë të këtij batalioni: Hiqmet Dusha, Kabo Kabaj, Murat Bardhi e Demo Fejzo. Jemi në një kohë turbullirash, ku njerëz të çuditshëm me një frymëzim deri antishqiptarë, madje politikanë dhe kalemxhinj zvarranikë, nën maskën e rishkruarjes së historisë (për të cilën jam plotësisht dakord), modifikojnë fakte e manipulojnë gënjeshtra, mundësisht për të njollosur apo fshirë emrat dhe pjesët më të shkëlqyera të historisë kombit shqiptar.  Dëshira për të kaluarën nuk ka të bëjë aspak me politikën ose me ndjenja reaksionare. Shkatërrimi i së shkuarës është ndoshta krimi më i madh ndër të gjitha krimet. Prandaj, ndoshta do t’i rindërtojmë atë bukuri festive në rrepet e Kardhiqit, apo në rrugën pranë lapidarit madhështor të të rënëve, ku të mblidhemi e të shmallemi me njëri-tjetrin, të këndojmë e të hedhim valle, të shkëmbejmë mendime e të trokasim gotat e rakisë nga një fis e nga një fshat në tjetrin, të organizojmë panaire me produktet e duarve të arta në nënave dhe motrave tona; bureku, lakrori, gjiza, djathi, revania e bakllavaja, për të mos harruar traditën e veçantë të mishit të pjekur.  Kjo nuk është ëndërr, pasi kryetarët e njësive bashkiake të kësaj krahine dhe, kryesisht, Kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Dr. Flamur Golëmi, drejtuesit në Qark, kanë dëshirën e mirë dhe vullnetin atdhetar për të ndriçuar një ditë bashkimi si dikur: