Prof. Elmaz Leci:Torturat ndaj Grupit të deputetëve në 1946, si u manipulua nga hetuesija procesi hetimor

898
Sigal

Ndaj Grupit të deputetëve, siç thonë dokumentet, janë përdorur edhe metoda të tjera torturash si hedhje alkooli në duar ose në leshra dhe i vihej shkrepësja, gjellë me kripë e lënia pa ujë, futje në ujë dhe lënie me tesha të lagura në dimër, pakësim i ushqimit gradual deri në asfiksim apo vdekje, lënia pa gjumë e në këmbë etj.

Këto që përshkruam më sipër ishin torturat, që u janë bërë deputetëve, nga Prokurori i Përgjithshëm  Josif  Pashko dhe Kryetari i gjyqit,  Niko Çeta, që ishte në një kohë  edhe kreu nr. 2 i Sigurimit të Shtetit, njeri me shkollë fillore dhe me profesion furrxhi. Ndërsa deputetët ishin personalitete, jo se ishin deputetë të zgjedhur, por edhe si veprimtarë shoqërorw, me shkolla e kulturë të gjerë.  Shefqet Beja, që kishte qenë pjesëmarrës aktiv në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, u dënua me vdekje, me varje. Sheh Kurbunara, që kishte qenë një ndër firmëtarët e Shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë, u dënua me vdekje me varje. Dr. Enver Sazani ishte Drejtor i Spitalit Ushtarak, u dënua me vdekje, me pushkatim. Salaudin Toto, ishte themelues i Institutit të Shkencave Shqiptare dhe kryetar i parë i këtij Instituti, u dënua me vdekje, me pushkatim. Irfan Majuni, ishte nëpunës në Tiranë, u dënua me vdekje, me pushkatim. Sulo Ismail Klosi, i diplomuar  në Fakultetin e Gjeologjisë së Naftës në Strasburg e kryeinxhinier në Rubik, u dënua me vdekje, me varje.

Riza Alizoti, i diplomuar në Oksford dhe i specializuar në Strasburg për shfrytëzimin e minierave, u dënua me vdekje, me varje. Selim Kokolari, ish pedagog në Liceun Francez të Gjirokastrës, mbështetës i Luftës Nacionalçlirimtare, u dënua me vdekje, me pushkatim. Muhamet Prishtina, ishte djali i patriotit Jahja Prishtina, u dënua me vdekje, me pushkatim. Tefik Deliallisi, me profesion mësues, u dënua me vdekje, me pushkatim. Hysen Shehu, djali i Sheh Kurbunarës, u dënua me vdekje me pushkatim. Beqir Çela, me profesion mësues, u dënua me vdekje, me pushkatim. Abdyl Kokoshi, diplomuar për Drejtësi, u dënua me vdekje, me pushkatim. Petref  Karagjozi, me profesion nëpunës në Tiranë, u dënua me vdekje, me pushkatim. Agathkli Xhitoni, me profesion noter, u dënua me vdekje, me pushkatim. Pjesëtarët e tjerë të këtij procesi të montuar gjyqësor, u dënuan me burgime të rënda, e madje mes tyre pati edhe të vdekur nën tortura. Janë disa persona të vdekur në hetuesi nga torturat e rënda të zhvilluara nga oficerët e Sigurimit. Nga studimi tërësor i dokumenteve rezulton se në qendër të goditjeve janë intelektualët të ndarë në: a-Sabotatorë, që ishin të linjës proamerikane, kryesisht teknikë dhe inxhinierë, por edhe intelektualë të tjerë. b- Deputetë, që kishin mendime ndryshe, pavarësisht se nuk e shprehën asnjëherë tërësisht atë. c-Të implikuar në ngjarjen e marsit 1947 në Kryegjyshatë, ku kishte  persona të njohur nga Enver Hoxha, që dinin të kaluarën e jetës së tij, por që akuzat e formuara në drejtim të tyre ishin për sabotim ekonomik, për organizim atentatesh ndaj Enver Hoxhës e Koçi Xoxes, formim partish, nxitje të ndërhyrjes së huaj anglo – amerikane etj. Personat e arrestuar u mbajtën në disa shtëpi të Sigurimit në Tiranë, si shtëpia e Serreqit (në të djathtë të Sheshit “Avni Rustemi”), “Shtëpia me gjethe”, shtëpa te “Selvia”, shtëpia e Ali Qorraliut te 9 -katëshet si dhe dy burgjet e Tiranës.

Burgosja dhe dënimi i deputetëve dhe intelektualëve u bë në momentin kur Kuvendi Popullor duhej të ratifikonte Konventën Jugosllave dhe prononcimin e drejtimit të politikës së jashtme dhe të brendshme të Shqipërisë me drejtim prolindore me Bashkimin Sovjetik në krye. Për këtë arsye kërkohej eliminimi i intelektualëve nacionalistë e me kulturë perëndimore e veçanërisht të Deputetëve, që mund të votonin kundër Konventave Sovjetike e Jugosllave dhe po të ndodhte ashtu, do të mundëte të rrezikohej ratifikimi i tyre.

Nga studiues të ndryshëm konkludohet se “Grupi i deputetëve” doli hapur si grup i organizuar në mbrojtje të parimeve të demokracisë perëndimore dhe mori përsipër të bënte opozitën në Parlamentin e parë të Shqipërisë komuniste. Por aftësitë intelektuale dhe organizuese të tyre, shumë shpejt ranë ndesh me veprimet e diktaturës, e cila kishte filluar të instalohej pak e nga pak. Opozita u bë pre e përndjekjes komuniste diktatoriale, deri në arrestimin e tyre. Qëndresa e tyre për të ndalur revanshin komunist, u kushtoi jetën 16 deputetëve, që kishin mundur të hynin në Parlament. Gjyqi i “Grupit të deputetëve” filloi dhe u mbyll si një proces gjyqësor tërësisht i montuar, mbështetur në dëshmi, që u ishin marrë të pandehurve nëpërmjet një dhune fizike dhe psikike të pashembullt gjatë hetuesisë. “Pjesa më e madhe e procesit hetimor dhe atij gjyqësor ndaj grupit të parë të deputetëve është e manipuluar nga hetuesia…-shkruan studiuesi Kastriot Dervishi.

Ai sjell shembullin e Foto Balës, një nga bashkëkohësit e Enver Hoxhës, i cili në deklarimin e datës 8 shkurt 1947, pra një muaj pas arrestimit, thotë se – çdo gjë që ka nënshkruar deri atë çast ishte fryt i “imagjinatës së ndezur prej torturave të vazhdueshme”.

Dy prova të tjera që flasin për manipulimin e procesit hetimor-gjyqësor në lidhje me “grupin e deputetëve” vijnë nga dy oficerë hetues. Njëri nga ato ishte Josif Pashko, i cili në një dëshmi për atë proces shkruan: “Në procesin e deputetëve punët nuk shkonin mirë, pasi procesi nuk kombinohej. Nga ana e të pandehurve kishte mjaft qëndresë. Gjyqi u vendos të bëhej shumë shpejt pa pasur argumentin e bërë për fajësinë e tyre. Drejtoria vendosi të marrë deklarata nga personat që njihnin apo dinin diçka nga aktiviteti i Shefqet Bejës, Selaudin Totos etj. Vaska (Koleci, zëvendës i Koçi Xoxes) më jep një listë emrash dhe më thotë që nga këta të merrja deklarata që të vërtetohej fajësia e deputetëve. Asnjë proces nuk bëhej pa sugjerime. Deputeti Irfan Majuni gjatë gjithë procesit nuk tregoi asgjë rreth aktivitetit të tij, përveç disa deklaratave me anën e të cilave do të dilte në gjyq. Si akuza do të mjaftonin thëniet e Tefik Deliallisit. Pasi u pyet Tefiku, para se të fillonte seanca e dytë e gjyqit, Irfan Majunit iu bë agjitacion nga ana ime, duke i thënë se po të tregonte, do të kishte lehtësira, por, megjithëkëtë, ai nuk u bind. Kur erdhi Nesti (Kerenxhi po zëvendës i Koçi Xoxes) për të vizituar të burgosurit, prania e tij bëri që Irfani të pranonte fajësinë, dmth ai pranoi gjithçka tha Tefiku”.

 

Oficeri tjetër hetues ishte Foni Qirko. Edhe ai për procesin e montuar ndaj Grupit të deputetëve, ka dëshmuar se “Kam parë disa procese që ishin krejt ose pjesërisht falso. Kështu procesi i Kolë Kuqalit (Kol Kuqali kishte dy djemtë pjesëmarrës në Luftën Antifashiste dhe të dy dëshmorë) është bërë nga hetuesit e Sigurimit të Shtetit dhe ai nga torturat kishte vrarë veten. …I pandehuri Agathokli Xhitoni, i cili me gjithë torturat për tre muaj rresht, nuk kallëzoi asgjë por ata të Sigurimit më pas arritën të bëjnë një proces komplet të kundërt, duke i premtuar këtij lirimin nga burgu…”

 

Siç e kemi përshkruar më parw, torturat ndaj Grupit të deputetëve dhe të tjerëve ishin të jashtëzakonshme, të padurueshme dhe si rezultat gjatë periudhës së hetimit vdiqën nga torturat e rënda, edhe këta të pandehur si Ali Begeja, ish kryebashkiak i Tiranës (procesi i parë), vdiq më 18 gusht 1947, për të cilin u shkrua se “vdiq në burg duke u hedhur nga dritarja”. Stanislav Zuber (procesi i parë) për të cilin mungon data e saktë e vdekjes, pavarësisht se të dhëna të ndryshme ka. Ferit Hysenbegasi, me profesion jurist, (procesi i dytë) 17 shtator 1947. Avdul Bani (procesi i dytë), roja i Islam Radovickës. Gjykata Ushtarake nën urdhrat e drejtpërdrejta të Enver Hoxhës, urdhëroi më 27 shtator 1947 ekzekutimin e 16 të pandehurve të atij procesi dhe dha dënime të rënda për dhjetëra të tjerë nga rrethe të ndryshme, të cilët i akuzuan për lidhje dhe bashkëpunim me “Grupin e deputetëve”.

 

Plot një muaj nga përfundimi i procesit gjyqësor, deputetët u mbajtën të lidhur që nuk mund të lëviznin fare. Kështu i mbajtën me skafandra në kokë e të lidhur këmbë e duar të gjithë deputetët e dënuar me vdekje në qelitë e Burgut të Sigurisë së Lartë Nr. 313 në kryeqytet, në pritje të zbatimit të vendimit të ekzekutimit të tyre. Brenda atij muaji ata u munduan të bëjnë dhe përpjekjet e fundit për të shpëtuar jetën, ku dërguan në organet më të larta të shtetit dhe kryesisht në Kryesinë e Asamblesë Kushtetuese, anëtarë të së cilës deri pak kohë më parë se të dënoheshin kishin qenë edhe ata vetë, kërkesat për falje jete. Deri në momentet e fundit nuk i kishin humbur shpresat për falje nga ish – kolegët e tyre parlamentarë, megjithatë ajo nuk u realizua kurrë. Ka qenë një shkresë e nisur në Drejtorinë e Burgut ku ata ishin të izoluar, e firmosur nga Sekretari i Presidiumit, Sami Baholli, e cila u bënte të ditur refuzimin e lutjeve të tyre për t’u dhënë mundësinë për të jetuar. Konkretisht, ajo shkresë ka mbajtur datën 9 tetor 1947 dhe ka qenë regjistruar në numrin 180 të regjistrit të Parlamentit të atij viti. Pas kësaj do të vinin orët e para të mesnatës së 10 tetorit 1947, kur skuadra e pushkatimit do t’i merrte për t’i çuar në zonën e Malit me Gropa, ku do të ekzekutoheshin që të gjithë.Dhe me këtë veprimtari, në suazën e të tjerave të pafundme të Enver Hoxhës, vetëm e vetëm për të mbajtur e ruajtur pushtetin e tij personal, ai vrau deputetët dhe asgjësoi opozitën në Shqipëri.