Bernard Zotaj: Për shkrimtarin e LANÇ, Shevqet Musaraj

1685
Sigal

(Në kuadrin e 105 vjetorit të lindjes)

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Frymëzim nga idetë dhe idealet patriotike të Luftës së Vlorës

 

Shevqet Musaraj ka zënë vend në histori si një pionierët dhe përfaqësuesit kryesore të letërsisë shqiptare të realizmit socialist. Në dyzet vjetët e veprimtarisë së tij letrare e shoqërore, ai ndoqi hap pas hapi historinë e popullit, njohu shpirtin, hallet e brengat e tij dhe mori pjesë në luftë për realizimin e idealeve patriotike e demokratike.

Shevqet Musaraj lindi, më 27 prill 1914, në Matogjin të Vlorës. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe në Vlorë ku përfundoi mesmet në shkollën tregtare të Ujit të Ftohtë, dhe pastaj u mor me punë pranë institucioneve të ndryshme. Duke u frymëzuar nga idetë dhe idealet patriotike të Luftës së Vlorës (1920) e, më vonë, me idetë e lëvizjes demokratike të viteve ’30, ai depërtoi në kontradiktat e kohës, duke mbrojtur gjithnjë me vendosmëri anën më të përparuar të lëvizjeve shoqërore, mendore e letrare të viteve 1930-1940. Shevqet Musaraj, si shumë shkrimtarë të tjerë e nisi veprimtarinë letrare me vjersha, si poet. Vjershën e parë “Mëngjesi” e shkroi në moshën 15 vjeç, me mbresa nga Lufta e Vlorës në 1920, kurse në vitin 1934, botoi një prej krijimeve poetike me rëndësi, poemën demokratike “Bujku i Hanko Hallës”. Në vitin 1939, kur pushtuesit fashistë italiane pushtuan vendin, Shevqet Musaraj ishte ndër të parët që dha kujen në poezi. Vjersha “Kasolles”, e botuar pas pushtimit fashist, shënon fillimin e një faze në krijimtarinë e tij, por dhe në letërsinë tonë kombëtare, temë kryesore e të cilës u bë lufta e popullit kundër pushtuesit fashist.

Me penën e pushkë për lirinë e vendit

 

Poeti ku mundësitë i shprehu lirisht në ndjenjat e dashurisë për popullin e vet dhe urrejtjen për pushtuesin e tradhtarët ishte Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ai u përfshi në këtë ngjarje madhore dhe vuri në në dispozicion të Luftës për çlirim penën e tij krah për krah me pushkën. Kështu u bë shumë shpejt një nga autorët më aktivë të shkrimeve ilegale të partisë dhe bashkëpunëtor i shumë organeve ilegale si “Zëri i popullit”, “Kushtrimi i lirisë”, “Bashkimi”, ku dha një kontribut të madh në edukimin e luftëtarëve të lirisë. Shevqet Musaraj mori pjesë edhe në luftën me armë në radhët e reparteve të ndryshme partizane, si në batalionin “Dajti”, në Brigadën V Sulmuese etj. Gjatë periudhës së LANÇ-it ishte për disa kohë redaktori i revistës “Kushtrimi i lirisë”, bashkëpunëtor i gazetës “Zëri i popullit”. Gjatë kësaj kohe botoi skica, artikuj e vjersha. Në letërsinë e LANÇ-it “Epopeja e Ballit Kombëtar”, “Dje dhe Sot” dhe “Shteg më shteg me partizanët e Divizionit I Sulmues” zunë vend me rëndësi në krijimtarinë e tij.

Por vepra madhore që ka hyrë në fondin e artë të poezisë sonë ka mbetur poema “Epopeja e Ballit Kombëtar”, që u shkrua e u botua në zjarrin e Luftës, në verën e vitit 1944. Kjo vepër, siç ka theksuar autori, u shkrua për të plotësuar dëshirën e shumë njerëzve të Luftës, sidomos të të rinjve, që kërkonin një këngë ku të vihej në loje farsa “patriotike” e organizatës tradhtare “Balli Kombëtar”, së cilës Lëvizja Antifashiste Nacionalçlirimtare ia kishte nxjerrë bojën fare, aq sa Balli dhe ballistët ishin bërë objekt anekdotash të shumta qesharake. “Epopeja” nis me gjendjen e Ballit në prag të kapitullimit të Italisë fashiste, kur mbytet gjemia me federalë dhe krerët e Ballit i japin munxët fashizmit e ‘vinçeremos’ dhe orvaten ta kthejnë fletën sa s’është vonë.

 

Ç’thonë tradhtarët?

 

Shkëputëm një shkrim nga publicistika e tij me titull “Ç’thonë tradhtarët”. Propaganda e tradhtisë nuk la kusur për ta quajtur të çmendur rezistencën që i bëri populli pushtuesit gjerman. Ajo u mundua t’i mbushë mendjen opinionit se gjermanët nuk kanë ardhur në Shqipëri si pushtues dhe se ata nuk do të përzihen aspak në punët e brendshme të Shqipërisë.

E para e punës, gjermanët erdhën në Shqipëri. Këtë s’kanë si e mohojnë tradhtarët. Përse erdhën? Përgjigjja nuk do shumë mend. Mjafton të dimë gjendjen kritike të gjermanëve në të gjitha frontet e luftës. Erdhën për të siguruar një bazë në Adriatik. Erdhën për të rekrutuar shqiptarët në armatën e reaksionit ndërballkanik. Tradhtarët s’e fshehin dot terrorin që bënë armatat gjermane, qysh ditët e para të pushtimit, në Vlorë, në Korçë, në Gjirokastër. Tradhtarët nuk e fshehin dot veprën terroriste të feld-gjendarmëve të Hitlerit, që hynë natën me mitraloza në dorë nëpër familjet tona në Durrës, në Tiranë e gjetkë për të arrestuar, për të vrarë dhe për të burgosur shqiptarët.

 

Për gjallërimin e jetës letrare të vendit

 

Fill pas çlirimit, së bashku me shkrimtarë të tjerë që luftuan me pushkë e me penë, Shevqet Musaraj u aktivizua në mënyrë të veçantë për gjallërimin e jetës letrare të vendit, për organizimin dhe mobilizimin e tyre. Pas luftës punoi si sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe kryeredaktor i revistës “Literatura jonë”. Me veprimtarinë e vet të dendur e të frytshme politike, kulturore e letrare, Shevqet Musaraj u bë shpejt një figurë e shquar shoqërore.

Më 2 dhjetor 1945 u zgjodh përfaqësues i popullit në Asamblenë Kushtetuese, që shpalli Shqipërinë, Republikë Popullore dhe ka qenë gjatë disa legjislaturave deputet në Kuvendin Popullor. Ai ka qenë laureat i Çmimit të Republikës më 1960 dhe më 1965.

Në vitin 1974, Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSH i dha titullin e lartë “Hero i Punës Socialiste”.

 

Botimi i serisë së veprave letrare

 

Botimi i serisë së veprave letrare të Shevqet Musarajt, u bë nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” në vitit 1979, e përbërë nga 6 vëllime, të renditura sipas gjinive dhe, brenda gjinive, sipas kronologjisë. Në këto vëllime përfshihet krijimtaria e tij e botuar në vëllime të veçanta në organet e shtypit, përpara dhe pas çlirimit, duke u udhëhequr nga parimi se materialet, pavarësisht nga koha kur janë shkruar, ruajë vlera edukuese për lexuesin.

Në vëllimin e parë, “Poezi”, përfshihen vjershat e viteve ‘30 dhe të kohës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, bashkë me tri poemat: “Bujku i Hanko Hallës”, “Epopeja e Ballit Kombëtar” dhe “Do bëhen zgjedhjet” etj.

Vëllimi i dytë, “Publicistikë”, përfshin shkrimet e periudhës së Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, të botuara në organet e shtypit ilegal të partisë, si edhe shkrime të periudhës pas çlirimit, të botuara në organe të ndryshme të shtypit.

Në vëllimin e tretë, “Prozë e letrare”, përfshihen skica e tregime të viteve ’30 të periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të periudhës pas çlirimit. Në këtë vëllim gjithashtu përfshihet edhe proza satirike e vëllimit “Të shkuara të paharruara” e të tjera të botuara në organet e shtypit.

Vëllimi i katërt, “Novela” përfshin novelat “Isha unë, Çobo Rrapushi”, “Llaz Qesarati”, “Dritë” dhe “Unë, Mato Labi, konservator!?”. Vëllimi i pestë dhe i gjashtë kanë romanet “Para agimit” dhe “Bellxhiku që këndonte vençe”.

Nga veprat e tij më kryesore përmendim: “Bujku i Hanko Hallës” (1935), “Këngët e sirtarëve” (1936), “Shteg me shteg me partizanët” (1944), “Epopeja e Ballit Kombëtar” (1944), “Do të bëhen zgjedhjet” (1948) “Njëzet ditë në Bashkimin Sovjetik” (1950), “Të shkuara, të harruara” (1957), “Isha unë Çobo Rrapushi” (1960), “Letër nga fqinji” (1964), “Para agimit I” (1965), “Para agimit II” (1966), “Unë Mato Labi konservator” (1974), “Novela” (1975), “Belxhiku që këndonte vençe” (1979).

Shefqet Musaraj vdiq në Tiranë, më 28 korrik 1983. Për të përjetësuar emrin dhe veprën e tij si luftëtar, poet, shkrimtar, deputet e hero, rrugë dhe institucione të vendit mbajnë emrin e tij. Biblioteka e qytetit hero të Vlorës prej vitesh mban emrin e “Shefqet Musaraj”, duke u bërë një nga institucionet më me peshë për edukimin, promovimin dhe përcjelljen e mesazheve të atdhedashurisë tek rinia dhe patriotët e vërtet.