Abaz T.Hoxha:  Si luftuam për çlirimin e Dibrës 76- vjet më parë

865
Sigal

 Kalimi i lumit Drin

Në pesëmbëdhjetëditëshin e parë të korrikut brigada e parë çliroi krahinën e Dibrës dhe qytetin e Peshkopisë dhe kaloi në zonën e Dibrës së Madhe dhe, duke u kaluar në krah dhe në shpinë forcave armike sulmoi qytetin e Dibrës. Por me largimin e brigadës së 1-rë në thellësi drejt Dibrës, këto zona u ripushtuan nga forcat gjermane dhe reaksionare. Këtë detyrë të pastrimit përsëri të krahinës së Dibrës dhe të çlirimit të qytetit të Peshkopisë dhe të Dibrës, shtabi i divizionit ia ngarkoi brigadës sonë.

Ne, pas luftës kundër gjermanëve dhe reaksionarëv në Grykën e Sinës, u nisëm për kalimin e Drinit të Zi dhe të vazhdonim më tej për çlirimin e qytetit të Peshkopisë. Lumi kishte një thellësi të madhe, ndonëse në vend-kalimin tonë ishte një vah dhe ngaqë nuk kishin rënë shira, nuk ishte i rrëmbyshëm. Megjithatë u lidhëm njëri me tjetrin për kalimin e tij. Mua që isha më i vogli dhe më i shkurtri më mori në krahë Kadri Hazbiu, ndonse edhe ai vetë ishte i dobët, por tepër i shkathët. Gjatë kalimit të lumit në një kodër përballë, po na shqetësonte një pushkatar që po na qëllonte pa pushim dhe rrezikonte kalimin tonë. Komisari K.Hazbiu nisi në drejtim të tij dy partizanë, të cilët kishin si detyrë t’i vinin nga krahët dhe ta zinin të gjallë. Kur ata shkuan dhe iu hodhën përsipër në pozicionin që kishte zënë prapa një shkëmbi, panë se kishin të bënin me një burrë të moshuar, i cili më parë ishte plagosur.

Në bisedën me të, siç na thanë, ai i kishte pyetur nëse ishim brigada e Vlonës. Kur shokët tanë kishin pohuar, ai u kishte thënë se më keni vrarë djalin në Vlonë në dimrin e vitit 1942-43, kur kishte shkuar atje me forcat e Halil Halisë dhe Selim Kaloshit. Ai u tha se ju jeni brigadë e rusëve. Kur e sqaruan se ata luftonin kundër pushtuesve për çlirimin e vendit dhe Halil Alia dhe Selim Kaloshi i kishin gënjyer dhe i kishin vënë në shërbim të pushtuesve kundër popullit të tyre, ai u ishte përgjigjur:

– Po të jetë kështu se ata kanë luftuar kundër popullit të Vlonës dhe djalin t’im e kanë mashtruar, hallall e keni gjakun e tij. Mbas një bisede të ngrohtë dhe ngushëllimi që ata i bënë për djalin e tij të gënjyer nga bajraktarët, u ndanë si miq dhe u larguan me përqafime e lotë.

Më 27 korrik batalioni ynë u vendos në katundin Gjergjaj. Brenda pak ditëve në bashkëpunim edhe me brigadën e 4-të, spastruam nga mercenarët të gjitha fshatrat e krahinës së Dibrës dhe së bashku me batalionet e tjera u përqëndruam për çlirimin e Peshkopisë .

Në rrugën drejt Peshkopisë ishim tepër të lodhur e të raskapitur dhe të pa ngrënë. Më kujtohet se aqë i lodhur i përgjumur isha saqë duke ecur  fillova të dremisja dhe u përmënda kur humba drejtimin dhe përfundova tek një ferrë në anën e rrugës. U përmënda por në vazhdim përsëri po dremisja në ecje dhe u ndodha në një pellg të vogël me ujë i cili më përmëndi përfundimisht dhe vazhduam marshimin drejt Peshkopisë, të cilën pas një përpjekje të shkurtër e çliruam më 29 korrik.

Aty më shpunë në një banesë të vogël për t’u takuar me vëllanë tim, Lufter Hoxha ish zv/komisar batalioni,  për të cilin më kishin thënë se ishte plagosur lehtë. Por kur shkova atje pashë se ai kishte marrë një plagë plumbi në mesin e gjoksit dhe mezi merrte frymë. Si gjithmonë im vëlla, Lufteri, nuk e linte humorin dhe kur unë shkova, po i thoshte një shoku tjetër të plagosur, se ishte bërë si kamerdaret e rrotave të makinave, që pas çdo plage plumbi u vihesh nga një  pullë për t’u mbyllur. Kjo mbasi shoku i tij ishte plagosur edhe të tjera herë më parë.

U deziluzionova kur e pashë në atë gjendje që mezi fliste, e putha dhe përqafova dhe m’u mbushën sytë me lot. N’atë kohë u fut Dr.Ibrahim Dervishi dhe i tha atij, se në mënyrë absolute nuk duhej t’a lodhte gjoksin nga të folurit. Mora vesh se plumbi i kishte përshkruar trupin nga gjoksi në shpatull dhe i kishte mbetur shumë gjak në gjoks. Kjo u bë shkas që mbas disa ditëve atë ta shoqëronin me një skuadër në drejtim të Tiranës ku u fut ilegalisht dhe banonte në shtëpinë e familjes Çelo. Aty i vinte herë pas herë një mjek që e mjekonte. Kjo plagë, sikurse edhe vuajtjet e tjera të rrugës luftarake të vështirë, bënë që në prag të çlirimit ai të kalonte në tuberkoloz. Plaga e pa shëruar plotësisht i vështirësoi frymëmarrjen dhe disa vjet më vonë, 1948, ai u dërgua për kurim në Bukuresht, Rumani, ku kryente njëkohësisht edhe detyrën e shërbimit diplomatik si i ngarkuar me punë i Republikës së Shqipërisë, dhe prej andej,1950, si Sekretar i Parë i Përfaqësisë sonë diplomatike në Pragë, Çekosllovaki.

Mbasi u largova nga im vëlla me merakun e madh për gjendjen e tij, shkuam me disa shokë në shkollën e Peshkopisë, ku u mblodhën rreth meje një numër nxënësish të cilët po çuditeshin që kishin përpara një partizan kaq të vogël në moshë dhe të armatosur. Kureshtarë filluan të më pyesnin në veçanti për pistoletën që kisha në brez. Unë, i hipur sipër një bange të shkollës me këmbë të varura se nuk më arrinin deri në tokë, nxora pistoletën nga këllëfi dhe harrova se e kishte fishekun në gojë dhe e shkrepa me grykën poshtë drejt dyshemesë. Plumbi më goditi në majën e këpucës dhe preku pak gishtin e madh të këmbës së djathë.Këpucës, të cilat i kisha marrë të reja në luftën e ShënPalit,  iu bë një brimë goxha e madhe. Kjo ngjarje bëri që atë ditë mbasdite të mblidhesh kompania, të më kritikonin për pakujdesi dhe si dënim më morën pistoletën, të cilën munda ta rimerrja vetëm disa ditë  më vonë në betejën e Maqellarës.

Forcat gjermane, xhandarët e Xhafer Devës dhe mercenarët e Halil Alisë bënë përpjekje të reja për të rimarrë qytetin e Peshkopisë, por më 30 korrik pas luftimesh shumë të ashpra u thyen përsëri dhe u detyruan të tërhiqeshin për në qytetin e Dibrës.

Më 1 gusht, brigada e 1-rë dhe e 4-të sulmuan përsëri qytetin e Dibrës. Qyteti nuk u çlirua, por garnizonit armik që e mbronte iu shkaktuan shumë humbje. Gazeta e qeverisë kuislinge “Bashkimi i Kombit”, shkruante në lidhje me këto luftime:

Lufta u zhvillua kaq e ashpër sa do të ishte fort e vështirë të përshkruajmë të gjitha etapat e tmerrshme të saja;komunistët mësynin me tërbim të madh.Trimëria e tyre nuk mohohet.Ishin kaq të etur kësaj radhe për fitore, sa që kishin marrë parasysh çdo humbje dhe i përsëritnin sulmet valë-valë”.

Në këtë kohë brigada e 1-rë mori urdhër të kalonte në krahinën e Matit dhe brigada e 4-të në zonat në krahun e djathtë të Drinit të Zi dhe detyra për mbrojtjen e krahinës dhe çlirimin e Dibrës iu ngarkua brigadës sonë. Me ne bashkëpunonte dhe Batalioni i  Dibrës i krijuar që një vit më parë/26 korrik 1943/ dhe në kushte shumë të vështira kishte kryer aksione të guximshme kundër pushtuesve dhe veglave të tyre në këtë rajon.

Komanda gjermane, duke u mbështetur në garnizonin e saj që mbronte qytetin e Dibrës dhe në mercenarët e Halil Alisë dhe të Xhem Gostivarit, bëri sulme pas sulmesh kundër nesh me qëllim që të na mbante nën goditje dhe të na shtynte në drejtim të Peshkopisë, të mos na lejonte të sulmonim përsëri qytetin e Dibrës dhe të prisnim rrugën Dibër-Strugë-Tetovë-Shkup.

Për këto arsye ne morëm urdhërin e mbrojtjes me çdo kusht të Peshkopisë dhe u përqëndruam në Maqellarë që të pengonim trupat gjermane për kalimin e tyre në rrugën Dibër-Peshkopi. Njëkohësisht forcat e brigadës sonë morën masa për sigurimin e krahëve dhe të shpinës nga mali duke vendosur forca në malin e Korabit.

 

Shpartallimi i forcave gjermane dhe mercenare në Maqellarë dhe malin e Korabit.

 

Gjatë 20 ditëve të para të gushtit, komanda gjermane zhvilloi veprime luftarake në të gjithë frontin kundër brigadës sonë e njëkohësisht grumbulloi edhe forca të reja në thellësi. Ajo mendonte që të kthente drejtimin e goditjes kryesore nga Maqellara në malin e Korabit, për të na marrë krahët. Ky plan i tyre u zbulua, nëpërmjet të zbuluesve tanë në prapavijat e armikut sikurse edhe përqëndrimi i forcave të tij kryesore në Strugë nën komandën e oficerave gjermane dhe të Xhem Gostivarit dhe u morën masat për përmbysjen e planeve të tij. Mbështetur në informacionet e grumbulluara, shtabi i brigadës iu dha këtë urdhër të gjithë batalioneve:

Grushtet e rënda që hëngrën okupatori dhe reaksioni në qarkun e Peshkopisë dhe të Dibrës prej forcave të Divizionit të 1-rë, suksesi i madh politik që korri brigada e jonë në ndihmën që dha për krijimin e brigadës së 18-të dhe afrimin e forcave tona në drejtim të Dibrës, bënë që armiku dhe reaksioni të jetojnë ditë të hidhura dhe të presin nga çasti në çast shpërthimin e sulmit tonë. Për evitimin e këtij sulmi dhe për rimëkëmbjen e reaksionit në qarkun e Peshkopisë dhe të Dibrës, janë përqëndruar prej Maqellarës në malet mbi Dibër, në mal të Inoskës dhe të Korabit, disa forca armike jo më shumë se 1000-1200 vetë, të përbërë prej gjermanësh, xhandarësh e mercenarësh.

Megjithëse armiku ka në përdorim armë të rënda dhe pozicione të favorshme, morali i tij është shumë i ulët…Duke marrë parasysh përbërjen e armikut, moralin e tij dhe suksesin e madh politik dhe ushtarak që korri brigada jonë, me thyerjen e forcave armike të përqëndruara, urdhërohen të gjitha shtabet e batalioneve të veprojnë si më poshtë:…”

Dhe mbasi përcaktonte detyrat e batalioneve të tjera batalionit tonë iu caktua si detyrë që në bashkëpunim me një batalion të brigadës kosovare, që do të zinte vendin e batalionit tonë të 5-të, të studionin mundësinë e rrethimit të forcave armike të përqëndruara në katundin Allajbeg e tej këtij katundi.

Për herë të parë në historinë luftarake të brigadës sonë u përdorën sinjalet që jepnin orientimet e sulmit ose tërheqjes nëpërmjet shenjave të revolverëve. Kështu u dhanë këto shenja:

Ngjyra e bardhë tregonte drejtimin e armikut, e gjelbëra, pozitat ku kemi mbrijtur ne, e gjelbër e kuqe tregonte se duhej filluar sulmi dhe ngjyra e bardhë e kuqe jepte sinjalin e tërheqjes. Të gjitha këto shenja duhej të hidheshin në drejtim të armikut.

Më 20 dhe 21 gusht armiku grumbulloi në malin e Korabit forcat e përqëndruara në Strugë dhe një pjesë të forcave që zhvillonin deri atëherë luftime në Maqellarë. Me sulme të përsëritura ai mundi të kapë më 21 dhe 22 gusht disa lartësi në malin e Korabit duke krijuar kështu një pykë në mes të forcave të batalioneve të 3-të dhe të 4-të të cilët mbronin të gjitha lartësitë veriore dhe veri-perëndimore të malit Korab. Komanda gjermane, duke futur në luftë të gjitha forcat e saj kryesore që ishin përqëndruar në fshehtësi në pyjet e fshatit Zhivornicë, parashikonte të fillonte mësyemjen kryesore më 23 gusht nga mali i Korabit për në Peshkopi, duke synuar që, pasi të pushtonte Peshkopinë, të godiste nga shpina dhe përpara forcat tona dhe, në rajonin e Maqellarës, t’i rrethonte dhe t’i asgjësonte pjesë-pjesë.

Kjo zonë përfshinte rajonin në këndin më verilindor të kufijve të Shqipërisë, nga mali Jenica /piramida Nr.9/dhe në veri deri në katundin Zimur dhe lartësia 2405m.Vendi në këtë zonë ishte i zhveshur dhe shkëmbor me lartësi të mëdha dhe pjerrenj të thellë. Këto karakteristika të terrenit dhe sidomos fakti që lartësitë 1340, 1333, katundi Cerjan dhe lartësitë 2345 ndodheshin në duart e armikut, krijuan vështirësi të mëdha për forcat tona që për të asgjësuar pykëzimin e rrezikshëm të armikut për forcat e brigadës, duhej të goditnin armikun nëpër shkëmbinj dhe nga poshtë lart.

Komanda e brigadës vendosi t’i paraprinte sulmit armik, që natën e 22 gushtit të hidhte në sulm në drejtim të Korabit forcat kryesore të tij ato të 4 batalioneve, të 2-të, 3-të, 4-të dhe 5-të, kurse në drejtim të Maqellarës të vazhdonte mësymjen batalioni ynë. Sulmi u caktua të kryhej në orën 22.00 të datës 22 gusht i menjëherëshëm në të gjithë frontin, që nga Drini gjer në malin e Korabit, por ai u zhvillua më parë, në orën 18.00 nga dy skuadra të kompanisë së katërt të batalionit të 4-të, të cilat me inisiativën e tyre, nën mbështetjen e zjarrit të mortajave, sulmuan dhe me një sulm të befasishëm i muarën armikut lartësinë 2678. Pas tyre të gjitha forcat e batalionit të katërt e të tretë, në fshehtësi dhe midis gërxheve dhe terrenit të thepisur u hodhën të gjitha në sulm. Forcat gjermane dhe mercenare, të cilat nuk e prisnin një sulm të menjëherëshëm në të gjithë faqen perëndimore dhe jugperëndimore të malit Korab, u hutuan dhe, që në fillim, pasi humbën drejtimin, u çorganizuan dhe filluan të tërhiqeshin në panik.

Ditën tjetër, më 23 gusht, partizanët e tre batalioneve u dolën në krahë, i vunë ato përpara gjer në katundin Zhivornicë. Ata lanë në fushën e betejës 75 të vrarë dhe 50 robër, bashkë me prapavijën e tij duke përfshirë edhe kazanet me gjellë të ngrohtë. Edhe batalioni ynë që vepronte në zonën e Maqellarës sulmoi rrufeshëm dhe pasi kapëm në katundin Allajberg një bateri artilerie të armikut, vazhduam t’i ndiqnim ata që po tërhiqeshin në panik në drejtim të Dibrës.

Pas kësaj disfate komandanti i forcave gjermane vrau veten.

Të detyruar dhe të goditur rëndë nga forcat tona në Maqellarë dhe malin e Korabit, armiku hoqi dorë përfundimisht nga sulmi mbi Peshkopinë duke tërhequr të gjitha forcat e tij për t’i përqëndruar në mbrojtje të qytetit të Dibrës. Shumë mercenarë të Xhem Gostivarit dhe Halil Alisë, pasi kuptuan rrugën e tradhëtisë që ndiqnin udhëheqësit e tyre, u larguan nga ata dhe u kthyen në fshatrat e tyre.

Pas këtyre goditjeve, situata politike dhe ushtarake e forcave tona u bë shumë e favorëshme, prandaj u vendos që dy batalione të brigadës së 5-të dhe dy batalione të brigadës së 18-të që sapo ishte krijuar në ato krahina, në mbrëmjen e 2 shtatorit të sulmonin qytetin e Dibrës. Përleshja u zhvillua shumë e ashpër dhe forcat gjermane u detyruan të tërhiqen nga qyteti në drejtim të Strugës. Në mëngjesin e datës 3 shtator forcat tona hynë në Dibër të pritura me dashuri nga i gjithë populli.

Në luftën e Korabit, për herë të parë kompania e katërt e batalionit të 4-të përdori sinjalet me raketa për të raportuar marrjen e lartësisë 2678 metra. Dita e 23 gushtit, dita e shpartallimit të forcave armike në Korab, do të festohej më vonë nga populli i Dibrës si dita e çlirimit nga armiqtë dhe veglat e tyre.

Pas kësaj fitoreje të madhe, Andrea Varfi, që ndodhej në Sllatinë të Dibrës i entusiazmuar dhe frymëzuar nga heroizmi partizan shkroi hymnin e brigadës së 5-të, i cili me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare do të bëhej më vonë hymni i ushtrisë sonë, duke i ndërruar vetëm vargun: “Brigada e pestë heroike” në “Ushtria jonë heroike”.

Ne betejen disa ditore në Maqellarë ranë dëshmorë edhe dy bashkefshatarët e mi nga Tragjasi, Razi Ormeni dhe Tahir  Dalani.