Protesta masive në Bjellorusi, krerët e BE mblidhen në një samit të posaçëm, Lukashenko nën presion

273
Sigal

Krerët e shteteve dhe të qeverive të BE-së mblidhen për të diskutuar si mund të ndërmjetësojnë në krizën në Bjellorusi.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka ftuar kryetarët e shteteve dhe të qeverive për një samit ku do të diskutojnë të mërkurën se si mund të shtohet më shumë presioni ndaj Presidentit të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko. “Qytetarët e Bjellorusisë kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e tyre dhe të zgjedhin lirisht udhëheqjen e tyre,” shkroi Michel në twitter. “Dhūna kundër protestuesve është e papranueshme dhe nuk duhet të lejohet.”

Me ftesën për samitin Charles Michel i përgjigjet kërkesës së Polonisë dhe të Republikës Çeke, të cilat kërkuan javën e kaluar gjatë takimit të ministrave të Jashtëm për Bjellorusinë mbajtjen e një samiti të liderëve të BE-së në mënyrë që deklaratave të BE-së t’u jepet më shumë peshë politike.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe Presidenti francez Emmanuel Macron kritikuan ashpër udhëheqjen në Bjellorusi. Steinmeier tha në Berlin, se e admiron guximin e njerëzve që dalin në rrugë për të demonstruar në mënyrë paqësore.

“Unë i bëj thirrje Presidentit Lukashenko të nisë rrugën e bisedimeve dhe të mos mbështet tek dhuna, por tek dialogu. Unë i bëj thirrje ushtrisë bjelloruse të mos mëkatojë duke përdorur dhunë kundër popullit të vet.” – tha Frank-Walter Steinmeier. Kurse Presidenti francez Emmanuel Macron tha se BE-ja duhet të mbështesë qindra-mijëra bjellorusët, që po demonstronin paqësisht për lirinë dhe sovranitetin e tyre.

BE-ja mund të vendosë sanksione të ashpra

BE-ja nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit prej të cilave Aleksander Lukashenko pretendon se ka fituar 80 përqind të votave. Opozita e akuzon atë për falsifikim të votimeve. Kandidatja e opozitës, Svetlana Tihanovskaja u detyrua të kërkonte strehim në Lituani, prej nga po drejton veprimet e opozitës dhe është e gatshme ta udhëheqë vendin.

Deri tani BE-ja ende nuk ka kërkuar qartë dorëheqjen e presidentit bjellorus, i cili ka sunduar në mënyrë autokratike që prej 26 vjetësh. Kjo mund të ndodhë të mërkurën (18.08). Sidoqoftë vendimet e samitit duhet të merren me konsensus. Dhe qeveria hungareze, e cila deri tani ka pasur marrëdhënie të mira me Aleksander Lukashenkon, mund të dalë kundër. Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto u shpreh javën e kaluar gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së për një dialog më të mirë me Minskun.

Rishqyrtim i zgjdhjeve nga OSBE-ja

Disa shtete të BE-së kërkojnë që zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi të përsëriten në kushte të lira dhe të ndershme. Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert tha se Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) duhet të angazhohet në rishqyrtimin e zgjedhjeve.

Bjellorusia, të gjitha shtetet e BE-së, Rusia dhe SHBA janë anëtare të OSBE-së. Sidoqoftë ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme presidenciale, OSBE-ja nuk mundi të dërgonte vëzhgues në Bjellorusi këtë herë. Meqë Gjermania është aktualisht Presidente e radhës e BE-së kancelarja Angela Merkel ka pasur gjatë fundjavës kontakte me shumë partnerë për të diskutuar për situatën, tha zëdhënësi i qeverisë./