Çano Nora: Fatosat e Fushëvërrisë që i kënduan Enverit

883
Sigal

Intervistë me gjeologun dhe fabulistin  ÇANO NORA:

JA  ÇFARË  I  THA  DRITËRO  AGOLLI  STUDENTIT  TË  GJEOLOGJI –MINIERAVE:

FABULISTIT  ÇANO  NORA, QË  “ÇMENDI” GJIROKASTRITËT  ME  FABULAT  E  TIJ

-Si bëra reportazhin për fatosat e Fushëvërrisë së Delvinës që kënduan një këngë për Enverin

– Kam botuar në gazetën “Pararoja”, te revista “Nëntori” dhe “Ylli” si dhe te “Zëri i Rinisë” , “10 Korriku”

Intervistoi Yllka Ponde   

Ka lindur në Fushëbardhë dhe  është rritur në një familje të thjeshtë, por që ka ndikuar shumë në formimin e tij. Ka mbaruar shkollën e mesme gjeologjike, pastaj Fakultetin e Gjeologji- Minierave. Që në rini krijonte poezi dhe fabula.

Ç’ROL KA LUAJTUR FAMILJA NË FORMIMIN TUAJ?

Isha në shkollën 8-vjeçare kur gjeologjia e Tiranës bënte kërkime për fosforite në Fushëbardhë. Më tërhiqte romantika e punës së gjeologëve në ato anë. Minerali i fosforit flinte nën këmbët tona. Më thoshte shpesh tim atë, përse s’bëhesh edhe ti si këta? Të punosh për fshatin tënd, për vendin tënd? Unë fukara jam, një xhaketë kam grisur në jetë, por për ty, do të bëj çmos që të vazhdosh shkollën e të dalësh inxhinier. Këshillat e babait i kujtoja çdo herë, gjersa edhe unë u binda për të vazhduar studimet për të zbuluar fosforin që rrinte i pazbuluar me shekuj. Kisha dëgjuar që gjeologët Çekë kishin punuar për  zbulimin e fosforiteve  në Gusmar të Tepelenës, dhe ata gjermanë në minierën e qymyrgurit në Memaliaj. Por më vinte ndërmend mendimi: “Përse të mos e merrnim ne përsipër zbulimin e mineraleve tona, por prisnim nga të huajt?” Dhe vijova studimet në shkollën e mesme  Gjeologji- Miniera në Prrenjas dhe në fakultetin e Gjeologjisë në Tiranë. U titullova inxhinier gjeolog, por nuk më sollën të kontribuoj në vendlindje, në Fushëbardhë, por më emëruan në Pukë. Edhe Puka Shqipëri ishte, edhe atje kishte nevojë për mua.

PO ME REZULTATE NË MËSIME, SI  KENI QENË?

Nuk kam qenë problematik asnjëherë. Kam ardhur i mbarë që nga klasa e parë, por dhe prindërit më rrinin “çekan”  në kokë,  se donin që të mos t’i turpëroja asnjëherë. Në shkollën e mesme, s’kam bërë ndonjë llogari, por di që isha nxënës i nëntës dhe dhjetës. Në të lartën më pas zbrita te nënta, por prapë isha siç thonë sot,  ekselent.

PAS  STUDIMEVE  TË LARTA, KU  FILLUAT  PUNË?

Në ndërmarrjen gjeologjike të Pukës, në një ekspeditë, Kodër e Keqe quhej. Vetëm emrin kishte të tillë, se në thellësitë e saj ne zbuluam një vendburim bakri i cili mori emrin “Rruga e Rinisë”. Nuk ishte vetëm fryti i punës tonë si gjeologët, por i të gjithë kolektivit. Më vonë punova në divizionin ushtarak në Elbasan dhe në kombinatin metalurgjik dhe në minierën e qymyrit Memaliaj. Në vitin 2005 më emëruan drejtor të Degës gjeologjike Rajonale  në Gjirokastër. Ishte vlerësim për mua. U përkushtova  shumë në detyrë,që mos t’i zhgënjeja ata që më besuan atë detyrë. Dhe kam qenë në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën e tyre dhe ndërtimet në qytetin e ngurtë. Se qarku i Gjirokastrës  është me risk të lartë për ndërtimet. Le të kujtojmë këtu rrëshqitjet e tokës në tri lagje vitin e kaluar, që u vunë në rrezik banorët, dhe ndërtimet. Ne nuk jemi sjellë mirë me natyrën, prandaj dhe natyra nuk sillet mirë me ne. I premë pemët dhe i hapëm udhë erozionit.

CILAT  JANË FILLIMET E PARA  NË PUBLICISTIKË ?

Le të kthehemi dhe një herë në fillim të bisedës. Nëna përdorte shumë metafora. Është kohë e mërzitur më thoshte shpesh herë. Babai, sa herë që vinin makinat nga qyteti, thoshte:- “Erdhën benzinatat”. E kishte fjalën për makinat që punonin me benzinë. Unë kënaqesha me shprehjet e tyre të bukura. Tim Atë ishte një rrëfyes i historive dhe ngjarjeve në vite e shekuj. Në një farë mënyre, prindërit e mi ndikuan shumë  tek unë, duke u bërë për mua, mësuesit e parë të letërsisë. Dhe xhaxhai Laze Nora, autor i pesë librave për Fushëbardhën, më nxiti për të shkruar. I rritur në një mjedis të tillë, fillova të shkruaj dhe të botoj që herët, në klasën e pestë të shkollës 8-vjeçare. Ishte një shkrim i thjeshtë, por ai ishte një pikënisje për mua, ndaj e kujtoj dhe sot me nostalgji. Kur vija me pushimet verore, në Fushëbardhë, shkruaja reportazhe e përshkrime në gazetën “Pararoja” të Gjirokastrës. Isha vetëm 18- vjeç. Bëra artikullin “Njëzet e katër orë pranë sondës”. Në radio Gjirokastrën, u lexua shkrimi im dhe të gjithë punëtorët e ekipit gjeologjik në Fushëbardhë e dëgjonin me ëndje në një radio Iliria. Të gjithë ndjeheshin  të lumtur, se atje secili gjente veten e tij. Në fund më uruan e më përqafuan me radhë. Ishin miqtë e mi, miqtë që i bëra të tillë nëpërmjet gazetës. Dhe miq të tillë kam bërë shumë në gjithë Shqipërinë. Një herë më dërgoi gazeta “Bashkimi” në Sarandë e Gjirokastër me shërbim. Bëra një shkrim për fatosat e Fushëvërrisë së Delvinës. Ata ishin fëmijë 7,8 e 10 vjeçarë dhe këndonin një këngë për Enverin. Zërat e tyre më ngjanin me cicërimat e zogjve. Nganjëherë u mbarohen fryma dhe atje ku e linte njeri e vazhdonte tjetri këngën. Ai shkrim më doli i bukur dhe u vlerësua si shkrimi më i bukur i javës.

A JENI NDËSHKUAR NDONJËHERË?

Po. Bëra një shkrim për grupin e Bënçës të cilin e botova te “Zëri i  Rinisë”. Më thërriti kryeredaktori i asaj gazete,Tonin Shtjefni, i cili ishte dhe kandidat i komitetit qendror të partisë. Ke bërë një shkrim për këngëtarët e Bënçës më tha. Sekretari i parë të kërkon ballafaqim në Tepelenë, se ke shkruar pa pyetur partinë.

-Përse duhej që  të pyesja partinë ?- ja ktheva kryeredaktorit. Grupi i Bënçës është i mirë dhe në shkallë vendi. Del dhe jashtë shtetit, pra është me garanci politike.

Kryeredaktori, nuk vazhdoi më, por u ndamë ftohtë.

– Mos na krijoni probleme me partinë, – më tha.

Në gazetën “Shkumbini” të rrethit të Elbasanit, botova një shkrim kritik për një kryetar kooperative në Mlizë. Më thirri kryeredaktori, i cili ishte njëkohësisht dhe zëvendëspresident i bashkimit të gazetarëve të Shqipërisë. -Pse ke shkruar për të? – më tha. -Ku i more të dhënat?

-Në komitet ,- iu përgjigja, në seksionin e bujqësisë.

-E di ti që atë e kemi anëtar të plenumit të partisë? Ndëshkohesh për këtë, nuk do të të botojmë artikuj për gjashtë muaj.

PËRDERISA KENI QENË I PRIRUR PËR GAZETARI, PSE S’I VAZHDUAT STUDIMET NË KËTË DEGË?

Pas përfundimit të studimeve në shkollën e mesme, bëra kërkesë për degët që preferoja për të vazhduar më lartë. Kërkova për gjeologji dhe për gazetari, por më dhanë degën e gjeologjisë, në fakultetin Gjeologji-Miniera. Kur studentët ngjisnin shkallët e fakultetit ditën e parë të shkollës, unë u drejtova për në lidhjen e shkrimtarëve. Atje takova të ndjerin Dritëro Agolli dhe Vath Koreshin.

– Më doli e drejta e studimit për gjeologji,- iu drejtova Dritëroit, por unë  preferoj edhe gazetarinë.

– Do bëhesh gjeolog, më tha Ai. Duke qenë gjeolog, bëhesh poet e gazetar, ndërsa të jesh poet e gazetar, nuk bëhesh dot gjeolog.

PO TANI ,VAZHDONI TË MERRENI ME PUBLICISTIKË?

Vitet e fundit kam bashkëpunuar me gazetën “Telegraf”, me intervista me shkrime të rubrikës “Dosier”, e të tjera. Më pëlqen të takoj njerëz, që më japin të dhëna me interes për shkrime. Unë, ata i quaj njerëz-bibliotekë. Në fshatin Arshilengo në Gjirokastër, takova  njeriun që kishte marrë pjesë në kryengritjen e vitit 1948, në Zhapokikë të Tepelenës. Haredin Sela e quanin. Kryengritja  dështoi dhe Haredinin me organizatorët e tjerë i kapën dhe i burgosën. Ndërsa ai vuante dënimin në qelitë e burgut në kalanë e Gjirokastrës, e shoqja, Emineja,  hiqte me dorë pesë plumba nga trupi i saj, si të ishin gjemba. Policia e rrethoi shtëpinë e tyre në Zhapokikë dhe s’e lejonte që të mbante lidhje me të afërmit dhe bashkëfshatarët e tjerë. Në mbrëmje, kur ajo doli për të siguruar bagëtitë në kasolle, policët  gjuajtën me pesë plumba në trupin e saj.

Ç’ËSHTË POEZIA PËR ÇANO NORËN?

Poezia, për mua dhe për këdo është ndjenjë, është pasion, është dashuri. Po s’të ngacmoi një ndjesi e brendshme, nuk bën dot poezi. Unë kam bërë që i vogël poezi, jam dashuruar dhe kemi mbetur të dashuruar. Poezia dhe gjeologjia, janë të dyja në shpirtin tim, janë rritur bashkë dhe kanë plotësuar njëra – tjetrën. Kam botuar në gazetën “Pararoja”, te revista “Nëntori” dhe “Ylli” si dhe te “Zëri i Rinisë” , “10 Korriku” dhe “Studenti”. Krahas poetëve premtues si Skënder Buçpapaj, Hamit Aliaj, Agim Isaku etj, përkrah tyre isha dhe unë me poezitë e mia. Ndjehesha mirë dhe më dukej se po ecja në rrugë të mbarë.

SA LIBRA ME POEZI KENI BOTUAR?

Kam botuar tri libra me poezi dhe po sistemoj katërqind poezi të tjera në një vëllim të vetëm. Libri i parë i kushtohet  Vitori Bellos nga Fushëvërria. Vitua lindi dhe u rrit mes erës së limonëve dhe portokallieve, atje ku “përqafohej” era e detit me erën e malit, në Fushëvërri. Ishte me zë violinë, me shpirt poetik. Studentja e dalluar e ekonomikut u njoh dhe u dashurua me një ushtarak nga Fushëbardha. Jeta iu pre në mes, iu prenë ëndrrat për jetën që e donte aq shumë dhe la pas vajzën e vetme me emrin Denisë.

ÇFARË VENDI ZENË FABULAT, NË KRIJIMTARINË TUAJ?

Kam vite që merrem me fabula. Më pëlqejnë fabulat e shkurtra. Dialogu në to është i shpejtë dhe mesazhi përcillet drejtpërdrejtë, pa u zgjatur, se pastaj ato ngjajnë me përrallat. Pas dy librave me 101 fabula dhe epigrame, me titull “Këtu të gjithë shesin mend” dhe “Zonja dhelpër bën kërkesë”, po punoj për libër të ri  me fabula, epigrame dhe poezi satirike. Elementët figurativë si alegria, hiperbola, ironia etj, janë lezetuar dhe me humorin  “me kripë” gjirokastrite,  dhe të trevës ku kam dhe origjinën. Personazhet janë të shumtë dhe luftojnë fenomenet negative të kohës së sotme, me gjuhën e kafshëve të sendeve. Fabulat i kanë pëlqyer poetë e fabulistë, por unë vlerësohen më shumë kur i pëlqejnë lexuesit, se fabulistë e poetë ka pak, ndërsa lexues dhe dashamirës të tyre, ka shumë.

– Suksese në vazhdimësi me penën tuaj të saktë e të pashterur, sidomos me fabulat që po na “çmend” ne, gjirokastritët.

-Faleminderit!