Me rastin e 20 vjetorit të vdekjes
Hazis Babasi-kolonel në pension
Ilmi S.Qazimi
Hasan Lika kish lindur në vitin 1932 në fshatin Bruz të Malësisë Krujës, në një familje fisnike e me tradita atdhetare dhe punëdashëse. Në vitin 1954 kish përfunduar studimet në Shkollën e Bashkuar të Oficerave “Enver Hoxha”, duke u titulluar oficer me gradën nëntoger. Me që kish arritur rezultate shumë të larta me prirje për edukator dhe me tregues të një kuadri me perspektivë, Hasanin e caktuan po aty në detyrën e komandantit të kompanisë, të cilën e mbajti deri në vitin 1960. Në vitin 1961 e emërojnë komandant batalioni rezervist në Bicaj- Kukës. Edhe në këtë detyrë, nga sa shkruhet nëpër dokumente dhe nga kujtimet e shokëve bashkëkohës, Hasani ka qenë nga kuadrot më të vlerësuar si për nga aftësitë ushtarake ashtu edhe nga integriteti moral, në marrëdhëniet me efektivat vartës, ushtarë e kuadro. Hasanin e kemi njohur në fillim të vitit 1964, kur njëri u emërua oficer në Korpusin e Burrelit dhe tjetri ishte ende në shkollë ku flitej për cilësitë e komandant Hasan Likës.
Pas disa vitesh në detyrën e komandantit të shkollës së instruksionit të Korpusit të Burrelit, Hasani ishte caktuar komandat batalioni këmbësorie në Klos me gradën kapiten i parë. Sapo u takuam bashkë, edhe si kuadro të të njëjtit repart, por edhe si oficerë me të njëjtën vendlindje, rrethi i Krujës, natyrshëm vendosëm marrëdhënie shumë të mira me Hasanin. I mbajtëm këto marrëdhënie në repart, por edhe jashtë punës. Hasani ishte një shok shumë i mirë. I afrueshëm, i qeshur, me humor paksa të kursyer, por që i buronte shpirti i tij i pastër. Njihte mirë edhe traditat e zakonet e malësisë së Bruzit. Ishte oficer simpatik, e mbante uniformën ushtarake si rrallë të tjerë dhe impononte respekt. Kam mësuar shumë nga Hasani, sepse ai kishte përvojë dhe ishte metodist i shkëlqyer. Sidomos në përgatitjen luftarake të reparteve, të të gjithë llojeve të armëve. Tërësia e këtyre cilësive ishte arsyeja që komanda e korpusit dhe Ministria e Mbrojtjes e Popullore, e vunëHasanin në listën e kuadrove më të përgatitur që të organizonte dhe drejtonte stërvitjet treguese, eksperimentale në rang korpusi, madje edhe në nivel ushtrie. Ai i drejtonte stërvitjet me profesionalizëm të lartë teorik e praktik. Hasan Lika, me zotësi kish ngjitur shkallët e gradave ushtarake deri në vitin 1966, kur vendimi i Byrosë Politike i hoqi gradat nga ushtria.
Ka mbetur e pashlyer në kujtesë, kur në shkurt të vitit 1967, Hasan Lika, që mbasi kish arritur gradën kapiten i parë, drejtoi stërvitjen me temën “Batalioni i këmbësorisë në kalimin e pengesave ujore”. Do të kalohej lumi i Matit në muajin më të ashpër të dimrit. Stërvitja ishte tejet e vështirë në të konceptuar dhe në të zbatuar. Falëpunës krijuese, organizuese, guximit dhe udhëheqjes me shembullin personal të Hasan Likës, si dhe mobilizimit të kuadrove e ushtarëve vartës, stërvitja u kurorëzua me sukses; lumi u kalua me mjete rrethanore dhe në kushte të afërta me ato të një luftimi të vërtetë. Ajo stërvitje u vlerësua “Shumë mirë”, nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Petrit Dume.
Në vitin 1968 Hasanin e emërojnë shef stërvitjeje të Korpusit të Burrelit. Një detyrë me shumë punë edhe jo pak përgjegjësi, të cilës Hasani ia doli mbanë me sukses. Nën drejtimin e tij dega e stërvitjes në korpus u kthye në një nga sektorët më të suksesshëm. Ajo mori plotësisht në dorë organizimin, zhvillimin dhe kontrollin e përgatitjes luftarake të njësive dhe reparteve të korpusit. Hasani ishte kudo dhe kurdoherë në krye të kësaj pune. I rreptë në kontrolle, por dashamirës dhe njerëzor në ndihmë, që çdo gjë të kryhej konformë ligjeve të luftës, pa lëshime. Ai dinte të përgjithësonte përvojën e mirë, arritjet pozitive dhe të shmangeshin gabimet. Ai nuk kënaqej me arritjet, por synonte gjithnjë edhe më lart, me qëllim që përgatitja dhe gatishmëria luftarake e efektivave të korpusit të ngrihej plotësisht e në çdo kohë në lartësinë e kërkesave të Artit Ushtarak Popullor.
Hasan Likës asi kohe, me plot të drejtë i doli nami si një nga oficerët më të rreptë, më praktikë dhe më të zotë për organizimin e stërvitjeve të suksesshme në mbarë ushtrinë. Realisht ai u bë’ guri i qoshes’ në shtabin e korpusit, përsa i përket organizimit dhe realizimit me cilësi të lartë të stërvitjeve të ndryshme. Sa herë që dilte për kontroll nëpër reparte, oficerët u thoshin shokëve të tyre “ po na vjen ustai i përgatitjes luftarake”. Në periudhën shtator 1970 deri në korrik 1972 përfundoi studimet në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”, në Tiranë me rezultate shumë të mira dhe e emërojnë në detyrën e lartë të Shefit të Shtabit Korpusit të Burrelit, me komandant Veli Llakaj. Duke qenë në këtë detyrë Hasani u shfaq qartazi edhe si një oficer shtabi me zotësi të dukshme, aftësi të fuqishme për të planizuar, organizuar dhe drejtuar veprimet luftarake jo vetëm të shkallës taktike por edhe operative siç ishin ato të një korpusi me shtrirje të gjerë dhe me peshë të madhe në mbrojtjen e krejt vendit tonë.
Ishte Komanda dhe sidomos Shtabi i Korpusit të Burrelit dhe shefi i tij Hasan Lika që organizuan, drejtuan dhe përfunduan me kompetencë profesionale stërvitjen luftarake me pjesëmarrje të gjerë të forcave dhe mjeteve të emërtuar”Kaptina”. Ajo mbetet një nga stërvitjet më të mëdha të historisë së ushtrisë sonë, treguesve të së cilës i janë referuar edhe sektorë të ndryshëm të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore dhe të Akademisë Ushtarake. Hasani ishte shtabovik me përvojë, që veç shumë cilësive të tij vetjake njerëzore, kishte metodë tepër të efektshme për organizim, kontroll dhe vënie në krye të detyrave të komandave e shtabeve të njësive përbërëse të Korpusit. Kontrollit të zbatimit të çdo detyre ai i kushtonte kujdes të posaçëm. Në qoftë se Korpusi i Burrelit, në historinë e vet, ka qenë i dalluar për rezultate me nivel dhe efektshmëri të lartë, një meritë të përveçme ka pasur kontributi i gjithanshëm i shefit të shtabit, Hasan Lika.
Në kohën kur në ushtri u analizua aktiviteti i “Grupit Puçist”, në vitin 1974, Hasan Lika u ngarkua me përgjegjësi, me qenë se i kishte rënë në dorë dhe kishte lexuar të ashtuquajturin “ material i zi” dhe kishte firmosur atë në emër të komandantit të korpusit. Për këtë e shkarkuan nga detyra e shefit te shtabit tëkorpusit të Burrelit dhe e emërojnë shef stërvitje në korpusin ushtarak të Pukës. Edhe pse me ulje në detyrë, Hasani punoi me ndjenjë të lartë përgjegjësie, çka e tregonin edhe rezultatet e stërvitjes në njësitë dhe repartet ushtarake vartëse. Me ndryshimin e strukturës së ushtrisë, nga korpuse në divizione, në vitin 1983, Hasanin e transferojnë në divizionin e sapo krijuar në Laç me detyrën e komandantit të shkollës së lire ushtarake në Milot. Edhe këtu ai shkëlqeu, sepse ishte mjeshtër i stërvitjes, ishte officer me dinjitet dhe kompetencë. E njihte shumë mirë si stërvitjen e madhe, atë me trupa, ashtu edhe stërvitjen e vogël. Në këtë kohë kjo structure ushtarake u bë model në gjithë divizionin e Laçit. Për rezultate të mira më 1984 Hasanin e emërojnë shef i grupit tëshkencës në divizionin ushtarak të Laçit, ku ai dha një kontribut të veçantë në zbërthimin e kërkesave të Artit Ushtarak të Luftës Popullore. E cilësuar ka qenë ndihmesa e tij në përgatitjen e plan-metodikave për aftësimin e komandave, e shtabeve në planëzim e drejtimin e njësive e reparteve, duke vënë theksin te komandant e shtabet e batalioneve që janë bërthama e forcave aktive në luftë.
Në një takim rastësor në vitin 1997 në Tiranë me gjeneral Rrahman Përllakun, i cili, pasi u përshëndetëm, kur mori vesh se kisha shërbyer në Burrel, menjëherë më tha:”Aty keni patur një oficer shumë të zot, ka qenë Hasan Lika! Ne i besonim shumë aftësive të tij drejtuese dhe organizuese”. Edhe ish-zëvendës ministri i mbrojtjes Bajram Mane e ish-komandanti i Frontit Verior Ismail Shulku kur bisedohet për kuadro të njohur, të zot të ushtrisë sonë, sidomos të sektorit të stërvitjes, Hasan Likën e rreshtojnë në krye të listës të atyre oficerëve që duhet të kujtohen e të nderohen. Arsen Stroka, njëri nga më të shumënjohurit specialistë të stërvitjes taktike të ushtrisë sonë, në bisedat e lira që bënim së bashku, kishte një vlerësim të cilësuar në lartësi të mëdha, ndaj personalitetit ushtarak dhe aftësive të rralla të kuadrit Hasan Lika. Së toku edhe me shokë të tjerë të atyre viteve e kemi parë Hasanin gjithnjë me sytë e një oficeri që duhej ta imitonim jo vetëm nga aftësitë, por edhe pamja e jashtme dhe mirëmbajtja e uniformës.
Në vitin 1987 Hasan Likën e nxorën në pension pleqërie. Ai ishte anëtar i shoqatës së ushtarakëve Laç. Më pas si drejtues i saj dha një kontribut shumë të madh në gjithë aktivitetet e për promovimin e historisë së ushtrisë sonë dhe në mbrojtjen e të drejtave të ushtarakëve në lirim e në rezervë. Hasan Lika ishte jo thjeshtë ushtarak model dhe i përkushtuar ndaj atdheut, por njeri me kulturë të gjerë, edukatë të spikatur dhe familjar i përkushtuar. Fëmijët në sektorët ku u ngarkuan të punonin ndoqën gjurmët e të atit. Hasani ishte vlerësuar me dekorata e stimuj të ndryshëm moralë të kohës. Ai është ndarë nga jeta në vitin 2005, duke mbetur i paharruar jo vetëm për njerëzit e tij të afërt, por edhe për ne shokët e miqtë e tij të ushtrisë e të terrenit.