Demonstrata e bukës në Korçë, lëvizja e parë masive kundër regjimit të Zogut

2725
Sigal

U zhvillua më 21 shkurt 1936 në qytetin juglindor dhe u shoqërua me reprezalje disa ditore nga regjimi

Demonstrata e Bukës që nisi në Korçë më 21 shkurt 1936, mbush 79 vite nga zhvillimi i sajë. Ndonëse ajo u shtyp nga regjimi i Zogut (shoqëruar me masa ndëshkuese në tre-katër ditët më pas), ajo ia arriti qëllimit. Ajo njihet si lëvizja e parë masive me objekt e kërkesa konkrete, kundër regjimit të kohës. Arsye kryesore sipas librave të historisë, ka qenë shtrenjtimi i jetës, përkeqësimi i gjendjes ekonomike dhe, ndoshta edhe elemente të krizës së urisë, që zakonisht shoqëronte çdo vit mbarimin e rezervave të vitit të mëparshëm.

DEMONSTRATA

Demonstrata u zhvillua në Korçë, një qytet që përgjithësisht gëzonte një gjendje ekonomike jo të keqe në krahasim me shumë qytete të tjera dhe në të morën pjesë kryesisht zanatçinj dhe nxënës shkollash. Këto flasin për faktin e vërtetuar historikisht që, ndjenja e protestës kërkon një minimum niveli kulturor dhe ndërgjegjësimi dhe se, sa më të varfra dhe të paditura të jenë masat e gjera, aq më e lehtë është për një regjim që të mbijetojë. Nga na tjetër, sapo fillojnë të shfaqen elemente të zhvillimit, të shkollimit, të ndërgjegjësimit dhe të përmirësimit të situatës, aq më e rrezikshme është për regjimin të mbijetojë. Ndoshta kishte të drejtë Musa Juka, ministri i brendshëm i mbretit Zog, i cili thoshte se për çdo shkollë të re duhen ndërtuar edhe një burg i ri. Atë që nuk e bën mjerimi, e bën shkolla. Në fakt, po të shohësh me kujdes fotografinë, në të vihet re se protestuesit nuk janë mjeranë të periferive të mbuluar me lecka, por njerëz deri diku të veshur mirë, me pallto e me kasketa në kokë. Jevgjit e Kullës së Hirit (lagjja e jevgjve në Korçë) natyrisht që nuk visheshin dot kështu. Dy prej demonstruesve mbajnë një parullë që, për fat të keq nuk lexohet. Edhe prezenca e saj është shenjë qytetërimi dhe njerëzish të kulturuar, se në një shoqëri me 80 e kusur për qind analfabetë, nuk mund të pritej të protestohej me parulla të shkruara. Fotografia është shkrepur në momentin kur forcat e rendit janë hedhur për të shpërndarë demonstruesit. Xhandarët mbajnë veshur uniformat model 1931 dhe po sulmojnë me pushkët me bajonetë mbërthyer, sikur po hidhen në sulm në front. Nuk mund të pritet që në Shqipërinë e asaj kohe xhandarët të ishin të pajisur me mjete specifike për shpërndarjen e turmave, shkopinj, e të tjera të tilla dhe, edhe kjo është shenjë e përplasjes së epokave, përplasje që vazhdon e nde sot, me njerëz që protestojnë dhe forca rendi të papërgatitura me mjete specifike kundër turmave dhe jo me pushkë e me bajoneta. Demonstrata e Bukës u shpërnda, por pati goxha efekt. Zogu dhe gjithë klasa politike e kohës ishte mësuar të përballej me kryengritje dhe me grushte shteti, por jo me demonstrata paqësore, që bajraktari i asaj kohe as që i kuptonte fare dhe ndaj i përgjigjej me të vetmin mjet që dinte, me bajoneta. Për këtë arsye ajo demonstratë ishte një element i fortë qytetërimi, sepse siç ndodh zakonisht, qytetërimi i të qeverisurve ishte më përpara se qytetërimi i qeveritarëve. Natyrisht që në demonstratë patën gisht edhe komunistët me grupin e tyre të Korçës, por kjo nuk ja ul vlerën, se s’do harruar që aso kohe komunizma shihej si e ardhmja e botës nga njëri krah, ashtu sikundër shihej fashizmi si e ardhme e botës nga krahu tjetër. Kur të dyja këto premtime u përplasën fort, lanë pas nja 100 milion të vdekur dhe në fund doli se asnjëra s’paskësh pasur të drejtë

VLERËSIME PËR DEMONSTRATËN

Në dokumentet dhe materialet zyrtare të para vitit 1990, meritat e kësaj demonstrate, i vishen Grupit Komunist të Korçës. Ja si shkruhet në këto dokumente: ‘’Grupi Komunist i Korçës diti të përfitojë nga gjendja e krijuar, të vihet në krye të masave popullore dhe t’i japë luftës së tyre karakter politik. Fraksionet komuniste të shoqërisë së punëtorëve të ndërtimit «Puna», të shoqërisë së këpucarëve, të rrobaqepësve, të «Lidhjes së Nëpunësve Privatë, organizatë e re sindikale që u formua në dhjetor 1935, etj., filluan të vepronin gjallërisht për të organizuar lëvizjen, për ta bërë atë më masive e më kompakte dhe për ta drejtuar kundër regjimit zogist. Më 21 shkurt 1936 shpërtheu demonstrata e madhe antizogiste e Korçës që ka hyrë në histori me emrin «demonstrata e bukës». Përleshja e përgjakshme me forcat e xhandarmërisë nuk i pengoi punëtorët e zejtarët, me të cilët u bashkuan edhe nxënësit e shkollave të mesme, të bënin një demonstratë të re pasdite. Ndeshja me xhandarët mori karakter akoma më të ashpër. Demonstrata e bukës në Korçë ishte një aksion i madh popullor antizogist i organizuar dhe i udhëhequr nga komunistët. Ajo pati jehonë të gjerë në gjithë vendin. Shkaktoi panik në autoritetet e klasat sunduese dhe frymëzoi me shembullin e saj masat popullore të krahinave të tjera. Manifestime kundër zisë së bukës u bënë edhe në Gjirokastër, Sarandë, Leskovik, Bilisht, Pogradec e Berat. Demonstrata të tjera popullore antizogiste u zhvilluan në Vlorë dhe në Elbasan. Në shtator 1936 Ali Kelmendi u dëbua prej atdheut nga qeveria zogiste. Përpara se të largohej ai u takua në Gjirokastër me Enver Hoxhën, i cili porsa ishte kthyer’’. Gjithsesi, pavarësisht meritave, demonstrata e bukës ën Korçë, mbetet një nga lëvizjet e rëndësishme popullore në kërkim të të drejtave të nëpërkëmbura nga pushteti.

DEMONSTRATA NË NJË FOTO

 Foto që shoqëron shkrimin e sotëm në përkujtim të demonstratës së bukës, zhvilluar 79 vjet më parë në qytetin e Korçës, është një foto e publikuar vazhdimisht në tekstet dhe gazetat e regjimit monist kur bëhej fjalë për këtë ngjarje të shënuar. Nuk kishte libër historie që kjo fotografi të mungonte. Sa herë që do të flitej për shtypjen e popullit nën regjimin e Zogut, kjo foto ishte e para për t’ a demonstruar atë me diçidurën që thoshte pak a shumë: “Shtypja me dhunë e demonstratës së bukës”.

Gjithsesi, kjo ngjarje e shënuar, për të cilën në këto afro 8 dekada është shkruar shumë, zë një vend të rëndësishëm në historinë e protestave masive të popullit shqiptar në shekullin që kaloi. Ajo është e para protestë masive popullore me objekt të caktuar, kundër regjimit të kohës në fuqi.