Grevat e bukës dhe të vdekurit nga uria në Shqipëri

1809
Nga Ergys Alushi
Ismail Bej Vlora “Pas 20 ditësh, Vlora do të jetë në uri të plotë. Kemi bërë mrekulli që kemi arritur ta mbajmë popullin gjallë deri tani…”
Princ Vidi kërkoi menjëherë të shkonte në ullishtet e Vlorës, ku ishte strehuar popullata, shumica gra e fëmijë, të cilët jetonin në kushte të vështira jetese e në mjerim të plotë.
Shumë njerëz filluan të vrisnin veten për shkak të urisë dhe pamundësisë për të siguruar bukën për familjet e tyre.
Në këtë situatë, prefektura e Vlorës i raporton Ministrisë së Brendshme se; “Populli i qytetit dhe i katundeve të Vlorës, i pikëlluar dhe i mahnitur nga mjerimi dhe zija e bukës, janë duke u grumbulluar aty-këtu, dhe paramendojnë për sigurimin e jetës së tyre të çelin magazitë e depot e misrit të këtij qyteti” (AQ).
Demonstrata pati një pjesëmarrje të lartë nga të gjitha shtresat e popullatës vendase, pasi të gjithë ishin të prekur, por më të prekur ishin shtresat e varfra.
“Kush ha më shumë se 100 gramë bukë në drekë ose në darkë, dënohet me gjobë nga 100 deri në 2000 franga ose me burgim deri në 1 vit”
Deklarata e Bufit shkaktoi reagime në të gjithë vendin, dhe shqiptarët u dyndën para furrave të bukës e fabrikave të miellit, me qëllimin për të siguruar sa më shumë rezerva në kushtet e një mbetjeje pa rezerva për bukë.
Historia e Shqipërisë njeh shumë greva të zhvilluara nga shqiptarët si pasojë e mungesës së miellit, bukës. Të gjitha qytetet e vendit, në periudha të ndryshme të historisë e kanë përjetuar mungesën e bukës. Në disa raste, mungesa e bukës ka shkaktuar deri dhe pasoja për jetën e shqiptarëve që nuk e siguronin dot atë, për shkaqe nga më të ndryshmet që nga mospunimi i tokës, kushtet klimaterike, luftërat e deri te masat shtrënguese të qeverive që shoqëroheshin me krijimin e monopolit në treg të miellit.
Historia e urisë së bukës: “Pas 20 ditësh Vlora do të jetë në uri të plotë”
Të nesërmen Ismail Bej Vlora, pasi i mori leje popullit dhe la zëvendës të tij, Myfit Libohovën së bashku me Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, dy nga djemtë e tij dhe ndonjë tjetër, hipi në vaporin e Princit Ferdinand, për t’i shpëtuar bllokadës në det që i kishte ngritur Greqia dhe për të shkuar në Evropë, me qëllim mbrojtjen e interesave të Shqipërisë. Me të mbërritur në Itali, ai i dha një intervistë një gazetari italian, ku deklaronte se “isha si në burg” dhe se “Pas 20 ditësh, Vlora do të jetë në uri të plotë”. Në 2 prill 1913, pasi arriti të dal prej Vlorës së bllokuar nga grekët, Ismail Bej Vlora, jep një intervistë për Achille De Benedétti, dhe që botohet në gazetën ‘Il Giornale d’Italia”.

Gazetari Achille De Benedétti do ta niste kështu intervistën e realizuar me Ismail bej Vlorën: “Ismail Qemali arriti të largohej pardje nga Vlora me jahtin e Dukës Montpensier. E takova sot në mëngjes në stacionin e trenit tek arrinte nga Bari, ku kishte lënë Isa Buletinin, që ishte pak i sëmurë, bashkë me djaloshin Luigj Gurakuqi, Ministër i Arsimit. Qemal Beu kishte ardhur me dy nga djemtë, që e kanë shoqëruar në të gjitha këto peripeci. Plaku i shquar dukej mjaft mirë. Ishte i gëzuar që kishte mbërritur në Romë pas ikjes nga Vlora”.

Në intervistën e gjatë e dhënë për gazetën në fjalë, për një ndër pyetjet për gjendjen në Vlorë, Ismail Bej Vlora do të jepte përgjigjen tronditëse :

Pyetje :
Po vështirësitë që ju krijon bllokada për t’u ushqyer?
Ismail Qemali: Oh, më mirë të mos flasim për këtë. Është diçka që të shkakton ankth. Jam i gëzuar që ndodhem në Itali edhe sepse do t’i kërkoj si qeverisë suaj ashtu edhe ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, apo ministrit të Greqisë, që t’i japin fund kësaj mase kaq të shëmtuar dhe të kotë. Pas 20 ditësh, Vlora do të jetë në uri të plotë. Kemi bërë mrekulli që kemi arritur ta mbajmë popullin gjallë deri tani. Por nuk është e mundur të vazhdojmë më tej në këtë gjendje. Ekzistojnë tashmë arsye humanitare, për të cilat bllokadës duhet t’i jepet fund. 

Duke e vazhduar bllokimin e Vlorës, grekët po tregohen të padrejtë, në kundërshtim të plotë me qytetërimin e tyre. Përse duan të trullosin me katastrofën e urisë një popullsi që nuk i bën keq ndokujt me asnjanësinë e saj? Asnjë arsye nuk mund ta përligjë bllokimin e Vlorës.

Princ Vidi në Vlorë
Viziton shqiptarët e uritur në ullishtat e Vlorës
Princ Vidi erdhi për të njohur situatën në të cilën ndodheshin rreth 5 mijë shqiptarë të Shqipërisë së Jugut, të shpërngulur forcërisht nga fshatrat e tyre nga gjenocidi grek i atij viti.

Ai kërkoi menjëherë të shkonte në ullishtat e Vlorës, ku ishte strehuar popullata, shumica gra e fëmijë, të cilët jetonin në kushte të vështira jetese e në mjerim të plotë.
Ai dhuroi dhe një shumë modeste të hollash, 1000 napolona flori, por në të vërtetë, jo aq sa pritej, ndërkohë që bashkëshortja e tij dhuroi 150 napolona flori tek shoqëria “Shpresa Kombëtare” në ndihmë të të shpërngulurve shqiptarë.
Viti 1916, në Vlorë vdesin nga uria
Ata i ndaluan tregtarët e drithit që të sillnin drithë nga jashtë vendit.
Në 6 prill të vitit 1916, popullsia e fshatrave të Vlorës, zbriti pothuajse e gjitha në qytetin e Vlorës, në kërkim të drithit për bukë. Buka kishte kohë që u mungonte dhe uria kishte pllakosur vendin. Shumë njerëz filluan të vrisnin veten për shkak të urisë dhe pamundësisë për të siguruar bukën për familjet e tyre. Në fshatin Radhimë u helmuan shumë banorë, si shkak i përdorimit për ushqim bar i helmatisur. Të detyruar nga uria, krahina e Lopësit i dërgoi një ultimatum autoriteteve italiane, se nëse nuk u dërgohej ushqim, ata do të bashkoheshin me Greqinë ose me Musa Qazimin.
Në 24 prill 1916 erdhën 1200 dhe në 7 maj 1000 kuintalë drithë, që përsëri ishin shumë pak në krahasim me kërkesat dhe urinë e madhe. Që nga pushtimi, në 25 dhjetor 1914, Malësia e Labërisë kishte mbetur ende në shumë fshatra jashtë ndikimit italian dhe për këtë qëllim “zyra politike” e Italisë në Vlorë kërkonte patjetër një shkak për të ndërhyrë forcërisht në këto territore.
Përfaqësues të shërbimit sekret italian në Vlorë, së bashku me disa njerëz në Vlorë, mendonin gjetjen e një shkaku, sajimin e një ngjarjeje e cila do të shkaktonte përçarje, frikë në popull, për ta patur më të lehtë realizimin e qëllimeve që kishin.
Demonstrata e bukës 1923
Ata që luftuan në 1920, për të çliruar Vlorën dhe Shqipërinë nga italianët, populli, në mars të vitit 1923, po përjetonin krizën më të madhe, mungesën e bukës, urinë masive. Vetëm një pakicë e vogël njerëzish në Vlorë pasuroheshin çdo ditë, shumica e të cilëve kishin mbajtur dhe një qëndrim kundërshtues apo asnjanës për luftën çlirimtare. Në vitet 1922-1923, kriza e bukës u acarua së tepërmi, ajo përfshiu qytetin dhe fshatin. Spekulimi në tregun e drithit mori përpjesëtime të mëdha. Drithë kishte, por ata që e tregtonin e mbanin të fshehur për ta shitur në treg me çmime të larta, me qëllime përfitimi.

Një komision, përfaqësi e popullit, kërkoi nga prefektura që : 
1. Të ushtrohej kontroll te të gjithë ata që tregtonin drithë, me qëllim që ata ta shisnin e të mos e nxirrnin jashtë.
2. Të japë leje për sjelljen e drithit nga jashtë.

(Gazeta “Politika” 22 janar 1923)
Por, prefektura nuk mori asnjë masë për të zbutur sadopak urinë e bukës, të krijuar masivisht në popullatë. Në të tilla kushte, ditën e hënë, 19 mars 1923, shpërtheu në qytetin e Vlorës, demonstrata e bukës. Në një raport të prefekturës drejtuar Ministrisë së Brendshme shkruhet se; “ Një shumicë e madhe populli u shfaq përpara prefekturës, u shpërnda me shumë vështirësi” Autoritetet e prefekturës u premtuan njerëzve se problemi do të zgjidhet e do të merren masa, por përsëri nuk u bë asgjë. Përsëri populli u hodh në demonstratë. Në këtë situatë, prefektura e Vlorës i raporton Ministrisë së Brendshme se; “Populli i qytetit dhe i katundeve të Vlorës, i pikëlluar dhe i mahnitur nga mjerimi dhe zija e bukës, janë duke u grumbulluar aty-këtu, dhe paramendojnë për sigurimin e jetës së tyre të çelin magazinat e depot e misrit të këtij qyteti (AQ). Në pasditen e datës 20 mars, demonstruesit sulmuan magazinat dhe furrat, thyen dyert e depove dhe me forcë e pa shpërblim morën misër e bukë. Ata nuk u tërhoqën edhe pas ndërhyrjes me forcë të xhandarmërisë. “Ngjarjet e pardjeshme, – shkruan “Politika” më 22 mars – treguan se uria është një superforcë, e se njeriu, sado i bindur të jetë, në këtë rast, preferon të përdor çdo mjet për t’i bërë ballë vdekjes”. Kurse më 5 prill “Politika” shkruante “ Demonstrata popullore bëhen kudo, për shembull, edhe pardje u bë një demonstratë e tillë në Drezden dhe u hapën dyqanet që shisnin sende ushqimore dhe u rrëmbyen të gjitha prej popullit, atëherë si do t’i themi tradhti e hajdutllëk demonstratës së 19 marsit të bërë këtu në Vlorë”? Demonstrata e bukës, rebelimi i punëtorëve në Selenicë, po në mars 1923, rebelimet e fshatarësisë në Llakatund e Vranisht, ishin tregues i hendekut të madh që po krijohej midis shoqërisë. Jo larg këtyre ngjarjeve, Vlora do të ishte epiqendra e fillimit të Revolucionit të Qershorit 1924.
Demonstrata e bukës në Korçë
21 shkurt 1936
Situata e rënduar ekonomike, shtrenjtësimi i jetës dhe rritje e çmimeve të artikujve jetikë, ku përfshihej edhe buka ishin disa nga shkaqet e demonstratës së Korçës që është njohur në histori si “Demonstrata e bukës”.
Demonstrata pati një pjesëmarrje të lartë nga të gjitha shtresat e popullatës vendase, pasi të gjithë ishin të prekur, por më të prekur ishin shtresat e varfra. Edhe pse nisi me kërkesa ekonomike dhe për bukë, demonstrata u kthye në një rebelim kundër pushtetit absolut të Zogut dhe u shoqërua me përleshje, ku pati të plagosur nga të dyja krahët.
Reagimi i kryeministrit, Mehdi Frashëri
Por, nuk ishte hera e parë që shqiptarët kërcënoheshin me të tilla paralajmërime, për sa i përket ushqimit dhe të ngrënit të tyre. Demonstrata për bukën u zhvilluan atë vit edhe në shumë qytete të vendit si në Shkodër, Durrës, Elbasan, Berat, Fier e të tjera.
Në vitin 1936, kur shqiptarët u ngritën në demonstratën për bukën, kryeministri i asaj kohe, në vend që të zgjidhte hallet e atyre që nuk kishin bukë dhe vuanin nga uria, në një intervistë në gazetën “Vatra” e anashkalonte problemin dhe fliste për komunizmin që kërcënonte vendin dhe jo mungesa e miellit për të gatuar bukën apo artikujve të tjerë jetikë.

Urdhëresa 100 gramëshe e bukës në vitin 1941
“Kush ha më shumë se 100 gramë bukë në drekë ose në darkë, dënohet me gjobë nga 100 deri në 2000 franga ose me burgim deri në 1 vit”
Nuk është pjellë e ndonjë fantazie, por një urdhëresë e Italisë fashiste të lëshuar për popullatën shqiptare në muajt e fundit të vitit 1941.
Urdhëresa titullohej “Disiplinimi i mbarështrimit të ngrënieve ndër restorante” dhe është lëshuar nga komisari i nozullimeve të fashizmit në Shqipëri Vecenzo Roko.
Urdhëresa ka disa nene prej të cilave tre prej tyre janë dhe më “interesantet” :
Neni 2. Për secilën ngrënie, drekë ose darkë, nuk mund të mbarështohet më tepër se 100 gramë bukë për njeri. Është i ndaluar mbarështrimi i antipastave, i pjatave shtesa, i gjalpit, i vajit etj, të shërbyera veçmas dhe i ëmbëlsirave të çdo lloji.
Neni 4. Janë të ndaluara restorantet, kafet e baret me mbarështrue makarona e peta të freskëta ( të bëra ose jo me vezë ), pite, njoki, bukëza të mbushura të çdo mase dhe tipi dhe çdo send tjetër për të cilin lipset përdorimi i miellit.
Neni 7. Pa u përjashtuar ndëshkimet e parapara në ligjet e tjera e normave të caktuara në këtë urdhëresë do të ndëshkohen sipas përshkrimeve në nenin 5 të Dekretit Mëkëmbësuar të përmendur në nenin 15, i cili parasheh burgim deri në 1 vit dhe gjoba nga 100 deri në 2000 mijë franga”

9 mars 1942
Dimri 1941-1942 ishte shumë i vështirë për fshatrat e Vlorës si pasojë e luftës Italo-greke.
Ndihej nevoja e bukës, ndërkohë që në disa zona arriti deri tek zija e bukës. Çmimi i misrit arriti deri në 9-10 napolona kuintali. Çmimi i grurit nga 120 franga kuintali në dhjetor 1941 arriti në 170 franga duke u rritur edhe më shumë në muajin shkurt të vitit 1942.
Situata paraqitej e rëndë edhe për sa u takon bagëtive në tremujorin dhjetor 1941-shkurt 1942 grafiku i çmimeve të kafshëve të punës shitej 800-1000-1400 franga (A.Q.SH. fondi 282. dosje 287.fq.1). Në këto kushte para prefekturës në 9 mars u organizua një grevë me thirrjet “Duam bukë”, “Na jepni miell”, “Populli po vdes për bukë”. Detyruar nga presioni i madh popullor, prefekti urdhëroi t’u shpërndarje 40 kg grurë çdo fshatari.

Deklarata e Ylli Bufit – 1991 : “Shqipëria ka rezervë edhe për 6 ditë bukë”.
Kjo thënie në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Stabilitetit nga kryeministri Ylli Bufi do të mbetej gjatë në kujtesën e shqiptarëve. Pasi kishte kaluar pragun e diktaturës, shqiptarët duhej të përballeshin edhe me “zinë e bukës”.
Deklarata e Bufit shkaktoi reagime në të gjithë vendin, ku shqiptarët u dyndën para furrave të bukës e fabrikave të miellit, me qëllimin për të siguruar sa më shumë rezerva në kushtet e një mbetje pa rezerva për bukë. Në datën 5 dhjetor, në qytetin e Vlorës, disa mijëra veta u grumbulluan para fabrikës së bukës dhe insistonin që të hynin forcërisht. Ndërkaq, në fabrikën e bukës ishin marrë të gjitha masat për mbrojtjen e fabrikës, duke u mbështetur nga forcat policore, të cilët i bënë ballë turmës, ndërkohë, të furnizoheshin bukë përveç pikave të shitjes edhe qytetarët e grumbulluar. Për ditët pasardhëse fabrika u detyrua të shtonte kapacitetin prodhues të bukës me 110 deri në 140 kg më shumë nga vitet e zakonshme. 
Sigal