Sigal

INTERVISTA/ Ing. Dhimitër M. Gjenerali, rrëfen punën e madhe të gjeologëve dhe naftëtarëve shqiptarë, në gërmim të pasurive nëntokësore shqiptare

Leonard VEIZI

Duhen vetëm pak fjalë për të kuptuar se jeta dhe puna e gjeologut Dhimitër Gjenerali ka qenë një maratonë e gjatë, një ecje në kohë të mirë dhe të keqe nëpër labirinte dhe pasarelat e rrezikshme. E në këtë udhëtim të gjatë e të pandërprerë, ai ka qenë një herë vetëm e një herë me shokë. Por asgjë nuk merr fund këtu…

 Tanimë thotë se jeton në emigracion, në Toronto të Kanadasë. Ndërsa një pjesë tjetër të kohës në Shtetet e Bashkuara. Shton se ndjehet mirë; dhe është njeri që ambientohet lehtë, edhe pse të dyja shtetet e kontinentit të largët e kalojnë Mesdheun e Atlantikun. Gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Telegraf”, ai thotë:

Cilat janë kapacitetet naftëmbajtëse në territorin e Republikës Shqiptare?

Në Shqipërinë e para luftës u vunë në shfrytëzim dy vendburime me rezervuar (kolektor) nafte rërat dhe ranoret e Neogenit midis argjilave mbi mbulesë në Kuçovë dhe Patos (këto kryesisht nga shoqëritë e huaja) – sipas daljeve të shumta në sipërfaqe të rërave e ranoreve të ngopur me naftë. Mbas luftë vendi u ndihmua nga një numër i madh specialistesh sovjetikë të pajisur me teknologjinë e kohës, deri edhe me sonda shpimi. U zbulua Marinza rreth viteve ‘57-‘58, vendburim më i madh se dy të parët me naftë, po në ranoret e Neogenit – tashmë jo në linza por në horizonte të qëndrueshme (rreth 4 nivele) midis mbulesave argjilore; kjo pjesë e Neogenit (Tortonianit) është më e vjetër dhe më poshtë nga nivelet e Patosit dhe nuk del në sipërfaqe, por vendoset direkt mbi gëlqerorët e paleo-spelare të ngritjes gjigante karbonatike të Patos-Verbasit. Nafta Shqiptare filloi të marrë frymë mirë. Me tërheqjen arbitrare të specialistëve sovjetike nga qeveria e tyre, punimet vazhduan nga specialistët e etur shqiptarë, numri i të cilëve shtohej dhe perfeksionohej çdo vit. Ne të paktët specialistë i përcollëm kolegët sovjetikë me grupe – sipas sektorëve, me buqeta lulesh deri në aeroport dhe ata, deri në fund vazhduan të na porositnin rreth vazhdimit të punimeve – mbasi ishin shumë të apasionuar. U zbulua vendburimi i parë i naftës në gëlqerorët kulmore-masive në Gorisht rreth viteve 64-65; fryti një ere e re, shumë shpejt prodhimi i naftës u dyfishua dhe rreth viteve 71-72 e kapërceu shifrën 2 milionë ton/vit. Sigurisht, investimet e kërkimit u shtuan dhe për shpimet u importuan tashmë sonda shpimi, etj., nga Rumania ku studiuan dhe u kthyen në atdhe shumë nga specialistët tanë të talentuar. Shumë shpejt, por me “sforcim” u zbulua, po në gëlqerorët kulmorë-masive, vendburimi gjigand i naftë-kondensatit në Cakranin-12. Ky vendburim ishte mbi dyfishin e madhësisë volumore të antiklinalit të Gorishtit dhe naftëdhënia do të ishte pa dyshim e të njëjtës shkallë, por fontana e hapur në pusin e parë (Cakran-12) u komandua (mbyll) vetëm rreth 50 orë, pastaj shpërtheu si kuçedër –çka do të flasim më poshtë (9). Por ngritje antiklinale (“male” të para neogenit) të gëlqerorëve qoftë afër Gorishtit e Cakranit dhe në vazhdim deri në detin Adriatik ka shumë. Në shumicën e këtyre strukturave antiklinale (ngritje gëlqerorësh) është shpuar vetëm një pus dhe për arsye të asimetrisë e ka lënë strukturën (ngritjen) në shumicën e rasteve me në Lindje, çka do ta kapin shpimet e ardhme. Por kujtojmë se edhe vendburimi i Cakranit nuk u kap me pusin e parë, bile Cakrani-16 pati ngelur vetëm rreth 100 -150m mbi gëlqerorët e vendburimit. Zona të tilla ka disa, qoftë të kësaj thellësie (rreth 3000m), qoftë pak më të thella; pusi kuçedër Ca-12 u projektua pothuaj nga orientimi i puseve mbasi reflektimet sizmike ishin vetëm fragmentale; kjo për arsye të formës që kanë gjitha strukturat karbonatike tek ne, si ato që dalin kudo në sipërfaqe edhe ato të thellësisë (Ballsh, Gorisht, Krane, Cakran, etj.). Ne kemi territor me struktura të ngushta, të thepisura me formë sënduku ose kupolare karakteristike për zonat gjeo-sinklinale. Kjo formë bën që reflektimet sizmike të jenë fragmentale midis “zhurmave”. Sigurisht me atakimin e ardhshëm me shpime të strukturave karbonatike afër vendburimeve fillimisht si edhe në vazhdim do të lulëzoje nafta Shqiptare dhe nga dy milion ton prodhim vjetor që u arrit me Gorishtin dhe dyfishin e tij që do realizonte vendburimi fillestar i Cakranit, do të rritej edhe me. Për kuriozitet, në përrenjtë e rrëpirave Lindore të Cakranit u bënë prita në afërsi të Gorishovës për ta grumbulluar në rezervuar sipërfaqësor nafte-kondensatin që rridhte në formë burimesh në një sipërfaqe të pjerrët në shumë kilometra katrore; por kondensati vetëndizej shpejt.

Kur ka filluar shfrytëzimi i nëntokës Shqiptare?

Për këtë temë kolegët e parë drejtues të dikasterit kanë shkruar libra (si Ing. Zenel Hamiti, etj.). Besoj se fillimisht shfrytëzimi ka filluar në bitumin e pastër të Selenicës nga një shoqëri franceze sipas kontratës shumë vjeçare me koncesioner patriotin-plakun e dashur e të nderuar z.Ismail Qemali. Për naftën, shfrytëzimi filloi pas tentativave shpuese në ranoret (kolektorët) kompakte në Drashovicë; por prodhimi filloi në Kuçovë dhe Patos nga shoqëria AIPA. Kjo shoqëri ka bërë mjaft punime studimore dhe kërkuese në Shqipërinë e Mesme; ka kryer shpime në Zhapokikë të Beratit, Pekisht të Lushnjës, Kozan të Elbasanit, etj; por gjithmonë cekët për ranoret.

Pas Çlirimit a ka pasur koncesione me të huajt?

Sigurisht nuk ka pasur; ka patur kredi afatgjata, ku inkludohej ardhja e specialisteve të pajisur me teknikën e kohës, kryesisht nga ish-BS që ka pasur dhe ka mjaft vendburime nafte e gazi; më pas nga Rumania dhe së fundi fare pak nga Kina. Organizimi i bllokut Lindor nuk presupozonte dhënien e koncesioneve por, do thosha që edhe kreditë afatgjata kanë njëfarë varësie; njohuritë e mija në këtë fushë edhe mund të jenë të pasakta.

Çfarë cilësie ka nafta shqiptare?

Nafta qe del nga nëntoka jonë është e një cilësie mesatare në llojet; ajo është naftë sulfurore me një cilësi që përmirësohet drejt thellësisë së vendndodhjes. Me sa duket gjatë migrimit nafta absorbon diçka – sidomos nga sulfuratet dhe karbonatet. Për përmirësimin e cilësisë së naftës të Kuçovës u ndërtua po atje, në rafinerinë e trashëguar nga AIPA, impianti i squfurit. Ky impiant si dhe ai i blozës ishin projekte të inxhinierit të talentuar konstruktor z.Eshref Toptani (i shkollës gjermane) që figuron vetëm si bashkautor. Rafineria e re e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, pjesë e kredive Kineze – ishte një hap i madh përpara në përmirësimin e cilësisë së karburanteve. Për rafinerinë e Cërrikut di me pak – ajo u ndërtua sipas parashikimeve të specialistëve sovjetike për vendburimet që presin aty afër – të cilat ne nuk mundemi akoma t’i konkretizojmë me gjithë që ato na thërrasin nëpërmjet sinjaleve të punimeve në vazhdim.

A kemi eksportuar ndonjëherë nafte?

Kemi eksportuar, pasi karburantet kërkoheshin e vazhdojnë të kërkohen shumë në tregun ndërkombëtar. Kuptohet që eksportet tona nuk ishin sa ato to ish-BS apo Rumanisë sepse ata kishin territore e kapacitete prodhim-përpunimi shumë më të mëdha; sidoqoftë ne na duhej të importonim mallra e teknologji – jetike për ekonominë e industrinë e vendit – çka diktonte domosdoshmërinë e eksporteve për balancim. Në këtë kuadër, karburantet luanin e vazhdojnë të luajnë rol kryesor.

(Vijon në numrin e ardhshëm)