Adrian Kasa/ Një shfaqje zhgënjyese. Gëzim Myshketa vendos në skenë një plagjiaturë të keqe

676
Sigal

Në mediat vizive dhe të shkruara, shumë ditë përpara u lajmërua ardhja në Tiranë e dy artistëve të shquar shqiptarë të operës që performojnë jashtë, soprano Ermonela Jaho dhe baritoni Gëzim Myshketa, si protagonistë të operave “Suor Angelica” dhe “Gianni Schichi” pjesë të triptikut të famshëm puçinian së bashku me “IL TABARRO”, që nuk u luajt. Ashtu si një vit më parë me operën “Madam Butterfly” pritshmëria ishte e lartë dhe salla u mbush plot që në provën gjenerale. Opera “Suor Angelica” u vu në skenë nga regjisori italian Marco Pucci Catena, skenografia nga Artur Çela, kostumet nga Meliha Fysheku, dirigjent italiani Sebastiano Rolli, ndërsa Gianni Schichi u vu në skenë nga baritoni Gëzim Myshketa, kostumet nga Ardi Asllani.  Ajo që binte në sy ishte pjesëmarrja e tre regjisorëve për dy operina, a thua se po jepnin provim universiteti. Që në fillim të shfaqjes u vu re se diçka nuk funksiononte. Imazhi i shfaqjes dukej si një burg ku suorat persekutonin njëra tjetrën, një perde infernale me trupa mostrash të gjymtuara që të tmerronin, që e kemi parë në një shfaqje baleti, që ulej çdo 5 minuta për të fshehur lëvizjet e pafundme e të pakuptimta të podiumeve, suorat që silleshin kot vërdallë pa asnjë motiv e pa asnjë kuptim, duke hipur e duke zbritur krejtësisht të pamotivuara e pa bërë asgjë në skenë. Në gjithë këtë zymtësi mungonte sakralja, hyjnorja, lutja, falja dhe në këtë gjullurdi figura e suor Anxhelikës u sfumua krejtësisht. Kostumet e zeza sterrë që kishin veshur suorat, së bashku me Suor Anxhelikën në skenë e zezë sterrë, jo vetëm që nuk evidentoheshin por e shndërruan shfaqjen në një skenë horrori, në kundërshtim me muzikën me tone lutjesh, tone kujtimesh për shoqet e humbura dhe optimiste të suorave në gjysmën e parë të shfaqjes. Të vetmet çaste që vinte aroma skenografi dhe shfaqje, ishin ato kur ulej nga lart skenografia e Artur Çelës dhe figurat e suorave vlerësoheshin drejt. Në këtë zymtësi ndikonte edhe ndriçimi shumë i errët, ku jo pak herë suorat këndonin në errësirë së bashku me personazhet dhe suor  Anxhelikën. Në mes të skenës ishte vënë një podium katror, ku kryhej tortura e suorave. Një marrëzi të tillë regjisoriale nuk e kemi parë askund deri tani. Dhe marrëzia përmbyllej me kryqëzimin e Suor Anxhelikës që i vinte pikë të gjithave. Një kuvend suorash që kryqëzon suora edhe ato me mëkat mortor si suor Anxhelika, e cila pas lutjeve insistuese drejtuar Madonës që ta shpëtojë nga mëkati mortor, e merr faljen prej saj me fjalët “la grazia e discesa dal cielo”dhe ajo shkon e lumtur drejt vdekjes ,drejt të birit, pasi pi helmin e përgatitur vetë, por nuk mendon kështu regjia e cila për eksibicionizëm bën budallallëkun më të madh që kemi parë ndonjë herë duke e kryqëzuar Suor Anxhelikën dhe duke vënë shenjën e barazimit midis saj dhe Jezusit, i cili si gjynahqar qëndronte i varur në fund të skenës, se kryqin ia kishte zaptuar Suora jonë. Por le ti kthehemi analizës së shfaqjes. Dirigjenti Sebastiano Rolli, me gjithë njohjen e mirë të partiturës, nuk arriti të na emocionojë. Në përgjithësi, ai drejtoi në mënyrë lineare, pa shpërthime të ndjera emocionesh dhe muzika herë-herë dukej e mërzitshme, edhe kur kjo ndodhi në momentin kur Suor Anxhelika merr vesh vdekjen e të birit që ka 7 vjet që nuk e ka parë, tingëlloi artificiale, pa emocion , e zbehtë. Herë-herë dirigjenti nuk arriti të ekuilibrojë ikjet nga ritmi të korit dhe të ndonjë solisti. Ermonela Jaho, me gjithë përpjekjet e saj për tu paraqitur sa më mirë, nuk arriti të ngjitej në nivelin e saj më të mirë. Na u duk e lodhur, me një vokal që nuk i shkëlqente, në disa vende e stonuar dhe me një lojë të sforcuar e të pabesueshme, edhe plastikisht dukej sikur kishte dalë nga çmendina. Por Suor Anxhelika nuk është Luçia e Lamermurit dhe këtë duhet ta dijë regjisori. Vikena Kamenica në rolin e Zia Principesas vokalisht u paraqit mirë edhe se roli është për kontralto, ndërsa paraqitja skenike e saj nga ana e regjisë është e pabesueshme, si një plakë e paralizuar në karrocë me rrota. Një shtrigë në pragun e vdekjes nuk ka asnjë arsye të vijë deri në kuvend për t’i marrë pasurinë mbesës së saj. Edhe skena e rrahjes midis tyre dukej shumë vulgare dhe artificiale, si dy jevga që rrihen për një krodhe bukë dhe jo si dy femra që me gjithë konfliktin që kanë për shkak të trashëgimisë dhe vdekjes së djalit të Suor Anxhelikës, vijnë nga familje aristokratike dhe ajo e përballon me dinjitet lajmin e tmerrshëm. Pra, në tërësinë e saj, kjo shfaqje na zhgënjeu në të gjitha aspektet e saj. Shfaqja dukej se ishte e ambientuar në një magazinë ku bëhej kryqëzimi i suorave. Një figurë jo të mirë bënë edhe grupi i disa suorave, të cilat as tingëlluan muzikalisht dhe as ishin të motivuara skenikisht, përjashtim bëri vetëm Sofika Kola e cila me vokalin e saj të bukur gati e sfidoi Jahon. Pas pushimit u ekzekutua shfaqja e dytë “Gianni Schichi”. Në një intervistë në Abc neës, Gëzim Myshketa deklaroi se ishte shumë i interesuar që të kishte kritikë. Aq i sigurte ishte saqë dukej sikur do ta bënte vetë kritikën vetes. Por ç’ ndodhi me shfaqjen? Që në fillim duhet ta themi se ishte një plagjiaturë e keqe e marrë nga interneti. E mbështetur vetëm mbi rekuizitë, ngjante vetëm me një shfaqje konservatori ku rekuizita ishte vënë aq përpara saqë po hynte në gropën e orkestrës. Një mori objektesh ishin vënë në skenë, saqë i kishin ngushtuar shumë hapësirat e lojës. Kështu mizanskena ishte shumë e cekët e pa thellësi, saqë dëmtonte shumë lojën e personazheve duke i ngucur afër njëri tjetrit e duke humbur secili individualitetin e tij. Një pjesë e rekuizitës ishte vënë kot në skenë se nuk u përdor fare. E vetmja gjë që e mbajti këtë shfaqje ishte Gëzimi, i cili dallohej cilësisht nga të tjerët, sidomos vokalisht, sepse me gjithë shkathtësinë që e karakterizon, Gëzimi e konfondon këtë rol me ndonjë rol tjetër grotesk të repertorit rosinian, duke rënë shpesh herë në lojë të jashtme deklarative duke i hequr Schicchit thelbin e personazhit, dinakërinë pozitive. Edhe plastikisht nuk duhet luajtur një “galantuomo” por një njeri i shtesave më të ulëta. Vokalisht rolin e zotëron mirë dhe me diksion të pastër, por jo pak herë e mbuloi orkestra, sidomos tek aria ku akutet nuk u dëgjuan mirë dhe ishin të sforcuara e të veshura. Të gjithë këngëtarët ishin vënë në pjesën më të madhe të kohës në rresht si ushtarët dhe gati në avanskenë, e lëviznin sa nga krevati i të vdekurit tek tavolina dhe anasjelltas. Kështu dukej si provim studentësh në universitetin e arteve dhe regjisori si student i vitit të parë që akoma nuk kishte mësuar mirë si ndërtohet mizanskena, le pastaj ndërtimi i karaktereve të personazheve që ishin pothuajse të gjithë njësoj. Opera Kombëtare është si Kombëtarja e Futbollit ku performojnë më të mirët. Një solist shqiptar që performon në Evropë, me ironi therëse e dëgjova tek thoshte se tani do vinte në Tiranë të vinte në skenë një balet apo të dirigjonte ndonjë simfoni, duke u tallur me marrëzitë që po ndodhin njëra pas tjetrës në TKOB. Armando Lika në rolin e Simones, rol që e ka luajtur edhe më parë, u paraqit i konsoliduar vokalisht dhe skenikisht, duke e justifikuar personazhin në tërë harkun e tij, po ashtu mirë u paraqitën muzikalisht grupi tjetër i solistëve, sidomos në pjesët ku janë në unison ndërsa në pjesët solo diksioni linte për të dëshiruar. Ogert Islami shpesh herë sillej kot nëpër skenë, duke u zvarritur përtokë sikur i kishte humbur ndonjë gjë e më shumë ngjante si i marrë. Po ashtu, Klodian Kaçani, i papërqendruar në skenë, mezi i këndoi ato dy tre batuta muzikore të kufizuara në akute. Në rolin e Rinuçios italiani Gabriele Mangione dhe në rolin e Lauretës Besa Llugiqi nga Kosova, patën diferenca të theksuara si nga ana vokale edhe nga ana skenike. Përveç disa akuteve tek aria, pjesa tjetër e regjistrit tenorit nuk i tingëllonte, po ashtu edhe diksioni ishte i dobët, ndërsa Besa me një timbër të bukur zëri dhe me një hijeshi për tu admiruar, ishte padyshim një realizim dinjitoz, megjithëse timbri i saj i vokalit nuk është shumë për këtë personazh. Kostumet e Ardi Asllanit dukeshin më tepër si sfilatë mode se sa kostume teatrale. Më tipiku ishte kostumi i personazhit Zitta që me atë kostum dhe rruaza në qafë, dukej si një vajzë e re që po shkonte në një mbrëmje se sa në një vdekje. Në shfaqjen e tretë dhe të katërt, personazhet kryesorë u ndërruan dhe në rolin e suor Anxhelikës, interpretoi Irini Nikolla që për hir të së vërtetës la shumë për të dëshiruar në krahasim me Ermonela Jahon. Me gjithë timbrin e bukur të vokalit, ajo nuk demonstroi asgjë nga personazhi, lojë e dobët, gabime muzikore, harresa të partit muzikor dhe luhatja e vibratos, bënë që shfaqja të bjerë cilësisht në mënyrë drastike. Ndërsa tek “Gianni Schicchi” italiani Leonardo Galeazzi që zëvendësoi Myshketën, bëri një performancë të lavdërueshme vokalisht dhe skenikisht. Me një prezencë skenike të admirueshme ai na solli fytyrën e vërtetë të Gianni Skikit larg pozave të jashtme të Myshketës, por duke na paraqitur në tërë dimensionin e tij  inteligjencën e paarritshme të Skikit nëpërmjet vokalit plot dritë, akuteve brilante dhe lojës racionale të pa ekzaltuar por të mençur dhe diksionit perfekt, saqë edhe një spektator i thjeshtë e kuptonte lehtësisht ngjarjen. Fjalë të mira duhen thënë edhe për Ramona Tullumanin në rolin e Lauretës dhe Denis Skurën në rolin e Rinuçios, që e mbushi skenën me prezencën e vokalin e bukur edhe se akuten e aries e këndoi në oktavë poshtë. Dirigjenti italian Sebastiano Rolli, duhet thënë se la për të dëshiruar në të gjitha drejtimet edhe në raportin e lidhjes së gropës së orkestrës me skenën por edhe në trajtimin muzikor të situatave fleksibile dhe ngjyrimeve emocionale të partiturës së kompozitorit, saqë në natën e tretë shfaqja degjeneroi totalisht muzikalisht, si nga ana ritmike edhe nga ana e harresave muzikore, sidomos Ivana Hoxha edhe në rolin e Zia Principesas edhe në rolin e Zitës, duke i diziluzionuar totalisht spektatorët e paktë që ishin në sallë, që pak nga dobësia e vetë shfaqjes pak nga gabimet e pafundme e braktisën tërësisht shfaqjen. Në përfundim, duam të themi se kjo shfaqje na ngjau me atë shfaqjen Shekspiriane ”Shumë zhurmë për asgjë”. Në fund duam të nënvizojmë se me gjithë publicitetin e jashtëzakonshëm që u bë, shfaqja na zhgënjeu në të gjitha drejtimet, së bashku me protagonistët e saj, e jehona e saj u shua si një flakë kashte.