Sakip Cami: 108 -vjetori i Luftës së Malsisë në Dibër kundër forcave serbe, 19 ditë luftime dhe 170 dëshmorë

1180
Sigal

 Grykës së Vogël, Dibër, kundër forcave serbe, me 19 ditë e netë luftime dhe   170 dëshmorë

 Gryka e Vogël është një nga 9 malet historikë të Dibrës, një nga krahinat e saj që përmbledh fshatrat Topojan, Mazhicë, Gjuras, Shtushaj, Bllacë, Zogjaj, Kovashicë, Okshatinë, Homesh, Boçevë, Shupenzë, Vlashaj, Gjoricë e Sipërme, Gjoricë e Poshtme, Çerenec, Viçisht.

Pozita e saj gjeo – strategjike ka bërë që në drejtimin e saj dhe më tej të Tiranës, të bëhen shumë ofensiva të armiqve që nga koha e Skënderbeut deri në Luftën e dytë Botërore.

Lufta apo kryengritja që i dha emrin kësaj gryke ishte ajo e dhjetorit 1912, që vazhdoi deri në mesin e janarit 1913.

Studiuesi Moisi Murra në gazetën « Ushtima e Maleve » janar 1983 shkruan se ishin jo pak, por 19 ditë e netë luftime, (25 dhjetor 1912 – 13 janar 1913), 19 ditë qëndresw të luftëtarëve dibranë dhe kryesisht të atyre të Grykës së Vogël kundër forcave serbe që i kalonin forcat e një regjimenti këmbësorie me përforcime artilerie.

Ndërsa Dibra kishte dërguar në Vlorë përfaqësuesit e saj për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, ushtria serbe mësyni për herë të dytë Dibrën në Grykën e Radikës. Serbisë dhe Nikolla Pashiqit ju shtuan oreksi për daljen në detin Adriatik dhe ky ishte momenti për të hapur luftën e saj në kuadrin e Luftës Parë Ballkanike.

Pasi mori Dibrën e Madhe regjimenti serb nisi sulmin drejt Maqellarës dhe Grykës së Vogël. Nëpërmjet Grykës së Vogël dhe Grykës së Madhe ai donte të dilte në Qafë të Buallit e të përparonte drejt Tiranës dhe Durrësit.

Në Topojan serbët kërcënuan që çdo shtëpi të paguante 80 lira turke taksë për Serbinë, përndryshe fshati do të digjej. Krerët e Grykës së Vogël Mersin Dema dhe Dan Cami si dhe kreu i Grykës së Madhe Sheh Sula i Zerqanit, nën kryesinë e Iljas Hoxhës (Rekës) u mblodhën te Gurra e Mazhicës dhe morën vendim që të organizonin qëndresën ndaj ushtrisë serbe, të pengonin përparimin e ushtrisë serbe drejt Grykës së Vogël e tokave të kësaj ane të Drinit të Zi dhe më pas për të marrë tokat e pushtuara dhe Dibrën e Madhe.

Drejtues të këtyre luftimeve kanë qenë Mersim Dema, Feta Cami, Dan Cami etj.

Me 26 dhjetor 1912, 5 mijë forca serbe të Regjimentit 14 të Divizionit të Moravës morën urdhër për të kaluar në mësymje në drejtimin: Dibër e Madhe, Bllatë, Ura e Topojanit, Mazhicë, Prat.

Mësymjes së tyre ju kundërpërgjigjën 1500 luftëtarë dibranë që organizuan mbrojtjen, punimet xhenjere dhe siguruan mbështetjen logjistike me municion dhe ushqime në vijën: Topojan – Okshatinë – Shupenzë – Çerenec – Ura e Spiles.

Ushtria serbe, që e kishte vendosur artilerinë e saj në kodrat e Maranicës mbi Urën e Topojanit filloi goditjen me artileri të pozicioneve të luftëtarëve dibranë.

Pas goditjes me artileri të serbve, luftëtarët dibranë organizuan sulm të rrufeshëm dhe zjarr të fuqishëm dhe brenda një ore luftimi vranë 400 ushtarë serbë. Ushtria serbe kërkoi përforcime dhe në ndihmë të saj erdhi edhe një batalion tjetër këmbësorie si dhe një repart artilerie.

Luftimet vazhduan edhe 3 ditë tjera nga 31 dhjetori 1912 deri me 2 janar 1913 në rajonet Bofmollë – Topojan.

Gjatë këtyre tre ditëve ushtria serbe pati edhe 92 të vrarë të tjerë, ndërmjet tyre edhe një oficer, nipin e Krajl Pjetrit, me qindra të plagosur dhe shumë ushtarë e oficerë të kapur robër.

Populli i ka kënduar kësaj lufte:

…« Pushkët e para kush i bani

Kjo Mazhica dhe Topojani » …

 Në foto luftëtarët dhe patriotët dibranë Eqerem Cami, Mersim Dema, Ismail Strazimiri dhe Dan Cami, dalë në Oranik më 1913

Në pamundësi për të shpërthyer mbrojtjen e kryengritësve dibranë në Grykën e Vogël, në vijën Vlashaj, Mali i Dethit, Mazhicë, ku ushtria serbe humbi edhe 300 ushtarë të tjerë, me 2 janar serbët ndërmorën përforcime shtesë me 2000 trupa dhe u përqëndruan në Gollobordë dhe te Ura e Spiles. Për të mbrojtur Urën e Spiles, Mersim Dema ngarkoi një fuqi të madhe ku bënin pjesë të gjithë burrat e Grykës së Madhe, një pjesë e burrave të Grykës së Vogël dhe të krahinës së Gollobordës. Por Mersim Dema në këtë inkursion ushtarak u tradhëtua nga kushëriri i tij Selim Dema, i cili e la të lirë urën. (Munir Shehu, faqe 223). Pas 4 ditësh në pasditen e 7 janarit serbët arritën të dalin në pjesën lindore të Lumit të Okshtunit. Një luftë e madhe u bw në kodrat e Viçishtit e të Golevishtit, për t’u prerw serbwve hovin e hyrjes në Gjoricë, por qe e pamundur. Serbët hynë në Gjoricë, por edhe aty u luftua pëllëmbë për pëllëmbë. Serbët dogjën shtëpitë dhe kosharët e drithit e mullarët e barit.

Ndërsa Gjorica po digjej, komandanti serb organizoi një sulm tjetër mbi Urën e Topojanit. Por pikërisht këtë komandant e qëlloi me martinën e tij Beqir Shiti nga Gjurasi.

Kësaj lufte dhe këtij momenti populli i këndon :

…« Kumandar i biri i shkinës

S’i ke njoft djemt’ e Dibrës

Djemt’ e Dibrës, djemt e malit

Ta plasin kapakun e ballit ! » …

Uke A. Cami në librin e tij: «Shpirti ynë liridashës», shkruan: «Çeta e Feta Camit ishte vendosur në Mazhicë, në gropë poshtë tek Çuket ku ishin Mehmet Çuku, Osmani dhe disa të tjerë që ruanin te Vorret e Çuke.

Izet Çuku që ruante në majë të Dethit u ndesh me rojet e zbulimit serb.

Çeta vrapoi në drejtim të Dethit. Krisi pushka në Deth. Lajmi u përhap në Gjuras, Bllacë, Shtushaj, Zogjaj, Kovashicë, Topojan dhe deri në Hotesh.

Dan Cami, komandant çete  

Në Hotesh, Ismail Skuka me grupin e vet kapërceu Drinin dhe u vendos mbi Urën e Topojanit. Të gjithë fshatrat pasi organizuan mbrojtjen e fshatrave të tyre, dërguan forca në drejtim të frontit të Dethit. Serbët u rrethuan nga të katër anët sepse kështu ishte pozicioni i të gjithë fshatrave.

Një pjesë e mirë e forcave serbe u mbytën në lumin e Drinit të Zi.

Në këto luftime morën pjesë shumë luftëtarë, të organizuar në tre çeta që komandoheshin nga Mersin Dema, Feta Cami, Dan Cami dhe që bashkëvepronin midis tyre.

Të organizuar nga Çeta e Feta Camit ishin Çupi, Tufiku. Izeti, Beqiri, Ramizi, Demiri, Rrahmani e Sinani nga Camet, Çup Duka, Ram Dumani, Ramis Murra, Esat Grrana, Rushit Krosi, Ferit Kaja, Mersim Lleshi, Zyber Osmani. Lahim e Musa Dema, Mehmet, Osman e Izet Çuku, Musë Izvira. Sahit Dani Dani, Lutfi Daci, Adem Lleshi, Jashar Zeneli, Dalip Dani, Halil Begu e të tjerë.»

Me 11 janar 1913 në zonën e Topojanit, Mazhicës dhe Zogjes, sipas raportimeve serbe janë zhvilluar luftime të ashpra dhe janë vrarë një oficer serb, 3 ushtarë dhe janë plagosur 5 të tjerë. Edhe në rajonin Gjuras – Bllacë u bë qëndresë e madhe dhe e pakalueshme.

Me 12 janar në të gjithë teatrin e luftimeve në zonën e Grykës së Vogël humbjet e ushtrisë serbe shkonin në 1500 të vrarë, ndërmjet tyre edhe komandanti i operacionit.

Me 13 janar 1913 ushtria serbe arriti të dalë në vijën Qafë Buall – Qafë Murrë, por për shkak të humbjeve të konsiderueshme dhe të moralit të dobët, ushtria serbe me miratim të komandantit të Divizionit « Morava » u tërhoq në Dibër të Madhe.

 

Sejfi Vllamasi në librin e tij «Ballafaqime politike» shkruan: «Një fuqi serbe kalon urën e Topojanit dhe del në Malësinë e Grykës së Vogël.

Mersin Dema i ndan fuqitë në tri pjesë:
1. Te ura e Topojanit;
2. Në kodrat e katundit Gjoricë;
3. Te Ura e Spilës;
Ndër këto vende lufta vazhdon tri javë. Atëherë serbët, duke e parë të pamundshme zbërthimin e frontit në këto drejtime, marrin një drejtim tjetër dhe, duke kaluar nga malet e Strugës e të Gollobordës, u marrin krahët fuqive dibrane, të cilat tërhiqen dhe marrin pozicione të reja duke zënë Qafën e Murrizës (mali i katundit Bllacë) dhe shkrepin e katundit Gjuras, ku lufta vazhdoi 5 ditë. …Kësaj lufte iu dha emri “Lufta e Malsisë”.

Sipas kujtimeve të Ismail Strazimirit, “drejtimi politik i administratës serbe me këtë mënyre aprovohesh prej katër a pesë krenëve të Dibrës, të cilët ishin servilë me i sigurue interesat e tyne në dam të interesave të përgjithshme. Veç kësaj, gjithë jetën e kishin kalue tue ba mizorina e krime të ndryshme dhe mbasi s’kishin kurajo civile, me qëllim që të shpëtojnë nga bajonetat serbe, i bindeshin çdo urdhëri që jepte qeveria serbe dhe sikur t’ishte ai në dëm e mjerim të gjithë popullit.
Si konsekuencë e kësaj administrate të keqe mund të rrëfehet lëvizja e Malsisë së Dibres së Madhe, e cila përfundoi me mjerim të plotë të banorëve. Një patrullë serbe shkoi në katundin Mazhicë dhe pa asnjw shkak ose arsye ligjore grabiti bagëtinë e Osman Çukut.
Ai natyrisht kundërshton dhe banorët e katundit i vinë në ndihmw. Brenda pak kohe gjithë krahina alarmohet dhe i venë pushkën ushtrisë serbe. Në këtë mënyrë ngjarja mori ngjyrën e një kryengritje serioze. Qeveria serbe menjeherë çoi fuqina të mëdha ushtarake kundër tyne dhe mbasi u banë lufta të rrepta e të përgjakshme në mes t’ushtrisë e t’popullit, u dogj gati krejt krahina, u vranë me qindra njerëz, u grabit pasunija dhe bagëtija, gjith’ ashtu u cwnue nderi dhe u shue jeta e atyne rrezikzive, që s’mundën me ikë.”

Në këtë luftë 19 ditore kanë rënë 170 luftëtarë dibranë, të cilët nuk janë evidentuar plotësisht. Disa janë shpallur dëshmorë të Atdheut, por shumica as nuk janë evidentuar si të rënë.

Topa serbë të rrëmbyer nga dibranët në luftën e vitit 1913

 

Dëshmorë të Dibrës dhe të Grykës së Vogël, të miratuar me Vendimin Nr. 50 të Këshillit Popullor të Rrethit Dibër të vitit 1972, në kuadrin e 60- vjetorit të Pavarësisë janë :

  1. Abdulla Xhafer Ceku (1880 – 1913) nga Topojani, rënë në Topojan
  2. Abdulla Abaz Xhurxhi (1895 – 1913) nga Hoteshi, rënë në Topojan
  3. Iljas Ismail Hoxha (1875 – 1913) nga Reka, rënë në Topojan
  4. Kurt Selim Çupi (1890 – 1913) nga Lishani, rënë në Topojan
  5. Rustem Lam Lami (1882 – 1913) nga Homeshi, rënë në Topojan
  6. Shemsi Bajram Hoxha (1872 – 1913) nga Homeshi, rënë në Homesh
  7. Hasan Ibrahim Pata (1878 – 1913) nga Peladhia, rënë në Peladhi

Dëshmorë të tjerë të pashpallur:

  1. Hysen Tasha nga Bllaca
  2. Sali Bodini nga Selishta
  3. Liman Kaziu nga Gjurasi
  4. Nurçe Bodurri nga Okshatina
  5. Hasan Alla nga Bulqiza
  6. Allaman Zeneli nga Kovashica
  7. Ismail Budurri nga Okshatina
  8. Rizvan Lleshi nga Zogje
  9. Han Leka nga Zogje
  10. Qamil Alimani nga Bllaca
  11. Hysen Kaci nga Gjurasi
  12. Hysen Dema nga Homeshi etj. Etj.

Varret e këtyre dëshmorëve ndodhen edhe sot në vendin e quajtur Hurdha e Madhe, aty ku ranë heroikisht duke luftuar.

Sipas kujtimeve të mbledhura nga Munir Shehu dhe të botuara në librin «Dibra 2» 2018, kur bwhej lufta e Mazhicës kishte mjegull. Prej mjegulle serbët nuk dinin ka me ikë. Binin nëpër prita dhe vriteshin, binin në Drin dhe mbyteshin. Serbët erdhën te Ura e Spiles nëpër Çerenec dhe dualën në qafë të Sofraçanit. Prej këtej ranë në Bllacë e në Kovashicë. U bë një përleshje në Qafë të Murrizës e ke Hurdha e Madhe. Këtu u vra Hysen Tasha dhe disa të tjerë.

Gjatë qëndrimit në Kodrat e Maranicës serbët bënë raprezalje në popullsinë e pafajshme civile në fshatrat Çankë, Kurbeg, Vojnikë, Allajbegi etj. U rrëmbeyn me forcë bagëtitë dhe i përdorën ato për ushqimin e ushtrisë së tyre, vranë burra, gra e fëmijë të pafajshëm. Në fshatin Çankë në shtëpinë e Shaban Skukës katër ushtarë serbë hynë me forcë për të rrëmbyer pasuritë dhe për çnderuar gratë e tyre, por Shaban Skuka vetë i katërt i asgjësoi serbët me thika për të mos bërë zhurmë dhe për të evituar përplasjen e madhe me repartin serb që ndodhej në Maranicë.

Të nesërmen në mëngjes serbët dogjën shtëpitë e fisit Skuka dhe të gjithë fshatrave Çankë, Kurbeg, Hotesh, Vojnikë, Allajbegi, Kovashicë, Çernenë, etj.

Pushkatuan Ali Beçën, Hidër Beçën, Ibrahim Shehun me gjithë të birin, Musli Demirin, Nel Dalipin, Ymer Biçin, Qamil Gjurasin etj etj. Në Allajbegi vranë Dine Pikun, Hysen Biçin, Hysen Lekaçin e Mehmet Biçin.

Raprezaljet dhe masakrat serbe në Dibër janë pasqyruar hollësisht edhe nga shtypi i huaj i kohës. 25 fshatra të djegur.

Ka patur 170 të rënë dhe vetëm 7 prej tyre kanë marrë statusin e dëshmorit të Atdheut nga Pushteti Vendor dhe Ministria e Mbrojtjes.