Nënat çame si dëshmitare okulare të genocidit grek mbi Çamërinë

1004
Sigal

 

Fatime Baliko, dëshmon nga Amerika për viktimat e genocidit grek

Nga Hyqmet Zane

Sa herë që shoh një nënë çame të moshës së thyer, ndaloj dhe emocionohem se janë të paktat që kanë mbetur gjallë nga ajo kohë e genocidit grek. Ato, shamibardhat me tumane që në rrudhat e ballit i lexohen vragat e një jete me shumë stërmundime, janë dëshmitare të vërteta dhe të gjalla të asaj mënxyre që me sytë e tyre kanë parë atë që rrallë mund të përjetohet si në një film horror. Padrejtësisht Europa që e ka parë dhe e di mirë përmbajtjen e këtij fimi real hesht dhe nuk ka ndëshkim për krimet kundër njerëzimit. Është e përsëritur kjo sjellje europiane gjatë shekullit XX,  kur bëhet fjalë për popullsi me besim jo të krishterë. Dhe sa herë që flitet për të drejta të njeriut dhe kur mendojmë të presim të drejta nga Europa, unë nuk besoj sepse e kam provuar padrejtësinë e kësaj Europe ndaj popullatës çame të pas 27 qershorit 1944. E provoi edhe nëna ime, burri i së cilës edhe pse ishte antifashist dhe internuar në kampet e përqëndrimit të Gjermanisë, nuk u lejua të jetonte në shtëpinë e saj  dhe babait tim ia prenë rrugën për në Filat.

Pikërisht këto nëna hallemëdha, jo vetëm kanë provuar vuajtje të papara nga ato që kanë parë me sytë e tyre që janë të parrëfyera, por morën me vete edhe kujtimet e viktimave që ikën e nuk mundën t’i qajnë dot, pale t’i varrosin apo tu bënin nderet e duhura. Pikërisht këto nëna që sot kanë një barrë të madhe nga jeta e tyre mes persekutimeve andej dhe këndej kufirit, ishin fëmijë të parritur, adoloshente dhe në sytë e tyre kanë fiksuar tmerret e prindërve të tyre që përjetonin vrasjet, rrjepjet për së gjalli, djegiet, prerjet e kokave të njerëzve të tyre të afërt dhe ato janë tema të llahtarshme për filma horror që do të duhej t’i gjykonte një Hagë apo Nyrenberg i ri.

Një nënë e tillë është edhe Fatime Baliko e lindur në Margelliç dhe nga 15 ditëshe shkuan dhe rritur në Pargë deri në 1944 kur ishte 10 vjeç, kur u larguan nga gjenocidi grek. Kjo zonjë është sot 86 –vjeçe, e datëlindjes 15 maj 1934. Është si të gjitha nënat tona që të shikojnë me shumë trishtim se veç ato dhe Zoti dinë se çfarë kanë parë e jetuar në ato pak dite e javë, kur grekët vrisnin e prisnin, digjnin dhe vidhnin gjithçka nga pasuria e një krahine martire si Çamëria.

Janë pikërisht këto nëna që panë me sytë e tyre dhe iu boshatis vatra dhe barku i tyre, që bënë fëmijë, u dridhëruan nga krimet derisa edhe fëmijën ia hoqën me një bajonetë një nëne çame. Kujtojnë këto nëna se sa dhimbje ndjejnë për Sanije Bollatin e dhunuar dhe djegur së gjalli dhe sa shumë dëshmon historia e saj edhe përtej varrit, sepse shpirti i tyre jeton. Po ashtu siç dëshmoi një nënë çame që në gji mbante skalpin e kokës së të birit që e dogjën dhe e hëngrën qentë e uritur e të ndërsyer nga grekët gjakatarë të Napoleon Zervës si frymëzuesi i kriminaitetit antishqiptar në Çamëri. Çfarë do të duhet të themi sot, për atë nënë të mjerë çame që e kishte fëmijën goçi në kurriz dhe greku i Zervës shkoi nga pas duke e ndjekur dhe ia preu kokën fëmijës me shpatën e brezit, ndërkohë që nëna vraponte për t’i shpëtuar vdekjes dhe kur ndaloi një moment të merrte frymë nga lodhja e madhe, pa fëmijën e vet pa kokë! O Zot çfarë tmerri! Apo ajo nëna që në krah kishte fëmijën dhe në dorën tjetër një bohçe me rroba dhe ikte e ikte buzë detit në Sajadhë dhe në një moment e lodhur shumë, në vend të hidhte bohçen, hodhi në det fëmijën. U çmend sepse nuk i duhej më jeta.

Kam krenari sot që portretizoj një nënë çame, si Fatime Baliko, e bija e Beixhe dhe Merhmet Balikos, sot 86- vjeçare  e familjes Baliko të Margelliçit. Me vetë kjo vajzë mori imazhet e tmerreve që panë sytë e saj dhe që mbetën brenda mendjes si fotografi jo ne celluloid, që vetëm hebrenjtë mund t’i kenë provuar.

Kur kontakton me këtë zonjë 86 -vjeçare që sot banon në Çikago të SHBA, menjëherë ka një ofshamë që i del nga shpirti për ato që ka parë dhe që nuk di se kujt t’ia thotë, se aq të mënxyrshme janë ngjarjet e jetuara si dëshmi autentike, se këto nëna janë të drejta, të sinqerta, të padjallëzuara, të vërteta, se i kanë parë me sytë e tyre.  “O sa kam kam për të treguar mor bir, por kujt t’ia them, kush i dënoi ata kriminelë grekë që na vranë e na shanë, na shnderuan dhe na përzunë me zjarr dhe me vrasje pa fund”. Duke marrë me vete kujtimet e pragut të shtëpisë që e lanë pa asnjë mundësi rikthimi, Fatime Baliko (Manaj) jetoi në Vlorë pasi u martua me oficerin Mane Manaj nga Velça e Vlorës, e martuar kur ishte 21 vjeç, më 1956, duke ruajtur namuzin e familjes se ishte e mbuluar me shami në atë kohë, siç ishte zakoni për femrat e fesë islame.

“Për fenë tonë dhe për emrin shqiptar, por edhe për flamurin dhe gjuhën tonë shqipe tonë ikëm nga vendi inë, or bir, se nuk mund të bëheshim grekë, ne ishim në vendin tonë, në shtëpinë tonë, kishim pasurinë tonë e çfarë nuk kishim, jetonim në paqëllëkun tonë dhe greku na i mori me pa të drejtë dhe me të vrara”, – shprehet Fatimeja që gjithnjë ka ofshe nga dhimja e kohës që ka parë me sytë e veta gjëmën e asaj mënxyre greke dhe mallkimi për shkaktarët e asaj tragjedie i del nga shpirti.

Në bisedë e sipër të përmend pjesëtarët e familjes, vëllain e madhe  Avdi Baliko, lindur ne 1927, motra Lico e lindur më 1930, si dhe vëllanë e vogël që ishte para saj, Kadriun të datëlindjes 1936, që gjithashtu jeton me të në SHBA. Të gjithë ata mbajnë brenda shpirtit të tyre gjithçka kriminale që grekët e Napoleon Zervës bënë mbi një popullsi të pafajshme, të paarmatosur dhe të palidhur me asnjë fuqi të kohës. Fatimeja, si nënë e dy vajzave dhe një djali, është  një nga ato zonja çame që jetojnë edhe për “inat të grekut, – siç shprehet ajo, – se donte të na vriste dhe të na zhdukte, por ja që Zoti deshi që ne të jetonim dhe të jemi dëshmitarë të atij genocidi të zi që kam dhimbje që nuk u dënua ai shtet se ne çamët e pësuam aq keq si hebrenjtë që u vranë nga nazistët”.

Janë këto nëna çame që janë si “relike” të Çamërisë së asaj kohe që lindën dhe u rritën e jetuan fëmijërinë ne vendin e tyre Çamërinë e dashur dhe që nuk i lanë të jetonin  aty ku kishin shtëpinë e tyre në vendin e tyre dhe që sot janë prona të tjetërsuara pa asnjë të drejtë. “Kam besim tek Amerika jonë”, – shprehet nënë Fatimeja, duke nënkuptuar se është ai shtet i madh që ka dhënë drejtësi në botë, si në Kosovë. Ata do e bëjnë edhe Çamërinë. Ishte gusht i 44-s kur ikëm nga Parga jonë e bukur dhe si sot e 76- vjet të shkuara, kujtoj ato masakra që i pamë me sitë tanë dhe nuk di se kush duhet të na besojë, se çish kemi hequr e vuajtur, ndaj të lutem o djalë, shkruaji ti të paktën që të mbesin si dëshmi tonat” – e përmbyll ajo rrëfimin e vet duke pohuar se “për të shkruar për ato që ndodhën dhe ne pamë më sitë tanë nga greku, do të duhet që qiellin ta bësh letër dhe detin bojë dhe nuk do mjafronte të tregoheshin të tëra”.