Cila ishte e ashtëquajtura “Letra e Zezë” e grupit të naftës

683
Sigal

Intervistë më gjeologun e famshëm të “Letrës së Zezë”, Kadri Rama:

Si na dënoi mua dhe Elmaz Nikën, gjykata e Fierit me 20 vite burg për sabotimet në naftë. Pas 12 vitesh në Spaç më çuan në zyrën e ministrit të industrisë, për tju shpjeguar projektet për 2 puset e naftës. U kërkova pafajsinë dhe më pas drejtova punimet për çpimet, ku doli nafta. Letra anonime, sabotimet ruse, takimi me fëmijët pas 12 vitesh , ku të voglin e kisha parë për herë të fundit 1 vjeç dhe marrja e pafajsisë

 

Intervistë me gjeologun Kadri Rama: Autori i “Letra e Zezë”

  • Cila ishte e ashtuquajtura “Letra e Zezë” që na dënoi pabesisht mua dhe Elmas Nikën?!
  • -Në verën e vitit 1974, në sallën e kinemasë në Fier, u mblodh një aktiv i madh për naftën. -Diskutimet u kërkuan me shkrim dhe të firmosura. Nga leximi i diskutimeve, Enveri  “zbuloi punën sabotuese në naftë “
  • – Argumentet e mia për pusin e ri të naftës i quajtën “teza të zeza”
  • – U dënova me 20 vite heqje lirie, sepse mbrojta idetë e mia shkencore për pusin e ri
  • -Si më sekuestruan në vitin 1974 një kostum, një xhaketë, një këmishë dhe një palë pantallona
  • -Dënimin e vuajta në Spaç dhe Qafë Bari ku norma ishte 5 vagona nga 3 ton t’i mbushje dhe t’i nxirrje jashtë.
  • -Dy gjeologë rus më thoshin: Mos prit të shikosh atë që mendon, por përshkruaj me saktësi atë që sheh.”
  • – Në gjyq kërkova pafajësi, pastaj apelova madje kërkova për të provuar pafajësinë duke projektuar nga burgu
  • -Si më morën nga burgu 27 Qershor 1988 dhe më çuan në zyrën e ministrit të Industrisë
  • – Ministri më tha je i falur, unë i thashë s’kam bërë faj dua drejtësi
  • -Si aprovuan dy puset që kisha ideuar unë në Osmanzezë, në vitin 1989
  • – Kur u arrestova lashë në shtëpi dy djemë, njëri 3,5 vjeç dhe tjetri 1.5 vjeç dhe i gjeta 16 dhe 14 vjeç pa i parë asnjëherë
  • – Kam bindje të plotë se në Shqipëri ka naftë shumë më tepër se ajo që kemi gjetur

Ahmet Çollaku  

“E para gjë që duhet bërë është të mos pengosh vetveten”- Seneka

Në tavolinë kam disa fletë shkëputur nga dosja e “Letrës së Zezë” shkruar kundër gjeologut Kadri Rama…

“…RPSH… Gjykata e Rrethit Fier… Në emër të popullit… Datë 6.4. 1974… Akuzohet… se ka kryer krimin e sabotimit duke minuar zbatimin e orientimeve të partisë në fushën e projektimeve e kërkimeve për naftë dhe gaz…” Dhe pak më tutje, “Gjykata e Rrethit të dënon që të dëmshpërblesh shtetin me shumën 28. 503.323 lekë.(!!) Për këtë arsye ju sekuestron pasurinë si më poshtë: kostum (500 lekë), xhaketë(200 lekë), pantollana(10 lekë), këmishë (32 lekë)… (Vetëm shpirti dhe ndërgjegjen nuk i kanë sekuestruar-shënimi im). Më vjen për të ulëritur, po as kjo protestë e hapët, nuk e kthen më atë kohë për një vetëgjykim. Gjeologu Kadri Rama, u arrestua më 6 Prill të vitit 1976 për “sabotim” dhe u dënua plot me 20 vite heqje lirie, krim që nuk e kishte bërë

Në fillim ishin gjashtë specialisë nafte të cilët dolën në një mendje dhe atë e hodhën në një letër të zakonshme, letër të bardhë. Më vonë dikush atë e pagëzoi “Letra e Zezë”. Më pas, nga ajo beteje profesionale dhe ideologjike katër nga autorët nismëtarë dhe inicius, u tërhoqën, kështu pra, ngelën vetëm dy, Kadri Rama dhe i urti deri ne dhembje Elmas Nika.. Gjeologu Kadri Rama, i qetë dhe i bindur tha, kjo punë na është besuar ne dhe ne e dimë si bëhet dhe mbajmë përgjegjësi për këtë. Kjo ishte Mesha e tij. Do të kujtohet për shumë vite. Këto fjalë e bënë atë armik dhe letrën e tij të bardhë e bënë letër të zezë. Kadriun e flakin në Minierën e Batrës kurse Elmazin në Pukë. Vite të tëra pa liri, pa diell, pa fëmijë, pa sy, pa gojë, vetëm zemra që rrihte dhe shpresonte. Kudo hetusia mbinte si bar i keq. Në galeri, në banjo, në çdo dy vetë njeri do të ishte spiun. Janë ca fjalë që na i kanë lënë të zgjuarit, të shpresojmë, nesër, prandaj ai mbushej thellë me ajër dhe me shpresë… priste Diellin!

-Z. Kadri, ju faleminderit që më krijuat mundësinë të bisedojmë bashkë për personalitetin tuaj si njeri dhe gjeolog shumë virtuoz, po pa fat, si për ju vetë, ashtu edhe për naftën tonë, e cila që nga viti 1918 kur u nxuar për herë të parë, ka qenë në epiqendër të shteteve të huaja. A mundet të më tregoni shumë shkurt biografinë tuaj, ecjen tuaj në jetë dhe në profesion? 

Kam lindur më 1940 në Radhimë, (një fshat i vogël 12 km në Jug të Vlorës), në një familje të madhe patriarkale në gjendje të mirë ekonomike. Fëmijërinë e kam kaluar në fshat. Në vitet 1953-1957 kam kryer shkollën e mesme në Tiranë, në ish shkollën Teknike të H. Fulcit. Nuk më doli e drejta e studimit për shkollë të lartë. Familja ime nuk ishte futur akoma në kooperativë. Në vitet 1957-1960 kam punuar si teknik gjeolog në Ndërmarjen Gjeologo-Topografike në Tiranë. Në vitet 1960-1965, mbarova Universitetin në Tiranë. Në Gusht të vitit 1965, fillova punën si gjeolog pusi në Fier dhe pas një viti e gjysëm, më transferuan në Institutin e Naftës në Kuçovë. Më 6 Prill të vitit 1976, jam arrestuar dhe dënuar me 20 vjet heqeje lirie për sabotim, krim që nuk e kam kryer. Pas 12 vjetë e tre muaj burg, jam liruar me kusht, me dekret nr. 7227 dt. 27.6.1988. PKP. Nga viti 1988 deri në vitin 1993, kam punuar në Ndërmarrjen e Kërkimit në Patos. Në Qershor të vitit 1993, dola në pension. Më pas shkova në Radhimë për të qenë aty gjatë ndarjes së tokave. Në Radhimë, në një lokal buzë detit hapëm me vëllain dhe motrën, një kafene me kapital fillestar (!) 900.000 lireta (nëndëqind mijë) që na i kishte dërguar djali emigrant në Itali. Në Janar të vitit 1997 (pasi humbëm edhe shtëpinë në Firmat Piramidale), erdhëm në Tiranë. Pensioni ishte simbolik (rreth 50 dollarë), e dorëzova atë dhe hyra përsëri në punë në një zyrë te Albpetrolit (në Tiranë). Në vitin 2000 dola në pension, më pas punova tetë vite në rrugë si këmbyes valute dhe tani(ka dy vite), punoj i punësuar në një zyrë këmbimi, 36 orë në jave për një rrogë mujore 210 dollarë. Jam martuar në vitin 1970. Kam dy djem, dy nipër dhe një mbesë.

 

– Po shkëputem pak nga dhembjet tuaja që janë në radhë… Përse jeni dënuar dhe në cilin vend e keni kryer dënimin? 

Jam dënuar, si gjithë të tjerët, pastaj i vetëm për të frikësuar të tjerët dhe për t’u përdorur si skllav për të nxjerrë mineral bakri nga miniera të pashfrytëzueshme. Në verën e vitit 1974, në sallën e kinemasë në Fier, u mblodh një aktiv i madh për naftën. Diskutimet u kërkuan me shkrim dhe të firmosura. Nga leximi i këtyre diskutimeve, ai më i madhi, “zbuloi punën sabotuese në naftë “ dhe përjashtoi vetëm një. Pas arrestimit të “grupit të naftës”, në pranverën e vitit 1975 ky i imunizuari u bë i plotëfuqishëm i Institutit të Naftës. Për vitin 1976, Institutit të Naftës ju vu detyrë të zbulojë një vendburim të ri nafte. Pas shumë diskutimesh, në Këshillin Shkencor u aprovua tematika e vitit 1976 dhe u dërgua “lartë”. Plani teknik u kthye mbrapsht me vërejtje, (buletini) . Në një mbledhje të gjatë për rishikimin e planit në bazë të vërejtjeve, rezultoi se “lartë”, nuk ishte përcjellë plani i aprovuar nga Këshilli Shkencor, por një material tjetër. Për këtë “I plotfuqishmi”, na dha disa përgjigje konfuze dhe nuk na sqaroi. Kur u mbyll mbledhja në orën 22-00, u la që konkluzionet do bëheshin të nesërmen në mëngjes dhe u porositëm që propozimet t’i bënim me shkrim se në orën 10-00 do niseshim për Tiranë. Të nesërmen sapo filloi puna në zyrën e E.Nikës, unë dhe Elmazin filluam të shkruanim diskutimin. Aty ishin edhe dy kolegë të zyrës. Rastësisht erdhën edhe dy gjeologë të tjerë, dhe mbasi shkruam me dorë një faqe e gjysëm, vumë dhe gjashtë emrat tanë, jo firmat. Po prisnim mbledhjen e mëngjesit, po ndërkohë na thonë që makina u nis për Tiranë!!! Por na porositën që diskutimet të ja dorëzonim sekretares së byrosë së partisë të Institutit. Ne shtuam në fletën e diskutimit “Byrosë së Partisë të Institutit të Naftës” dhe në fund datën,15 Janar 1976 dhe e dorëzuam. Në datën 3 shkurt 1976, befas, erdhën në Institut të mëdhenjtë e Ministrisë dhe të Fierit. Na thirrën ne të gjashtëve dhe na sulmuan me pyetje:”Çështë kjo letër? Kush e shkroi? Pse e shkruat, kjo është letër e zezë, është armiqësore”, e tjera, e të tjera… Ata të katër u tërhoqën, thanë se e vunë emrin pa u menduar mirë, e tjera. Ne të dy e mbrojtëm diskutimin tonë. Unë thashë pak a shumë këto: ”Kjo punë na është besuar ne dhe ne e dimë si bëhet dhe mbajmë përgjëgjësi për këtë”. Këto fjalë u shtrembëruan dhe u komentuan sipas orekseve. Përfundimisht diskutimi u quajt armiqësor, letra u quajt ”letër armiqësore”, ne “armiq”, më tej u demaskuam sipas zakonit në kolektiv të gjerë dhe u dërguam për “riedukim” në gjirin e klasës punëtore: unë në minierën e Batrës dhe Elmaz Nika në Pukë. Në datën 6 Prill 1976, në mëngjes, me autobuzin plot me punëtorë, që na çonte nga Krasta në minierë më arrestuan.

Cili ishte “krimi”??!! Ne në diskutimin tonë propozuam që për të realizuar, garantuar, zbulimin e vendburimit brenda vitit duhet të zgjidhnim dy-tre strukturat më të përgatitura dhe t’i atakonim me shumë puse njëherazi, për vetë natyrën e stukturave tona, që janë gati si mure vertikal, jashtë mundësisë së sizmikes që të përcaktojë saktë pozicionin e tyre hapësinor. (Porosia ishte: “me predhën e parë në shënjestër”(!?) Ne, në krye të listës së strukturave vinim Cakranin, Osmanzezën e tjera. Pas nëntë muaj hetusie u dënova me 20 vite heqje lirie, me konfiskim pasurie e tjera. (Me vete kam dy fletë të vendimit dhe listën e ‘”pasurisë” të konfiskuar: (Kjo quhej “pasuri” dhe gjoja ne ishim më të paguarit!?). Dënimin e vuajta gjashtë vjet punëtor nën tokë me tre turne, në Spaç dhe 5.5 vjet punëtor nëntoke me tre turne në Qafë Bari. Norma ishte e detyruar: 5 vagona nga 3 ton t’i mbushje dhe t’i nxirrje jashtë.

-Mbaj mend se keni qenë shumë i pasionuar me gjeologjinë e naftën shqiptare, argumentat tuaja vinin në mendime shumë kolegë dhe shokë. Po tani, e keni përsëri këtë pasion për gjeologjinë? 

Pasioni jo vetëm që nuk më ka rënë, por përkundrazi po më shtohet, sepse ditët po pakësohen!! Çdo ditë aty më rri mendja. Deri tani kam bërë me dhjetëra tentative, që dikush të më dëgjojë, po pa rezultat. Ç’të bësh kur në krye janë po ata por me kostum tjetër.

-Ku është kontributi juaj më i madh, në rilevime, në përgjithësime apo në projektime? 

Në rilevimet gjeologjike. Kam patur fatin e mirë që kam filluar punë, pa mbushur moshën 18- vjeç në rilevim me dy gjeologë të vjetër rus. Punova me ata 2 vjet e gjysmë në rajonin nga Kukësi në Shkodër. Më mësuan shprehitë e vëzhgimit. Më thoshin vazhdimisht “mos prit të shikosh atë që mendon, por përshkruaj me saktësi atë që sheh.” Shumë shpejt mësova të punoja me ta si i barabartë. Ata kishin shumë besim për punën time të kujdesshme. Më pas punova 6 muaj me gjeologë shqiptarë në rajonn Elbasan-Prrenjas (në anën jugore të Shkumbinit). Edhe kur vazhdova universistetin, kam punuar një muaj çdo verë në fushë me shokët e ndërmarrjes së Tiranës. Kam patur ndërprerje një vit e gjysmë nga puna fushore, kur isha gjeolog pusi në Kallm dhe në Divjakë. Kur u transferova në Institutin. e Naftës, fillova punën menjëherë në një grup rilevimi në rajonin e Mallakastrës (Çorush-Buzë dhe Gllavë). Më pas kam punuar kryesisht në rilevime dhe revizionime dhe më pak në grupe përgjithësimi. Puna fushore për ndërtimin e Hartës Gjeologjike në rajonet prespektivë për naftë. Ishte më e thjeshtë se në zonën veri-lindore ku kisha punuar më parë. Në Institutin e Naftës gjeta një konceptim të thjeshtësuar për interpretimin në thellësi ( me prishje). P.sh. në vitin 1967, kur Gorishti kishte disa vjetë që ishte zbuluar, as që mendohej të kalohej me puse në perëndim të një vije (prishje). Edhe kur u shpua në perëndim të asaj vije u mendua se u zbulua një vendburim i ri (Koculi)? Për këto probleme kemi patur shumë diskutime, akoma edhe sot ka gjeologë të naftës, që nuk e kuptojnë plotësisht këtë stil tektonik.

-Ku keni projektuar personalisht? 

Kam marrë pjesë në projektim pusesh, kryesisht në ato rajone ku kam kryer punime fushore: në Ninshe, në Kalivaç, në Vurg, (pusi vërtetoi ekzistencën e strukturës së Finiqit), në Delvinë (puse që u shpuan shumë vite më vonë), në Osmanzezë (pusi i fundit ndërprerë 540m. para se të arrinte projektin me një urdhër të padrejtë të Ministrit dy javë para se të binte qeveria e tij, në 6 shkurt 1991.

 

-Sipas jush, si qëndron perspektiva e Shqipërisë për naftë dhe gaz, ka apo nuk ka? Sikur t’u jepnin tri sonda ku do t’i vendosnit? 

Thashë më parë se jam lirur me kusht. Ja si ndodhi: Në gjyq kërkova pafajësi, pastaj apelova vendimin, më pas bëra shumë protesta me shkrim, bile edhe kërkesa për të provuar pafajësinë duke projektuar nga burgu. Më në fund një kërkesë arriti në destinacion. Erdhën të dërguar në Qafë-Bari, fillimi vitit 1988, më kërkuan shpjegime… Në fund të Majit të atij viti më transferuan në burgun e Tiranës. Më 27 Qershor 1988, pa më thënë asnjë fjalë, më morën nga burgu ashtu të parrruar, të qethur xero, me ato rrobat e shpifura të burgut dhe me thesin e rraqeve në orën 20-00 më çuan në zyrën e Ministrit ku ishte edhe një sekretare ku u zhvillua ky dialog:

Ministri:-Ti e ke shkruar këtë letër? Unë: -Po! Ministri:-U përmbahesh këtyre që ke shkruar? Unë: -Po! Ministri:-Mirë, ne e shqyrtuam këtë letër dhe vendosëm të të falim: -Unë nuk kam kërkuar falje, se nuk kam bërë ndonjë faj. Ministri, (Pasi më pa me inat):-Edhe ne nuk të kemi falur, të kemi falur vetëm dënimin e mbetur…

Pesëmbëdhjetë muaj më pas, Ministri tjetër, kur më njoftonte për aprovimin e dy puseve në Osmanzezë, shkruante: “Vlerësimi e besimi që tregohet ndaj jush rrit përgjegjësinë ligjore e morale ndaj interesave të shtetit tonë”, (Prot. 11150-dt. 16.9.1989).

Ky ishte rasti që m’u dha mua dhe nuk ishte lojë, as shaka, as aventurë, as sfidë. Kisha bërë 12 vite midis njerëzve që kishin kryer edhe mbi 30 vjetë dënim. E mësova mirë si funksiononte ai shtet: nëqoftëse ndonjë familje kishte një të dënuar që nga 1945 edhe në vitin ’90 do të kishte të paktën një të dënuar. Kur u arrestova lashë në shtëpi dy djemë, njëri tre vjeç e gjysëm dhe tjetri një vjeç e gjysëm dhe i gjeta 16 dhe 14 vjeç pa i parë asnjëherë. Atëherë të dënonin pa faj vetëm për të kënaqur egot e tyre dhe për të trembur të tjerët. Ama, po t’i sfidoje të zhduknin nga faqja e dheut, me kuç e me maç. Këtë e dija mirë. Prandaj përgjigjen e plotë të kësaj pyetje e gjen në punimin që paraqita atëhere. Aty kam shprehur bindjet e mia pa asnjë lloj censure. Të vetmet gjëra që kam shkruar me paramendim janë: ajo hyrja e egër dhe provokuese, sepse nuk doja të aprovohej në Këshillin Shkencor, doja ta aprovonin ata që më dënuan, dhe tjetra janë ato citate, që qëmtova në librin “Për naftën”, për t’i përdorur për çelës dhe për xhol kur të më duheshin. Më kujtohet që kur lexoja atë libër, nuk më hiqeshin nga mendja dy vargje të një kënge labe, “Në mos keni armë gjeni, ia rrëmbeni atij qeni”.

Pra shkurt  kam bindje të plotë se në Shqipëri ka naftë shumë më tepër se ajo që kemi gjetur, kemi ndofta më pak vend burime si numër, por shumë më të fuqishëm dhe me naftë cilësore. Për këtë flet vetë rruga e zbulimeve nga Penkova deri tek Cakrani. Kërkimet e naftës u ndërprenë me dhunë për katër muaj me qëllim në kulmin e ecurisë së tyre. E filluam pa asnjë gjeolog. Edhe i vetmi që u ndodh pas lufte, ishte Zuberi, të cilin e mbytën me tortura dhe në kulmin e pjekurisë së mendimit gjeologjik e ndërprenë me terror.

Nesër do lexoni:

Shkatërrimi i industrisë së naftës u në pas viti 1975 me terrot dhe me padije

Nuk mund të punohej kur shikoje shokët që burgoseshin padrejtësisht

Si e ndjeni dhe e shpjegoni shkaterrimin e industrise se naftes?