Skënderbeu pret Kukësin, gjithçka duhet të dimë për këtë ndeshje

462
Sigal

Dy skuadra që i kanë dhënë ngjyrë futbollit shqiptar vitet e fundit, luajnë sot ndaj njëra-tjetrës për trofeun më të rëndësishëm të futbollit në Shqipëri, kampionatin. Stili i lojës së dy ekipeve jep një panoramë paraprake se çfarë duhet të të presim ne si nga “ujqërit e dëborës” ashtu edhe nga verilindorët, që për hir të së vërtetës kanë qenë skuadra më e përgatitur këtë fillim faze të tretë, përveç humbjes me Laçin, por gjithsesi Laçi po tregon se mund të mundë çdo ekip, shembujt janë të shumtë nga kjo anë. Por, gjithsesi, kthehemi tek ndeshja e sotme, një ndeshje për tu shënuar dhe për t’u luftuar nga secili ekip, pasi përpara kanë një fushë të hapur, ku Tirana nuk duket se nuk mund t’i bezdisë, të paktën edhe për një javë. Një rast për të mos u humbur nga secili ekip, si nga Kukësi, nëse do të ngjitet në krye dhe të largohet nga bardheblutë, ashtu edhe nga Skënderbeu që ka mundësinë që, në rast fitoreje, të shkojë me pikë të barabarta me Kukësin dhe Tiranën. Statistikat flasin për Kukësin, ku në 7 takime  të luajtura, 3 janë fituar nga verilindorët dhe 2 nga juglindorët, ndërkohë 2 ndeshje janë mbyllur në barazim. Golavarazhi është në barazi totale 12-12, ku fitorja e vetme e Kukësit në Korçë është takimi në fazën e parë të sezonit 2013-2014, me shifrat 3-1, e dy gola ishin të shënuar nga Progni që tani luan në kampin “kundërshtar”. Një takim pa ndonjë favorit kryesor, ku dihet forca e Kukësit në ndeshjet në transfertë, e duke llogaritur rëndësinë e ndeshjes, çdo gjë mund të pritet. Në fakt, lajmi i mirë për këto dy ekipe erdhi që më ndeshjen e Tiranës e më saktë, humbjen që pësoi në Laç, e ky rezultat sa i largët aq dhe i afërt për interesat e tyre, është një shtysë më shumë që të luajnë vetëm për 3 pikë, duke synuar maksimumin e mundshëm. Edhe më interesant këtë takim e bëjnë deklaratat “”pikante” të drejtuesve të këtyre dy klubeve por edhe futbollistëve, e nisur nga kjo, të gjithë janë në pritje se cili ekip “do t’i hapë krahun tjetrit”.

Mirel Josa: Skënderbeu-Kukësi nuk është një ndeshje titulli

Një mënyrë e mirë për të larguar presionin është të mos e pranosh atë, e duket se kështu mendon edhe trajneri i kampionëve në fuqi të Skënderbeut, Mirel Josa, që nuk e cilëson takimin e sotëm si një ndeshje që do të vendosë titullin në Superligë: “Nuk është një ndeshje titulli. Titulli do të vazhdojë të luhet deri në fund të kampionatit. Për mua është thjesht një ndeshje prestigji dhe autoriteti për lojtarët dhe skuadrat”. Trajneri u ndal edhe tek çështja “Olajinka”, por duke mos zgjedhur gjuhë polemikash, por një gjuhë diplomacie, siç i takon një trajneri: “Deklaratat mes dy klubeve gjatë ditëve të fundit nuk do të ndikojnë te futbollistët e mi. Ajo që kanë thënë dy presidentët mbetet një problem mes tyre. Kukësi është tre pikë para nesh dhe është rival për titullin. Problemet jashtë fushe janë të presidentit Takaj dhe Gjici. Jemi ne aktorët që luajmë në fushë dhe jemi ne ata që do të japim rezultatin e ndeshjes”.Gjithashtu Josa jep një mendim në përgjithësi për Kukësin, por duke e përmendur nëpërmjet ekipit të tij, duke thënë se nëse Skënderbeu është në rregull, nuk i trembemi kundërshtarit: “Kukësi është një skuadër me pikë të forta dhe të dobëta, por nuk i trembemi kundërshtarit sepse futbollistët duhet të më përgjigjen vetëm mua dhe unë jam i kënaqur me ta. Nëse kam futbollistët e mi në rregull atëherë të gjitha gjërat janë në rregull. Nuk më pëlqen të merrem me skuadrat e tjera”, përfundoi tekniku i korçarëve.

 Futboll i kthyer në tenis, Tërbuni hedh hapa të sigurt, Sopoti kthehet tek fitorja

Një situatë që nuk ndryshon nga java në janë në Kategorinë e Parë, ku përsëri në grupin A, tre ekipet e para vazhdojnë të tregojnë se biletën për në Superligë do ta presë ai ekip që bën më pak gabime, e deri më tani është Tërbuni që bën diferencën, jo sa për fitoret e arritura, por për qëndrueshmërinë që ka treguar ndaj çdo ekipi, që nga vendet e fundit e deri te vendet e para. Në fakt skuadra pukjane është shumë afër me pikë me dy ekipet e tjera, Mamurrasin që qëndron në vendin e dytë me 38 pikë, një më pak se kryesuesit dhe Besëlidhja e Lezhës që ka 35 pikë. Mamurrasi gjithashtu ka një ecuri shumë të mirë, ku fitorja ndaj Veleçikut e lë përsëri në pozita shumë të mira. Në fakt, për të parë një ndarje pikësh mes këtyre ekipeve, duhet të presim ndeshjet direkte, pasi vetëm aty “matin forcat” dhe marrin pikë ndaj njëra-tjetrës, ndërkohë edhe Besëlidhja nuk qëndron më poshtë, që duke vlerësuar ecurinë e deritanishme, ka treguar se është një nga ato skuadra që ka një përgatitje ndër më të lartat në të dy grupet. Sa i përket ekipeve të tjera në këtë grup, asnjë prej tyre nuk ia ka dalë që të bëhet problem për tre skuadrat që “sundojnë” grupin. Ndërsa, në grupin B situata është tërësisht ndryshe, aq sa diferencat mes ekipeve janë deri në një farë mase të papërfillshme, që nga vendi i parë e deri tek vendi i 5-të që duhet të quhet përsëri ekip pretendent për titull. Hapa të gabuar për Dinamon dhe Lushnjën që e mbyllin javën e 15-të me barazime, ku përsëri lushnjarët arrijnë që të mbajnë vendin e parë të ndjekur direkt nga Dinamo në vendin e dytë, por ndërkohë kanë humbur terren ndaj ekipeve të tjera, që gjithsesi kanë synimet e tyre për të dalë të parët. Rikthim tek fitorja i Sopotit, që e kaloi atë periudhë thatësire në rezultate, ku pas disa humbjesh mori një fitore të madhe ndaj Pogradecit, 1-2, fitore që sigurisht e lë në ndjekje të titullit kampion, duke qenë se ndodhte vetëm 4 pikë larg vendit të parë. Një kampionat që po futet në një nga fazat më interesante të saj, ku sigurisht të fituarat do të shpallen në fund, të paktën në këtë grup, B, pasi në grupin A jo çdo gjë është mister.

Grupi A

Ada 0-7 Tërbuni

Besëlidhja 2-0 Besa

Veleçiku 0-2 Mamurrasi

Burreli 3-2 Kastrioti

Iliria 0-0 Kamza

Grupi B

Shkumbini 0-0 Dinamo

Lushnja 0-0 Butrinti

Naftëtaëri 1-0 Luftëtari

Bylis 1-0 Tomori

Pogradeci 1-2 Sopoti

Hysaj “shtyp” ekipin e Vajushit, Empoli siguron fitoren e radhës

Ishte menduar si një përballje mes dy futbollistëve të Kombëtares Shqiptare, mes Hysajt që aktivizohet tek Empoli dhe Vajushit që së fundmi është bërë pjesë e ekipit të Kievos, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pasi Vajushi nuk është aktivizuar, nisur edhe nga fakti se nuk cilësohet akoma në formë të mirë fizike, duke marrë parasysh edhe faktin që sa i është bashkuar skuadrës dhe ka disa kohë që nuk është aktiv në futboll. Nga ana tjetër, Elseid Hysaj vazhdon të shkëlqejë në kampionat, duke u bërë pjesë në fitoret e një prej skuadrave më simpatike të Serie A këtë sezon dhe fitorja 3-0 ndaj Kievos e tregon qartazi këtë gjë. Në fakt, fitorja ishte e rëndësishme duke parë që të dy ekipet ndodhen shumë afër me pikë ndaj njëra-tjetrës, por me ndeshjen e fituar dje, Empoli ndodhet 3 pikë më përpara, duke i dhënë më shumë siguri shanseve të veta për një renditje sa më të mirë në kampionat, duke qenë se nuk janë të rrezikuar për rënien nga kategoria.

 Fat i keq për Andi Lilën, Parma nuk është më në Serie A

Nuk kishte si të shkonte më keq historia e Andi Lilës në aventurën e tij në kampionatin italian, duke qenë se ekipi me të cilin u bashkua muajt e fundit, Parma, nuk do të luajë më ndeshjet ndaj kundërshtarëve të tyre, ku këta të fundit do ta marrin fitoren në tavolinë 3-0. Në një deklaratë të bërë ditën e djeshme nga presidenti i Federatës Italiane të futbollit, Tavekio, ku ka deklaruar që një situatë e tillë nuk do ta prekë kampionatin, duke theksuar se ecuria do të vazhdojë të jetë e njëjtë. Aktualisht futbollistët e Parmës po përgatisin të gjitha procedurat që ta çojnë çështjen në gjykatë, në mënyrë që Parma ta shpallë sa më shpejt që të jetë e mundur falimentimin, që edhe ata të jenë të lirë në kërkim të skuadrave të tjera, pa pasur probleme kontraktuale. Nga mediat e huaja u bë me dije që ekipi nuk kishte më mundësi ekonomike as të paguante ujin që konsumonin futbollistët gjatë stërvitjeve apo ndeshjeve, diçka që sigurisht shtyu edhe ndeshjen e djeshme që kishin ndaj Udinezes.

 Gashi shkëlqen edhe kur Bazeli humbet, shënon gol ndaj Joung Boys

Një gol nga një distancë prej rreth 30 metrave që shkundi rrjetën e JB në ndeshjen e djeshme për kampionatin zviceran, nuk i solli fitoren Gashit dhe skuadërs së tij, Bazelit. Performanca e futbollistit të kombëtares, nëse merret në aspektin personal, ishte si gjithmonë e shkëlqyer, por përsëri nuk u shmang dot humbja 4-2, humbje që përsëri e lë Bazelin në vendin e parë në renditje, me 5 pikë më shumë se Joung Boys. Gashi, futbollisti më i mirë i Zvicrës për vitin 2014, gjeti rrjetën për të tretën herë rresht në kampionat, duke u bërë kështu një futbollist kyç për ekipin e tij, edhe pse në ndeshjen e mbrëmshme nuk arritën që të shërbenin për fitore.

 Bekim Balaj gol për Rijeken, këtë herë ndaj skuadrës së Cikalleshit

Një barazim “shqiptar” ishte ndeshja mes Splitit dhe Rijekës në kampionatin kroat, ku takimi përfundoi 1-1, por ajo që kishte rëndësi ishte përfshirja në formacion i dy futbollistëve të Kombëtares, ku Cikalleshi u aktivizua me Splitin ndërkohë Balaj luajti për Rijekën, ku shënoi edhe golin e barazimit në minutën e 56, pasi kishte humbur një penallti. Një ndeshje e shkëlqyer e Balajt që po shënon pothuaj në çdo takim, duke u bërë kështu një futbollist kyç në ekipin e tij, në një kohë fare të shkurtër. I pafat ishte Cikalleshi, por duhet thënë se për tifozët shqiptar e rëndësishme është që futbollistët e Kombëtares aktivizohen dhe janë pjesë në fitoret dhe rezultatet pozitive të ekipeve të tyre.